Statistikat |
Gjithsejt online: 1 Vizitorë: 1 Anëtarë: 0 |
|
Po na vjen një mysafir i rrallë!
Po na vjen një mysafir i rrallë!
Shfrytëzojeni këtë muaj para se të shkojë pa e kuptuar, sepse nëse do të tregoheni të pakujdesshëm, të jeni të sigurt se në fundin e tij keni për t’u penduar!
Edhe pak ditë kanë mbetur dhe do të vijë një mysafir i rrallë dhe shumë i rëndësishëm për të cilin duhet të përgatitemi. Duhet të ngrihet vetëdija jonë që kur vjen ky mysafir-Ramazani ta presim me ambicie të larta, duhet të jemi seriozë dhe ta shfrytëzojmë këtë muaj të bekuar deri në maksimum, që në fund të dalim fitimtarë. Andaj duhet prej tash që të përgatitemi për të, e që gara të mos na zë gafila-të hutuar.
Sahabët e tabiinët janë përgatitur gjashtë muaj para Ramazanit për këtë muaj të bekuar. Transmetohet se ata gjashtë muaj kanë bërë dua pas Ramazanit t’iu pranohet ai, ndërsa gjashtë muaj para Ramazanit kanë bërë dua që ta arrijnë këtë muaj. Njohja e muajit të Ramazanit dhe pozitës së tij na ndihmon dhe na bën të mundur që të përfitojmë më tepër mëshirë dhe mirësi në këtë muaj. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit çdo njëri mundohet që të gjej ndonjë rrugë dhe mënyrë për t’iu afruar Zotit. Andaj mos lejo që ky Ramazan të vjen e të shkojë si Ramazanat e tjerë, por vetëdijesohu se po vjen si një rast shumë i mirë për ty, për faljen e mëkateve. Ai që do të hyjë në Ramazan, që t’i falen gjynahet, duhet prej tash të jetë i përgatitur. Ibnul Kajimi ka thënë: "Ke kujdes prej dy gjërave: 1. Ke kujdes kur të vjen obligimi i kohës së caktuar që të mos gjejë ty të papërgatitur (Ruaju se po vjen Ramazani e po të gjen ty të papërgatitur, ruaju që kur vjen namazi të mos i kesh mendtë tjetër kund)
2. Që ta refuzosh urdhrin herën e parë. (Të vjen hadithi apo ajeti e ti e refuzon. Pranoje menjëherë ngase nuk e din se a do të vdesësh e nuk të vjen mundësia më ta pranosh)
Ai i cili hyn në ibadet i papërgatitur e godasin dy dënime: 1. plogështia për kryerjen e atij ibadeti dhe 2. përtacia për ta kryer atë ibadet.
Si të përgatitemi për këtë muaj 1. Të tregosh pendim kualitativ (nga mëkatet, nga mënyra e jetesës, nga humbja e kohës, për gjumin e tepruar, për ndejat e tepruara, nga gjuha dhe sherri i saj posaçërisht në Ramazan, të penduarit nga përtacia dhe dembelizmi, etj.) 2. Ta ngadalësosh ritmin e jetës. Ngadalësoje prej tash shpejtësinë e dynjasë, fillo t’i reduktosh vizitat që i ke pasur, punët e shtëpisë, obligimet, provimet, mundësisht lirohu nga obligimet e dynjasë ngase kjo është kohë e veçimit me Allahun që ta shfrytëzosh dhuratën që ta ka dhënë Allahu) 3. Fillo prej tash namazin e natës ngase në Ramazan duhet bërë garë e jo ushtrime. Prej tash fillo ta ushtrosh gjuhën për dhikër, në mënyrë që në Ramazan ta shtosh atë. Fillo të lexosh Kur’an. Çdo ibadet filloje që tani!
O robër të Zotit, ejani dhe merrni pjesë në garën hyjnore! Në garën që askush nuk do të mbetet pa shpërblim, por gjithkush do të shpërblehet me aq sa meriton. Ejani, o njerëz, të ulemi në shtëpinë e madhërishme të Zotit dhe trupin ta mbushim me mëshirë hyjnore!
Ditët e muajit Ramazan janë shumë të kufizuara. Sa shumë janë ata njerëz që e humbin muajin e Ramazanit pa përfituar asgjë për vetveten. Tani për ta përgatitur vetveten për këtë muaj duhet të kthehemi në urdhëresat dhe këshillat e të Dërguarit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili në hadithet e tij na këshillon për programe të mira për këtë muaj të shenjtë. I humbur është ai që nuk përfiton dhe nuk lutet në këtë muaj. Me urinë dhe etjen në këtë muaj përkujtoni Ditën e Gjykimit kur do të jeni të etur dhe të uritur. U jepni lëmoshë të varfërve dhe nevojtarëve! Nderoni më të vjetrit dhe mëshironi të vegjlit tuaj!
O njerëz, çdo njëri nga ju që e përmirëson edukatën e tij në këtë muaj do ta ketë shumë lehtë të kalojë në urën e Siratit, në ditën kur dridhen hapat e të gjithëve. O njerëz, në këtë muaj hapen dyert e parajsës. Kështu që nga Zoti juaj kërkoni që të mos ua mbyllë këto dyer, kurse në anën tjetër do të mbyllen dyert e djajve dhe kërkoni nga Zoti që të mos i hap këto dyer për ju! Shfrytëzoni çdo moment që ta adhuroni Zotin dhe të përfitoni që të bëheni më të devotshëm dhe më të moralshëm! Sepse nuk dihet se a do të jeni gjallë vitin e ardhshëm që t’i përmirësoni gabimet tuaja. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, lidhur me muajin e Ramazanit ka thënë: "Ka ardhur muaji i Ramazanit, shtoni lutjet dhe kërkoni ndjesë shumë nga Zoti! Ngase lutjet dhe duatë largojnë nga ju fatkeqësitë, kurse kërkimi i ndjesës apo istigfari iu largon nga mëkatet.”
Inshallah, Zoti na mundëson që edhe ne të kemi nderin dhe rastin të ndodhemi në mesin e atyre agjëruesve të pastër dhe të përfitojmë nga mirësitë dhe kënaqësitë e këtij muaji të bekuar në mënyrë që të mos humbim shpërblimin e agjërimit!
Vërejtje: Cili është roli i gruas në muajin e Ramazanit? Mos vallë i gjithë mundi i saj duhet të jetë në artin e gatimit? Çfarë ka punuar ajo për Krijuesin e saj në këtë muaj? JO. Mos të jetë angazhimi yt kryesor arti i gatimit, por të jetë: dhikri, leximi i Kuranit, namazi i natës e ibadetet e tjera.Shfrytëzojeni këtë muaj para se të shkojë pa e kuptuar, sepse nëse do të tregoheni të pakujdesshëm, të jeni të sigurt se në fundin e tij keni për t’u penduar!
Shkruar nga Blerta Shaqiri
|
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: shpend-xhelili (11/08/2010)
|
Klikime: 1265
| Ranguar: 0.0/0 |
|
|