E shtunë, 21/12/2024, 19:24
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Edukata Islame [22]
Bashkëshortësia [35]
Gruaja në Islam [17]
Edukimi i fëmijëve [32]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Familja Islame » Edukata Islame

Respektimi i prindërve
Respektimi i prindërve

 
Muslimani beson se e ka obligim respektimin e prindërve, bindjen dhe bamirësinë ndaj tyre.
E drejta prindore është e madhe dhe ka pozitë të rëndësishme në shoqëri. Bamirësia ndaj prindërve është një nga veprat më të dashura te Allahu, xhele shanuhu. Sjellja e mirë ndaj tyre, sipas Kur’anit, renditet menjëherë pas besimit në Allahun xhele shanuhu dhe është një nga shkaqet e hyrjes së njeriut në Xhenet. Respektimi i prindërve është cilësi dhe virtyt i të gjithë pejgamberëve dhe atyre të drejtëve.      
Respektimi i prindërve është shkak i jetës së gjatë, suksesit në fitim, prehjes në vështirësi, plotësimit të dëshirave në lutje, qetësisë dhe rehatisë në jetë.
Muslimani beson se e ka obligim respektimin e prindërve, bindjen dhe bamirësinënë ndaj tyre. Dhe këtë e bën jo për arsye se ata kanë qenë shkak i ardhjes së tij në jetë, as sepse ata i kanë bërë mirë atij dhe janë përpjekur e munduar për rritjen e tij dhe kështu ai duhet t’ua kthejë të mirën me të mirë, por sepse Allahu i Madhëruar e ka bërë të obligueshme bindjen ndaj tyre dhe i ka ngarkuar fëmijës mirësjelljen dhe bamirësinë ndaj prindërve të tij, madje Ai këtë e ka obliguar menjëherë pas besimit në Allahun, Krijuesin e Gjithësisë.
"
Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet
.” (En-Nisa: 36)
Thuaj: "Ejani t'ju lexojë atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata
…”  (El-En’am:151)
"
Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: "Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”. Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai u fal atyre që pendohen
”. (El-Isra:23-25)

Edhe Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka  thënë: "Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, ndërsa zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindërve!”
Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Abdurrahman Abdullah ibën Mes’udi, radijallahu anhu, se ka thënë: "E kam pyetur Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem: ‘Cila punë është më e dashur tek Allahu i Madhëruar?’. Tha: ‘Namazi në kohën e vet’. I thashë: ‘Pastaj cila?’. Tha: ‘Bamirësia ndaj prindërve’. I thashë: ‘Pastaj cila?’. Tha: ‘Xhihadi (lufta) në rrugë të Allahut”.
Abdullah ibën Amër ibën El-Asi, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Mëkate të mëdha janë: mosbesimi (shirku, idhujtaria), mosrespektimi i prindërve, mbytja dhe betimi i rrejshëm”. Në hadithin të cilin e trasmeton Ebu Hurejre radijallahu anhu Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, njëherë ka thënë: ”Qoftë i nënçmuar!” dhe këtë e përsëriti tri herë. Në pyetjen e sahabëve: "E kush ashtu o i Dërguari i Allahut?” Ai është përgjigjur: ”Ai i cili përjeton pleqërinë e prindërve të tij, ose të njërit prej tyre, e ai për shkak të tyre të mos hyjë në Xhennet!”

