Statistikat |
Gjithsejt online: 1 Vizitorë: 1 Anëtarë: 0 |
|
Kapitulli i agjërimit (7)
Agjërimi gjatë udhëtimit
Sheriati është i përpiluar në mënyrën më të përsosur dhe si i tillë i përshtatet gjithë njerëzimit, të gjitha kohërave dhe të gjitha gjendjeve dhe situatave, duke mos i ngarkuar apo rënduar njerëzit me atë që i mundon apo nuk kanë mundësi për ta bërë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.” (Haxh: 78) Si dhe ajeti tjetër: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (El-Bekare: 185)
Pasi udhëtimi zakonisht shoqërohet nga vështirësitë, siç është transmetuar në hadith: “Udhëtimi është pjesë e dënimit”, Allahu i Mëshirshëm ka bërë lehtësime në udhëtim për njerëzimin.
Nga këto lehtësime është edhe lejimi për të ngrënë dhe pirë gjatë udhëtimit në ditët e Ramazanit. Ky është një lehtësim i pëlqyer, duke u bazuar në hadithin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “Nuk është prej mirësisë së plotë agjërimi në udhëtim.” Ky hadith ka për qëllim atë që e mundon shumë agjërimi gjatë udhëtimit.
Pra, ky është një lehtësim për atë që has vështirësi në udhëtim e po ashtu edhe për ata të cilët udhëtimin e kanë të lehtë dhe argëtues, ngase rregulla është vendosur për atë që zakonisht ka (vështirësi), por në këtë rast i përfshin të gjithë ata që kanë vështirësi apo nuk kanë vështirësi.
E bazuar në këto rregulla plot urtësi, mund ta kuptojmë se sa është tolerante kjo fe dhe sa shumë i kushton rëndësi mëshirës dhe lehtësimit për njerëzit sipas situatave dhe gjendjeve të tyre, duke kërkuar nga njerëzit vetëm atë që kanë mundësi të bëjnë. Nuk na mbetet tjetër vetëm se të themi: “Jemi të kënaqur që Zoti ynë është Allahu, feja jonë është Islami dhe i Dërguari i ynë është Muhamedi salallahu alejhi ue selem.”
Hadithi i tetë
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Hamzete Bin Umeru El-Eslumij i ka thënë Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “A të agjëroj në udhëtim?” Ai e kishte zakon të agjëronte shumë dhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Nëse dëshiron, agjëro e nëse dëshiron, mos agjëro.”
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Pasi sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e kishin kuptuar se sheriati është i mëshirshëm dhe ua ka lehtësuar që të mos agjërojnë gjatë udhëtimit në shenjë mëshire për ta.
Hamza Eslemij, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte nga ata sahabë që kishin durim të madh në adhurimin e Allahut dhe po ashtu edhe në agjërim. Ai dëshironte të bënte sa më shumë adhurim dhe e kishte zakon të agjëronte shumë.
Ai shkoi dhe e pyeti Muhamedin salallahu alejhi ue selem: “A të agjëroj në udhëtim?” Muhamedi salallahu alejhi ue selem ia dha mundësinë që të zgjidhte ndërmjet agjërimit apo mosagjërimit gjatë udhëtimit dhe i tha: “Nëse do, agjëro e nëse do, mos agjëro.”
Çfarë mund të përfitojmë nga ky hadith?
1- Lejimin e ngrënies dhe të pirjes gjatë udhëtimit në Ramazan, ngase zakonisht në udhëtime ka vështirësi.
2- Mundësia për zgjedhje ndërmjet agjërimit apo mosagjërimit për atë që ka mundësi të agjërojë. Këtu kemi për qëllim agjërimin gjatë muajit të Ramazanit. Që ta kuptojmë më mirë këtë rregull, do të sjellim hadithin që e transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi, se Hamza bin Umeru, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, unë rënkoj nga plaga në shpinë, jam duke u mjekuar. Ndodh që këtë vit të udhëtoj, por mua më lehtë më vjen që të agjëroj në udhëtim sesa të mos agjëroj e të më mbetet borxh pas Ramazanit.” Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Cilëndo të duash o Hamzah (agjërimin apo mosagjërimin).”
Hadithi i nëntë
Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton: “Ishim në udhëtim me Muhamedin salallahu alejhi ue selem (në muajin e Ramazanit). Disa nga ne agjëruan e disa jo. Ata që nuk agjëronin nuk e shihnin si të gabuar veprimin e atyre që agjëronin dhe anasjelltas.”
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, udhëtonin me Muhamedin salallahu alejhi ue selem dhe disa prej tyre agjëronin e disa nuk agjëronin. Muhamedi salallahu alejhi ue selem solidarizohej me veprimin e tyre, ngase agjërimi është si bazë, kurse ngrënia dhe pirja gjatë udhëtimit) konsiderohet lehtësim. Marrja e lehtësimeve të lejuara në fe nuk kritikohet dhe për këtë sahabët nuk e fajësonin njëri-tjetrin për agjërim apo mosagjërim.
Ç’mund të përfitojmë nga ky hadith?
1- Lejimi i mosagjërimit në udhëtim.
2- Solidarizimi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem me sahabët për agjërimin apo mosagjërimin e tyre gjatë udhëtimit na jep të kuptojmë se që të dyja janë të lejuara në udhëtim (agjërimi apo mosagjërimi).
Përktheu: Hevzi Kadriu 16.8.2009
|
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (26/08/2009)
|
Klikime: 486
| Ranguar: 0.0/0 |
|
|