E shtunë, 23/11/2024, 01:32
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Zekati

Kamata, sëmundje e rëndë shoqërore

 

 

{ الذين يأكلون الربوا لا يقومون إلا كما يقوم الذى يتخبطه الشيطان من المسّ ذلك بأنهم قالوا إنما البيع مثل الربوا و أحل اللـه البيـع و حرم الربوا فمن جـاءهُ موعظـةٌ من ربـه فانتهى فله ما سلف و أمره إلى الله و من عاد  فأولئك أصحاب النار هم فيها خالدون. يمحق الله الربوا و يربى الصدقات و الله لا يحب كل كفّارٍ أثيم .إن الذين  امنوا و عملوا الصالحات  و أقاموا الصلوة و أتوا الزكاة لهم أجرهم  عند ربهم و لا خوف عليهم و لا هم يحزنون . يا أيها الذين أمنوا اتقو الله و ذروا ما بقى من الربوا  إن كنتم مؤمنين.فإن لم تفعلوا فأدنوا بحربٍ من الله و رسوله و إن تبتم فلكم رءوس أموالكم لا تَظلمون و لا تُظلمون. و إن كان ذو عسرة فنظرة إلى الميسرةٍ و أن تصدقوا خيرٌ لكم  إن كنتم تعلمون. و اتقوا يوماً ترجعون فيه إلى الله ثم توفى كل نفسٍ ما كسبت و هم لا يُظلمون .}

 

“ Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe veçse siç ngrihet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit. Kjo ngase ata thanë:”Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata !” e Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar  kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të Tij dhe është ndalur (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet  tek Allahu, e kush e përsërit (pas nadalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar.S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zeqatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje. O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe, nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata.

          E në qoftë se nuk e bëni këtë  (nuk hiqni dorë nga kamata) , atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj, askënd nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni. Po, në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë priteni deri sa të vijë në një çlirim (lehtësim). E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini, është shumë më mirë për ju. Dhe ruajuni një dite kur do të ktheheni tek Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet e padrejtë. “ 

                                               ( El Bekare  275 - 281 )

 

          Islami sendërton sistemin e vet ekonomik në bazë të një rregulli të përcaktuar, i cili simbolizon realitetin e vërtetë e të njëmendtë në këtë ekzistencë, realitet ky i cili bazohet së pari në faktin se Allahu është Krijues i kësaj gjithësie, se është Krijues i kësaj toke dhe i njeriut, të cilin e la mëkëmbës  në të, duke ia nënshtruar atij shumë gjëra. Megjithatë, i Gjithëpushtetshmi tërë këtë  nuk ia la rastësisë, dhe nuk e la jashtë kontrollit, që njeriu të bëjë ç’të  dojë, por njeriut në atë lirinë e tij të pjesërishme të të zgjedhurit, i obligoi qeverisjen në tokë, konform me rregullat dhe me ligjet e përsosura të Programit Hyjnor.

          S’ka dyshim se qeverisja absolute i takon vetëm  Allahut të Plotfuqishëm, kurse njerëzit pushtetin e tyre e nxjerrin  nga mënyra e zbatimit të Ligjit dhe Programit Hyjnor të Allahut xh.sh.

          Në këtë tërësi rregullash hyjnore  hyn edhe qeverisja e drejtë e pasurisë që i jep Allahu njeriut në këtë botë. Allahu xh.sh. dëshiron që robi i Tij të punojë dhe të përpiqet që pasurinë e tij ta fitojë në mënyrë të ndershme, me djersën e ballit. Në të kundërtën, çdo pasuri e fituar pa mund dhe në kurrizin e tjetërkujt, dëmton misionin fisnik të njeriut në këtë botë, sepse edhe vetë Allahu xh.sh. në kaptinën En Nisaë , (ajeti 29), thotë :

{ يا أيها الذين أمنوا لا تأكلوا أموالكم بينكم بالباطل إلا أن تكون تجارة عن تراضٍ منكم ...}

“ O ju që besuat , mos e hani mallin e njëri - tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri në mes vetes...”

          Mu, duke u nisur nga ky fakt, kamata u ndalua, sepse është një veprim i shëmtuar,që automatikisht bie ndesh me rregullat islame.Kamata , jo vetëm që dëmton interesat njerëzore, por  është edhe kundër të gjitha normave dhe parimeve morale, sepse baza e saj është  mashtrimi , grabitja  dhe gllabërimi i pasurisë së tjetrit.

