Rrënja e fjalës “sijam” në gjuhën arabe rrjedh nga fjala imsak, që në gjuhën shqipe ka kuptimin “të ndalohesh nga diçka”. Kurse përkufizimi i agjërimit sipas sheriatit është ndalimi nga gjërat që e prishin agjërimin1. Agjërimi i muajit të Ramazanit është shtylla e katërt e Islamit. Agjërimi është njëri ndër ibadetet (adhurimet) më të vlefshme, ngase ai i përfshin të tre llojet e durimit.
1- Sabri në adhurimin e Allahut të Lartësuar. 2- Sabri ndaj mëkateve. 3- Sabri ndaj caktimeve të vështira e të dhimbshme të Allahut.
Gjithashtu, Allahu ka thënë se agjërimi i përket Atij e gjithashtu edhe shpërblimi i agjërimit është nga Allahu i Madhëruar2. Pra, Allahu shpërblimin e ka premtuar se do ta japë Ai vetë3.
Agjërimi është fshehtësi ndërmjet Allahut të Lartësuar dhe robit të Tij si dhe amaneti më i madh. Sa i përket urtësisë së agjërimit, do të përmendim diçka shkurtimisht nga urtësitë e shumta të agjërimit, në mënyrë që sado pak lexuesi të ketë mundësi që ta kuptojë fshehtësinë e urtësisë së Allahut të Lartësuar mbi obligimin e agjërimit dhe t’i shtohet imani në këtë kohë kur besimet e njerëzve po luhaten dhe drita e imanit të tyre po zbehet. Ina lilahi ue ina ilejhi rraxhiun, ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi.
Do të përmendim disa nga urtësitë madhështore të agjërimit, të cilat janë: adhurimi i Allahut të Lartësuar, nënshtrimi absolut ndaj Allahut, që agjëruesi ta kryejë agjërimin me përulësi ndaj Allahut të Lartësuar duke mbizotëruar forcën e epsheve.
Gjithashtu, forca dhe shëndeti e bën njeriun që të mendojë se është i pavarur, t’i tejkalojë kufijtë, ta mohojë të vërtetën e të jetë i pakujdesshëm ndaj saj. Siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: “Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë për shkak se e ndien veten të pavarur.” (Sure Alak: 5-6)
Kështu, le ta dijë se është krijesë e varfër, e dobët tek Allahu i Lartësuar. Kur pas ndikimit të agjërimit në qenien e tij ai sheh dobësinë e vet, pamundësinë e tij, atëherë e kundërshton arrogancën dhe mendjemadhësinë e vet, i nënshtrohet Krijuesit të tij dhe sillet me butësi ndaj të tjerëve .
Nga urtësitë shoqërore të agjërimit janë kryerja e të njëjtit ibadet nga të gjithë muslimanët në njëjtën kohë dhe sabri i të gjithëve në këtë ibadet, qoftë i të fortit edhe i të dobëtit, i shtresave të larta të shoqërisë dhe të të ulëtave, i të pasurve dhe të varfërve, duke përjetuar që të gjithë mundin dhe vështirësinë e atij adhurimi, gjë që ua lidh zemrat dhe i bashkon shpirtrat e tyre që të jenë kolektiv. Agjërimi i bashkon fjalët e tyre në të vërtetën.
Pra, nuk ka forcë më të madhe e më triumfuese ndaj ideologjive raciste të gabuara mbi ndërtimin e shoqërisë si dhe ndalimin e shtypjes së klasave të ultë të shoqërisë duke mos i bërë padrejtësi asnjërës klasë. Gjithashtu agjërimi ua shton muslimanëve dashurinë, mëshirën e ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Kur i pasuri ndien urinë gjatë agjërimit, i kujtohet se vëllai i tij musliman e ka atë uri tërë jetën e tij dhe ia dhuron një pjesë të pasurisë së tij, me të cilën largon urrejtjen e të varfrit ndaj të pasurit dhe ajo urrejtje zëvendësohet nga dashuria dhe harmonia ndërmjet tyre e me këtë arrihet paqja dhe mirëkuptimi ndërmjet shtresave të shoqërisë.
