E shtunë, 28/12/2024, 15:49
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

Kapitulli i agjërimit (4)

Hadithi i pestë:
 “Transmeton Aishja dhe Esma, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se Muhamedi salallahu alejhi ue selem pas imsakut është zgjuar në mëngjes i papastër – xhunub nga kontakti martesor, pastaj është pastruar ( ka marrë gusul) dhe ka vazhduar agjërimin.”

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Ka pasur raste kur Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka pasur me bashkëshortet e tij marrëdhënie seksuale gjatë netëve të Ramazanit e ka ndodhur që ka ardhur koha e sabahut dhe ai ishte xhunub (ende i papastruar nga kontakti bashkëshortor) dhe e kapte koha e sabahut e pas hyrjes së kohës së sabahut, pastrohej dhe e falte namazin e sabahut dhe e plotësonte agjërimin e asaj dite.

E kjo është rregull për agjërimin e muajit të Ramazanit si dhe për agjërimin vullnetar jashtë muajit të Ramazanit. Ky është mendimi i xhumhurit të ulemave (shumica e dijetarëve). Nuk e ka kundërshtuar këtë mendim përveç një pakice, kundërshtimi i të cilëve është i pavlefshëm. Disa nga dijetarët transmetojnë se në këtë çështje ka ixhma të ulemave (bashkimi i mendimit të dijetarëve të umetit të Muhanedit salallahu alejhi ue selem në një kohë të caktuar për një çështje të caktuar).

Ç’mund të përfitojmë nga ky hadith:

1- Atë që e ka mbërritur koha e sabahut duke qenë xhunub, agjërimi i tij është i plotë .

2- Me këtë rast bëhet kijas (krahasim) me atë që ejakulon në gjumë (është zgjuar xhunub) e kjo ka më shumë përparësi sesa rasti i parë (që agjërimi është i plotë kur njeriu me vetëdëshirën e tij e mbërrin sabahu duke qenë xhunub), kurse atij që i ndodh pa dëshirë ka përparësi më shumë për këtë lehtësim.

3- Nuk ka dallim për këtë çështje, kjo vlen si për agjërim farz edhe për atë që është sunet (vullnetar), si për atë agjërim që është gjatë muajit të Ramazanit po ashtu edhe për atë agjërim që është jashtë Ramazanit.

4- Lejimi i marrëdhënieve seksuale bashkëshortore gjatë netëve të muajit Ramazan qoftë edhe pak para kohës së imsakut. Disa dijetarë kanë argumentuar lejimin e agjërimit të atij që është xhunub me këtë ajet kuranor:” Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja.” (El-Bekare: 187). Ngase ky ajet lejon marrëdhëniet seksuale bashkëshortore gjatë netëve të Ramazanit në tërësi pa përjashtuar ndonjë pjesë të natës, e nga ajo pjesë e natës është edhe pjesa para kohës së imsakut. Kështu që ka mundësi që pas marrëdhënieve nuk mjafton koha për (gusul) pastrim nga xhunubllëku e kjo është një nga argumentet që nxjerrin dijetarët e usuli fikhut.

5- Vlera e madhe e grave të Muhamedit salallahu alejhi ue selem si dhe bamirësia e tyre ndaj këtij umeti.

Ngase gratë e Muhamedit salallahu alejhi ue selem (nënat e besimtarëve), Allahu qoftë i kënaqur me to, na kanë transmetuar dituri shumë të madhe për këtë umet, posaçërisht për ato çështje që i përkasin rrethit të ngushtë familjar. Këto sunete (vepra të Muhamedit salallahu alejhi ue selem) nuk do të kishte mundësi dikush tjetër të na i transmetonte përveç tyre, Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me to dhe i bëftë të kënaqura.

Hadithi i gjashtë

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Kush harron gjatë agjërimit dhe pi e ha, le ta vazhdojë agjërimin sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë." (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Maliku.)

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Ky hadith na jep të kuptojmë se feja islame është e lehtë dhe nuk e ngarkon njeriun me atë që nuk ka mundësi, por vetëm brenda mundësive të tij si dhe duke mos e marrë në llogari për atë që nuk ka mundësi dhe për atë që ndodh jashtë dëshirës së tij.

