E shtunë, 28/12/2024, 01:05
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 3
Vizitorë: 3
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Zekati

Dilema rreth kamatës

 

 Mr. Bashkim ALIU
 
Mirëpo, besoj se studiuesi i cili ka njohuri për kontratat islame nuk e ka vështirë që ta demantojë këtë tezë dhe të tregojë se ajo që e japin bankat për klientët e vet nuk është kompenzim për shfrytëzimin e parave dhe as që mund të futet në korniza të kontratës së qirasë. Kjo, ngase kontrata e qirasë, çdo herë sipas të drejtës islame, nuk e transferon pronësinë e sendit te qiramarrësi, por ai ka të drejtë ta shfrytëzojë sendin përkatës duke paguar qira për këtë shfrytëzim, por pa mos pasur të drejtë ta fusë në pronësi të vet sendin në fjalë. Për këtë, lejohet dhënia me qira e sendeve të cilat mbesin të tilla siç janë edhe pas përdorimit, fjala vjen si banesat, të cilat edhe pse shfrytëzohen, nuk e ndërrojnë esencën e tyre, ndërkaq nuk lejohet të jepet me qira sendi që e humb esencën e vet me përdorim, fjala vjen si ushqimi, i cili po të shfrytëzohet, do të harxhohet, apo do të ndryshojë nga esenca e vet dhe nuk mund të kthehet pas shfrytëzimit si i njëjti ushqim. Këtë status e kanë edhe paratë, sepse është e pa mundshme që të shfrytëzohen paratë dhe të kthehen të njëjtat. Nisur nga kjo, gjërat që ndryshohen gjatë përdorimit, sipas të drejtës islame, nuk jepen me qira, por shiten, fjala vjen si ushqimi. Nëse kthehemi tash te paratë, për të cilat thamë se janë identike me ushqimin në aspektin e qirasë, ato nuk mund të shiten dhe as që pretendohet se kur deponohen në bankë ato janë shitur për bankën, sepse banka e garanton kthimin e sasisë së tyre. Ndërkaq gjëja e marrë me qira është amanet - gjë në besë për qiramarrësin, që do të thotë se, nëse dëmtohet pa fajin dhe pa neglizhencën e tij, atëherë ai nuk e garanton kthimin e sendit në fjalë në gjendjen e parë, për dallim prej rastit të parave nëpër banka, të cilat obligohen t’ua kthejnë shumën e plotë klientëve të tyre. Në lidhje me këtë, eksperti i shquar bashkëkohor islam, Prof. Dr. Ali Ahmed Es-Salusi, thotë: “Është e qartë se mjetet e depozituara nëpër banka nuk e kanë karakterin e qirasë. Mjafton që të kthehemi në natyrën e monedhave, procedurën e deponimit nga aspekti i pronësisë, garancës dhe konsumimit. Mbetet vetëm borxhi dhe ky përputhet plotësisht me kontratën e depozitimit”. Pra, nuk mund të jepet kompenzim për shfrytëzimin e parave, sepse pasuritë dallojnë në mes vete në drejtim të kompenzimit apo qirasë, që do të thotë se paratë nuk janë pasuri të cilat mund të jepen me qira, apo mund të jepet kompenzim për shfrytëzimin e tyre. Paratë mund të jepen si borxh, gjegjësisht që të kthehen në sasinë në të cilën janë marrë për borxh, apo të investohen në mënyrat legjitime islame të investimit dhe kooperimit në biznese. Dr. Refik Junus El-Misrij, një nga studiuesit e shquar bashkëkohor në fushën e ekonomisë islame, përkitazi me dallimin e pasurive të këtilla thotë: “Pasuria është dy llojesh: pasuri e cila huazohet dhe pasuri e cila jepet me qira. Pasuria e cila jepet me qira lejohet të jepet me qira, sepse dallon nga pasuria e cila huazohet (jepet borxh). Pasuria kur jepet borxh, pronësia e saj transferohet nga huadhënësi te huamarrësi gjatë kohës së huasë. Ndërkaq me transferimin e pronësisë, transferohet edhe garancia, gjegjësisht huamarrësi bëhet garantues i borxhit që e ka huazuar, apo ai është përgjegjës për kthimin e sasisë përkatëse. Për këtë, nëse huamarrësi realizon ndonjë dobi përmes përdorimit apo shfrytëzimit të borxhit, profiti apo dobia i takon personit përkatës konform parimit: dobia është ekuivalente me garancinë. Po ashtu, pasi ai e garanton borxhin e marrë, nuk është valide që huadhënësit t’i japë kompenzim, sepse parimi juridik qartë pohon se kompensimi dhe garancia nuk mund të bashkohen... Për sa i përket pasurisë e cila jepet me qira, pronësia e saj nuk kalon te