E enjte, 26/12/2024, 18:57
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

Ramazani, muaji i mëshirës për muslimanët
Ramazani, muaji i mëshirës për muslimanët

 
Mëshira është një mirësi nga Allahu i Madhëruar, të cilën Ai e vendos në zemrat e atyre që Ai do. Në të vërtetë, Allahu do të ketë mëshirë për robin e Tij që është i mëshirshëm. Allahu është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Ai i do të mëshirshmit dhe na fton të mëshirojmë të tjerët. Ai i urdhëron robërit e Tij të jenë të durueshëm dhe të mëshirshëm.
Një person mund të mos jetë i mëshirshëm për disa arsye, e ndër to mund të përmendet rënia në mëkate dhe mosbindja ndaj Allahut. Zemrat e tyre zënë aq ndryshk, saqë ato verbërohen dhe bëhen më të forta se gurët. Allahu thotë për bijtë e Israilit (Jakubit): "Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta...
" (Kuran, Bekare, 74)
Allahu gjithashtu thotë për ta se kur kundërshtuan dhe dolën kundër ligjit të shenjtë: "
Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të shtangura)." (Kuran, 5:13)
Ndër gjërat që shkaktojnë humbjen e mëshirës janë edhe arroganca dhe krenaria që burojnë nga pasuria e madhe. Allahu thotë: "
Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pavarur." (Kuran, 96:6-7)
Por nëse zemra është e disiplinuar me besim dhe e mbushur me vepra të mira, ajo mbushet edhe me mëshirë dhe butësi.
Një tjetër arsye për dobësinë e mëshirës është grykësia dhe ngopja. Këto janë shkaqe që sjellin pakujdesinë. Prandaj, muaji i Ramazanit u bë detyrim për ta mposhtur këtë çrregullim dhe disiplinë të keqe. Njeriu që agjëron është në mënyrë të natyrshme ndër njerëzit më të mëshirshëm, pasi ai ka shijuar urinë, ka përjetuar etjen dhe ka kaluar vështirësi. Shpirti i tij është i mbuluar nga mëshira, kujdesi dhe sjellja e mirë kundrejt muslimanëve.
Mëshira është diçka që çdo musliman duhet ta ketë për vëllanë e vet besimtar.
Mëshira është një gjë që kërkohet nga çdo kujdestar karshi atyre që ka në kujdes. Ai duhet të ndiejë keqardhje për ta dhe duhet të jetë i mëshirshëm ndaj tyre.
Mëshira kërkon që dijetari dhe mësuesi të jenë të njerëzishëm karshi studentëve dhe t’i drejtojnë ata drejt mënyrës më të mirë që këta t’i duan ata dhe të përfitojnë nga dija e tyre. Nëse ai vepron kështu, atëherë Allahu do t’i japë atij shpërblimin më të mirë. Shihni se si e lavdëron Allahu të Dërguarin e Tij salallahu alejhi selam: "
Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje,...” (Kuran, 3:159)
Mëshira nënkupton që imami të mos e bëjë adhurimin të vështirë për xhematin e tij ose të mos i dëmtojë ata. Përkundrazi, ai duhet të jetë i mëshirshëm, i butë dhe i mençur. Profeti, alejhi selam, ka thënë në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra: "Nëse ndonjëri prej jush u prin njerëzve në namaz, le të lehtësojë, sepse në mesin e tyre ka të dobët, të sëmurë dhe pleq.” (Përmbledhja e imam Neveviut shqip, numër 233)

Mëshira e bën atë që fton të tjerët në Islam që t’i këshillojë me butësi, ata që është duke ftuar në fe. Ai duhet t‘ua sqarojë çështjet atyre dhe nuk duhet t’i dëmtojë, t’i përgojojë ose t’i ofendojë këta njerëz në mënyrë publike. Allahu e këshilloi Musain dhe Harunin, alejhi selam, që të përdorin metodat në vijim në ftesën që do i bënin Faraonit tiran: "
Atij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.” (Kuran, 20:44)
Ai gjithashtu thotë:"Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (16:125)

Dijetari i madh islam, imam Shafiu, ka shkruar:

"Më ndihmo me këshillën tënde fshehtazi.
Dhe largoju këshillimit në publik.
Sigurisht se dhënia e këshillës në mesin e njerëzve është një lloj qortimi,
të cilin nuk do të doja ta dëgjoja.
Nëse nuk bindesh dhe e injoron dëshirën time,
mos u mërzit nëse nuk të bindem."

Edhe babai duhet të jetë i mëshirshëm ndaj fëmijës. Mëshira e babait ose e nënës ndaj fëmijëve ka efektin më të madh në integritetin, mirëqenien dhe bindjen e tyre. Vetëlavdërimi dhe egërsia vetëm sa ia hapin derën dëshpërimit.

O ju që agjëroni dhe i shkaktoni uri stomakut tuaj, ka me mijëra stomakë që presin një vakt. A është dikush prej jush që i ushqen ata? O ju që agjëroni dhe u shkaktoni etje mëlçive tuaja, me mijëra të tjera janë duke pritur një gllënkë ujë. A është dikush prej jush që ua shuan etjen? O ju që agjëroni dhe vishni rrobat më të mira, ka shumë njerëz të zhveshur që presin një rrobë të thjeshtë për të mbuluar trupat e tyre. A është dikush prej jush që i vesh ata?
O Allah! Të lusim të hedhësh mbi ne mëshirën Tënde në mënyrë që të na falen mëkatet dhe të na fshihen gabimet dhe veprat e këqija!

Marrë nga: "Tridhjetë mësime për agjëruesit"
Përktheu nga anglishtja: Eglantina Muça
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: shpend-xhelili (11/08/2010)
Klikime: 880 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024