Duke pasur parasysh ajetet kur’anore dhe hadithet e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, ne duhet të sillemi ndaj prindërve me mënyrën më të mirë, si:
1. Duhet të jemi të dëgjueshëm ndaj prindërve dhe nuk guxojmë t’i kundërshtojmë, përveç nëse ata na largojnë nga nënshtrimi ndaj Allahut, xhele shanuhu, sepse i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: "Nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit.” Për këtë Allahu, xhele shanuhu, thotë: "
Dhe Ne kemi kërkuar nga njeriu të jetë i përkushtuar e i dëgjueshëm ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbarti atë me mundime pas mundimesh e vështirësi pas vështirësish dhe dhënia e gjirit është dy vjet. Më falendero Mua dhe prindërit e tu, tek Unë është kthimi i fundit
.” (Llukman: 14)
"
Por nëse ata të dy përpiqen me ty, që ti të më shoqërosh Mua të tjerë për të cilët ti nuk ke asnjë dije, atëherë mos iu bind atyre, por sillu me ta në dynja me dashamirësi dhe ndiq rrugën e atij i cili më kthehet Mua me pendim dhe nënshtrim
.” [Llukman: 15].
2. Duhet të jemi tolerantë ndaj tyre, të nënshtruar, të dëgjueshëm dhe të butë si në fjalë ashtu edhe në vepra.
3. Nuk duhet t’i ofendojmë prindërit e as ta ngrisim zërin gjatë bisedës me ta. Por, derisa ata flasin duhet t’i dëgjojmë dhe ta kthejmë fytyrën nga ata. Gjithashtu, nuk duhet t’i ndërpresim gjatë të folurit të tyre dhe assesi nuk guxojmë t’u themi se gënjejnë.
4. Duhet ta ndajmë gëzimin me ta. Duhet të gëzohemi në urdhërat e tyre dhe asnjëherë të mos u themi as "uf”.
5. Duhet që t’ua shprehim dashurinë tonë.
6. Duhet të mbajmë llogari që nënave t’u japim përparësi në bamirësi dhe ndjeshmëri, për shkak se nëna i ka përjetuar shumë rëndë mundimet e bartjes, lindjes, gjidhënies dhe e ka ndarë me babain brengën për edukimin dhe ngritjen e fëmijës.
7. Duhet t’i ndihmojmë ata në punët e tyre dhe assesi t’i pengojmë ata.
8. Me shumë kujdes duhet që t’ua tregojmë lajmet e mërzitshme.
9. Nuk duhet që të fillojmë të hamë para se të fillojnë ata.
10. Duhet menjëherë t’u përgjigjemi kur të na thërrasin, pa marrë parasysh a jemi të zënë me punë apo jemi të lirë.
11. Nëse ndodh ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet prindërve duhet që të mundohemi t’i afrojmë ata.
12. Duhet që t’ua përkujtojmë Allahun, xhele shanuhu, dhe t’i njohtojmë me atë që nuk e dinë nga feja.
13. Duhet t’i nxisim të bëjnë vepra të mira, nëse nuk janë plotësisht të drejtë. Këtë duhet ta bëjmë me shumë kujdes dhe durim (nëse ata këtë nuk e pranojnë menjëherë).
14. Duhet të kërkojmë leje prej tyre dhe të këshillohemi me ta, e ta miratojmë mendimin e tyre nëse duam të shoqërohemi me dikend ose të udhëtojmë dikund.
15. Prindërit nuk guxojmë t’i ofendojmë e as t’i fyejmë nëse bëjnë diçka që neve nuk na konvenon e as t’i kritikojmë se nuk na kanë edukuar, ose t’i përkujtojmë në diçka që nuk dëshirojnë të dëgjojnë për sjelljen e tyre.
16. Duhet që sa më shpesh ta lusim Allahun që t’ua falë mëkatet dhe t’u dhurojë çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër.
17. Duhet t’i respektojmë edhe pas vdekjes së tyre ashtu që në emër të tyre të bëjmë të mira pas vdekjes së tyre edhe atë duke bërë lutje për faljen e mëkateve të prindërve, duke i përforcuar lidhjet farefisnore, duke e praktikuar në vepër atë që prindërit ia kanë premtuar ndokujt dhe duke dhënë sadaka në emër të Allahut me qëllim që ato sevape t’u shkojnë atyre.
Në një hadith të cilin e trasmeton Ebu Hurejre, Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Kur njeriu vdes, i ndërpriten të gjitha veprat e tij, përveç në tre raste: sadakaja e rrjedhshme, dituria e tij me të cilën shërbehen të tjerët pas tij dhe fëmija i edukuar mirë i cili bën dua për të.”

