E shtunë, 23/11/2024, 01:12
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 7
Vizitorë: 7
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Zekati

Kamata
 

Kamata në terminologjinë islame do të thotë shtesë mbi kapitalin pa ndërmjetësinë e shitblerjes, kurse përkufizimi më i njohur në librat e fikhut është: “Shtesë pasurore e kushtëzuar në marrëveshje, pa kompensim, gjatë këmbimit të një pasurie me një tjetër.”

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “E nëse pendoheni atëherë juve ju përket vetëm kapitali juaj...” [Bekare: 279].


Dispozita e kamatës në islam


Kamata përfaqëson fitimet më të pista, sepse ajo është e ndaluar në Legjislacionin Islam, duke e konsideruar atë që e lejon prej grupit të jobesimtarëve, me argument fjalën e All-llahut [xh.sh]: “All-llahu nuk e do asnjë jobesimtarë mekatarë.” [Bekare: 276].

Islami e ka ndaluar kamatën në të gjitha llojet, format dhe ngjyrat e saj, sepse ajo përbën një fitim të pisët dhe pasuri të ndaluar, pasuri të cilën të pasurit kamatëdhënës (apo kreditorët) e marrin nga të varfërit nevojtarë pa të drejtë, pa mundim dhe pa punë. Kamata është e ndaluar në Kuran, Sunnet dhe sipas ixhmait të të gjithë dijetarëve.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “O ju që besuat, kini frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert , hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me All-llahun dhe të dërguarin e Tij...” [Bekare: 278-279].

Pra, aq i madh dhe aq i shëmtuar është mëkati i kamatës, saqë ai i cili merr pjesë në transakcionet me kamatë i ka shpallur luftë All-llahut dhe Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. E kush është ai i cili mund ta fitojë luftën kundër All-llahut? Pra, çdokush që punon me kamatë konsiderohet në luftë kundër All-llahut, gjë që tregon se do të dënohet në xhehennem dhe tregon se kamata është mëkat shumë shumë i madh.

Për ta potencuar edhe më shumë shëmtinë e këtij mëkati, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kamata i ka 73 porta, më e lehta është sikur ai njeri të bëjë marrëdhënie me nënën e tij...” [Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi].

Poashtu All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë jobesimtarë mëkatar.” [Bekare: 275-276].

Në këto dy ajete All-llahu, subhanehu ve teala, na tregon se ngrënësit e kamatës janë të ngjashëm me të çmendurit e xhindosur, pastaj ua zhvlerëson argumentimin e tyre se kinse kamata është njejtë me gjërat tjera si shitblerja duke u thënë se shitblerjen All-llahu e lejoi mirëpo kamatën e ndaloi, pastaj All-llahu tregon se ai i cili e ndërpret kamatën dhe pendohet Ai do t’ia falë, e ai që edhe pas kësaj nuk pendohet dhe vazhdon me kamatë, All-llahu i kërcënohet me dënim të përjetshëm në xhehennem. Dhe në fund All-llahu tregon se nga kamata nuk ka bereqet, po ai haram gjithësesi do të zhduket dhe nuk do të ketë bereqet në të.

Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Do të vijë një kohë për njerëzit ku do të hanë kamatën.” Ebu Hurejra pyeti: “A të gjithë njerëzit?” Ai, sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Ai që nuk do të hajë prej tyre do të marrë prej pluhurit të saj.” [Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxhe].

Ajo që vihet re sot është se çdo fjalë prej fjalëve të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem tingëllon reale dhe tregon madhështinë dhe vërtetësinë e mesazhit të tij, sepse ai nuk flet nga vetvetja, po është shpallje nga All-llahu.

Transaksionet me kamatë janë përhapur shumë e nuk ka shpëtuar prej saj vetëm se ai që e ka mëshiruar All-llahu, xhel-le sha'nunu. Ai që konsumon kamatën do të dridhet ashtu siç dridhet ai që është prekur nga shejtani, dhe kjo është lodhja, stresi dhe jostabilizimi i sotëm. Shpërblimi është sipas punës, për shkak të neglizhencës sonë dhe prishjes së potencialeve tona…

Pa dyshim se rrjeti i kamatës sot po e rrjepë njerëzimin. Ky sistem kamate sot ka bërë që në kohët tona ta përqëndrojë pushtetin e vërtetë në duart e një grupi njerëzish që nuk kanë aspak mëshirë për njerëzimin, po që e shikojnë vetëm interesin e tyre dhe mundohen t’i rrjepin njerëzit.

