37. Muaviu [radijallahu anhu] thotë: kam dëgjuar Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: nëse i përcjell të metat e njerëzve atëherë i ke shkatëruar ata, ose gati se i ke shkatërruar ata.” (Ebu Davudi, Neveviu e vërteton hadithin)
Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “o ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri tjetrit, dhe mos përgojoni njëri tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” (Huxhurat – 12)
Fjala përgjim (texhessus) është prej fjalës xhes që don të thotë: provim me dorë, që është një prej shqisave të njeriut. Qëllimi i hadithit të lartëpërmendur ësht: ndalimi i përcjelljes së të metave të muslimanëve sepse ajo shpien në shkatërrimin e tyre.
Ka shumë hadithe dhe ajete të cilat ndalojnë përgjimin e të metave, Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri tjetrit” (Huxhurat – 12), kurse Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “mos dëgjoni fshehurazi fjalët e njerëzve as mos hulumtoni të metat e tyre.” (Buhariu)
Kujdes, kujdes vëlla musliman nga hulumtimi i të metave të muslimanëve dhe përcjellja e tyre, Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë: “ai që përcjell të metat e vëllait të tij musliman Allahu e përcjell atë deri sa t’ia zbuloj ato në shtëpinë e tij.” (Ahmedi), poashtu thotë: “kush ia mbulon një të metë vëllait të tij Allahu ia mbulon atij një të metë Ditën e Kijametit.” (Ahmedi)
Përjashtohet nga ky rregull kur hulumtimi i këtillë është metodë e vetme për të shpëtuar dikënd, për shembull, sikur të lajmëroj ndonjë njeri të besueshëm se filani është vetmuar me një tjetër për ta mbytur.
Ahmed Muadh Hakkij
|