E shtunë, 28/12/2024, 01:27
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

Si e kanë kaluar Ramazanin paraardhësit tanë besimtarë

Ne duhet të shikojmë shembullin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të shokëve të tij dhe të gjeneratave të hershme të muslimanëve, nëse dëshirojmë të përfitojmë maksimumin prej muajit të bekuar. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Më të mirët e umetit tim do të jenë gjenerata pas meje. Pastaj ata pas tyre, dhe pastaj ata pas tyre.” (Sahihul Buhari: 2652 dhe Sahihu Muslim: 2533)
Ne do të shikojmë disa nga veprat të cilave paraardhësit e devotshëm u kanë kushtuar vëmendje gjatë Ramazanit.
Leximi i Kuranit

Allahu thotë: “Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin ka zbritur Kurani.” [El-Bekare, 185]

Për këtë arsye, ne shohim se paraardhësit tanë të devotshëm e kanë shtuar përsëritjen e Kuranit në Ramazan. Ibrahim En-Nehaiu tregon se El-Eswed Bin Jezidi e ka bërë hatme Kuranin çdo të dytën natë në Ramazan. Ai ka fjetur vetëm ndërmjet akshamit dhe jacisë. Jashtë Ramazanit, ai ka bërë hatme Kuranin çdo gjashtë net.

Abdul-Melik Bin Ebi Sulejmani ne tregon se Seid Bin Xhubejri po ashtu e ka bërë hatme Kuranin çdo të dytën natë.

Po ashtu është thënë që Velidi e ka bërë hatme Kuranin çdo të tretën natë, por në muajin e Ramazanit ai e bënte hatme atë 17 herë.

Selam Bin Ebu Muti’ na tregon që Katades i është dashur normalisht shtatë ditë për të lexuar Kuranin, por në Ramazan atij i duheshin vetëm tri ditë për ta bërë këtë. Vërtet ai e bënte hatme Kuranin çdo natë.

Kasim Bin Ali e përshkruan babanë e tij, Ibën Asakirin, autorin e famshëm të librit “Historia e Damaskut”, kështu: “Ai gjithnjë i ka kushtuar vëmendje namazit të tij me xhemat dhe ishte i përhershëm në këndimin e Kuranit. Ai gjithnjë e bënte hatme Kuranin të premteve. Mirëpo në Ramazan ai e bënte këtë çdo ditë dhe tërhiqej në minaren lindore të xhamisë.”

Dhehebiu shkruan kështu për Ebu Barakat Hibetullah Bin Mahfudh: Ai lexonte të drejtën islame dhe lexonte Kuran. Ai ishte i njohur për bamirësinë e tij dhe veprat e mira. Gjatë muajit të Ramazanit ai e bënte hatme Kuranin tridhjetë herë.”


Zgjimi për namazin e natës

Saib Bin Jezidi rrëfen: “Omer Ibën Hattabi ka urdhëruar Ubej Ibën Ka’bin dhe Temim Ed-Dariun për t’i udhëhequr në namazin e Ramazanit. Secili prej tyre lexonte njëqind ajete në një rekat, derisa ne duhej të mbështeteshim në shkop për shkak të gjatësisë që duhej të qëndronim. Ne arrinim ta mbaronim namazin vetëm pak para kohës së sabahut.” [Musannefi i Abdurr-Rezzakut: 7730 dhe Suneni i Bejhekiut: 4392]

Abdullahu, djali i Ebu Bekrit, rrëfen se ka dëgjuar babanë e tij duke thënë: “Derisa ne përfundonim namazin në Ramazan, shërbëtorët duhej të nguteshin për të përgatitur ushqimin nga frika se mos po agonte dita.” [El-Muwatta’: 254]

