Statistikat |
Gjithsejt online: 4 Vizitorë: 4 Anëtarë: 0 |
|
Përse të tjerët qajnë në Ramazan, kurse unë jo?
S’do mend se ndër shkaqet e shpëtimit dhe të suksesit në çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër është që njeriu të jetë i çiltër me vetveten dhe mos ta arsyetojë shumë atë, në mënyrë që mos të befasohet nga vdekja e pastaj të pendohet, pasi pendimi atëherë nuk do t’i sjellë dobi.
Vëlla i nderuar, s’ka dyshim se të qarët nga frika e Allahut të Lartësuar ka vlerë të madhe. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i fusë nën hijen e Tij ditën kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij.” Ndër ta përmendi edhe njeriun e vetmuar, “i cili e përmend Allahun dhe i rrjedhin lotët.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Përse të tjerët qajnë në Ramazan, kurse unë jo?
Kjo pyetje sillet në mendjen e shumicës së atyre që kanë mangësi në kryerjen e urdhrave të Allahut, port ë gjithë ne kemi mangësi dhe e lusim Atë që të na falë. Kur dëgjojmë ajete kuranore, kur lexohen hadithe të të Dërguarit të Allahut ose rrëfime nga të parët tanë, vërejmë se shumica e njerëzve të cilëve u janë zbutur zemrat qajnë.
Përse ata qajnë, kurse unë jo? Bëj përpjekje që të kem frikë nga Allahu, por s’mundem. Ata pranë meje, qajnë. A thua, përse?!
Shkakun vëlla i nderuar, e ka treguar Allahu i Lartësuar: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.” (Mutafifin, 14) Pra, për shkak të veprave të tyre, në zemrat e tyre nuk depërtojnë mirësitë dhe u është shtuar hutimi e pakujdesia. Pikërisht ky është shkaku i vërtetë për qarjen e pakët nga frika e Allahut të Lartësuar.
Çfarë i bëri ata që të kenë frikë dhe të qajnë, madje të ndiejnë kënaqësi me këtë veprim, kurse ne nuk qajmë? Ata u larguan nga mëkatet dhe synim kanë botën tjetër, zemrat e tyre u përmirësuan dhe sytë e tyre lotuan. Ndërsa ne, kur i humbëm këto, zemrat tona u prishën dhe sytë tanë u shterën.
Vëlla i nderuar, dije se frika ndaj Allahut, pas së cilës pason qarja, nuk vjen dhe nuk vazhdon vetëm se nga pasimi i gjërave në vijim dhe vazhdimi i tyre:
1- Pendimi tek Allahu i Lartësuar dhe kërkimi i faljes me zemër dhe gjuhë, duke iu drejtuar Atij me pendim dhe frikë. Në këtë mënyrë, njeriu do të ketë turp nga Allahu i Madhërishëm, i Cili e ka begatuar duke i dhënë mundësinë të pendohet.
2- Braktisja e mëkateve dhe pasja kujdes prej tyre, qofshin të vogla a të mëdha, të dukshme a të padukshme, ngase ato janë sëmundje të vazhdueshme që ia vështirësojnë zemrës kryerjen e veprave të mira, e bëjnë atë të errët dhe gjithmonë sjellin brenga dhe zhgënjim.
3- Afrimi ndaj Allahut me respektimin e urdhrave të Tij me agjërim, me namaz, me haxh, me lëmoshë (sadaka), me përmendjen e Tij dhe me bamirësi.
4- Përkujtimi i botës tjetër (ahiretit). Çudia më e madhe vëlla i nderuar, është se ne e dimë se kjo botë do të mbarojë dhe se e ardhmja e vërtetë është në botën tjetër. Megjithëkëtë, ne nuk punojmë për këtë të ardhme të përhershme e të vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush është që ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atij e bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur. E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu siç i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti).” (Isra, 18-19)
5- Dija për Allahun e Lartësuar, për emrat dhe cilësitë e Tij. Allahu thotë: “Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët.” (Fatir, 28). Është thënë: “Kush e njeh më shumë Allahun, ia ka frikën më tepër Atij”. Më pas, të porosis për shtimin e leximit mbi gjendjen e burrave të mirë e të sinqertë dhe marrjen e tyre si shembull në jetë.
Vëlla dhe motër e nderuar, ditët e këtij muaji janë ditë mirësish e begatish për shumë raste që robi të kthehet tek Allahu. Djajtë (shejtanët) lidhen në pranga, hapen portat e mirësive e shtohen adhurimet. Ndaj, kthehu te Zoti yt, afroju dhe drejtoju Atij. Largohu prej mëkateve dhe pa dyshim që syri yt do të lotojë dhe zemra do të ketë frikë e do të rrëqethet.
Përktheu: Almedin Ejupi 5.9.2008
|
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: shpend-xhelili (31/08/2009)
|
Klikime: 680
| Ranguar: 5.0/1 |
|
|