Shtetet janë borxhli të këtyre njerëzve, borxhe me kamata aq të larta, saqë shteti nuk ka mundësi ta paguajë as kamatën, e mos të folim për borxhin. Në këtë mënyrë shteti shkatërrohet ekonomikisht dhe bëhet rob i këtyre njerëzve. Ata e udhëheqin politikën e atij shteti, ata vendosin për luftë apo për paqe, krejt këtë duke u bazuar në grykësinë e tyre dhe duke mos pasur aspak mëshirë për të varfërit.

Urtësia në ndalimin e kamatës. Urtësia e parë në ndalimin e një gjëje është sprovimi që All-llahu ua bën robërve të Tij, që ta sheh se a janë të dëgjueshëm apo jo? All-llahu e ka ndaluar kamatë dhe ai është i Urti.

Argumentet e ndalimit të kamatës janë në Kuran, Sunnet dhe Ixhma, andaj duhet të jemi të prerë në ndalimin e kamatës edhe nëse nuk i dimë të gjitha urtësitë e ndalimit të saj.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” [Ahzab: 36].

Sidoqoftë, do t’i përmendim disa prej efekteve negative të kamatës:

1. Kundërshtimi i All-llahut në vendimin e Tij, andaj ai që e bën këtë i nënshtrohet hidhërimit dhe dënimit të All-llahut.

2. Shkakton prishje të ndjesisë dhe mirëkuptimit njerëzor, sepse qëllim kryesor bëhet grumbullimi i pasurisë në kurriz të të varfurve. Sa e sa njerëzve u janë rrëmbyer shtëpiat për shkakë të kamatës, sa e sa fëmijë kanë mbetur pa kulm mbi krye për shkak të kamatës.

3. Shkakton urrejtje ndërnjerëzore, të varfërit i urrejnë të pasurit.

4. Shkakton dëshpërim në shpirtin e të varfërve dhe e rrit hendekun ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë, kurse islami na e mëson të kundërtën e kësaj, nëpërmjet zekatit dhe sadakasë.

5. Shkakton që pasuria të grumbullohet në duart e disa personave, qëllimi kryesor i të cilëve është interesi i tyre personal. Kështu shtetet dhe shtetasit bëhen robër të tyre. Njëri prej tyre ka thënë: “Ma jepni sistemin bankar të një shteti, pastaj zgjidheni kryetar kë të doni.” D.m.th. politika e atij shteti do të jetë në dorën time. …

6. Shumë ekonomistë bashkohorë e kundërshtojnë kamatën dhe tregojnë për dëmet e saj në ekonominë e një shteti, bile dëmet e saj reflektohen edhe te populli, në formë të taksave dhe çmimeve të larta.

7. Kamata shkaktoi që kapitalistët ta ndienin veten zot, kurse punëtorët të ndihen si robër, i bëri pasuritë e popullit plaçkë për shtetet kapitaliste, të cilat i përdorën për prodhim të armëve, për luftë dhe shkatërrime.


Zgjidhja islame

Tash do të flasim mbi zgjidhjen islame, e cila zgjidhje padyshim se është në dobinë e të gjithëve.

Islami i ka dhënë hapësirë kapitalit që të shfrytëzohet në tregëti me afat të gjatë ashtu siç ka lejuar përzierjen e tij me punën, duke ndarë me të fitimet dhe humbjet. Prej këtu legjislacioni evropian gjatë zhvillimit të tij mori idenë e ngritjes së shoqërisë aksionare, të cilat ishin fara e zhvillimit mbi të cilat ngrihen bazat e prodhimit dhe transaksioneve në ekonominë bashkohore.