Abdurr-Rahman Ibën Hurmuzi na tregon se imamët e teravive e përfundonin leximin e Sures Bekare gjatë tetë rekateve të namazit. Ndërsa kur ata e përfundonin leximin në dymbëdhjetë rekate, njerëzit konsideronin se lexuesit ishin duke ua lehtësuar gjërat atyre. [Musannefi i Abdurr-Rezzakut: 7734 dhe Suneni i Bejhekiut: 4401]

Nafiu tregon se Ibën Omeri falte namaz në shtëpinë e tij gjatë muajit të Ramazanit. Kur njerëzit dilnin nga xhamia, ai shkonte në Xhaminë e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke marrë me vete ujë. Ai nuk dilte nga xhamia derisa e falte namazin e sabahut. [Suneni i Bejhekiut: 4384]

Imran Ibën Hudajri na tregon se Ebu Mijlazi i printe xhematit në Ramazan në lagjen e tij. Ai e bënte hatme Kuranin gjatë shtatë ditëve. [ Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 7677]


Bujaria në dhënien e lëmoshës

Ibën Abbasi thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte më bujari nga të gjithë në bërjen e veprave të mira dhe ishte në bujarinë më të lartë gjatë muajit të Ramazanit. Xhibrili e ka takuar atë çdo vit gjatë muajit të Ramazanit dhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i recitonte Kuran atij. Çdo herë që Xhibrili takohej me të, ai bëhej edhe më bujar se era e dërguar (e freskët).” [Sahihul Buhari: 1902 dhe Sahihu Muslim: 2308]

El-Muhal-lebi ka bërë këtë analizë mbi këtë hadith [shih Ibën Batal, Komentimi mbi Sahihun e Buahriut: 4/22-23]:
“Kjo tregon për mirësinë e veprave të mira dhe që angazhimi në disa veprime të mira hap rrugë për kryerjen edhe të veprave të tjera. Praktika e kryerjes së veprimeve të mira ndihmon njëkohësisht në punët e mira të mëtejshme. Këtu shohim që mirësia e agjërimit dhe takimi me Xhibrilin ka ngritur bamirësinë dhe bujarinë, aq shumë saqë ai bëhej shumë bujar, si era e dërguar (e freskët).”

El-Zyan Ibnul-Muniti sqaron krahasimin e “e erës së dërguar (të freskët)” kështu [shih El-Askalani, në “Fet-hul-Bari”: 4/139]: “Bamirësia e tij dhe trajtimi i mirë për njerëzit e varfër dhe ata në nevojë po ashtu edhe për ata të pasurit dhe që posedojnë mjete të mjaftueshme është e gjithanshme, si ndihma që sjell era e dërguar (e freskët).”

Shafiu thotë: “Është e pëlqyeshme për njeriun të shtojë bamirësinë në muajin e Ramazanit. Kjo është pasim i praktikës së të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kjo po ashtu arsyetohet me nevojat e njerëzve dhe mirëqenien e tyre, meqenëse shumë prej tyre anë të shkëputur nga fitimi i mjeteve të jetesës për arsye të preokupimit me agjërim dhe namaz.”

Ibën Umeri nuk e ka prishur agjërimin nafile asnjëherë, me përjashtim kur ka qenë duke u shoqëruar me të varfrit. Gjithnjë kur dikush ka ardhur gjersa ai ishte duke ngrënë dhe kërkonin lëmoshë nga ai, Ibën Omeri merrte prej bukës së tij atë që konsideronte se është e drejtë e racionit të tij dhe ngrihej dhe e linte pjesën tjetër të bukës për lypësin. Dhe merrte nga ajo që kishte mbetur në duart e tij dhe i jepte familjes së tij, kështu që kur zgjohej në mëngjesin tjetër agjërueshëm, ai nuk kishte ngrënë asgjë prej natës së kaluar. [Letaiful-Me’arif: 314]

Junus Ibën Jezidi na tregon se gjatë muajit të Ramazanit, Ibën Shihabi nuk angazhohej në asgjë tjetër përveç leximit të Kuranit dhe ofrimit të ushqimit të varfërve.

