Muaji i Ramazanit gjatë rrugës për të trokitur në portat tona ka takuar plot gjëra të reja. Ai vjen për të mëshiruar të vegjël e të moshuar, të rinj e të reja. Në depot e tij të mirësive ai ka fshehur shumë gjëra, për t’i shpalosur para mbarë agjëruesve. Ai ka sjellë me vete udhëzimin, faljen, mëshirën, duanë e pranuar, pastrimin e shpirtit, urdhrin plot urtësi. Por çfarë mund të ketë sjellë tjetër? Një xhamie i shtohen një, dy ... sa shumë besimtarë. Një familjeje i shtohet një tjetër pjesëtar. Një nëne që priste shqelmat e bebes së vogël gëzohet po në këtë muaj. Një tjetër po në këtë muaj lind.
Dihet tashmë se dispozitat e Allahut kanë të njëjtin gjykim si për burrat edhe për gratë, si për besimtarët, edhe për besimtaret, por duke pasur parasysh se gratë janë më të ndjeshme, vërtet i begatoi Allahu me këtë brishtësi!
Kështu si obligim Ramazani vjen te besimtaret që kanë mbushur moshën e pjekurisë, për ato që janë në gjendje të shëndoshë mendore dhe që e kanë mundësinë ta kryejnë këtë obligim.
Ky muaj më shumë sasa obligim, do shtoja se është shpërblim për agjëruesit, falje, mëshirë, furnizim i shpirtit me paqe, qetësi, që ndoshta na ka munguar gjatë muajve të tjerë të vitit, ndaj dhe Ramazanin e presim krahëhapur të trokasë në zemrat tona.
Femrat duket se gëzuakan më shumë. Po, përse?
Dhe ja, një grua që Allahu i ka dhuruar edhe fëmijë të tjerë, pret një fëmijë dhe si për çudi në ditën e parë të ramazanit. A nuk është kjo një ardhje me plot mirësi?
"Sapo shkel Ramazani në jetën tonë, tek unë vjen me lindjen e fëmijës”, shton e gëzuar një motër muslimane.
"Pra, më solli një fëmijë të bukur dhe kur të rritet do i flas për ditën e lindjes së tij”.
Dhe jo vetëm kaq. Një nën tjetër kupton se po në këtë muaj nuk do agjërojë vetëm, në qenien e saj është edhe vogëlushi i saj i vogël.... Aty brenda tri mbështjellave, në errësirë, do të hapë iftar me nënën e tij. A nuk është ky një gëzim për nënën? Ja se çfarë shton ajo: "Vitet e tjera agjëroja me burrin dhe me mbarë familjen, sivjet do agjëroj "dyshe”. Kam edhe një krijesë të vogël në barkun tim që do t’i bindet urdhrit të Allahut që pa parë akoma dritën e diellit”.
Edhe pse Islami ka akorduar lehtësime për gratë shtatzëna sa i përket agjërimit, ka prej tyre që gjejnë forca dhe durim për ta plotësuar këtë obligim bashkë me miliarda e miliarda njerëz nëpër botë, edhe pse kanë mundësi ta plotësojnë agjërimin në muajt në vijim, shton një mjeke muslimane. Ajo madje shton: "Nëse nënat nuk do i ushqenin për pak kohë fëmijët e tyre me ushqim, do t’ju mjaftonte atyre fakti se në këto pak orë do t’i ushqenin bebet e tyre me durim, me përulje ndaj këtij urdhri, me forcë e sakrificë, me dua pa fund. A nuk është ky një ushqim i vlefshëm që do t’i duhej shumë edhe kur të rritej?”
Një nënë tjetër shton se është në muajin e 6-të të shtatzënisë dhe mezi pret të agjërojë. Ajo shton se agjërimi është pastrim për shpirtin, për trupin dhe kur mendon se në trupin tim po rritet një besimtar i vogël, e lut Allahun të lindë i pastër, i pastruar nga ky agjërim.
Jo pa qëllim u theksua në fillim se gratë gëzohen më shumë. Ka vajza që e gjejnë veten nëna në këtë muaj dhe për to nuk ka gëzim më të madh. Por ka edhe burra që presin të bëhen prindër të rinj. Ramazani i sivjetshëm i gjen prindër shumë prej besimtarëve, që do të thotë se ka akoma më shumë gëzim, më shumë hare, më shumë falënderim ndaj Allahut për këtë dhuratë të madhe, siç është Ramazani, dhe për shumë dhurata të tjera në zemrat tona. Kështu, radhët e besimtarëve shtohen, rreshta në xhami i kalojnë pragjet e tyre.
Por, mos të harrojmë se femrat nuk janë vetëm ato të martuarat. Ka edhe të reja plot, për të cilat Ramazani ka fshehur shumë surpriza, çdo ditë e së cilës lind me të reja, me gjallëri, me dashuri të paparë mes njerëzish.
Në një xhami mbahet "hytbja e shkurtër e martesës”. Nga fjalët e imamit duket sikur dalin perla, këshilla, dua për çiftin e ri, për këtë ngjarje të destinuar për të mos u harruar, sepse u arrit pikërisht në këtë muaj që s’harrohet.
Ramazani vjen çdo vit, na viziton, na zgjon nga gjumi a harresa, ndoshta dhe nisim me të rrugën 30 ditore si një maratonë që binishin e saj në dashtë Allahu do ta ketë në xhenet e larta të Firdevsit.
Ky muaj karakterizohet nga uniteti, nga bashkimi i njerëzve dhe mëshira zbret në çdo zemër dhe nuk ka më inate. Besimtarë që agjërojnë së bashku, që hapin iftar po bashkë. Është ky muaj që më së shumti thërret për në mexhlise dijesh, aty ku mbulohesh nga krahët e melekëve, të cilët bëjnë dua për ty derisa të ngrihesh. Ndaj mexhliset e dijes vazhdojnë të shpërndajnë të mirat që sjell ky Ramazan.. Janë Fjalët e Allahut, janë fjalë Pejgamberësh që dalin nga zemra dhe gjejnë po zemër ku të futen. Ja si e presin Ramazanin edhe femrat që ftojnë të tjerat në Islam; me mexhlise ku vajzat e reja mësojnë për Islamin, e njohin atë pikërisht në këtë muaj dhe kështu shtohen edhe besimtaret q. kërkojnë t’u ngjajnë sahabeve.
|