Nevojat e fëmijës-obligim për prindërit
Mënyra e realizimit dhe e përmbushjes së nevojave të fëmijës është çështje e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës dhe për formimin e personalitetit të tij. Duke filluar nga aspekti fizik, psikik, shoqëror, mendor dhe shpirtëror. Përgjithësisht, fëmija ka nevojë për: ushqim, veshmbathje, vendbanim të përshtatshëm, mbrojtje dhe shërim, gjumë, argëtim, liri, dashuri, siguri, etj.
Ushqimi Fëmijën asnjëherë nuk duhet të ndëshkohet duke e privuar nga racioni ditor apo t'i urdhërohet të abstenojë ngase ushqimi luan rol të rëndësishëm në organizmin e fëmijës sepse furnizon organizmin me energji, ndikon në reformimin e qelizave të qelizave të vdekura dhe në rindërtimin e tyre, në krijimin e qelizave të reja, në krijimin e imunitetit të organizmit kundër sëmundjeve dhe mbrojtjes së tyre. Privimi i fëmijës nga ushqimi mund ta shpie atë deri te vjedhja e edhe më shumë deri te: dobësimi i inteligjencës, indiferenca, plogështia, etj. Ushqimi i cili servohet duhet të jetë: i pastër, i gatuar mirë, me qëllim që lehtë gëlltitet dhe tretet dhe nuk duhet t'i imponohet fëmijës ngrënia me dhunë.
Veshmbathja Një ndër nevojat themelore për fëmijën është që ai të vishet me veshje adekuate për ambientin në të cilin jeton. Veshjet e lehta gjatë stinës së verës kthejnë prapë rrezet e diellit, ndërkaq veshjet e trasha sigurojnë ngrohtësi gjatë stinës së dimrit. Numri i rrobave nuk duhet të jetë i madh, me qëllim që fëmija të mos ndjejë neveri nga rrobat e shumta.
Vendbanimi i përshtatshëm Duhet të sigurohet ajri i pastër, dielli dhe qetësia për fëmijët sepse zhurma në të shumtën e rasteve shkakton shqetësimin e fëmijës dhe tronditjen e tij, sidomos gjatë periudhës kur e vëmë në gjumë.
Gjumi Fëmija ka nevojë për gjumë dhe të flejë në qetësi, të flejë herët si dhe të flejë në mesditë (nga ora një deri në ora katër). Fëmija duhet të flejë mjaftueshëm, të mos flejë më pak se shtatë orë në ditë, por preferohet të mos jetë edhe më tepër se kjo.
Argëtimi Argëtimi për fëmijën është shumë i rëndësishëm për zhvillimin normal të fëmijës, për faktin se lëvizjet dhe loja (argëtimi) janë çelësi i zhvillimit fizik, psikik, emocional dhe social, fakt i cili vërtetohet sa herë që fëmijës i sigurohen lloje lojërash që janë të dobishme dhe njëherit që nuk e dëmtojnë, me ç'rast edhe hapësira për lojë duhet të jetë e përshtatshme.
Gjurmimi dhe zbulimi Fëmija për nga natyra është i prirë për të njohur dhe zbuluar, kështu ai në këtë mënyrë fiton eksperiencë. Në asnjë rast nuk duhet të zaptohet fëmija gjatë përpjekjes së tij apo t'i ndalohet gjurmimi, hulumtimi dhe të zgjaturit në privimin e tij pa ndonjë arsye të veçantë, nëse bëhet për arsye edukimi.
Dashuria Fëmija ka nevojë të ndjejë dashurinë e të tjerëve dhe kënaqësinë e tyre ndaj tij, sidomos prindërve dhe mësuesit të tij, dhe doemos ata duhet t'ia shfaqin atij këtë, duke e manifestuar përmes butësisë dhe lehtësisë me të, qoftë edhe kur gabon.
Siguria Fëmija patjetër duhet ta ndjejë sigurinë në këtë botë të çuditshme për të, duke qenë afër nëna e tij dhe babai i cili dëfrehet me të. Mëria, urrejtja, xhelozia dhe lakmia përhapen mes fëmijëve të cilët vuajnë nga grindjet e përhershme të prindërve të tyre, duke mos ndier stabilitet në shtëpinë e tyre. Nëna nuk guxon t'i mëshojë apo të sillet rreptë me të nëse shkakton shqyerjen e veshmbathjes apo prishjen e orendive shtëpiake. Fëmija ndjen izolimin (largimin) dhe shqetësimin nëse e ëma e tij e le të vetëm në dhomën e fëmijëve apo e lë me shërbëtoren tërë ditën.
Pranueshmëria Pranimi i fëmijës nga ana e prindërve me dashuri, simpatia ndaj tij, argëtimi me të, të udhëzuarit me mirëkuptim dhe respekt kur fëmija të gabojë dhe të shpërblehet me lëvdata dhe mirësi kur t'ia qëllojë, mosbërja e dallimit mes tij dhe ndonjërit prej vëllezërve të tij, sidomos më të vegjël se ai, të gjitha këto shpijnë që fëmija të krijojë besim në vetvete, të jetë më i përqëndrueshëm dhe të anojë kah përzemërsia, me çka do të bëhet i aftë të krijojë raporte të mira shoqërore, të bëhet dashamirës për vëllezërit e tij dhe i mëshirshëm ndaj tyre. Vlerësimi Fëmija duhet të ndjejë se është objekt i kënaqësisë, i mahnitjes dhe i mburrjes së nënës, babait, familjes, mësuesit dhe njerëzve të tjerë. Asnjëherë nuk lejohet që prindi t'i drejtohet fëmijës me fjalët: "Largohu nga unë, ti akoma je i vogël për mua dhe mos fol shumë pa nevojë", sepse pastaj nuk duhet të habitemi nëse e shohim atë duke lozur me fëmijën e fqinjit i cili e çmon ose me mësuesin i cili e lavdëron kur i përgjigjet pyetjes dhe i cili loz me të gjatë orës së edukatës fizike, me ç'rast ky bëhet shembulli i tij ideal dhe i dashur, e jo prindi dhe vëllai i tij.
Suksesi Fëmija ka nevojë për sukses, ndërsa suksesi e shpie në suksese të tjera. Prandaj, fëmija nuk guxon të angazhohet me punë të rënda përtej mundësive reale të tij, të cilat mund ta shpijnë në dështim dhe mossukses, me ç'rast do të ndjejë paaftësi, zhgënjim dhe dobësi, duke u tërhequr nga vazhdimi me këto aktivitete dhe duke u frikësuar prej tyre. Nëse fëmija juaj nuk është edhe aq i suksesshëm, në asnjë rast nuk lejohet të nënçmohet apo të nënvlerësohet roli i tij, por duhet ta inkurajojmë atë duke i thënë: "Kjo është shumë bukur, po sikur ta bëje këtë kështu, do të ishte më mirë."
Liria Fëmija ka nevojë për liri veprimi, ecje, vrapimi, të folurit, prishjes, ndreqjes, ndërtimit dhe lojës me të gjitha format e mundshme personalisht, me moshatarët e tij, me të mëdhenjtë, qoftë në shtëpi apo në shkollë. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër pos që fëmijëve t'ua japim lirinë e shoqëruar me udhëzime dhe këshilla, kështu që në këtë mënyrë do të jemi edukatorë dhe mësues, e jo armiq dhe dhunues.
Shkruar nga Fexhrie Kaçiu
|