E enjte, 26/12/2024, 15:25
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

BETEJA MADHËSHTORE E BEDRIT

Jeta në Mekë ishte bërë e padurueshme për muslimanët. Jobesimtarët i torturonin dhe nuk i lejonin ata të adhuronin Allahun e Madhëruar. Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, vendosi të shpërngulej me shokët e tij në Medinë për t’i ikur shtypjes së kurejshëve. Muslimanët u larguan nga Meka fshehurazi duke lënë pas pronat dhe pasurinë e tyre. Jobesimtarët e Mekës u mërzitën shumë nga kjo shpërngulje e suksesshme, por pa humbur kohë konfiskuan çdo pronë që muslimanët kishin lënë në Mekë dhe me to pajisën një karvan të mbushur plot me mallra për t’i shitur në Siri.
Ndërkohë, në Medinë muslimanët po mendonin si ta merrnin sërish pasurinë e tyre. Disa nga shokët e Pejgamberit dëshironin të sulmonin ndonjërin prej karvanëve të kurejshëve, por muslimanët ishin ende të dobët dhe nuk ishin të armatosur mirë për të luftuar kundër tyre. Përveç kësaj, Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, nuk do të ndërmerrte asnjë sulm kundër tyre përderisa Allahu i Madhëruar ta lejonte.
Dhe një ditë Allahu i Madhëruar i zbriti atij ajetin: “Atyre që po sulmohen me luftë u është dhënë leje të luftojnë për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi për t’i ndihmuar ata (muslimanët).” [Haxhxh, 39]
Kur Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, mori lajmin se një karvan i kurejshëve i mbushur plot me mall po kthehej nga Siria për në Mekë, iu drejtua shokëve të tij duke thënë: “Ja ku e keni karvanin e kurejshëve të ngarkuar me pasurinë e tyre. Shkoni dhe kapeni atë dhe Allahu jua dhëntë si pre lufte.”
Në ditën e tetë të muajit ramazan, muslimanët formuan një ushtri të vogël të përbërë nga 314 burra, 70 deve dhe vetëm dy kuaj. Shumica e karvanëve ndalonin në Bedr, një vend mes Mekës dhe Medinës, për të pirë dhe për të çlodhur kafshët. Ebu Sufjani, prijësi i karvanit që po vinte nga Siria, ishte informuar se Muhammedi dhe ushtria e tij kishin dalë për ta zënë. Ai dërgoi një lajmëtar në Mekë që të lajmëronte popullin e Mekës për rrezikun e afërt dhe që t’i vinin në ndihmë sa më parë. Kur lajmëtari i Ebu Sufjanit mbërriti në Mekë, ai e ktheu shalën e devesë së tij së prapthi, shqeu rrobat e veta dhe thërriti: “Karvani! Karvani! Malli juaj në karvanin e Ebu Sufjanit është në rrezik nga Muhammedi dhe shokët e tij. Ndihmë! Ndihmë sa nuk është vonë!”
Banorët e Mekës u tronditën, por me shpejtësi vendosën të formonin një ushtri të madhe për të luftuar muslimanët. Të gjitha fiset e Mekës ofruan njerëz, para dhe pajisje. Ata formuan një ushtri me 1300 burra, 100 kuaj dhe një numër të madh devesh. Mekasit marshuan drejt Bedrit me zemrat që u zienin nga zemërimi.
Ndërkohë, Ebu Sufjani mbërriti në afërsi të Bedrit. Ai e kuptoi se muslimanët nuk ishin shumë larg, prandaj ndërroi rrugë dhe u nis drejt bregut perëndimor, duke iu larguar ushtrisë muslimane. Kur u sigurua që ishte tërësisht larg rrezikut, Ebu Sufjani dërgoi një lajmëtar në Mekë për t’i lajmëruar kurejshët se nuk i duhej më ndihma e tyre. Por, Ebu Xhehli, një armik i përbetuar i Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, refuzoi të kthehej në Mekë dhe këmbënguli që ushtria të marshonte drejt Bedrit. Plot arrogancë ai tha: “Për Zotin! Nuk do të kthehemi pa shkuar në Bedr. Atje do të qëndrojmë tri ditë, do të therim bagëti, do të shtrojmë banket, do të pimë verë dhe vajzat do të këndojnë për ne. E gjithë Arabia do të dëgjojë për marshimin dhe për fuqinë tonë dhe më pas do të na respektojë. Drejt Bedrit!”