          Sa e sa popuj e shoqëri pësuan degradime e nënçmime, si pasojë e veprimit me kamatën. Këto fakte relevante  mbase do të jenë vërejtje serioze që të na ndërgjegjësojnë njëherë e përgjithmonë se ajo që Allahu ua ka ndaluar njerëzve, është me të vërtetë e dëmshme dhe është kundër interesave njerëzore.

                                              *           *           *

          Fjala “Er-Rriba” në kuptimin etimologjik do të thotë “ shtim, rritje ”, kurse në atë terminologjik do të thotë  “ shtesa që merr huadhënësi nga  huamarrësi  për moskthimin e borgjit në kohë të caktuar,  pa u prekur kryet e mallit“ .

          Allahu xh.sh. nëpërmjet këtyre ajeteve, dëshiron të na vërë në dijeni se ata që punojnë me kamatë, duke  shfrytëzuar pamëshirshëm djersën e të tjerëve, do të ngrihen nga varrezat e tyre në Ditën e Gjykimit në  një gjendje, siç është e atij që e  “prek” shejtani me vesveset e tij, kështu që ai  humb kontrollin mbi vetveten dhe mbi mendjen e tij.

          Allahu i Gjithmëshirshëm bëri një shembëllim të tillë, për ata që  lejojnë kamatën duke thënë se gjoja kamata është njëlloj sikurse shitblerja. Mirëpo Allahu xh.sh. ua demanton këtë pohim të tyre të pabazë, sepse shitblerja  është me dobi reciproke , të cilën e ka lejuar Allahu, kurse kamata është shtesë e grabitur nga mundi i huamarrësit.

          Kamata është e gjykuar të dështojë dhe të pakësohet, kurse shitblerja , zekati dhe sadakaja tek  Allahu kanë vlerë shumë të madhe dhe shtohen. Meqë Allahu xh.sh. e ndalon kamatën decidivisht, dhe urdhëron largimin prej kësaj shëmtie, ai që nuk largohet prej saj, le ta dijë se është në luftë të hapët kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe  se  e meriton hidhërimin e Allahut  në këtë botë dhe në botën tjetër.

          Ajeti i fundit ( 281 ) i kësaj kaptine :

{ و اتقوا يوماً ترجعون فيه إلى الله ثمّ توفى كل نفسٍ ما كسبت و هم لا يظلمون .}

“ dhe ruajuni  asaj  dite kur  do të ktheheni tek Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që e ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet  e  padrejtë.”

prej të gjithë komentuesve të Kur’anit, cilësohet si ajeti i fundit i Kur’anit që iu shpall Muhammedit a.s. nga ana e Allahut xh.sh. Pas zbritjes së këtij ajeti, Pejgamberi a.s. jetoi vetëm edhe 9 net, e pastaj u shpërngul pranë mëshirës hyjnore. Ky ishte kontakti i fundit i qiellit me tokën, deri në Ditën e Gjykimit.

 

Shkaku i zbritjes së ajetit

          Sipas mufesirëve të Kur’anit, këto ajete kanë zbritur në lidhje me Abbasin dhe Halid bin Velidin, të cilët ishin ortakë  në tregti, në  kohën e  injorancës. Këta të dy u jepnin para  me fajde njerëzve të Thekifit. Dërgata e fundit hyjnore këta të dy i gjeti me pasuri të madhe të fituar nga kamatat. Mu për këtë shkak, Allahu xh.sh. zbriti :

{ يا أيها الذين أمنوا اتقوا الله و ذروا ما بقى من الربوا إن كنتم مؤمنين }

 “ O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe, nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. “ , dhe e ndaloi kamatën njëherë e përgjithmonë . Në këtë kontekst edhe Pejgamberi a.s. në Haxhin lamtumirës tha :

“ Ta dini se çdo lloj kamate prej kamatave të injorancës është anuluar , dhe të parën kamatë që e anuloj është kamata e Abbasit;  çdo hakmarrje gjaku prej hakmarrjeve të injorancës është anuluar, e hakamarrja e parë që e anuloj është gjaku i Rebia ibnul Harith bin Abdul Mutalibit. “

Etapat e ndalimit të kamatës

          I Gjithëmëshirshmi deshi që një prej urtësive të Tij të jetë edhe ndalimi gradual i sëmundjeve të shëmtuara shoqërore, që  mbretëronin në  atë kohë. Ashtu siç u ndalua alkooli , poashtu edhe ndalimi i kamatës  kaloi nëpër 4 etapa të ndalimit, derisa u ndalua përfundimisht.

