Lavdia i takon Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Të nderuar agjërues! Allahu i Lartësuar thotë: "Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Shems, 9-10). Kërkesat e Kur’anit vijnë njëra pas tjetrës duke thërritur besimtarin për përqendrim në të mira, në udhëzim dhe adhurim. "Dhe adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë ty e vërteta (vdekja).” (Hixhr, 99). Porosi hyjnore të drejtuara të gjithë muslimanëve, qofshin individë ose shoqëri, që të organizojnë çështjet e tyre në bazë të Islamit, që të vazhdojnë sipas metodës së fesë, që të ndalen në kufijtë e fesë, t’u përgjigjen urdhrave të fesë, të ndalen nga ndalesat në formën dhe mënyrën më të plotë. Kështu besimtarëve u realizohet lumturia e përhershme dhe përfundimi i sigurt. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që thanë: Allahu është Zoti ynë dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Të tillët janë banues të xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë, atë e kanë shpërblim për veprat që bënë.” (Ahkaf, 13- 14). "Dhe thuaj: Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij e besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat.” (Tevbe, 105).I nderuari besimtar dhe e nderuara besimtare! I lumtur është ai që e ka mbushur kohën duke e përmirësuar ahiretin e tij, nuk e kanë hutuar kërkesat e kësaj jete nga obligimet që ka ndaj Krijuesit të tij dhe nuk e kanë larguar dëshirat e kësaj jete nga të vërtetat e ahiretit të përhershëm. Ti që ke shijuar ëmbëlsinë e besimit, kujdes nga shijimi i hidhësisë së mëkatit, bëhu i mirë dhe i devotshëm edhe pas Ramazanit, siç ke qenë gjatë Ramazanit. Dije, vëllai im musliman, se ai që ka agjëruar Ramazanin e pastaj e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, i shënohet shpërblim sikurse të kishte agjëruar tërë vitin, siç na ka treguar i Dërguari (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Është i pëlqyeshëm agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, kurse për atë që ka ditë për të kompensuar, kompensimi ka përparësi. Tashmë po dalim nga muaji i bekuar i Ramazanit me fuqi, energji dhe vullnet të akumuluar për gjithë vitin vijues. Jemi më të bindur dhe e ndiejmë veten më të përgatitur shpirtërisht, psikikisht, moralisht të mobilizuar dhe të gatshëm për Ramazanin tjetër. Së fundi, e lusim Allahun të na i pranojë adhurimet që kemi bërë gjatë këtij muaji; agjërimin, lutjet, faljet e namazeve, leximin e dëgjimin e Kur’anit, sadakatul fitrin dhe të gjitha veprat e tjera të mira! O Allah! Të lutemi të na japësh udhëheqje dhe devotshmëri, falje dhe pasuri! O Allah! Na i mbulo të metat tona e na qetëso në momentet trishtuese! O Allah! Përmirëso gjendjen e muslimanëve dhe cakto drejtues mbi ta më të zgjedhurit të tyre! O Allah! Pranoje lutjen tonë, Ti je Dëgjues, i Ditur. Prano pendimin tonë, Ti je Pranues i pendimit dhe Mëshirues! Na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët!
|