Urtësia e edukimit dhe moralit
Agjërimi e bën njeriun më të durueshëm dhe e mëson si t’u përballojë vështirësive të rënda dhe ia shton bindjet, ia rrit ambiciet.
Urtësia e shëndetit
Stomaku është shtëpia e pothuaj të gjitha sëmundjeve, kurse ruajtja nga sëmundjet është kryet e shërimit, kështu qe është e domosdoshme për stomakun qe të marrë pushim e freskim për një kohë, që të ketë mundësi të ripërgatitet për punë të re pas mundimeve në tretjen e ushqimit.
Pra, këto ishin pak nga urtësitë e fshehtësitë e Allahut të Lartësuar në obligimin e agjërimit. Për numërimin e të gjitha urtësive të agjërimit do te ishte e nevojshme të shkruheshin vëllime të shumta për aq sa dinë për urtësitë e agjërimit dijetarët, kurse urtësitë që di Allahu i Lartësuar janë të panumërta.
Agjërimi
Hadithi i parë
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Muhamedi salallahu alejhi ue selam se ka thënë: “Askush mos të agjërojë para Ramazanit për një apo dy ditë, përveç nëse dikush zakonisht ka agjëruar, atëherë le të agjërojë.”
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Qëllimi i sheriatit është që të bëjë dallimin ndërmjet ibadeteve dhe adeteve, po ashtu qëllimi i sheriatit është që të bëjë ndarjen nga ibadetet farz dhe ibadetet sunet (vullnetare), që të kuptohet ndarja ndërmjet tyre.
Për këtë qëllim e ka ndaluar agjërimin para Ramazanit për një apo dy ditë, në mënyrë që përgatitja e njeriut për agjërimin e Ramazanit të jetë sa ma e mirë.
Këtu përjashtohet ai që ka agjëruar përherë të hënën apo të enjten apo i ka mbetur agjërim kaza e nuk i ka mbetur më kohë apo agjërimi i zotimit (kur është zotuar se do të agjërojë për Allahun). Në këto raste i lejohet që të agjërojë, se ky është agjërim i shkakut, për dallim nga agjërimi nafile (vullnetar), e më së paku për ndalesën e tij mund të themi se është mekruh (e qortuar).
Dobitë që mund të marrim nga ky hadith
1- Ndalimi i agjërimit një apo dy ditë para Ramazanit.
2- Lejimi i agjërimit një a po dy ditë para Ramazanit, të hënën apo të enjten, për atë që e ka pasur zakon t’i agjërojë këto ditë.
3- Urtësia për këtë ndalesë: Që të bëhet ndarja e adhurimeve farze (të obligueshme) nga ato sunete si dhe përgatitja më e mirë për Ramazan, me vullnet më të madh dhe me mall më të madh për agjërimin e tij. E po ashtu kur të përmendet agjërimi i Ramazanit, të ketë një kuptim të veçantë e të dalluar nga agjërimet e tjera vullnetare.
Shkëputur nga libri Tejsir Elalam, i shkrimtarit Abdullah Besam Përktheu: Hevzi Kadriu 5.7.2009
1 Si ndalimin nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij. 2Të gjitha adhurimet janë për Allahun, por ka ndodhur që gjatë historisë adhurimi t’i jetë bërë edhe dikujt tjetër pos Allahut, ndonjë mbreti apo dikujt tjetër. Por nuk mbahet mend se dikush gjatë historisë të ketë kërkuar që të tjerët të agjërojnë për të. 3Pra, Allahu e fshehu shpërblimin e agjërimit. Nëse njëri nga mbretërit e dynjasë thotë se kush bën këtë punë, unë di se si do ta shpërblej atë, që të gjithë do të nxitonin për kryerjen e atij shërbimi duke e ditur se do të marrin një shpërblim madhështor. Por si është shpërblimi i Allahut, që e ka fshehur për agjëruesin, nuk ka dyshim se ai shpërblim është aq i madh, saqë askush nuk mund ta dijë, vetëm Allahu i Lartmadhëruar.