E shtunë, 28/12/2024, 01:17
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Zekati [36]
Agjërimi i Ramazanit [140]
Shehadeti - Dëshmia [10]
Namazi [7]
Haxhxhi [0]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Shtyllat e Fesë » Zekati

Kamata
 
 

Mr. Bashkim ALIU

Çështja e kamatës sipas të gjitha standardeve është çështje e karakterit botëror, gjegjësisht ndikimi i saj nuk ndalet në hapësira të caktuara, por është prezent në të gjitha rrafshet ndërkombëtare.

Kjo çështje e karakterit të këtillë e ka hisen e vet edhe në të drejtën islame dhe ajo që përmendëm në numrat e kaluar është dëshmi e qartë se burimet e kësaj feje e kanë trajtuar këtë problematikë dhe Islami ka qëndrim të qartë ndaj kësaj çështje.Për atë, shpërndarja e muslimanëve nëpër botë, ekzistimi i qendrave të ndryshme islame, shpërndarja e literaturës islame në gjuhë të ndryshme të botës, por para së gjithash karakteri gjithënjerëzor i kësaj feje, i dha çështjes në fjalë interes edhe më të madh, sepse tani më në qarqet e ndryshme ekonomike dhe financiare, por edhe sociale botërore, flitet për kamatën dhe qëndrimin e Islamit përkitazi me të.Mirëpo koha në të cilën jetojmë është kohë dinamike, kohë e hapave gjigant në fusha të ndryshme shkencore dhe jetësore, andaj sot kemi forma të ndryshme të transaksioneve dhe veprimtarive financiare të cilat hasen edhe në shoqëritë islame, gjë që ka imponuar nevojën e trajtimit të tyre nga aspekti islam se a janë të lejuara apo të ndaluara. Sot mund të thuhet me plotë të drejtë se është koha e bankave, kredit kartelave etj, gjë që ka shkaktuar polemika në mes dijetarëve islamë për atë se a thua forma të caktuara që njihen sot në transaksionet bankare janë kamatë të cilën e ndaloi Islami apo se format e tilla nuk kanë të bëjnë me kamatën.Nisur nga kjo edhe u paraqitën zëra të cilët tentuan t’i arsyetojnë disa forma të transaksioneve dhe të mos i fusin në korniza të kamatës. Poashtu, që herët janë paraqitur disa zëra që kanë tentuar që kamatën e ndaluar në Kur’an ta kufizojnë në korniza të caktuara dhe ta komentojnë në një mënyrë të veçantë, gjë që shkaktoi që dijetarët islamë të merren me këta zëra dhe ta sqarojnë jo bazueshmërinë e tyre. Për atë, gati të gjitha librat që flasin për kamatën i përmendin edhe këta zëra të cilët janë munduar ta kufizojnë kamatën e ndaluar në forma të caktuara. Pasi jemi duke folur për kamatën, nuk mund që edhe ne mos të themi disa fjalë për disa nga dilemat që janë paraqitur rreth kamatës, duke përfshirë nën këtë nocion si dilemat që janë përmendur përkitazi me kamatën në të kaluarën, poashtu edhe dilemat që janë paraqitur përkitazi me transaksionet e sotme, apo thënë më shkurtë, kamatën e bankave:

 