qiramarrësi, e pasi pronësia mbetet te qiradhënësi, mbetet edhe garanca e pasurisë për të, gjegjësisht qiradhënësi i bart të gjitha përgjegjësitë për pasurinë përkatëse, si djegia, humbja, vjetrimi etj, derisa qiramarrësi nuk ka bërë ndonjë lëshim apo është treguar negligjent në përdorimin e sendit të marrë me qira. Nëse ai bën lëshime dhe tregohet negligjent ndaj përdorimit të sendit të marrë me qira, atëherë duhet ta garanton në kufij të dëmtimit, pakujdesit apo lëshimit. Në fund të qirasë, qiramarrësi e kthen sendin e marrë me qira, e nuk e kthen vlerën e tij, sikur që ishte rasti me borxhin. Edhe këtu zbatohen të njëjtat parime juridike si më parë”. 5.9. Lejohet kamata me jo muslimanët Kohë pas kohe janë dëgjuar disa zëra të cilat janë munduar ta legalizojnë kamatën e të thirren në parimin se Islami nuk e ndalon kamatën me jo muslimanët, sepse, po që se u lehet kamata atyre, atëherë ata forcohen me këtë, andaj edhe nuk lejohet të merret kamatë prej tyre. Ata pastaj thonë se bankat e sotme janë banka të jo besimtarëve, për atë edhe lejohet që të merret kamata. Mendimi i këtillë i atribuohet imam Ebu Hanifes, e po ashtu këtë e kanë mbështetur edhe disa dijetarë tjerë të kohës sonë, si Muhamed Bakir Es-Sadër, shejh Ahsen El-Kijlani, si dhe delegacioni i Egjiptit në Konferencën e ministrave të punëve të jashtme të shteteve islame, të mbajtur me 29. 02. 1972 në Xhedë. Mirëpo, edhe ky tentim i tyre është i kotë, sepse nuk kanë asnjë argument të pranueshëm i cili do ta mbështesë dhe arsyetojë një qëndrim të këtillë. Kështu, së pari duhet përmendur se qëndrimi i Ebu Hanifes i është referuar shtetit i cili ka qenë në luftë të drejtpërdrejtë me muslimanët dhe muslimani ndodhet në vendin e tillë. Të gjitha shtetet e sotme nuk mund të futen në një thes dhe nuk mund tu jepet i njëjti tretman, që do të thotë se ka shumë ndryshime nga koha kur ka folur Ebu Hanife dhe raportet mes shteteve dhe vendeve në kohën tonë. Në anën tjetër, edhe vendet islame nuk e kanë tretmanin e njëjtë, sepse atëherë ka ekzistuar shteti islam i udhëhequr nga kalifi, ndërkaq sot ka shumë shtete me rregullim shtetëror jo islam, që udhëhiqen nga kryetarë të cilët ose janë socialist, ose laik, ose ndjekin ndonjë drejtim tjetër, si dhe veprimtaria e tyre tregon qartë se kanë qenë pengesë për zbatimin e dispozitave islame në shtetet ku kanë sunduar me fuqi. Nëse flasim nga aspekti i dispozitave të sheriatit, duhet theksuar se pohimi i këtillë nuk ka asnjë mbështetje faktografike, sepse feja e ndalon kamatën, pa mos bërë dallim në atë se me kë bëhet transaksioni me kamatë, me musliman apo me jo musliman. Këtu shihet edhe madhështia e Islamit, i cili nuk bën ndarje të këtilla në mes njerëzve, por harami është haram për të gjithë. Pra, Kur’ani, Sunneti dhe Ixhmaja (koncenzusi) nuk bëjnë selektim në ndalimin e kamatës, por dispozita është e përgjithshme dhe vlen për të gjithë, pra, pa marrë parasysh se kujt i referohet transaksioni në fjalë. Ndarja e këtillë është e pa pranuar për të drejtën islame dhe njohësit e dispozitave islame e dijnë mirë se raste të këtilla të qëndrimeve të dyfishta nuk hasen në të drejtën islame, madje Islami ndalon haramin t’ia dedikosh edhe atij i cili nuk e konsideron haram, si për shembull t’i japësh alkool një krishteri i cili e konsideron atë të lejuar. E shoh të arsyeshme t’i përmendi fjalët e Dr. Jusuf Kardavit, i cili thotë: “Sipas sheriatit islam, Islami i përfshinë të gjithë. Nuk ekziston diçka që është haram për të huajin, e hallall për arabin, ashtu siç nuk ka diçka të ndaluar për zezakun, e të lejuar për të bardhin... Bile, nuk ka diçka specifike që i lejohet myslimanit, e i ndalohet jo muslimanit. Nuk ekziston një gjë e tillë, ngaqë All-llahu është Zot i të gjithëve dhe Sheriati mbizotëron mbi të gjithë. Atë që e lejon Zoti me Sheriat, u lejohet të gjithë njerëzve, e atë që e ndalon, u ndalohet të gjithëve deri në Ditën e Kijametit... Hebraizmi i devijuar supozonte se kamata nuk lejohet midis hebrenjve, ndërsa midis hebreut dhe jo hebreut po. Në Deuteronomy 23/19-20 thuhet: “Mos i jep vëllait tënd argjend, ushqim ose diçka tjetër me kamatë. Të huajit jepi me kamatë, por vëllait tënd mos i jep...”