Etapa e parë e ndalimit -   është zbritja e ajetit 39 - kaptina Err- Rrum :

{ و ما أتيتم من رباً ليربوا فى أموال الناس فلا يربوا عند الله و ما أتيتم من زكاةٍ تريدون وجه الله  فأولئك هم المضعِفون }  

“ Dhe çka të jepni nga pasuria për ta shtuar e rritur (me kamatë), në pasurinë e njerëzve, ajo nuk do të shtohet tek Allahu, e çka të jepni nga sadakaja (bamirësia) me qëllim që t’i afroheni Allahut, të tillët janë ata që u shumëfishohet (shpërblimi) “

          Ky ajet i takon zbritjes mekase, dhe në të nuk ka ndonjë shenjë të qartë se kamata ndalohet, por vetëm  bën me dije se kjo nuk pëlqehet nga Allahu xh.sh., dhe se ai që merret me një punë të tillë, ajo  nuk ka kurrfarë vlere as shpërblimi.Në këtë ajet bëhet thirrje e hapët për dhënien e zekatit, që tek Allahu shumëfishohet me shpërblime.

Etapa e dytë e ndalimit - është zbritja e ajeteve 160-161 - En - Nisaë :

{ فبظلمٍ من الذين هادوا حرمنا عليهم طيباتٍ لهم و بصدهم عن سبيل الله كثيرًا و أخذهم

 الربواو قد نهوا عنه و أكلهم أموال الناس بالباطل و أعتدنا للكافرين منهم عذاباً أليماً }

“ Dhe për shkak të mizorisë së atyre  që ishin hebrenj, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që u ishin  të lejuara. Edhe për shkak të marrjes së kamatës , edhe pse e kishin të ndaluar atë, dhe të ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi përgatitur dënim të mundimshëm për ata që nuk besuan prej tyre “

          Këto dy ajete i përkasin zbritjes së hershme medinase, në të cilat shihet një qortim i ashpër ndaj hebrenjve, të cilët punonin me kamatë dhe e lejonin atë, ani pse këtë e kishin të ndaluar edhe me librat e tyre. Me këtë veprim të tyre, hebrenjtë vërtet  merituan hidhërimin, mallkimin dhe ndëshkimin e Allahut xh.sh..

          Që në këto ajete, mund të hetohen shenjat e para të ndalimit të kamatës dhe ato qenë një si parapërgatitje e njerëzve për ta pritur ndalimin e përhershëm të kamatës, që  do të pasonte më vonë.

Etapa e tretë e ndalimit - është zbritja e ajetit 130 të kaptinës Ali Imran,  në të cilin ndalohet ngrënia e kamatës së shumëfishuar:

{ يا أيها الذين أمنوا لا تأكلوا الربوا أضعافاً مصاعفةً و اتقوا الله لعلكم تفلحون }

“ O ju  që  besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut ashtu që të gjeni shpëtim ”

          Ky ajet i takon zbritjes medinase dhe me të bëhet  ndalimi i  pjesërishëm i kamatës, ose më saktë ndalimi i një prej shumë llojeve të kamatës -” kamatë e shumëfishuar” , e cila njihet edhe si  “kamatë e ndytë”  , sepse  nga  pamundësia e kthimit, borxhi  shtohet  më tepër se kryet e mallit për shumë herë.

          Këtë lloj veprimi,Allahu xh.sh. e ndaloi duke thirrur për devotshmëri dhe drojtje ndaj Allahut të Madhërishëm. Nga ky ajet është më se e qartë se fushëveprimi i veprimit me kamatë u ngushtua dhe kufizua në një masë të konsiderueshme, mu ashtu siç qe kufizuar konsumimi i alkoolit me zbritjen e ajetit të tretë :

{ يا أيها الذين أمنوا لا تقربوا الصلوة و أنتم سكارى حتى تعلموا ما تقولون }

“ O ju që besuat mos u afroni në namaz duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni  ... “

          Pas të gjitha këtyre vërejtjeve, vjen edhe  etapa e katërt dhe e fundit e ndalimit të kamatës me zbritjen e ajeteve 275-281 të kaptinës El Bekare :

“ Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe veçse siç  ngrihet  i çmenduri nga të prekurit e djallit.Kjo ngase ata thanë : “ edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata ! “ e Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën....o ju që besuat, kini frikë Allahun dhe, nëse  jeni besimtarë të sinqert, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata...”.

