Hadithi i tretë Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem se ka thënë: “Bëni syfyr ngase ne syfyr ka bereqet.”
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka preferuar vonimin e syfyrit, domethënë të ngrënët dhe të pirët në fundin e natës (deri në kohën e imsakut), në mënyrë që përgatitja për agjërim të jetë sa më e mirë. Le të numërojmë disa urtësi të Allahut në zgjimin për syfyr.
Zbritja e bereqetit, që përfshin dobi për këtë botë dhe për botën tjetër
Prej bereqetit të syfyrit është ajo që i mundëson njeriut të përgatitet që të bëjë më shumë ibadet gjatë ditëve te agjërimit, ngase i urituri dhe i eturi bëhen më neglizhentë ndaj adhurimit të Allahut.
Prej bereqetit të syfyrit është se ai që zakonisht ngrihet në syfyr, nuk është i neveritur nga agjërimi, përkundrazi. Kush nuk ngrihet në syfyr është shumë i lodhur nga agjërimi dhe agjëron me vështirësi.
Prej bereqetit të syfyrit është shpërblimi i madh që arrihet me pasimin e Sunetit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem.
Po ashtu nga bereqeti i syfyrit është se ai që ngrihet për syfyr në fundin natës me këtë rast përmend Allahun dhe kërkon falje të mëkateve, pastaj fal namazin e sabahut me xhemat në xhami. Ndërsa atij që nuk zgjohet në syfyr edhe namazi i sabahut mund t’i kalojë me xhemat në xhami apo e fal pas lindjes së diellit dhe në këtë rast i humb shpërblim shumë i madh. Kjo është më se e vërtetuar, pasi shohim se numri i atyre që falin namazin e sabahut gjatë Ramazanit është shumë më i madh se jashtë Ramazanit.
Prej bereqetit të syfyrit është se ai është adhurim, nëse ai që ngrihet e bën nijet për të ndihmuar veten në adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe në pasimin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem me këtë veprim. Allahu në fenë e Tij ka shumë urtësi dhe sekrete që nuk i di askush përveç Tij dhe kjo arrihet me pasimin e urdhrave të Tij.
Ç’mund të përfitojmë nga ky hadith?
1- Ngritja për syfyr është mustehab (diçka e pëlqyeshme, shpërblehet ai që e vepron dhe nuk ndëshkohet ai që e lë anash). Zbatohet urdhri i sheriatit me kryerjen e këtij suneti.
2- Arrihet bereqet me ngritjen në syfyr dhe nuk është mirë të lihet ky rast pa u shfrytëzuar. Bereqeti këtu përfshin veprimin e personit dhe ushqimin që ka për të ngrënë .
3- Urdhri i Muhamedit salallahu alejhi ue selem për ndonjë çështje në fe (sipas ulemave të usulit) e bën kryerjen e atij obligimi vaxhib (që ai urdhër të kryhet medoemos). Por në këtë rast bëhet përjashtim duke marrë parasysh veprimin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, kur ai lidhte agjërimin e një dite me ditën tjetër pa ngrënë iftar e as syfyr ndërmjet tyre. Kështu që urdhri me këtë rast bie prej vaxhibit (që të kryhet medoemos) në mustehab (gjest i pëlqyeshëm që shpërblehet nga Allahu i Lartësuar).
4- Mendimi i sufistëve është se nuk bën të hahet shumë në syfyr, ngase ngrënia e tepërt është në kundërshtim me urtësinë e agjërimit, si zbutjen e epshit nga ushqimi si dhe marrëdhëniet intime. Kurse të tjerët iu përgjigjën atyre se qëllimi i agjërimit nuk është për qëllim pakësimi i ushqimit dhe i pijes, por zbatimi i urdhrit të Allahut për të mos ngrënë dhe pirë në kohë të caktuar.
Hadithi i katërt
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Zejd bin Thabiti se ka thanë: “Kemi bërë syfyr me Muhamedin salallahu alejhi ue selem e më pastaj u ngritëm për të falur namazin e sabahut.” Thotë Enesi: “E pyeta Zejdin se sa ka pasur diferencë kohe ndërmjet ezanit dhe syfyrit? Ai tha “pesëdhjetë ajete”.
Sqarim: Fjala ezan në këtë hadith ka për qellim ikametin (e për të kuptuar këtë më mirë do të përmendin një hadith të Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “Ndërmjet çdo dy ezanëve falen dy rekate.” E përsëriti këtë tri herë e në të tretën tha për atë që do.” (Ajo që ne deshëm të argumentojmë me këtë hadith është se ka mundësi që edhe ikameti të quhet ezan.)
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Transmeton Enesi bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Zejd bin Thabiti, se ai ka bërë syfyr me Muhamedin salallahu alejhi ue selem. Nga kjo kuptohet se ka qenë sunet i Muhamedit salallahu alejhi ue selem që të ngrihej për syfyr pak para sabahut. E për këtë, kur e mbaroi syfyrin, u zgjua menjëherë për të falur sabahun. Enesi e pyeti Zejdin se sa ishte diferenca kohore ndërmjet ikametit dhe syfyrit dhe ai iu përgjigj sa këndohen pesëdhjetë ajete kuranore.
Ç’mund të përfitojmë nga ky hadith?
1- Vlera e vonimit te syfyrit deri në kohën e sabahut 2- Shpejtimi me faljen e namazit të sabahut pas imsakut posa të hyjë koha e tij. 3- Koha e imsakut është kur drita e agimit fillon të vërehet, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kuran: “Hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim.” (El-Bekare: 187) Dhe nga kjo kuptojmë se atë ajo që bëjnë njerëzit në lidhje me dy kohët: koha e imsakut dhe koha për ezanin e sabahut është bidat dhe për këtë nuk ka asnjë argument në fenë e Allahut të Madhëruar, po ajo në realitet është vetëm ves (cytje) nga shejtani, që t’ua koklavisë njerëzve çështjet e fesë së tyre, se sipas Sunetit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem se imsaku është në fillim të agimit, kur ku fillon koha e namazit të sabahut.
Përktheu: Hevzi Kadriu 19.7.2009
|