E shtunë, 28/12/2024, 15:27
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

MIRË SE VJEN RAMAZAN!
 
 
Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e të gjitha botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhammedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar besimtarë!
Netët dhe ditët kalojnë, muajt dhe vitet po ecin. Disa prej njerëzve e përfunduan misionin në këtë botë, ndërsa disa ende jo. E lus Allahun e Lartësuar që jetën tonë ta bëjë të bereqetshme dhe që Ai të jetë i kënaqur me përpjekjen dhe angazhimin tonë!
Kush do të jetojë, do të shijojë të ëmblën dhe të hidhurën, të cilat nuk janë të përhershme. Njeriu do të përjetojë gëzimin dhe hidhërimin, do të përjetojë edhe përkrahjen e të tjerëve, por do të përballet edhe me shqetësimin. Të gjitha këto janë prej ligjeve të Allahut të Lartësuar. Njeriut i mbetet vetëm ajo që ka vepruar dhe një ditë do ta shikojë veprën e bërë. Atëherë, i mençuri e bën llogarinë e veprimeve që në këtë botë, para se të llogaritet në botën tjetër.
Të nderuar besimtarë!
Ditët shumë shpejt po kalojnë dhe jeta po shkon. Eci një vit i tërë dhe ja, u afrua Ramazani. Edhe një herë po na jepet mundësia ta presim muajin e bekuar, Ramazan. Të gjithë ne në pritje të këtij muaji, po, vallë a ka menduar ndokush se si do ta presë Ramazanin?
Njeriu bën përgatitjet e duhura për çështjet e kësaj bote. A nuk përgatitet për ta adhuruar Krijuesin Allah?!
Të parët tanë e pritnin muajin Ramazan që gjashtë muaj përpara. Po, në këtë mënyrë e shijonin kënaqësinë e ibadetit (adhurimit) të Allahut të Lartësuar.
Në pritjen e muajit Ramazan veçojmë këto kategori njerëzish:
1. Ata, të cilët e presin me mallëngjim muajin e faljes dhe të mëshirës.
2. Ata që nuk shprehin ndonjë interesim, por për ta Ramazani është diçka normale dhe nuk bëjnë ndonjë dallim prej muajve të tjerë.
3. Ata që e presin muajin e Ramazanit me shpirtngushtësi, duke konsideruar se i privon nga epshet dhe dëshirat, kështu që tërë ditën e kalojnë në gjumë dhe e asgjësojnë namazin.
I nderuari vëlla!
Ndalu dhe mendo se në cilën kategori bën pjesë!
Muhammedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i përgëzonte besimtarët me ardhjen e muajit të bekuar, në të cilin hapen portat e faljes dhe njëkohësisht mbyllen dyert dhe hyrjet e së keqes. Pa dyshim që urimi i Muhammedit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na përgëzon:
“Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Shënon Nesaiu).
Pse të mos gëzohet besimtari nga muaji i bereqetit, i dhuratave, i namazit, i durimit, i faljes, i pendimit, i devotshmërisë, i mëshirës, i pastërtisë, bamirësisë, i fitores, i ngadhënjimit...?
Mirë se vjen musafir i nderuar, dhe ne gëzohemi për Ramazanin, muajin më të nderuar ndër muajt, dhe ditët më të ëmbla ndër ditët.
Mirë se vjen pas një pritjeje të gjatë e të përmallueshme!
Mirë se vjen i nderuari mik, me erën tënde të këndshme do të kënaqen zemrat tona, me vizitën tënde do të na pastrosh nga gjynahet dhe do të na mbulosh të metat. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj: Vetëm Mirësisë së Allahut dhe Mëshirës së Tij le t’i gëzohen. Kjo është më e mirë se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.” (Junus, 58).
Dymbëdhjetë muajt janë si shembulli i bijve të Jakubit alejhi selam; muaji i Ramazanit në mesin e muajve është si Jusufi alejhi selam në mesin e vëllezërve. Ashtu siç ishte Jusufi alejhi selam më i dashur për Jakubin alejhi selam, edhe muaji Ramazan është ndër muajt më të zgjedhur të Krijuesit. Jusufi alejhi selam ishte i sjellshëm dhe i mëshirshëm ndaj vëllezërve, me gjithë sjelljen e tyre të egër. Ai me butësi dhe falje i amnistoi duke u thënë:
“Asnjë qortim për ju këtë ditë, Allahu ju fali dhe Ai është më Mëshirëploti se çdo mëshirues!” (Jusuf, 92).
Po kështu, ky muaj do të jetë falje dhe mëshirë për besimtarët, prangosje e shejtanëve.
Gëzohu për faljen e Allahut të Lartësuar. Gëzohu që Ai të dha mundësinë e përmirësimit dhe të pendimit. Gëzohu për hapjen e dyerve të xhenetit dhe mbylljen e dyerve të xhehenemit.
Të nderuar besimtarë!
Muaji i Ramazanit, muaji i bereqetit, në të cilin Allahu i Lartësuar mbulon me mëshirën e Tij, pranon lutjet e besimtarëve, krenohet me agjëruesit para melaqeve. Besimtari gjatë pritjes së muajit të Ramazanit ripërtërin kujtimet, besën, dëlirësinë, pastërtinë. Ai largohet nga gjynahet dhe përgatitet për adhurimet, si leximi i Kur’anit, falja e namazit, përmendja e Allahut...