          Me zbritjen e këtyre ajeteve medinase, ndalohet përfundimisht kamata si një ves i shëmtuar dhe si një sëmundje e  rëndë shoqërore. Ligji i përsosur islam , me një urtësi dhe largpamësi të pashoqe, në  mënyrë graduale arriti të zhdukë nga mesi i shoqërisë islame vese të tilla të shëmtuara si, alkooli,bixhozi, kamata, prostitucioni etj, sëmundje shoqërore prej të cilave  vuan pothuajse  tërë bota. !

Llojet e kamatës :

           Në kohën e injorancës, kur zbritën  ajetet e ndalimit kamatat kanë qenë dy llojesh :

1. Kamata  e quajtur “En Nesietu”,

2. Kamata e quajtur “ El Fadël ”.

          Kamata :  “En Nesietu ” - sipas Fahru Rraziut , në kohën e injorancës ishte kur ndonjëri i huazonte një tjetri diçka nga pasuria për një kohë të caktuar, me kusht që për çdo muaj t’i marrë një përqindje fitimi, duke mbetur kryet e mallit i paprekur. Nëse këtij i shkrepte ta kërkonte pasurinë e tij, kurse  huamarrësi nuk kishte ç’ti kthente, ia shtonte edhe më kundërvlerën e mallit të tij.

          Sipas Taberiut, në kohën e injorancës, kur dikush  i kishte borxh  me afat të caktuar një tjetri, dhe nuk kishte mundësi t’ia kthente atë borxh me kohë, i thoshte huadhënësit : “ Më shtyj afatin e pagesës, e unë të mbetem borxh edhe për një pjesë më tepër se kryet e mallit !”. Kjo është kamata e ashtuquajtur “kamata e shumëfishuar - Ad’afen muda’afeh”, të cilën e ndaloi Allahu xh.sh. rreptësisht.

          Kjo lloj kamate përdoret edhe sot me të madhe në banka ; fatkeqësisht edhe në shumë  shtete islame, me përqindje fitimi  prej 2% deri  10%  etj.

          Kamata - “ El Fadël “ - Kjo lloj  kamate është kur njeriu shet një gjësend për një gjësend, diçka për  diçka të një lloji a të një kategorie, duke i shtuar kundërvlerën si f.v., ar  me ar, grurë me grurë, elb me elb etj.

          Transmeton Ebu Seid El Huderiu se Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurma me hurma, kripa me kripë, dhe çdo gjë me llojin e vet  dorë më dorë, e kush e shton apo kërkon të shtojë diçka nga kjo, konsiderohet kamatë,për të cilin veprim kanë të njëjtin dënim edhe dhënësi edhe marrësi ”.

Kemi edhe një transmetim po nga Ebu Seid el Huderiu, i cili  thotë: “Erdhi një ditë Bilalli tek i Dërguari i Zotit me disa hurma të mira .Pejgamberi a.s. e pyeti :Prej nga këto, o Bilall? Ai ia ktheu : O  i Dërguari i Allahut , i kisha disa hurma më të liga dhe i shita dy sa,ë  prej tyre për një sa’ë më të mirë . Pejgamberi a.s. i tha : Mos  bëj kurrë më një gjë të tillë, sepse kjo është kamatë e vërtetë. Nëse do të blesh , atëherë së pari shiti hurmat  e tua e pastaj me ato të holla blij hurma tjera :

                                                                                                          (Muttefekun alejhi)

 

DËNIMI  NDAJ  ATIJ  QË VEPRON ME KAMATË

          Ajetet kuranore si dhe shumë prej haditheve të Resulullahut, na kanë vënë në dijeni  për dënimet e tmerrshme e të dhembshme të atyre që e hanë kamatën.

