Përshkrimi i jetës së selefëve, ajka e këtij Ummeti të Shpëtuar, ndoshta do të ishte e pamundur të përmendej në rreshtat e këtij shkrimi të shkurtër. Kjo, për vetë faktin se ata ishin pararojë në çdo mirësi. Ndonëse në rrethana jo të përshtatshme si këto që jetojmë ne sot, jeta e tyre ende vazhdon të reflektojë në gjeneratat pasuese, duke u mësuar atyre rrugën e drejtë që duhet pasuar. Edhe pse sot ata janë të vdekur, jeta dhe vepra e tyre është ende gjallë. Ajo rron mes muslimanëve duke hedhur dritë në çdo skaj të jetës së tyre. Edukimi i atij brezi nën frymën pejgamberike, me moralin dhe virtytet më të larta, si dhe përkushtimi i plotë ndaj Botës së Përtejme, bëri të paharrueshëm vlerat dhe emrat e tyre, ndaj dhe është e vështirë të flasësh për adhurimin e tyre. Po meqë fjala është për agjërimin, atëherë le të ndalemi së bashku në disa fragmente të shkëputura nga jeta e tyre, për të parë nga afër sesi e prisnin ata ardhjen e këtij muaji të begatë. Mirësitë dhe vlerat që mbante me vete ky muaj i madhërueshëm, si dhe dëshira e flaktë për ta përjetuar atë si duhet, i bënte selefët që t’i luteshin së tepërmi Allahut të madhëruar, për t’ia bërë të mundur dhe të lehtë agjërimin dhe ibadetet gjatë këtij muaji. Kështu, ata përkujtonin ardhjen e tij gjashtë muaj përpara dhe kur ai shkonte, bënin dua që Allahu t’ia pranonte atë në gjashtë muajt e tjerë. Ishte përmallimi i tyre ndaj këtij muaji dhe shpërblimi i tij i madh që i bënte të parët tanë të agjëronin me pak bukë elbi dhe ca kokrra hurma, e iftarin e kalonin me hurma e ujë. Kjo, jo sepse ata ishin të varfër, siç mund të mendohet, e nuk kishin se ç’të hanin, por dëshira për të shijuar ushqimet dhe frutat e Xhenetit ishte qëllimi i tyre. Agjërimi i tyre nuk ishte thjesht vepër që i privonte nga të ngrënit dhe të pirit, por mbi të gjitha shkollë që skaliste në shpirt përkushtimin, besimin, dashurinë, shpresën, humanizmin, devotshmërinë etj. Ishin pikërisht këto vlera dhe mirësi të panumërta arsyeja pse shumë prej tyre vdekja i gjeti me agjërim në gojë. Ibn Kethirit, në librin e tij: "El-Bidajeh ven-Nihajeh”, ku flet për kalifin e tretë të muslimanëve, Othman bin Affanin radijallahu anhu shkruan: "Dita që dora barbare do të godiste trupin e besimtarit të devotshëm, do ta gjente atë (Othmanin radijallahu anhu) agjërues. Atë ditë, sapo fali namazin e sabahut në xhami, iu drejtua xhematit me këto fjalë: "Pashë në gjumë sikur Ebu Bekri me Omerin erdhën të më takonin, pasi qëndruan me mua pak çaste, më thanë: O Othman! Agjërimin sot do ta prishësh me ne (do të hash iftar bashkë me ne)." E me të vërtetë, ai bëri iftar me ta atë natë, duke ia dorëzuar kështu shpirtin e tij fisnik Krijuesit të tij që e priste me përmallim të takohej.” Si shembulli i Othmanit ishin plot të tjerë, burra dhe gra, të cilët me agjërimin e denjë skalitën thellë emrat e tyre në shpirtrat dhe mendjet e besimtarëve që do të vinin më pas. Atëherë, le t’u ngjajmë atyre ndaj të cilëve Allahu hodhi mëshirën dhe begatinë e Tij, le të bashkohemi me karvanin e tyre dhe bashkë me ta, të shkojmë në Xhenet nga dera e agjëruesve "Rejjan”. Allahu na e mundësoftë një begati të tillë! AMIN!
|