Namazi i teravive është sunet për burra dhe për gra. Fjala “teravi” është shumës i fjalës “teruihatun” e cila rrjedh nga fjala “rahatun”, që do të thotë çlodhje, pushim. Imam El Fejumi në “Misbahul munir” dhe imam Ibnul Mendhuri në “Lisanul arab” shpjegojnë se namazi i teravive është quajtur kështu, ngaqë muslimanët e gjeneratës së parë, kur falnin namazin e teravive pushonin pas çdo dy selamesh, pra pas çdo katër rekatësh. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se për vlerën e këtij namazi pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kush çohet për t’u falur në ramazan (teravitë) me besim të plotë dhe duke llogaritur shpërblim tek Allahu, do t’i falen gjynahet e mëparshme.”
Namazi i teravive falet pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit në xhami me xhemat, por mund të falet edhe vetëm në shtëpi. Prej sunetit është të falen 8 rekatë, duke dhënë selam pas çdo 2 rekatësh. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Pejgamberi (alejhi selam) nuk ka falur më shumë se 11 rekatë në ramazan dhe jasht ramazanit.” Transmeton Buhariu. Pra, 8 rekatë teravi dhe 3 rekatë namaz vitër.
Shumica e dijetarëve të mëdhenj si imam Ebu Hanifja, imam Maliku, imam Shafiu, imam Ahmed ibn Hambeli, imam Sufjan eth Theurij, imam Ibnul Mubarek etj., janë të mendimit se namazi i teravive mund të falet më shumë se 8 rekatë, pasi kjo gjë ka qenë e njohur te tabiinët (pasuesit e sahabëve), të cilët i kanë falur teravitë dikush 20 rekatë, dikush 36, dikush më shumë e dikush më pak. Imam El Kemal Ibnul Humami, njëri nga dijetarët më të njohur të medhhebit hanefi, thotë: “Prej sunetit është që të falen 8 rekatë, ndërsa 12 rekatet e tjera (sa të plotësohet 20 rekatëshi) janë mustehab (vepër e pëlqyeshme).”
Namazi i teravive është i mundshëm edhe për gratë. Edhe pse namazi më i mirë për gruan është në shtëpinë e saj, siç ka ardhur në një hadith që e transmeton Ebu Daudi, kjo s’do të thotë se namazi i saj në xhami është i pavlefshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për namazin e teravive, i cili është një namaz i veçantë. Dalja e gruas nga shtëpia natën në xhami ka kushtet e veta. Ajo duhet të jetë e shoqëruar nga pjesëtarët e familjes së saj, të jetë e mbuluar, të mos zbukurohet për njerëzit e huaj, mos të parfumoset me erëra të mira.
Është e pëlqyeshme që për namazin e teravive të merren edhe femijët që kanë mbushur moshën 7 vjeç, që ta praktikojnë këtë namaz me xhemat në muajin e ramazanit dhe që të marrin pjesë në begatitë dhe mirësitë që Allahu i Lartësuar zbret në këtë muaj madhështor.
Allahu na bëftë prej adhuruesve të Tij dhe na pranoftë adhurimet!
Mustafa Tërniqi
|