          Ajeti :”Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten mdryshe vetëm se si ngritet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit...” dhe hadithet e Pejgamberit a.s., siç është transmetimi nga Xhabir bin Abdil-lahu , i cili thotë : ” Pejgamberi a.s. e ka mallkuar dhënësin e kamatës, atë që e merr dhe e ha  kamatën , dëshmitarët dhe shkronjësin e kontratës për kamatë, duke thënë se të gjithë këta janë të barabartë në dënim”

                                                           (Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

          dhe hadithi tjetër që e transmeton Ibni Mes’udi nga Resulullahu s.a.v.s.i cili ka thënë : “ Kamata edhe nëse për një kohë rritet , fundi i saj shpie në pakësim (varfërim) “ ,

na tregojnë më së miri se ai që e merr ose e jep kamatën, do të jetë i fyer, i përbuzur dhe i nënçmuar nga Allahu xh.sh. në këtë botë, ndërsa dënimi i tij në botën tjetër do të jetë i dhembshëm.

          Sot, disa të paskrupullt, me ngulm isnsistojnë me shpifjet e tyre të paqëndrueshme se kamata nëpërmjet transaksioneve të kamatave nuk është haram !, duke thënë se Allahu ka ndaluar vetëm kamatën e shumëfishtë, ndërsa kamata e vogël me 2-3 % fitim, nuk është haram ! Ata thonë se kamatë e ndaluar është kamata shpenzuese, kurse kamata prodhuese (bankare) nuk konsiderohet e ndaluar.

          Kjo s’ka të bëjë fare me realitetin, ngase Islami si fe hyjnore, relevante dhe koherente për të gjitha kohët, insiston që njeriu pos largimit  nga harami - e ndaluara, të largohet edhe nga rrugët që mund të shpien në atë haram, duke i mbyllur të gjitha rrugët e mundshme të fitimit të ndaluar.

          ثshtë plotësisht e palogjikshme shpifja e atyre që thonë se kamata e vogël nuk është haram. Të tillëve ua kishim kujtuar vetëm pakëz analogjinë në mes  alkoolit dhe kamatës.Dihet se edhe një pikë e alkoolit është haram, edhe pse ajo ndoshta si një pikë e vetme  fakikisht  nuk  të deh, por urtësia e Allahut bëri që për shkak të shumicës, edhe pakica të ndalohet. Edhe kamata i  nënshtrohet po të njëjtit rregull.

          Të tillëve do t’u përkujtonim vetëm edhe një herë fjalët e Allahut :

{ أفتؤمنون ببعض الكتاب و تكفرون ببعض ...}

- “A e besoni një pjesë të Librit, e tjetrën e mohoni  ?...”     (El Bekare 85)

          a thua nuk janë mjaft të qarta fjalët kuptimplota të Allahut :

{ و أحل الله البيع و حرم الربوا ...}

- “ Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën ...“

{ و اتقوا الله و ذروا ما بقى من الربوا إن كنتم مؤمنين }

- “ Keni frikë Allahun dhe, nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka,

      mbetur nga kamata...”

{ يمحق الله الربوا و يربى الصدقات ...}

-  “ Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën  ...“

që të na dëftojnë se  këtu  nuk bëhet fjalë për ndalimin e pakicës , ose për një  ndalim të pjesërishëm po, përkundrazi këtu bëhet fjalë për ndalim të përgjithshëm, qoftë të jetë ajo kamatë shpenzuese a kamatë prodhuese.

          Mufessiri i kohës sonë, Muhammed Ali  Es Sabuni , duke  theksuar  pasojat dhe dëmet e kamatës si sëmundje e rëndë shoqërore, thotë : Dëmet  dhe pasojat e kamatës  mund t’i përkufizojmë në tri kategori :

1. Dëmet e kamatës nga aspekti shpirtëror ;

2. Dëmet e kamatës nga aspekti shoqëror ;

3. Dëmet e kamatës nga aspekti ekonomik.

          Sa i përket kategorisë së parë, - dëmet e kamatës nga aspekti shpirtëror , kamata mbjell në shpirtin e njeriut egoizmin dhe mosdurimin ndaj tjetrit. I tilli  nuk sheh asgjë para vetes përpos interesit të tij personal, duke e lënë tërësisht anash vetëflijimin dhe vetëmohimin. Tek i tilli zhduket dashuria ndaj individëve dhe ndaj mbarë shoqërisë. Shpirti i tij dëshiron vetëm të kënaqet në kurriz të të tjerëve.

