9. Transmeton Ebu Hurerja [radijall-llahu anhu] i cili thotë: kam dëgjuar Pejgmaberin [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dukë thënë: “kush dëshiron t’i shtohet rizku (furnizimi) dhe t’i zgjatet jeta le të mbajë lidhjet farefisnore.” (Buhariu dhe Muslimi)
Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, dhe ruajeni farefisin (akraballëkun)” (Nisa – 1)
Në një ajet tjetër thotë: “Dhe ata që e mbajnë lidhjen për të cilën All-llahu ka urdhëruar të mbahet, që frikësohen nga Zoti i tyre dhe nga llogaria e rëndë e përgjegjësisë.” (Ra’d – 21)
Farefisi nënkupton të afërmit të cilët i lidhë prejardhja, pa marrë parasyshë a trashëgojnë njëri tjetrin apo jo, është mahrem (person me të cilin ndalohet martesa me të) apo nuk është. Disa dijetarë mendojnë se farefis janë vetëm ata që nuk mund të martohen ndërmjet tyre, mirëpo mendimi i parë është më i saktë sepse sipas të dytit patjetërson nxjerrjen e fëmijëve të axhës, hallës, dajës dhe tezes nga farefisi e që nuk është e saktë. (Fet-hul Bari – 10/414)
Kadi Ijadi thotë: nuk ka dallim në mendime rreth asaj se mbajtja e lidhjes farefisnore është vaxhib (obligim) në përgjithësi dhe se ndërprerja e saj është mëkat i madh… mirëpo kjo lidhje është në gradë dhe disa gradë janë më të larta se tjerat. Më e ulta është mos heqja dorë plotësisht dhe mbajtja e lidhjes me fjalë madje edhe vetëm me selam. E tërë kjo dallon sipas dallimit të mundësisë dhe nevojës. Ndonjëherë mbajtja e lidhjes farefisnore është vaxhib e ndonjëherë mustehab (vepër e preferuar). Nëse ndokush mban lidhjet farefisnore mirëpo jë në mënyrë të plotë, nuk konsiderohet se ka ndërprerë këtë lidhje, e nëse duke patur mundësi bën lëshime rreth këtij obligimi, nuk konsiderohet se i mban lidhjet farefisnore. (Sahihul Muslim, sherh Ennevevij – 16/113)
Nga hadithi i lartëpërmendur kuptojmë se shtimi i rizkut dhe bereqetit të tij, zgjatja e jetës dhe bereqetit të saj dhe udhëzimi për të bërë vepra të mira janë fryt i mbajtjes së lidhjeve farefisnore.
Pasi që Allahu [subhanehu ve teala] i krijoi të gjitha krijesat “lidhja farefisnore tha: kjo është pozita që kërkon strehim prej teje nga këputja e lidhjes farefisnore. Tha: po, a nuk dëshiron që të mbaj lidhje me atë që mban lidhje me ty dhe t’i ndërpres më atë që i ndërpret me ty? Ajo tha: po, si jo o Zoti im. Tha: ajo është për ty. Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: lexoni nëse dëshironi: “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akraballëkut?” (Muhamed – 22) (Transmeton Buhariu)
Mbajtja lidhjeve farëfisnore është shkak për të hyrë në Xhennet. Ebu Ejjub Ensarij thotë: një njeri i tha Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] : më trego ndonjë punë e cila më fut në Xhennet! Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: sa i mprehtë që është! Pastaj tha: ta adhurosh Allahun dhe askend mos t’ia shoqërosh Atij, ta falish namazin, të japësh zekatin dhe t’i mbash lidhjet farefisnore.” (Buhariu)
Gjithashtu transmetohet nga Abdull-llah ibn Amr ibn el-'As r.a., se Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk mban lidhjet farefisnore ai që kthen (vizitat) por është ai që kur i ndërpritet farefisnia i rivendos lidhjet (me ta)”. (Buhariu)
Erdhi një njeri te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i tha atij: o i Dërguar i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët mbaj lidhje farefisnore kurse ata nuk mbajnë me mua, u bëj mirë kurse atë më bëjnë keq dhe sillem butë me ta kurse ata sillen me arrogancë ndaj meje. Pejgmaberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: nëse vërtet është ashtu si thua atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, perderisa je në këtë gjendje.” (Buhariu)
Poashtu Pejgamberi a.s thotë: “nuk hyn në Xhennet ai i cili këput lidhjet farefisnore.” (Buhariu)
Ahmed Muadh Hakkij