Si dihet, e ndaluara është e qartë dhe e lejuara është gjithashtu e qartë, e nuk do të ketë shpëtim vetëm nëse mësojmë prej thënies së All-llahut, subhanehu ve teala: “... e nëse pendoheni, atëherë juve ju përket vetëm kapitali juaj, kështu nuk bëni dhe nuk ju bëhet padrejtësi.” [Bekare: 279]

Bankat islame

 

Mësuam se kreditimi dhe marrja e kredisë me kamatë është vepër e ndaluar, të cilën nuk e bën të lejueshme as edhe nevoja. Këtu lind nevoja e korigjimit të funksionimit të kapitalit, duke e përshtatur me Legjislacionin Islam. Kështu lindi ideja e bankave islame, ngritja e të cilave përfaqëson vetëm se një hap mbi rrugë në krahasim me hapat tjerë për ngritjen e sistemit ekonomik islam në formën e tij më të plotë, kur dihet se sistemi bankar konsiderohet boshti i të gjithë aktivitetit ekonomik.


Objektivat e bankave islame

Bankat islame, për dallim nga ato tjerat, ngrihen mbi parimin e mosndarjes midis anës materiale, njerëzore dhe natyrës humane. Objektivat kryesore të bankave islame janë:

1- Përputhja e veprimeve të saja bankare me dispozitat islame, duke siguruar kështu alternativën islame për çdo veprim. Kjo nuk realizohet vetëm nëse banka islame pastron veprimet e saja nga çdo gjë e ndaluar dhe hap i parë në këtë drejtim do të jetë shpëtimi i muslimanëve nga këneta e kamatës, nga kjo e keqe për të cilën All-llahu i ka shpallur luftë atyre që përzihen në të, e më pas sigurimi i fitimit hallall, vënia e pasurisë në shërbim të muslimanëve e shoqërive të tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme të lejuara.

2- Zhvillimi i ndërgjegjes së kursimit, nxitja e investimeve dhe ndalimi i bllokimit të pasurive, sepse banka islame ka për qëllim mbledhjen e kursimeve të muslimanëve në të gjithë botën dhe orientimi i tyre në atë mënyrë që realizon dobi për vendet islame. Padyshim se lënia e parave në bankat islame i ndalon muslimanët nga bërja e gjynaheve duke i lënë paratë në banka tjera, të cilat punojnë me kamatë dhe të cilat i shfrytëzojnë këto para për politikat e tyre të cilat janë në kundërshtim me interesat e muslimanëve.

3- Paraqitja e metodave të reja të financimit dhe investimit, të cilat janë në përputhje me islamin, në formë të partneritetit të plotë, i cili rrjedh nga bashkimi i kapitalit, punës dhe ndarjes së fitimit dhe humbjes. Nuk ka dyshim se të gjitha të ardhurat nga projektet me partneritet, janë më të larta se të ardhurat e realizuara nga kamata.


Format e financimit tek Bankat islame

Format e financimit tek bankat islame burojnë nga Legjislacioni Islam, i cili ndalon marrjen dhe dhënien e kamatës. Do t’i përmendim disa prej këtyre formave:

1- Mudarebeja (bashkimi i kapitalit me punën).

Te kamata, dhënësi i kamatës është në fitim të sigurtë, kurse ai që e merr kamatën i nënshtrohet edhe punës edhe rrezikut të humbjes. Kurse Mudarebeja është bashkimi i kapitalit të njërës palë me punën e palës tjetër, duke e ndarë fitimin dhe humbjen. Fitimi ndahet në bazë të një përqindjeje të caktuar më parë.


2- el-Anan (partneriteti me kapital të përbashkët)


Partneriteti i quajtur el-Anan është një marrëveshje midis dy apo më shumë partnerëve për të bërë biznes me kapitalin e tyre të përbashkët, me kusht që fitimi të ndahet midis tyre sipas një përqindjeje të përcaktuar. Dallimi mes kësaj dhe Mudarebesë është se te Mudarebeja kemi kapitalin te njëra palë dhe punën te pala tjetër, kurse në këtë rast kapitali dhe puna janë nga të dy palët.


Poashtu ka edhe shumë forma tjera, të cilat nuk do t’i cekim këtu. Qëllimi është të tregojmë se kamata është rreptësisht e ndaluar dhe se ne si musliman duhet të organizohemi që ta bëjmë biznesin tonë në mënyrë hallall. Bankat islame ekzistojnë nëpër shumë vende islame, po bile edhe në shumë vende perëndimore, si shkak i kërkesës së muslimanëve.

Lusim All-llahun të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të na largojë nga fitimi me haram.

Omer Islami,
23.2.2007

Kategori: Zekati | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 737 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024