Hammad Bin Ebi Sulejmani ka marrë përsipër ofrimin e ushqimit për pesëqind njerëz, për t’u dhënë atyre iftar gjatë muajit të Ramazanit. Dhe në ditën e Bajramit, ai u dhuronte këtyre njerëzve nga njëqind pjesë argjendi.


Ruajtja e gjuhës

Ebu Hurejra rrëfen se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush nuk braktis fjalët e pavërteta dhe veprimet false, Allahu nuk ka nevojë për braktisjen e tij nga ushqimi dhe pija." [Sahihul Buhari: 1903]

El-Muhal-lebi ka bërë këtë shpjegim rreth këtij hadithi [Ibën Battal, Komentimi i Sahihul Buhariut: 4/23]: “Kjo tregon që agjërimi obligon përmbajtjen prej gënjeshtrave dhe fjalëve të pahijshme ashtu siç obligon ndalimin nga ushqimi dhe pija. Personi që gënjen dhe flet fjalë të pahijshme pakëson vlerën e agjërimit, i nënshtrohet pakënaqësisë së Zotit të tij dhe ka mundësi që agjërimi i tij të mos pranohet.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse dikush nga ju fillon të agjërojë, ai duhet të shmanget prej fjalëve të pahijshme dhe sjelljeve injorante. Nëse dikush e nënçmon ose dëshiron të rrihet me të, ai duhet të përgjigjet duke thënë: “Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.” [Sahihu Muslim: 1151]

Shpjegimi i El-Mezarit për këtë hadith: “Kjo bëhet për arsye se personit i është rekomanduar të thotë ”Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm” për ta përmbajtur nga përfshirja e tij në shkëmbimin e fyerjes.”

Omer Ibën Hattabi ka thënë: “Njeriu nuk duhet të ndalet vetëm nga ushqimi dhe pijet, por po ashtu edhe prej rrenave, të pavërtetave, përgojimit dhe mallkimit.” [Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8882]

Ali Ibën Ebu Talibi ka thënë: “Agjërimi nuk është largimi nga ushqimi dhe pijet, por largimi nga gënjeshtrat, të pavërtetat dhe fjalët e kota.” [Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8884]

Talk Ibën Kajsi na tregon se Ebu Dherri ka thënë: “Kur të agjëroni, kontrollojeni veten aq sa keni mundësi.” Sa për Talkun, kur ai agjëronte, ai shihej duke dalë nga shtëpia vetëm në rastet kur shkonte të falte namaz. [Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8878]

Xhabir Ibën Abdullahu ka thënë: “Kur të agjëroni, dëgjimi, shikimi dhe gjuha juaj duhet gjithashtu të agjërojnë, duke iu shmangur gënjeshtrave dhe mëkateve. Ju nuk duhet të abuzoni shërbëtorin tuaj. Ju duhet të ruani vetëpërmbajtjen dhe dinjitetin gjatë ditës, në të cilën ju agjëroni. Mos e bëni ditën tuaj të agjërimit të ngjashme me një ditë të zakonshme.” [Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8880]

Atau na tregon se Ebu Hurejra ka thënë: “Kur të agjëroni, mos u sillni në mënyrë injorante dhe mos i ofendoni njerëzit. Nëse dikush sillet me injorancë ndaj jush, thuaj: “Jam agjërueshëm.” [Musannefi i Abdurr-Rezzakut: 7456]

Muxhahidi ka thënë: “Nëse u shmangeni dy gjërave, atëherë agjërimi juaj është në rregull. Ju duhet t’u shmangeni përgojimeve dhe gënjeshtrave.”

Ebul-Alia ka thënë: “Agjëruesi është i zënë në adhurim derisa nuk përgojon dikë.”

 

Dr. Selman Avde
Përktheu: Ardian Klaiqi
12.9.2008

Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (26/08/2009)
Klikime: 701 | Ranguar: 5.0/1
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024