Për këtë arsye, kushdo që gjatë agjërimit të tij duke filluar nga ai i Ramazanit e po ashtu edhe agjërimi vullnetar jashtë Ramazanit ha ose pi nga harresa apo ka bërë gjëra të tjera që e prishin agjërimin nga harresa, le ta plotësojë agjërimin e tij se agjërimi i tij është i plotë. Duke u nisur nga ajo se ai ato veprime nuk i ka bërë me vetëdëshirë e me qëllim, por ajo ishte një mirësi nga Allahu, që deshi ta ushqejë e ta freskojë, por edhe njëherë do të themi, që të mos keqkuptohet, se kjo vlen vetëm në atë rast kur ndodh nga harresa.

Mospajtimi i dijetarëve për këtë çështje.

Xhumhuri (shumica) e dijetarëve mendon se ngrënia apo pirja nga harresa nuk e prish agjërimin.
Kurse mendimet e tyre ndryshojnë sa i përket çështjes së marrëdhënieve seksuale gjatë agjërimit, se a është e njëjtë sikurse çështja e ngrënies dhe e pirjes apo jo.
Mendimi i imam Ahmedit dhe i pasuesve të tij është se marrëdhëniet seksuale e prishin agjërimin qoftë edhe nga mosdija apo harresa. Po ashtu, nëse ndodh gjatë ditëve të Ramazanit është obligim kefarja (shpagimi i shkeljes së kësaj rregulle agjërimit) e ky është si mendim i veçantë i imam Ahmedit . E argumentimi i tij për këtë çështje është përkufizimi i hadithit vetëm për ato gjëra që i ka përmendur, si : ngrënien dhe pirjen, duke përjashtuar marrëdhëniet seksuale, çka jep të kuptohet se ato bëjnë përjashtim nga kjo rregull. Gjithashtu edhe bërja e marrëdhënieve nga harresa pothuajse është e pamundshme për dallim nga ngrënia dhe pirja.

Mendimi i shumicës së dijetarëve, si Ebu Hanifja, Shafiiu, Daudi, IbnTejmije e shumë të tjerë, se marrëdhëniet seksuale nga harresa nuk e prishin agjërimin duke e argumentuar mendimin e tyre si vijon:

Një: Siç transmeton Hakimi hadithin nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Kush e prish agjërimin në Ramazan nga harresa, nuk e përsërit atë ditë e po ashtu nuk ka nevojë për shpagim të asaj dite.”
Thotë Ibën Haxheri: “Ky është hadith sahih.” Pra, kjo është përfshirës si për marrëdhënie seksuale apo gjithçka tjetër që e prish agjërimin.

Dy: Argumentet e sheriatit argumentojnë për këtë. Nga Kurani: "Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë.” (El-Bekare: 286) Po ashtu edhe nga Suneti: “I është falur umetit tim ajo që bëhet nga paqëllimi, nga harresa si dhe ajo për të cilën janë detyruar me dhunë.”

Tre: Kundërshtuesit e këtij mendimi bashkohen me mendimin e dytë të dijetarëve, se për bërësin e këtij veprimi nuk ka mëkat.
E nëse sheriati i ka lënë arsye për diçka nga harresa (ngrënie e pirje), ajo përfshin në tërësi të gjitha gjërat që e prishin agjërimin, edhe marrëdhëniet seksuale bashkëshortore, e për përjashtim nuk ka kurrfarë argumentimi
Xhumhuri i është përgjigjur argumentit të hanbelive se në këtë hadith është përmendur ushqimi, por për qëllim është gjithë ajo që e prish agjërimin.

Ç’mund të përfitojmë nga ky hadith?

1- Agjërimi i atij që ha e pi apo ka bërë marrëdhënie seksuale bashkëshortore nga harresa, është i plotë. Nuk është e nevojshme të përsëritet.

2- Nuk ka mëkat për ngrënie dhe pirje nga harresa sepse ai nuk e ka e bërë me vetëdije e me vetëdëshirë.

3- Kuptimi se “Allahu e ka ushqyer” është se ajo ka ndodhur pa dëshirën e tij, se Allahu ia ka bërë kader (caktim) harresën që të hajë e të pijë dhe se prapë agjërimi i tij është i vlefshëm dhe i plotë.


 

Përktheu: Hevzi Kadriu
26.7.2009

Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (26/08/2009)
Klikime: 758 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024