Sufjan ibn Ujejne, dijetari i madh islam, ka thënë: ”Ai musliman i cili rregullisht (dhe si duhet) falë pesë kohët e namazit, në këtë mënyrë tregon falendërimin e tij ndaj Allahut në të mirat e Tij të panumërta, ndërsa, ai i cili pas secilit namaz e lut Allahun xhele shanuhu që t’i falë prindërit e tij të vdekur, ai tregon falenderimin e tij ndaj prindërve të tij (deri diku do t’u dalë hakut atyre!)”
Madje, thuhet se prindit do t’i shtohen gradat në Xhennet duke iu falënderuar kërkimit të faljes nga fëmija i tij, ashtu siç thotë qartë Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu:
"Me të vërtetë njeriut, do t’i shtohen gradat në Xhennet dhe do të pyet: ”Prej nga kjo?”,dhe do t’i përgjigjet atij: ”Kjo është prej kërkimit të faljes të fëmijës tënd për ty.

Ne, gjithmonë duhet ta kemi parasysh gjithë atë që bënë prindërit tanë për ne pasi ata na kanë ngritur dhe edukuar deri në pjekurinë tonë dhe kjo duhet të jetë gjithnjë nxitje për respektimin dhe dëgjueshmërinë tonë ndaj tyre.     
Në një trasmetim të Ebu Hurejures, radijallahu anhu thuhet se Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Fëmija nuk mund ta shpërblejë prindin e vet, përveç nëse e gjen prindin sikur rob, e blen dhe pastaj e liron atë!”
Sehl ibn Mu’adhi trasmeton nga babai i tij se Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Lum ai i cili u bën mirë prindërve të tij. Allahu i Lartësuar do t’ia vazhdojë jetën!”
Bamirësi duhet të tregojmë ndaj të dy prindërve, mirëpo, theks i veçantë duhet  t’i  kushtohet nënës për shkak të flijimit të saj më të madh. Allahu, xhele shanuhu, thotë: "
Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi
…” (el-Ahkaf: 15)

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, atij burrit i cili e pyeti: "Kush ka më shumë të drejtë për shoqërinë dhe kujdesin tim?”, i tha: "Nëna jote.” -Po pastaj? -Nëna jote. -Po pastaj? -Nëna jote. -Po pastaj? -Babai yt.”

Shpërblimi për hixhret në emër të Allahut xhele shanuhu dhe për xhihad në rrugë të Tij është i shumëfishtë, mirëpo, Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, dëgjueshmërinë dhe bëmirësinë ndaj prindërve e ka preferuar madje edhe në raport me këto dy detyra të obligueshme në Islam.
Është shumë e rrezikshme që prindërit të derdhin lot për shkak të sjelljeve tona të këqija. Abdullah ibn Omeri, radijallahu anhu, sahabiu i cili në mënyrën më strikte ka praktikuar sunnetin e të Dërguarit të Allahut, ka thënë: ”Lotët e prindërve përfshihen në mosdëgjueshmëri dhe mëkate të mëdha!”
Mosdëgjueshmëria ndaj prindërve hynë në mëkatet e mëdha. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, këtë mëkat e ka klasifikuar menjeherë pas shirkut dhe mosbesimit. 
Abdullah ibn Omeri, radijallahu anhu, trasmeton se Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Tre veta, Allahu në Ditën e Gjykimit as që do t’i shikojë: të padëgjueshmit ndaj prindërve të tyre, gruaja e cila krahasohet (përngjan) me burrat dhe njeriu i cili nuk ka xhelozi (dhe në familje gjithçka i bëhet) ndërsa, tre veta nuk do të hyjnë në Xhennet: përsoni i cili është i padëgjueshëm ndaj prindërve, pijaneci i përhershëm (notorik) dhe ai i cili bart  fjalë (thashethëme).”
Dëgjueshmëria ndaj prindërve dhe të mirat të cilat ua bëjmë atyre përveç shpërblimit të madh i cili është paraparë në botën tjetër edhe në këtë botë sjell shumë të mira të cilat fëmijët padyshim se do t’i shijojnë. Imam Buhariu, në Sahihun e tij, nuk ia ka lënë kot emrin një kaptinës ’Pranimi i duasë për atë i cili u bën mirë prindërve të tij’, duke aluduar në hadithin e atyre tre personave që pasi hynë në shpellë, një gur i madh  ishte rrokullisur dhe e kishte mbyllur hyrjen e shpellës. Ata e kishin lutur Allahun xhele shanuhu që t’i  mëshirojë dhe t’i nxjerrë nga shpella. Secili prej tyre luste Allahun duke u thirrur në ndonjë vepër të mirë që e kishte bërë. Njëri prej tyre në dua tha: ”O All-llah i dashur, unë kam pasur prindër pleq dhe të pafuqishëm dhe kurrë para tyre nuk kam ushqyer fëmijët e mi, robërit dhe shërbyesit. O Allahu im, nëse këtë e kam bërë posaçërisht për Ty, e jo për dikë tjetër, atëherë lëvize këtë gur prej hyrjes së shpellës në të cilën gjendemi!” Allahu bëri, që pas duave të tyre, guri të lëvizë nga hyrja e shpellës dhe ata të sigurtë të dalin prej saj dhe të vazhdojnë rrugën e tyre.
 
