Lavdia i takon Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Të nderuar agjërues! Ajo që kërkohet më tepër prej njeriut është hapja e një kapitulli të ri në jetë duke ripërtërirë besimin në zemër dhe duke iu përgjigjur thirrjes së Allahut të Lartësuar: "O ju që besuat, përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jep jetë (ringjallje), dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se tek Ai do të tuboheni!” (Enfalë, 24). Rregulli dhe mirëmbajtja në shtëpi, në punëtori, në bibliotekë apo kudo pasqyron përpjekjen e një njeriu serioz. Sa i bukur dhe i këndshëm është administrimi i vetes duke vështruar me mendjehollësi çdo qëndrim, veprim dhe realizim! Kështu duhet të jetë besimtari në jetë, që në asnjë rast të mos neglizhojë rëndësinë e ripërtëritjes së besës dhënë Allahut të Lartësuar. Rilindja e besimit në zemër është veprim i domosdoshëm për çdo besimtar dhe kjo realizohet me veprimet e obligueshme dhe ato shtesë. Disa njerëz, pasi u udhëzuan, parapëlqyen vendnumërimin dhe pushimin, kështu kaluan në gjumë dhe pushim afatgjatë. Islami rekomandon dhe këshillon ripërtëritjen e imanit çdo ditë, duke iu përgjigjur Allahut të Lartësuar dhe të të Dërguarit të tij. Feja jonë nuk përfundon vetëm me disa veprime rutinë, por çdo ditë kërkon diçka të re dhe çdo veprim i freskët ngre nivelin e seriozitetit te besimtari. Muhammed Husejn Jakubi, dijetar dhe edukator i Umetit islam, thotë: "Njëherë ishim duke biseduar me disa vëllezër dhe iu drejtova atyre duke i thënë: "Shkencëtarët tregojnë se oksigjeni i prodhuar në laborator ndizet shumë më shpejt sesa oksigjeni i pranishëm në ajër? Pse kjo ndodh kështu? Përgjigjja ishte se është i riprodhuar.” Pra, veprimet e vazhdueshme ripërtërijnë energjinë dhe fuqinë e imanit. Mos harro se sferat e veprimit në fenë tonë janë të shumta e të ndryshme. Adhurimet janë të formave të ndryshme. Për çdo ditë realizo diçka, se kështu përjeton ripërtëritjen e besimit, pengon lodhjen dhe mërzinë. I nderuari vëlla, shpejto, ripërtërije jetën në këtë muaj të bekuar!Që sot, programo synimet dhe besatohu se do të jesh i përpiktë në kryerjen e namazit. Po, fillo nga ky obligim madhor e do të përjetosh kënaqësinë shpirtërore dhe do ta ushqesh zemrën tënde me iman. Muhammedi (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) e ka përgëzuar atë që e fal namazin, duke i siguruar hyrje në xhenet nga ana e Allahut duke thënë: "Allahu azze ve xhel-le i ka bërë farz pesë namaze. Ai që merr mirë abdes, i fal në kohë të tyre, i plotëson rukutë dhe sexhdet e tyre dhe i fal me frikërespekt, Allahu i siguron falje të gjynaheve. Kurse, ai që nuk vepron kështu, nëse do ia fal, ose e dënon.” (Shënon Ebu Davudi). I nderuari agjërues, namazi të largon dhe të pastron nga mëkatet. Njëra ndër lutjet e preferuara në hyrje të namazit është: "O Zot! Largomë prej mëkateve, ashtu siç ke larguar lindjen prej perëndimit. O Zot! Pastromë prej mëkateve, ashtu siç pastrohen rrobat e bardha prej fëlliqësirës. O Zot! Laji mëkatet e mia me ujë, borë dhe breshër!” (Shënon Buhariu dhe Muslimi). Besimtari i vërtetë duke kujtuar Allahun e Lartësuar përjeton një jetë të mirë e të lumtur në këtë botë: "Kushdo që bën punë të mirë, burrë apo grua, duke qenë besimtar (i vërtetë), Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre më të mira që ata i kanë punuar.” (Nahl, 97). Allahu im! Ringjalle besimin në zemrat e muslimanëve, përforcoji muslimanët në fenë e vetme dhe të pranuar tek Allahu, që është Islami!
|