Agjërimi reflekton tek agjëruesi fuqinë e imanit (besimit), pasi duke e sanksionuar veten, ai respekton urdhrin e Allahut prej kohës së syfyrit deri në iftar.
Të nderuar besimtarë!
Ramazani është një mundësi ekskluzive për besimtarin e mirë që ai të jetë falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar. Le të kujtojmë së bashku se jemi të obliguar ta falënderojmë Krijuesin Fuqiplotë për të mirat dhe dhuntitë e pakufishme të Tij. Veçojmë tri mënyra falënderimi:
1. Falënderimi me zemër.
Falënderim me zemër do të thotë bindje e fuqishme se Allahu është Zot, Krijues, Sundues, Furnizues, i Pastër, Mbikëqyrës, Mbizotërues dhe kështu bëhet konfirmimi i brendshëm për të mirat e pakufishme.
2. Falënderimi me gjuhë.
Mirënjohja që duhet të bëhet me anë të gjuhës është shprehje dhe shfaqje e asaj që është në brendësi.
3. Falënderimi me vepër.
Falënderimi me vepër arrihet duke i përdorur dhuntitë e Allahut në formën më të mirë.
Falënderimi ka një pozitë të rëndësishme në fe. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl, 78).
Njeriu është i pajisur me shqisat e të dëgjuarit, me të parë dhe me zemër. Këto janë dhunti të dhuruara që e vërteta të dëgjohet, të studiohet dhe në fund të shprehet falënderimi. S’ka dyshim se falënderimi është i lidhur ngushtë me imanin (besimin) dhe se njeriu do të jetë mirënjohës ose përbuzës. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“E falënderuat dhe i besuat. Allahu është mirënjohës i dijshëm.” (Nisaë, 147).
“Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (Insan, 3).
Ditën e sotme ndaje në orë dhe puno, minutat llogariti vite, sekondat muaj, mbille të mirën, kërko falje nga Allahu i Lartësuar. Përmende Allahun dhe përgatitu për botën e ardhshme. Jeto i gëzuar dhe i qetë, kënaqu me riskun që të ka ndarë Allahu i Lartësuar.
“Merr atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës!” (A’rafë, 144).
Të nderuar besimtarë!
Në pritje të muajit të bekuar, përgatituni me mundësitë më të mira dhe në prag të Ramazanit pranojini këto porosi:
Porosia e parë: Largohuni nga bisedat dhe polemikat e panevojshme në shtëpi. Krijoni atmosferë qetësie në shtëpinë tuaj duke kryer veprime, me të cilat Allahu i Lartësuar është i kënaqur. Ndër begatitë që Ai i ka dhuruar robit të Tij është edhe shtëpia ku banon dhe mbrohet me atë nga e cila ka dobi. Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Allahu ua ka bërë shtëpitë tuaja vendbanim.” (Nahl, 80).
Porosia e dytë: Ringjalleni shpirtin, mendjen dhe trupin me agjërim. Agjëroni me të gjitha pjesët; shpirtin duke e këshilluar për jetën e shkurtër, mendjen duke e larguar nga epshet dhe trupin duke e përmbajtur dhe kontrolluar nga ushqimet e pijet.Porosia e tretë: Mbylleni gojën dhe përmbajeni veten nga fjalët e tepërta, mendoni për atë që thoni. Allahu i Lartësuar thotë:
“Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18).
Allahu i Lartësuar ju dhuroi dy sy dhe dy veshë dhe vetëm një gjuhë, prandaj është nevoja të flisni më pak.
Porosia e katërt: Ripërtërini ndjenjën e kujdesit ndaj prindërve dhe farefisit. Tregoni respekt dhe mirësi ndaj prindërve, pasi e keni për obligim kujdesin ndaj tyre. Allahu i Lartësuar na porosit:
“Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet.” (Ahkaf, 15).
“Dhe druajuni Allahut, me emrin e të cilit, ju i kërkoni njëri-tjetrit diçka dhe i ruani lidhjet farefisnore.” (Nisaë, 1).
Porosia e pestë: Largohuni nga gjynahet. Mos lejoni të bini pre e mëkateve, largohuni nga çdo rrugë e rrugicë që mund t’ju shpjerë në të keqe. Shpejtoni drejt pendimit të sinqertë duke mos i kundërshtuar dhe tejkaluar kufijtë e Allahut të Lartësuar:
“Këta janë kufijtë e urdhëruar nga Allahu, kështu që mos i kaloni ata. Dhe kushdo që i kalon kufijtë e urdhëruar nga Allahu, atëherë këta janë zullumqarë (keqbërës).” (Bekare, 229).
Pranojini këto porosi, që ta përjetoni Ramazanin me kënaqësi dhe me mirësitë e Allahut drejt xheneteve të larta.
Allahu im! Na mundëso që ta shijojmë kënaqësinë e adhurimit në muajin e adhurimit!
Allahu im! Na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër!
Aminë!!!
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (17/08/2009)
Klikime: 769 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024