Imam Ebu Hanifja i bindej gjithmonë së ëmës
Tradita islame i kushton rëndësi të madhe nderimit të prindërve, e veçanërisht nderimit të nënës. Shumë ajete të Kuranit Fisnik thonë se besimtarët duhet të adhurojnë Zotin dhe të mos i bëjnë Atij shok dhe krahas kësaj t’i jenë mirënjohës dhe falënderues Zotit dhe prindërve. Një thënie e famshme e Profetit Muhamed alejhi selam thotë se xheneti gjendet në këmbët e nënës. Një nga shembujt që tregon respektin dhe butësinë e madhe karshi nënës është ai i Imam Ebu Hanifes, njërit prej juristëve (fakihëve) më të mëdhenj islam.
Imam Ebu Hanifja dhe nëna e tij jetonin në qytetin e Kufës (pranë Naxhafit, në Irak). Babai kishte vdekur kur Ebu Hanifja ishte fëmijë, ndërsa nëna e tij jetoi deri afër të tetëdhjetave. Imami kujdesej për të me dashuri dhe mirësjellje të madhe.
Mamaja e tij kishte respekt të madh për disa nga dijetarët e asaj kohe, në mesin e të cilëve ishte edhe Amr bin Dharri, një dijetar i njohur i Kufës. Mendja e saj kërkuese dhe kureshtare kishte shumë pyetje rreth çështjeve fetare. Edhe pse i biri ishte një dijetar i madh, kur kishte një pyetje ajo e urdhëronte Imam Ebu Hanifen që të shkonte tek Amr bin Dharri dhe të merrte përgjigjen e tij. Kjo situatë gjithmonë e vinte në siklet Amr bin Dharrin, i cili i thoshte Imam Ebu Hanifes: "Si mund të hap gojën përpara teje?” Imami e qetësonte duke i thënë: "Ky është urdhri i nënës sime.” Pastaj Imam Ebu Hanifja merrte përgjigjen e Amr bin Dharrit dhe kthehej tek e ëma.
Njëherë, qëlloi që Amr bin Dharri nuk e dinte përgjigjen. Ai i kërkoi Imam Ebu Hanifes t’ia përsëriste pyetjen. Në vend që të jepte një përgjigje pas dëgjimit të pyetjes, Amr bin Dharri i bëri një pyetje Imamit duke i thënë: "A të vjen keq nëse bëj unë një pyetje?” Imami ia ktheu se nuk kishte vërejtje dhe atëherë Amr bin Dharri i bëri atij pyetjen që nëna e tij donte të dinte, duke i thënë: "Nëse ta bëj këtë pyetje, cila do të jetë përgjigja?” Imami e pa Amr bin Dharrin me një buzëqeshje, u mendua pak dhe dha përgjigjen. Amr bin Dharri ia përsëriti Imam Ebu Hanifes të njëjtën përgjigje dhe i tha: "Të lutem, thuaji nënës tënde se kjo është përgjigjja e Amr bin Dharrit.” Imami u kthye në shtëpi dhe ia tregoi përgjigjen së ëmës, duke e kënaqur atë.
Shkruar nga Muhammad Jakub Përktheu: Eglantina Muça
|