E premte, 27/12/2024, 08:33
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

ITIKAFI DHE NAMAZI I TERAVIVE

Itikaf nga ana gjuhësore do të thotë të qëndrosh mbyllur në një vend, ndërsa në gjuhën e sheriatit do të thotë të qëndrosh për një kohë të caktuar brenda në xhami duke bërë adhurime. Imam Ibn Kajim Xhevzije në librin e tij "Zadul mead" thotë: “Qëllimi i itikafit është të lidhësh zemrën me Allahun, duke u veçuar me Të me adhurime si dhe duke i ndërprerë lidhjet me krijesat.”
Koha e itikafit nuk është e përcaktuar, mund të qëndrohet për një kohë të shkurtër ose të gjatë, sipas nijetit. Prej sunnetit (traditës pejgamberike) është të qëndrohet në itikaf 10 ditët e fundit të ramazanit, sepse ato janë ditët më të mira në ramazan dhe Nata e Kadrit është brenda këtyre 10 ditëve. Pejgamberi a.s. ka hyrë në itikaf në xhaminë e tij çdo ramazan në 10 ditët e fundit, ndërsa në vitin në të cilin ka ndërruar jetë ka hyrë në itikaf 20 ditët e fundit, siç transmeton Buhariu.
Itikafi mund të bëhet në çdo xhami në të cilën falet xhumaja dhe pesë namazet e ditës me xhemat. Gjatë itikafit nuk mund të dilet nga xhamia, vetëm nëse duhet patjetër. Nëse itikafi bëhet jo në muajin e ramazanit, është mirë që të agjërohet. Gjatë itikafit besimtari duhet të bëjë sa më shumë adhurime, të falë namaz nafile, të këndojë Kur’an, të përmendë Allahun sa më shumë (dhikr), të kërkojë falje për mëkatet dhe t’i drejtohet Atij me lutje të ndryshme.
Itikafi është më se i mundshëm edhe për gratë. Çdo grua që dëshiron të qëndrojë në itikaf brenda në xhami është e lirë ta bëjë këtë. Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi a.s ka qëndruar në itikaf për çdo ramazan në 10 ditëshin e fundit derisa ndërroi jetë, pastaj kanë qëndruar gratë e tij në itikaf pas vdekjes së tij.” [Transmeton Buhariu dhe Muslimi] Në një hadith tjetër të Buhariut dhe Muslimit thuhet se një nga gratë e Pejgamberit ka qëndruar në itikaf bashkë me Pejgamberin a.s.. Itikafi për gratë në xhamitë e sotme është më i thjeshtë, pasi ato mund të veçohen në pjesën e sipërme të xhamisë (nafileja e grave) e në këtë mënyrë janë më të lira për të kryer adhurimet. Atij/asaj që qëndron në itikaf i lejohet të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami gjatë kohës së itikafit, por duhet të ketë kujdes të ruajë pastërtinë dhe dinjitetin e xhamisë si vend adhurimi. Duhet të kemi parasysh edhe diçka tepër të rëndësishme. Nuk lejohet që burri ose gruaja të qëndrojë në itikaf dhe të lërë mënjanë detyrimet dhe përkujdesjen ndaj familjes, pasi itikafi është sunnet, ndërsa përkujdesja për familjen është vaxhib (detyrë). Në fillim duhen bërë obligimet që kemi ndaj familjes, pastaj sunneti. Nëse mund të bëhen të dyja, kjo është një mirësi më tepër.
 
Namazi i teravive, simbol i ramazanit
Namazi i teravive është sunnet për burrat dhe për gratë. Fjala teravi është shumësi i fjalës “tervihatun”, e cila rrjedh nga fjala “rahatin”, që do të thotë çlodhje, pushim. Imam Fejjumi në “Misbahul munir” dhe Imam Ibn Mendhuri në “Lisanul arab” shpjegojnë se namazi i teravive është quajtur kështu ngaqë muslimanët e gjeneratës së parë, kur falnin namazin e teravive, pushonin pas çdo dy selamesh, pra pas çdo katër rekatesh. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se për vleftën e këtij namazi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush çohet për t’u falur në ramazan (teravitë) me besim të plotë dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.” Namazi i teravive falet pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit në xhami dhe me xhemat, por mund të falet edhe vetëm në shtëpi. Prej sunnetit është të falen 8 rekate, duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh. Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi a.s. nuk ka falur më shumë se 11 rekat si në ramazan ashtu dhe jashtë ramazanit.” [Transmeton Buhariu] Pra, 8 rekatë teravi dhe tre rekatë namaz vitër. Shumica e dijetarëve të mëdhenj, si Imam Ebu Hanifja, Imam Maliku, Imam Shafiu, Imam Ahmed bin Hanbeli, Imam Sufjan Thevri, Imam Ibn Mubareku etj., janë të mendimit se namazi i teravive mund të falet më shumë se 8 rekate, pasi kjo gjë ka qenë e njohur te tabiinët (pasuesit e sahabëve), të cilët i kanë falur teravitë dikush 20 rekate, dikush 36 rekate, dikush më shumë e dikush më pak. Imam Kemal bin Humami, njëri nga dijetarët më me famë të medh’hebit hanefi, thotë: “Prej sunnetit është që të falen 8 rekatë, ndërsa 12 rekatet e tjera (sa të plotësohet 20 rekatëshi) janë mustehab (vepër e pëlqyeshme).”
Namazi i teravive është i mundshëm edhe për gratë. Edhe pse namazi më i mirë për gruan është në shtëpinë e saj, siç ka ardhur në një hadith që e transmeton Ebu Davudi, kjo s’do të thotë se namazi i saj në xhami nuk ka vlerë, aq më tepër kur bëhet fjalë për namazin e teravive, i cili është një namaz i veçantë. Por dalja e gruas nga shtëpia natën për të shkuar në xhami ka kushtet e veta. Ajo duhet të jetë e shoqëruar nga pjesëtarët e familjes së saj, të jetë e mbuluar, të mos zbukurohet për njerëzit e huaj dhe të mos parfumohet me erëra të mira. Është e pëlqyeshme që për namazin e teravive të merren edhe fëmijët që kanë mbushur moshën 7 vjeç, që ta praktikojnë këtë namaz me xhemat në muajin e ramazanit dhe që të marrin pjesë në begatitë dhe mirësitë që Allahu i Lartësuar zbret në këtë muaj të madhërishëm. Allahu na bëftë prej adhuruesve të Tij dhe na pranoftë adhurimet!
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (14/08/2009)
Klikime: 977 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024