. Shikuar nga një prizëm tjetër, ky qëndrim është kontraverz dhe i pa qartë për çështjen në fjalë. Kjo, ngase ky mendim bën përzierjen e dispozitës bazë të statusit juridik të kamatës në të drejtën islame dhe veprimin me kamatë pas rasteve specifike kur muslimani nuk ka mundur t’i ikë kamatës, gjegjësisht nëse ka qenë i detyruar t’i lë paratë në një bankë për shkaqe të arsyeshme dhe banka i jep kamatë, atëherë ai nuk bën t’ia lë kamatën bankës përkatëse, por duhet ta merr dhe ta dedikojë për objektiva të ligjshme islamikisht. Nëse dijetarët islamë e kanë obliguar muslimanin i cili ka lënë para në bankat e huaja që ta merr kamatën dhe të mos ua lë bankave të cilat si zakonisht mjetet e tilla i destinojnë për qëllime misionare krishtere, kjo nuk nënkupton se kamata është hallall me bankat e tilla, por kjo është një dispozitë e veçantë për raste të jashtëzakonshme dhe të arsyeshme.

Ndërkaq muslimani parimisht nuk duhet aspak tu afrohet bankave, por nëse është i detyruar për iks shkaqe legjitime, atëherë vlenë dispozita në fjalë. Mirëpo, marrja e parave nga banka nuk nënkupton edhe legjitimitetin e përdorimit të tyre për nevoja personale, por paratë e tilla duhet të destinohen për projekte që janë në dobi të shoqërisë. Pra, nga ajo që u prezantua shihet qartë se ekziston një dallim substancial në definimin e problemit. Kjo, ngase ithtarët e këtij mendimi flasin për kamatën e bankave të huaja në kuptim të domosdoshmërisë së moslënies së kamatës për bankën përkatëse, ndërkaq mbrojtësit e ndalimit të kamatës flasin për dispozitën bazë përkitazi me kamatën e cila apriori ndalohet me të gjithë, ndërsa kamatën të cilën e japin bankat e huaja ata e obligojnë të merret, por jo se është e lejuar të merret prej jo besimtarëve, por të meret e të destinohet për qëllime të interesit të përgjithshëm të shoqërisë, sepse nëse lehet, atëherë mund të përdoret për ta dëmtuar Islamin dhe muslimanët. Ja edhe vendimi i Akademisë Evropiane për Fetva dhe Gjurmime përkitazi me mënyrën e trajtimit të kamatës së bankave: Muslimanët që jetojnë në Perëndim nuk mund t’i ikin mos hapjes së llogarive - kontove në bankat me kamatë, kurse dihet se këto llogari tërheqin edhe kamatë - tepricë e cila i bashkëngjitet llogarisë përkatëse. Në këtë rast ata e gjejnë veten para dy mundësive: ose t’ua lënë këto profite bankave, me të cilën gjë dëmtohet interesi i muslimanëve, madje edhe mund të jenë kontribut për organizatat misionare krishtere, ose këto teprica t’i destinojnë për shërbime publike. Pasi dispozita këtu nuk i referohet esencës së pasurisë, por mënyrës së fitimit apo harxhimit të saj, atëherë pohojmë se pasuria e ndaluar është e ndaluar për personin i cili e ka fituar në mënyrë jo të lejuar. Pra, për këtë pasuri të kamatës, e ndaluar është që personi që e ka fituar ta shfrytëzojë për vete, ndërkaq për të varfrit dhe organizatat humanitare kjo pasuri - kamata nuk është e ndaluar. Nisur nga kjo, Akademia nuk e konsideron të ndaluar për organizatën bamirëse që të kërkojë prej pronarëve të këtyre llogarive që t’ia falin tepricat e llogarive të veta, e po ashtu nuk sheh ndonjë dallim në pranimin e këtyre pasurive nga çdo subjekt tjetër, si për shembull kompanitë, bankat etj. 5.10. Nuk ka kamatë me shtetin Disa janë munduar ta arsyetojnë kamatën me atë se nuk ka kamatë në atë që është nën mbikëqyrjen e shtetit, gjegjësisht nëse një bankë shtetërore jep kamatë për banorët e vendit përkatës, atyre u lejohet që ta marrin kamatën e bankës në fjalë, sepse atë në fakt e jep shteti dhe ajo që e jep shteti nuk është e ndaluar. Mirëpo edhe teza e këtillë është e pa bazë, sepse, që të thuhet se kamata me shtetin është e lejuar, duhet të ketë ndonjë bazë shkencore, qoftë të jetë argument prej Kur’anit, Sunnetit, Ixhmasë apo Analogjisë (kijasit) së shëndoshë, ndërkaq rasti në fjalë nuk mbështetet në asnjë nga bazat e përmendura. Islami e ndalon kamatën, qoftë për individët, qoftë për bashkësitë, qoftë për shtetet, andaj edhe nuk ka të drejtë askush të thirret në atë se kamata është e lejuar për ndonjërën nga kategoritë e përmendura. Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh fakti se Islami e ndalon qeverinë e shtetit islam që të hyjë në skema të kamatës. Përkundrazi, prej saj kërkohet ta bëjë të kundërtën, gjegjësisht t’i shpallë luftë të pa kompromis kamatës me të gjitha format e saj. Dr. Jusuf Kardavi në këtë kontekst thotë: “Disa thonë: Ndërhyrja e qeverisë për garantimin e profiteve të caktuara për pronarët e përjashton këtë transaksion nga kamata. Kurse ne themi: Kamata është kamatë, ndërkaq qeveria bën thjeshtë një ndërmjetësim që t’i mashtrojë dhe t’i stimulojë njerëzit me kamatë. Më e rrugës do të ishte që qeveria t’i thërret qytetarët që të participojnë në projektet qeveritare dhe t’i marrin përsipër pasojat e rezultateve”. 5.11. Ndalohet vetëm kamata e xhahilijetit Disa janë munduar që ndalimin e kamatës ta kufizojnë vetëm në një formë ekzistuese, në kohën e xhahilijetit - injorancës, gjegjësisht kamata e cila është marrë për shkak të vonimit të borxhit, me ç’rast borxhdhënësi i ka thënë borxhmarrësit: ose do ta paguash borxhin, ose do ta prolongoj dhe do të japësh kamatë. Sipas tyre, ajo që japin bankat e sotme nuk është e këtij lloji, andaj edhe nuk është e ndaluar. Thënë troç, pohimi i tyre shkon në drejtim të kufizimit të kamatës vetëm në një formë, atë që ka qenë e njohur në kohën e xhahilijetit. Mendimin e këtillë e mbështet Reshid Rida, duke pohuar se ndalimi esencial i kamatës i dedikohet ekskluzivisht formës në fjalë. Kufizimi i kamatës vetëm në formën e përmendur është jo i drejtë, sepse kamata në kohën e xhahilijetit nuk ka pasur vetëm një formë, por ka pasur më shumë forma. Kështu, një formë e kamatës ka qenë që të merret kamatë për vonimin e borxhit. Forma tjetër ka qenë që të kushtëzohet kamata në vet lidhjen e kontratës, gjegjësisht huazimi i monedhave të arit apo argjendit deri në një afat të caktuar duke kushtëzuar kamatë. Një formë tjetër e kamatës ka qenë kamata jo në borxh, por gjatë këmbimit të mallrave, sikur që u përmend edhe më herët te llojet e kamatës. Këtë e ka përmendur i Dërguari i All-llahut në hadithin të cilin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi: “Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurma me hurmë, kripa me kripë, (në shitje) duhet të jenë të njëjta në peshë dhe duhet të shiten dorë në dorë, e kush shton apo kërkon t’i shtohet, ka marrë kamatë, ai që merr dhe ai që jep këtu janë njëlloj (në mëkat)”. Po edhe sikur të pranohet kushtimisht se kamata e borxhit në xhahilijet ka qenë e kufizuar në formën e përmendur, duhet të ndalohet kamata konform argumenteve të cilët e ndalojnë kamatën e formës së parë, e atë se të dy format janë borxh i të njëjtit lloj, ndërkaq teprica është si kompenzim për prolongimin. Pra, kjo formë e kamatës nuk ka filluar fillimisht me kamatë, por kamata ka ardhur si rezultat i prolongimit të borxhit, ndërkaq bankat e sotme kushtëzojnë borxhin - kredinë fillimisht me kamatë. Po ashtu, edhe bankat e sotme e zbatojnë formën e parë, sepse nëse nuk e kthen borxhin në kohën e caktuar, të shtohet kamata dhe të dobësohen pozicionet. Nga kjo që u tha, shihet qartë se nuk mban teza se e ndaluar është vetëm kamata e xhahilijetit në formën e përmendur, ngase kamata e xhahilijetit është manifestuar në disa forma. Po ashtu, bankat e sotme nuk dallojnë nga ajo që kanë vepruar protagonistët e kamatës në kohën e xhahilijetit - injorancës.

Kategori: Zekati | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 1132 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024