1. Kamatë e ndaluar është ajo e shumëfishuar

Disa janë munduar që kamatën e ndaluar ta kufizojnë në kamatën e shumëfishuar, gjegjësisht sipas tyre e ndaluar është të merret kamata e shumëfishuar, fjala vjen qind për qind apo më tepër, por jo edhe për shembull 10% apo 20%.Ata mendimin e tyre janë munduar ta arsyetojnë me ajetin kur’anor ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju të cilët besuat, mos hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) All-llahut ashtu që të gjeni shpëtim.”Këtë mendim e mbështesin Abdu-l-Aziz Xhavish dhe Muhamed Xhafer Felvari.Mirëpo kjo tezë nuk mban dhe mund të demantohet me disa fakte relevante, e që ne këtu do të përmendim si vijon:a. Fjala “eda’fen muda’afeten”, që përkthehet “e shumëfishuar”, nuk ka për qëllim ta përcaktojë sasinë e ndaluar, pra se e ndaluar është vetëm kamata e shumëfishuar, por me këtë tregohet realiteti i hidhur i asaj kohe në kamatë, kur kamata merrej e shumëfishuar.Në lidhje me këtë komentatori i njohur i Kur’anit, Esh-Sheukani, thotë: “eda’fen muda’afeten” - “e shumëfishuar” nuk përmendet për ta përcaktuar ndalesën, sepse është e njohur se çdo sasi e kamatës është e ndaluar, por kjo ka treguar për gjendjen e tyre faktike në kamatë. Ata jepnin me kamatë deri në një afat të caktuar, e kur të skadonte afati i pagimit të borxhit, ata shtonin me pëlqimin e të dy palëve një sasi të pasurisë mbi borxhin me qëllim që t’u prolongohet edhe për një afat pagesa e borxhit. Këtë e bënin disa herë, ashtu që kamatdhënësi e merrte borxhin e vet të shumëfishuar nga sasia që ishte në fillim... Shprehja e hiperbolizuar dëshmon për qortimin e madh për kamatën. Forma e këtillë është prezente në disa ajete kur’anore, si fjala vjen në ajetin vijues: “... Mos i detyroni robëreshat tuaja të bëjnë imoralitet, e për shkak të ndonjë fitimi të kësaj bote, derisa ato dëshirojnë të jenë të pastra.” Ky ajet nuk nënkupton se detyrimi i robëreshave për imoralitet nëse ato nuk dëshirojnë një gjë të tillë është i ndaluar, e nëse duan ato një gjë të tillë është e lejuar, por ajeti tregon realitetin ekzistues në atë kohë përkitazi me robëreshat.Dr. Vehbe Ez-Zuhajli, një nga dijetarët e shquar bashkëkohorë sirianë, thotë: “Nga ajo që u tha, e në veçanti fjalët e të Lartëmadhërishmit: “... atëherë juve u takon kryet e mallit tuaj...”, shihet qartë se kamata, madje edhe nëse është në përqindje shumë të ulët, fjala vjen 1%, 5% apo7%, është e ndaluar fetarisht, qoftë se i referohet individit, bashkësisë, kompanisë apo shtetit. Ndërsa sa u përket atyre të cilët e lejojnë kamatën në përqindje të vogël, duke u thirrur në ajetin: “O ju të cilët besuat, mos hani kamatën që po e shumëfishoni...”, pohoj se argumentimi i tyre është i pa bazë, sepse ky ajet zbriti në etapën e tretë të katër etapave të ndalimit të kamatës, e pastaj ky ajet u derogua me ajetin ku qëndron: “... dhe e ndaloi kamatën...”, i cili ajet është prej ajeteve të fundit që zbritën për kamatën. Poashtu, atributi “i shumëfishuar” nuk është kusht, por është përmendur për ta treguar realitetin e arabëve në kohën e xhahilijetit me qëllim që ta përbuzë dhe injorojë veprimin e tyre të këtillë. Për ndalimin e kamatës, qoftë në sasi të madhe apo të vogël, qoftë për nevoja të konsumit të gjërë apo për prodhim dhe investim, dëshmon edhe koncenzusi i muslimanëve, kurse njëkohësisht lejimi i sasisë së vogël të kamatës çon në lejimin e sasisë së madhe”.b. Vet polemizimi i arabëve në kohën e xhahilijetit rreth asaj se pse të ndalohet kamata kur është e njëjtë me shitblerjen është dëshmi se ata e kanë kuptuar kamatën si tërësi, pa bërë dallim në mes asaj që është në përqindje të madhe apo të vogël, sepse sikur të kishte qenë e ndaluar vetëm përqindja e madhe, atëherë ata do ta kontestonin ndalimin e saj në sasi të vogël, por një gjë e tillë nuk ndodhi.c. Ka shumë argumente tjera, qoftë nga Kur’ani apo Sunneti, të cilët e vërtetojnë ndalimin e kamatës në përgjithësi, qoftë në sasi të madhe apo të vogël. Për atë, sikur të thuhet se kamatë e ndaluar është vetëm kamata e shumëfishuar apo në përqindje të madhe, atëherë do të akuzohej Kur’ani se ka kundërthënie mes ajeteve. Por fakti që shumë ajete tjera e ndalojnë kamatën pa përcaktuar sasi, flet se ndalimi me atributin “i shumëfishuar” në ajetin në fjalë nuk është për të përcaktuar sasi, por për të treguar për një realitet që ka ekzistuar tek arabët e kohës së xhahilijetit në fushën e kamatës.Ja, për shembull, ku shihet ndalesa e kamatës pa dallim të sasisë në dy ajetet vijuese: “O ju që besuat, kinie frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata” dhe “E nëse jeni penduar, atëherë juve u takon kryet e mallit tuaj, askë nuk e dëmtoni, as vetë nuk dëmtoheni”.ç. Thënia e këtillë është kontradiktore dhe e paqartë, sepse nuk ka një limit të caktuar dhe unanimisht të pranuar përkitazi me atë se cila sasi konsiderohet e madhe e cila e vogël. Ndodh që në një vend një përqindje e caktuar e kamatës të konsiderohet e lartë, kurse në një vend tjetër mesatare, apo varësisht prej kohës dhe zhvillimit ekonomik.Për atë, pretendimi se kamatë e ndaluar është vetëm kamata e lartë apo e shumëfishuar, siç përmendet në ajetin e lartëpërmendur, nuk mban dhe është i pa bazë.