Ky hadith qartë çon në përfundim se një prej kushteve për pranimin e duasë është bamirësia dhe sjelljet e mira ndaj prindërve.

Gjithshtu, çdo njeri duhet të mundohet t’i baraspeshojë marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortes së tij dhe prindërve të tij. Çdonjërit prej tyre duhet t’ia jap të drejtën që i takon. Kur njeriu formon familjen edhe më tutje duhet të kujdeset për prindërit: të jetë në kontakt me ta, t’i vizitojë që ata të ndihen se ai i respekton dhe munden të llogarisin në të.
Nga bashkëshortja duhet të kërkojë t’i ndihmojë në këtë gjë, që për këtë ajo të ketë mirëkuptim dhe ai në mënyrë të plotë të mund t’i kryejë obligimet që i ka ndaj prindërve.
Padëgjueshmëria ndaj prindërve sjell shumë veshtirësi edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. Dihet se dënimi për mëkatet e tjera mund të shtyhet për botën tjetër, mirëpo, për padëgjueshmërinë ndaj prindërve njeriu mund të dënohet qysh në këtë botë. Për këtë kemi rastin e Alkames, i cili nuk mund ta shqiptonte shehadetin në momentet e fundit të jetës edhepse ishte falur, kishte agjëruar shumë dhe kishte dhënë shumë sadakë, vetëm për arsye se i kishte dhënë përparësi  gruas së tij ndaj nënës. Pas insistimit të Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, nëna e tij ia kishte bërë hallall dhe ai e kishte shqiptuar shehadetin para se të vdesë. Pas këtij rasti, Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, i cili e  ka falur xhenazen e Alkames u ka tërhequr vërejtjen sahabëve:
"O turmë e muxhahirëve dhe ensarëve! Kush i jep përparësi gruas më shumë se nënës së tij, le të jetë mbi të mallkimi i Allahut, mallkimi i melekut dhe i gjithë njerëzve! Kush vepron kështu e nuk pendohet, nuk e përmirëson sjelljen e tij ndaj nënës dhe nuk kërkon kënaqësinë e saj, le ta dijë se Allahu nuk do ta pranojë asnjë vepër të mirë të tij. Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e saj, ndërsa zemërimi i Allahut është në zemërimin e saj!”
Dëgjueshmëria dhe bamirësia ndaj prindërve preferohet në Islam madje edhe para  namazit nafile(vullnetar). Madje, mund të thuhet se bërja mirë prindërve është një ndër mënyrat më efikase për fshirjen e mëkateve.
Në fund, të mos harrojmë të shtojmë se edhe prindërit duhet që fëmijëve të tyre t’u bëjnë të mira, që t’i nxisin fëmijët t’ua kthejnë me të njëjtën masë dhe të luten për ta. Ata duhet që së pari t’i edukojnë fëmijët e tyre sipas parimeve islame, e pastaj fëmijët natyrisht se do t’i respektojnë prinsërit e tyre se e kanë obligim fetar.

Përgatiti: Fexhrie Kaçiu 
Kategori: Edukata Islame | Shtuar nga: shpend-xhelili (30/07/2010)
Klikime: 2308 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024