          Në kategorinë  e  dytë, - dëmet e kamatës nga aspekti shoqëror , kamata shkakton armiqësi dhe urrejtje  në mes  të pjesëtarëve të një shoqërie, duke larguar çdo ndjenjë të dhembshurisë, bashkëpunimit  reciprok dhe  mirësisë ndaj njëri-tjetrit. Ajo fut  zili e përçarje dhe shkatërron vlerat morale e vëllazërore.

          Kurse  për   kategorinë  e tretë - dëmet e kamatës nga aspekti ekonomik , mund të themi se kamata, pashmangshmërisht  i ndan njerëzit në klasa : në  klasën e të pasurve, të cilët janë kredhur në  mirëqenie ,luks dhe jetë të stili të lartë, duke shfrytëzuar pa mëshirë djersën e tjetërkujt,- dhe në klasën e të mjerëve, të varfërve  dhe nevojtarëve, të cilëve u mungojnë edhe gjërat më elementare për një jetë modeste.Njerëzit e kësaj kategorie (klase) me dashje a pa të , bien viktimë e kësaj padrejtësie duke u shndërruar  në robër të vërtetë . S’ka dyshim se kamata është ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në çrregullimin e kësaj baraspeshe dhe është shkaktare e drejtpërdrejtë e humbjes dhe  e  degradimit të individëve , popujve dhe shoqërive.

          Në gjithë këtë tërësi pyetjesh, patjetër se shtrohet edhe kjo:A ka Islami sistem të tillë ekonomik, që mund të zëvendësojë fitimin e paligjshëm dhe pa djersë me kamatë?! Lirisht mund të themi se po. Në këtë sistem të përsosur ekonomik të Islamit , hyn edhe rregullativi  i  Fikhut i ashtuquajturi : “ El Mudarebetu “, që cila është : pajtim a pëlqim i të dy palëve të interesuara që njëra prej tyre të  marrë një pjesë të pasurisë së tjetrit për të punuar me të . Me këtë rast nënshkruhet edhe kontrata e përbashkët për fitim me përqindje të caktuar  1/3 , 1/4 a  gjysma e fitimit. Në këtë kontekst me klauzolë të veçantë parashihet edhe humbja eventuale.

          Kështu pra Islami hapi dyert e zhvillimit, të përparimit, të aksioneve dhe të planeve investuese e të fitimit në mënyrë të ndershme.

          Islami në asnjë mënyrë nuk kufizoi fitimin hallall - të lejuar nëpërmjet tregtisë së lejuar, të drejtë e të sinqertë. Vlen të përmendet edhe fakti se në shumë vende të botës, tregtarët muslimanë ishin ata që  mbollën farën e Islamit duke dhënë shembuj të rrallë në histori me sjelljet dhe veprimet e tyre të drejta dhe korrekte.Drejtësia dhe sinqeriteti i tyre, ishin shkas që  shumë nga jomuslimanët, duke parë sjelljet e tyre, të përqafonin fenë islame.

*        *           *

          Sidoqoftë, Islami ishte dhe mbeti sistem i përkryer i jetës praktike të njeriut në të gjitha aspektet, sistem i cili imponon bindshëm koncept ideologjik të përcaktuar.

          Islami në esencë është aq autentik, aq madhështor dhe aq thellë i rrënjosur në shpirtin njerëzor, saqë të gjitha tentimet për zhvleftësimin e tij janë të gjykuara të dështojnë. I vetmi Islami është në gjendje që njerëzimit t’i ofrojë sistemin e përkryer që të harmonizojë dhe të rregullojë veprimet e tij drejt progresit materialist dhe pretendimeve të tij shpirtërore.

          Islami i thërret të gjithë njerëzit për mirësi,për vlera të përgjithshme të moralit dhe për luftë kundër çdo të keqeje e shëmtimi.Qëllimi i kësaj feje madhështore  është çrrënjosja e veseve të këqija nga një shoqëri dhe edukimi i shpirtit  me vlera të larta të moralit të përkryer. Ata që i përgjigjen kësaj thirrjeje, janë të shpëtuar, kurse ata që refuzojnë, do të jenë të mallkuar dhe të larguar nga mëshira e Allahut xh.sh.

Sabri Bajgora

Kategori: Zekati | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 656 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024