 

2. Kamata e zorit

Kështu e quajta që të kuptohet më qartë për lexuesin shqiptar, ndërkaq autorët në gjuhën arabe këtë dilemë e paraqesin me termin “ed-darure ve-l-haxhe”, që do ta përkthenim si “domosdoshmëria dhe nevoja”. E pamë shumë qartë se kamatë e ndaluar është ajo që e merr njeriu pa asnjë nevojë, ndërsa sot ajo merret edhe për nevoja të cilat disa herë mund të jenë të domosdoshme, apo thënë shkurt kur njeriu është në gjendje të rëndë. Poashtu, kur disa njerëz flasin për çështjet e bankave, ata thonë se janë të detyruar të marrim kamatë sepse ekonomia në botë në përgjithësi, e poashtu edhe në vendet islame, ndërtohet në banka, kurse bankat punojnë me kamatë, që do të thotë se në njëfarë mënyre janë të detyruar që prej zorit të marrin dhe japin kamatë. Të tillët mendojnë se për ta nuk është e ndaluar kamata.Mirëpo teza e tyre nuk mban. Sepse gjendja e domosdoshme apo e jashtëzakonshme e cila e arsyeton veprimin e disa gjërave të ndaluara i ka rregullat dhe kushtet e veta në të drejtën islame të cilat duhet t’i plotësojë. Kjo do të thotë se sa herë që thuhet për një veprim se është i detyrueshëm, nuk do të thotë se në të vërtetë është ashtu dhe se ekziston detyrim real. Darureja - “gjëja e domosdoshme” është definuar nga Sujutiu se është: “Që njeriu të arrijë në një gjendje në të cilën nëse nuk e bën një veprim të ndaluar shkatërrohet apo është afër shkatërrimit, e kjo e legjitimon veprimin e diçkaje që është e ndaluar”.Parimi i gjërave të domosdoshme se lejojnë gjëra të ndaluara mbështetet në argumente kur’anore dhe të Sunnetit, e këtu do të mjaftojmë me ajetin kur’anor ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “... e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar (atëherë edhe harami është hallall)...”.Në të drejtën islame ka rregulla të qarta për rastet e jashtëzakonshme kur njeriu mund të bëjë një veprim të ndaluar, fjala vjen si: të hajë diçka të ndaluar, të pijë diçka të ndaluar, të zbulojë diçka të ndaluar etj. Mirëpo, po qe se analizohen mirë këto rregulla, do të shohim se marrja e kamatës nuk është e kësaj natyre, pra nuk jemi të detyruar deri në shkallën e domosdoshmërisë që ta marrim kamatën, sikur jemi të detyruar të hamë diçka të ndaluar nëse nuk kemi asgjë tjetër të lejuar.Në vazhdim do t’i përmendim kushtet të cilat i kanë përmendur dijetarët që duhet të plotësohen për t’u toleruar përdorimi i një gjëje të ndaluar në rast të detyrimit:- Që detyrimi të jetë prezent e jo të pritet në të ardhmen, gjegjësisht të jemi të bindur apo të ekzistojnë gjasa më të mëdha që të rrezikohet një nga pesë domosdoshmëritë: jeta, pasuria, feja, nderi dhe mendja. E nëse nuk ka gjasa reale për t’u rrezikuar një nga këto që u përmendën, nuk ka arsye të mos përfillet dispozita bazë ligjore dhe të kërkojmë rrugëdalje në ato që u referohen rasteve të jashtëzakonshme dhe të detyrueshme.- Që detyrimi të jetë i pashmangshëm, ashtu që njeriu të ketë droje për jetën apo ndonjë pjesë të trupit të vet nëse nuk bën një veprim të ndaluar.