E premte, 22/11/2024, 20:50
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 7
Vizitorë: 7
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Agjërimi i Ramazanit

FALËNDERO ALLAHUN E LARTËSUAR
 

 
Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Ramazani është një mundësi ekskluzive për besimtarin e mirë që ai të jetë falënderues dhe mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar. Le të kujtojmë së bashku se jemi të obliguar ta falënderojmë Krijuesin Fuqiplotë për të mirat dhe dhuntitë e pakufishme të Tij. Veçojmë tri mënyra falënderimi:
1-Falënderimi me zemër. Falënderim me zemër do të thotë bindje e fuqishme se Allahu është Zot, Krijues, Sundues, Furnizues, i Pastër, Mbikëqyrës, Mbizotërues, dhe kështu bëhet konfirmimi i brendshëm për të mirat e pakufishme.
2-Falënderimi me gjuhë. Mirënjohja që duhet të bëhet me anë të gjuhës është shprehje dhe shfaqje e asaj që është në brendësi.
3-Falënderimi me vepër. Falënderimi me vepër arrihet duke i përdorur dhuntitë e Allahut në formën më të mirë.
Falënderimi ka një pozitë të rëndësishme në fe. Allahu i Madhëruar ka thënë:
"Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl, 78).
Njeriu është i pajisur me shqisat e të dëgjuarit, me të parët dhe me zemër. Këto janë dhunti të dhuruara që e vërteta të dëgjohet, të studiohet dhe në fund të shprehet falënderimi. S’ka dyshim se falënderimi është i lidhur ngushtë me imanin (besimin) dhe se njeriu do të jetë mirënjohës ose përbuzës. Allahu i Lartësuar ka thënë:
"E falënderuat dhe i besuat. Allahu është mirënjohës i dijshëm.” (Nisaë, 147).
"Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (Insan, 3).
Allahu i Lartësuar njeriun e porositi që të jetë mirënjohës ndaj Krijuesit si dhe ndaj prindërve:
"Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” (Llukman, 14).
Tradita e Muhammedit (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na motivon për mirënjohje dhe falënderim. Nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet:
"Muhammedi (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ngrihej natën për namaz aq gjatë, saqë këmbët iu patën ënjtur nga dhembja, atëherë unë i thashë: Përse po vepron kështu, o i Dërguari i Allahut, kur t’i ka falur ty Allahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet? Ai tha: "A nuk duhet të jem rob falënderues?” (Shënon Muslimi).
Sipas një transmetimi tjetër të Aishes thuhet:
"I Dërguari i Allahut shpeshherë thoshte në ruku dhe në sexhdet e tij: "Subhaneke Allahumme rabbena ve bihamdike, Allahummagfir li. - (Falënderimi të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falënderuar, o Allahu im, më fal!)” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).
Të nderuar agjërues! Lutuni Krijuesit Allah në muajin e falënderimit dhe të faljes:
Allahu im! Të falënderoj për faljen, mëshirën, udhëzimin, shëndetin dhe furnizimin!
Allahu im! Të falënderoj për mbrojtjen që ma ofrove nga presionet e sprovave dhe nga thellësitë e fatkeqësisë!
Allahu im! Të falënderoj për udhëzimin tim në dritën e imanit!

MENDO DHE FALËNDERO
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë Sunetin e tij.
Të nderuar agjërues!
Fjalët e Allahut të Lartësuar dhe mësimet e Muhammedit (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) na tërheqin vëmendjen për të kujtuarit e të mirave të Allahut të Lartësuar që na rrethojnë. Kujtoji mirësitë e Allahut të Lartësuar, të cilat po të vijnë nga të gjitha anët; shëndeti, ushqimi, veshmbathja, ajri, uji e gjithë dynjaja në shërbim, por përsëri nuk e di, dy sy për të parë, gjuha, buzët, duart, këmbët...
Mendon se është e lehtë të ecësh me këmbë? Pyete ata që nuk i ka.
Ke nevojë për mbështetje apo për të mbajtur me dorë? Pyete atë që nuk ka dorë.
Gjumin nuk e llogarit fare dhe nuk ia di rëndësinë? Pyete atë që nuk mund të flejë për shkak të dhimbjeve apo sëmundjes.
Ushqimin e merr dhe e fut në stomak, mendoje këtë dhe falëndero.
Mendo për sytë, e ti nuk je i verbër.
Mendo për lëkurën që ke në trup, e ti nuk ke sëmundje lëkure.
Mendo për mendjen. A pranon të jesh i çmendur?
Agjërues dhe agjëruese po të pyes: A e ndërron të shikuarit me një kodër ari?
A e shet të dëgjuarit për një kilogram ar?
A e shet gjuhën ose dorën për një pallat të mirë?
O njeri, mendo për të gjitha këto!
Mendo për veten tënde, për familjen, për shtëpinë, për punën, për shëndetin, për shokët dhe dynjanë!Kur të zgjohesh, mos e prit mbrëmjen, mendo se do të jetosh vetëm sot, prandaj përpiqu dhe puno për ditën që jeton, mos mendo për ditën e djeshme e as për të nesërmen.
Ditën e sotme ndaje në orë dhe puno, minutat llogariti vite, sekondat muaj, mbille të mirën, kërko falje nga Allahu i Lartësuar. Përmende Allahun dhe përgatitu për botën e ardhshme. Jeto i gëzuar dhe i qetë, kënaqu me rizkun që të ka ndarë Allahu i Lartësuar.
"Merr atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës!” (A’rafë, 144).
Falëndero, lavdëro dhe madhëro Allahun, Krijuesin e gjithësisë!
Allahu im! Të falënderoj për udhëzimin tim në dritën e imanit!
Allahu im! Të falënderoj për përkryerjen e fesë sime, për mbrojtjen e jetës sime!
Allahu im! Sundues i Arshit të madh, më ndihmo të të falënderoj

Kategori: Agjërimi i Ramazanit | Shtuar nga: Argjendi (14/08/2009)
Klikime: 981 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024