Dije, o ti që të është dhënë mundësia për bindje ndaj Allahut të Madhëruar, se agjërues është ai i cili i ndal gjymtyrët nga mëkatet, gjuhën nga gënjeshtrat, fjalët e ndyta dhe dëshmia e rreme, barkun nga ngrënia e pirja, organin gjenital nga marrëdhëniet intime. Nëse flet, nuk flet me diçka që e lëndon agjërimin e tij, e nëse vepron diçka, nuk vepron diçka që e prish agjërimin. Përkundrazi, fjala e tij del e ëmbël dhe vepra e tij e mirë dhe e mbarë. Ky është agjërimi i ligjshëm, e jo thjesht të ndalurit nga ngrënia, pirja e epshet. Por agjërimi është agjërim i gjymtyrëve nga mëkatet, agjërim i barkut nga ngrënia e pirja. Ashtu sikur ushqimi dhe pirja e prishin atë, po kështu edhe mëkatet presin shpërblimin dhe prishin frytet e tij, duke shkuar me të në rangun e atij që nuk ka agjëruar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka nxitur muslimanin agjërues që të mveshet me moral të lartë e të mirë, dhe të largohet nga fjalët e ndyta, të ulëta e të pamoralshme, gjëra të cilat edhe pse muslimani është i obliguar që të largohet prej tyre në çdo kohë, por ndalesa për to është shumë më e rreptë gjatë kryerjes së obligimit të agjërimit. Kështu, është obligim mbi çdo musliman agjërues që të largohet nga këto vepra të cilat e cënojnë agjërimin e tij, me qëllim që të ketë dobi nga agjërimi dhe të arrijë devotshmërinë për të cilën ka folur Allahu në Fjalën e Tij: "O ju që besuat! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm." [el Bekare: 183].
Kjo sepse agjërimi është mjet lidhës që të shpie te devotshmëria, pasi që ai e mbron veten (njeriun) nga dëshirat e tij që janë mëkate. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Agjërimi është mburojë gjë të cilën e sqaruam në kapitullin për dobitë e agjërimit. Më poshtë po paraqesim disa vepra të urryera, të cilat duhet të njihen me qëllim që t'i refuzosh dhe të mos bieshë në to, ashtu siç thotë edhe poeti:
E mësova të keqen jo për t'a vepruar atë, por që të ruhem prej saj. E kush nuk e dallon të mirën nga e keqja, ai bie në të! 1. Dëshmia e rreme: Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kushdo që nuk e lë dëshminë e rreme dhe të vepruarit me të, Allahu s'ka nevojë që ai ta lërë ngrënien dhe pirjen e tij."
2. Fjalët e kota dhe të turpshme: Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Agjërimi nuk është të ndaluarit nga të ngrënit e të pirit, por ai është të ndaluarit nga fjalët e kota e të turpshme. Nëse dikush të shan apo të ngacmon (të sulmon), ti thuaj: Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm.
Pikërisht për këtë shkak ka ardhur edhe kërcënimi i ashpër nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që vepron këto vepra të këqia, siç thotë i sinqerti i cili nuk flet nga vetja e tij: "Ndodh që ndonjë agjërues të mos arrijë nga agjërimi i tij veçse uri dhe etje."
Shkak për këtë është fakti se ai që e vepron kështu, ai nuk e percepton realitetin e të agjëruarit për të cilin Allahu na ka urdhëruar, kështu që Allahu e ndëshkon atë duke ia bërë haram atij shpërblimin dhe sevapet
Për këtë shkak, dijetarët tanë prej selefëve të sinqertë, kanë bërë dallim ndërmjet të qënurit e ndalimit në atë kuptim të veçantë në lidhje me adhurimin, duke shkaktuar prishjen e atij adhurimi, dhe ndërmjet të mos qenurit e tij në atë kuptim, duke mos e prishur kështu adhurimin
|