- Që njeriu i detyruar të mos gjejë rrugë tjetër për të dalë nga situata e krijuar pos veprimit të ndaluarës.- Që dëmi që sjell gjëja e ndaluar e cila bëhet të jetë më i vogël se e keqja që sjell dëmi i cili synohet të evitohet.Nëse ndalemi ta analizojmë kamatën, do të shohim se asnjë nga kushtet ekzistuese nuk është prezent në rastin e kamatës.Është e vërtetë se ekziston nevojë për marrje të kamatës në disa raste, mirëpo kjo nevojë nuk e arrinë shkallën e domosdoshmërisë që të mund të tolerohet marrja e saj konform parimit të njohur juridik islam: Ed-Daruratu tubihu-l-mahdhurat - Gjërat e domosdoshme i legjitimojnë (tolerojnë) gjërat e ndaluara.Nëse kthehemi në realitetin ekzistues në kohën e Shpalljes kur u ndalua kamata, do të shohim se arabët si në kohën e xhahilijetit, e poashtu edhe në kohën e Shpalljes, kamatën e merrnin për shkak të nevojës, bile disa herë ishin edhe të detyruar, por kjo nuk qe shkak që Kur’ani të mos e ndalojë kamatën. Poashtu edhe i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], edhe përskaj kësaj ua tërhoqi vërejtjen muslimanëve për kamatën, duke i mallkuar ata që janë të implikuar në transaksionet me kamatë.Dijetari i shquar Ibn Kajjimi thotë: “Kamatë e dukshme është ajo e prolongimit të cilën e praktikonin në kohën e xhahilijetit, ashtu që kur i prolongohej pagesa e borxhit e shtonte pasurinë dhe sa herë që e prolongonte ia shtonte sasinë, ashtu që njëqind dinarë të shtohen në qindra mijëra. Kryesisht këtë e bënte vetëm skamnori i nevojshëm...”.Kjo nuk vlen as për bankat, siç pretenduan bartësit e këtij mendimi me preteks se sot është e pamundshme të mos punohet me kamatë kur sistemi ekonomik dhe financiar edhe i shteteve arabe është i ngritur mbi kamatë.Personi i cili i depoziton paratë e veta në bankë nuk është i detyruar që ta merr kamatën për këto para, madje ai as nuk është i detyruar që t’i depoziton në bankë.Poashtu, edhe ata që mendojnë se janë të detyruar të marrin kredi me kamatë prej bankave nuk e kanë drejtë, sepse nuk ka asnjë domosdoshmëri për të marrë kredi me kamatë. Nuk është domosdoshmëri të ndërtosh shtëpi luksoze, as të blesh mobilje të shtrenjta, as ta ndërrosh veturën gjithnjë kur të del ndonjë model më i ri etj.Andaj, teza se jemi të detyruar për të marrë kamatë nuk mban dhe dilema se kamatën sot e legalizon domosdoshmëria është e pa bazë.

Këtë e miratoi edhe Kongresi i dytë i Akademisë së Gjurmimeve Islame në Kajro i mbajtur më vitin 1965, ku morrën pjesë përfaqësues nga 35 shtete islame. Në këtë kongres unanimisht u miratuan disa vendime, e mes tjerash edhe se: “Dhënia dhe marrja e kredive me kamatë është e ndaluar dhe këtë nuk e justifikon asnjë nevojë dhe domosdoshmëri. Mëkatin për marrjen me kamatë e anulon vetëm gjendja e jashtëzakonshme...”.

Kategori: Zekati | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 918 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024