Ebu Xhehli shihte një shans të artë për të poshtëruar muslimanët, e nëse ata do të pranonin të luftonin, do të kishte mundësi të hiqte qafe Muhammedin dhe shokët e tij dhe bashkë me ta edhe Fenë Islame.
Lajmi i largimit të karvanit dhe i marshimit të ushtrisë së kurejshëve mbërriti te Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të. Ky ishte një lajm alarmues, pasi ushtria muslimane nuk mund t’i bënte ballë ushtrisë së madhe e të pajisur mirë të kurejshëve. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, vendosi të këshillohej me shokët përpara se të merrte ndonjë vendim. Muhaxhirët mezi prisnin të luftonin kundër mekasve. Udhëheqësi i tyre, Mikdad bin Amri i tha Pejgamberit, paqja qoftë mbi të: “Nëse na urdhëron, ne do të të ndjekim deri në fund të botës dhe do të luftojmë me ty derisa qëllimi yt të realizohet.”
Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, u kënaq nga kjo përgjigje, por muhaxhirët ishin vetëm një pjesë e vogël e ushtrisë. Pejgamberi deshi të dëgjonte edhe opinionin e ensarëve. Ensarët ishin betuar ta mbronin të Dërguarin e Zotit për aq kohë sa ai do të qëndronte në Medinë dhe nuk ishin të detyruar të luftonin jashtë Medinës. Në këtë moment, Sa’d bin Muadhi, prijësi i ensarëve, i tha Pejgamberit: “Ne të kemi besuar dhe të konsiderojmë të Dërguar të Zotit. Ne dëshmojmë se ajo që të është dhënë ty është e Vërteta dhe prandaj të kemi dhënë betimin tonë se do të të dëgjojmë dhe do të të bindemi. Marsho dhe ne do të jemi me ty. Për Allahun, nëse na kërkon të kalojmë detin, ne do ta kalojmë me ty dhe asnjëri prej nesh nuk do të mbetet pas. Ndoshta Allahu do të ta bëjë të mundur të shikosh te ne diçka që do të të kënaqë.”
Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, u kënaq shumë nga fjalët e Sa’d bin Muadhit dhe i dha urdhër ushtrisë të marshonte drejt puseve të Bedrit. Ata u vendosën pranë Bedrit dhe Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, dërgoi një patrullë për të hetuar pozicionet e armikut. Patrulla i solli Pejgamberit dy të rinj, të cilët ai i pyeti për ushtrinë e armikut. Ata i treguan Pejgamberit, paqja qoftë mbi të, se armiku gjendej përtej dunës së rërës në anën tjetër të luginës, dhe se ata ishin një ushtri aq e madhe, saqë çdo ditë thernin dhjetë deve për t’u ushqyer. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, iu drejtua komandantëve të tij dhe tha: “Meka ju ka dhënë thesarin e vet më të çmuar”, që do të thoshte djemtë më të mirë të saj.
Në ditën e 16-të të ramazanit, Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, u vendos në puset e Bedrit dhe e ndërtoi aty kampin e tij. Një nga komandantët e tij, Habab bin Mundhiri, që ishte një ekspert ushtarak, tha: “Sugjeroj që të marshojmë me ushtrinë dhe të kapim burimet e ujit më pranë kampit armik. Ne mund të qëndrojmë atje, të shkatërrojmë të gjithë puset e tjera dhe të hapim një pellg për të mbledhur ujë. Ne do të kemi ujë të mjaftueshëm për të pirë, ndërsa armiku asnjë pikë.”
Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, e dëgjoi këshillën e Hababit dhe e zhvendosi kampin e tij në vendin e zgjedhur nga Hababi. Më pas Sa’d bin Muadhi në një vend paksa të ngritur ndërtoi një çadër për Pejgamberin, paqja qoftë mbi të, që ai të drejtonte ushtrinë. Pejgamberi u kujdes që njerëzit e tij të ishin të gatshëm për betejë dhe i urdhëroi që të mos ishin ata të parët që do të nisnin betejën.
Dy ushtritë ndodheshin përballë njëra-tjetrës. Situata u rëndua dhe hija e vdekjes ra mbi luginë. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, e dinte se nga rezultati i kësaj beteje varej fati i muslimanëve dhe i Islamit. Kjo ishte një betejë mes Islamit dhe Mosbesimit, mes së Vërtetës dhe së Kotës. Ai ra në sexhde dhe e luti Allahun: “O Allah! Nëse ky grup muslimanësh mposhtet, në këtë botë s’do të mbetet më njeri që do të të adhurojë!”
I pari nga muslimanët që hyri në dyluftim ishte Hamza bin Abdulmutalibi, xhaxhai i Pejgamberit, i cili vrau një jobesimtar që u përpoq të arrinte pellgun e ujit për ta shkatërruar. Kjo ishte nisja e betejës. Më pas tre luftëtarë kurejshë dolën në shesh dhe sfiduan tre muslimanë. Hamza bin Abdulmutalibi, Ali bin Ebu Talibi dhe Ubejde bin Harithi ishin muslimanët që pranuan sfidën. Hamza dhe Aliu i mposhtën shpejt kundërshtarët e tyre, kurse Ubejdeja dhe kundërshtari i tij e plagosën njëri-tjetrin rëndë. Të zemëruar nga kjo humbje, kurejshët lëshuan mbi muslimanët një shi me shigjeta dhe pastaj u hodhën në sulm. Ata sulmuan si dallgë dhe humbën shumë ushtarë, por nuk qenë në gjendje të thyenin rreshtat e muslimanëve. Muslimanët pritën derisa armiku e harxhoi fuqinë dhe pastaj kundërsulmuan me ashpërsi dhe me forcë duke i marrë përpara armiqtë. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ishte në vijën e parë të frontit dhe i udhëhiqte muslimanët duke recituar Kur’an me zë të lartë dhe duke iu lutur Allahut. Pasi pësoi një humbje të madhe, ushtria e kurejshëve mori arratinë, ndërsa muslimanët i ndoqën dhe zunë shumë robër.
Por Ebu Xhehli nuk e pranonte lehtë humbjen. Ai u përpoq të riorganizonte ushtrinë e thyer, por mbeti vetëm me disa heshtarë për ta ruajtur. Muadh bin Amri u nis drejt Ebu Xhehlit dhe e goditi me shpatë, kurse një musliman tjetër e shpoi atë me heshtë dhe e vrau.
Humbja e jobesimtarëve ishte e madhe: 70 të vrarë, në mesin e tyre 20 komandantë, dhe 70 të tjerë të zënë robër. Në këtë betejë u vranë 14 muslimanë. Lajmi i fitores së muslimanëve mbërriti në Medinë dhe qyteti u gëzua. Megjithatë medinasit nuk mund t’u besonin syve kur më 23 ramazan Pejgamberi dhe shokët e tij hynë triumfalisht në Medinë duke tërhequr pas edhe 70 robër.
Kjo ishte Beteja Madhështore e Bedrit, që u zhvillua në ramazan. Asnjë betejë tjetër nuk ka qenë më vendimtare në historinë e Islamit. Përpara saj muslimanët ishin të dobët dhe të persekutuar vazhdimisht nga armiqtë. Pas kësaj beteje ata dolën në skenë si një komb i fuqishëm vetëm falë ndihmës së Allahut të Madhëruar, i Cili ka fuqi mbi çdo gjë!
Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (14/08/2009)
Klikime: 893 | Ranguar: 3.0/1
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024