Hidhërimi i nënës u bë shkak për ta penguar thënien e shahadetit
Nëna dhe babai janë shkaktarët e ardhjes sonë në këtë botë andaj atyre u takon mirëbërësia ideale: babait për shkak të përkujdesjes materiale e nënës për shkak të lindjes dhe vështirësive të shumta. Nëna është ajo e cila bart fëmijën në barkun e saj nëntë muaj, pastaj e lind me shumë dhimbje duke iu ekspozuar edhe vdekjes. Ajo të gjitha shpresat i ka varur në këtë fëmijë, e si mundet ai fëmijë pas tërë kësaj të tregojë mosrespektim ndaj saj? Në vazhdim, do ta përmendim rastin e një sahabiu i cili nuk mundi që ta shqiptojë shehadetin për shkak të hidhërimit të nënës ndaj tij. Ai rast ndodhi në Medinën e ndritshme.
Alkame, i cili ishte plot shëndet e fuqi sëmuret aq rëndë saqë nuk ishte në gjendje të thoshte ndonjë fjalë e as të shprehte shehadetin. Familja e tij dhe njerëzit që vinin për ta vizituar ia përkujtonin shehadetin duke shpresuar se edhe ai do ta thotë pas tyre, mirëpo gjuha e tij nuk punonte dhe nuk ishte në gjendje të thoshte "La ilahe il-lallah”. Familja dhe të afërmit u dëshpëruan shumë për atë gjendje të tij. Duke mos gjetur rrugëdalje tjetër nga ai pikëllim i madh për Alkamen, njëri prej të afërmve të tij shkon te Pejgamberi, alejhi selam dhe e lajmëron për gjendjen e atij të riu. Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e pyet personin që e lajmëroi për gjendjen e Alkames: "A ka Alkamja prindër? Personi me fjalë nuk e kuptoi njëherë fshehtësinë e një pyetjeje të tillë e cila nuk kishte të bëjë me sëmundjen e Alkames, por megjithatë iu përgjegj Pejgamberit: "I ati i ka vdekur, e nënën e ka të moshuar…”
Pejgamberi, alejhi selam, e dërgoi atë që ta thirrë nënën e tij. Erdhi nëna e mirë dhe Pejgamberi, alejhi selam, e pyeti për sjelljet e birit të saj dhe për gjendjen momentale. Ajo tha: "Rregullisht e falte namazin, jepte sadakë e zekat, e agjëronte Ramazanin… Nëna ishte e sinqertë dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm e dinin se ajo ishte duke e thënë të vërtetën për birin e saj. Pastaj, Pejgamberi, alejhi selam, e pyeti nënën e Alkames se si ishte gjendja mes asaj dhe birit të saj? Me këtë Pejgamberi, alejhi selam, dëshironte të dijë diçka më shumë rreth marrëdhënieve të birit me nënën e tij. Nëna mendoi pak dhe tha: "Unë jam e hidhëruar ndaj tij!” Pejgamberi i tha: "Pse ashtu?!" Nëna e Alkames me një zë të ulët dhe të pikëlluar tha: "E çmon dhe i jep përparësi më tepër gruas së tij se mua…”Pejgamberi, alejhi selam, tha: "Hidhërimi i nënës ndaj tij është shkak që është penguar gjuha e tij nga thënia e shehadetit.”
Të gjithë të pranishmit ndjenë një tronditje të madhe për Alkamen, për atë të ri i cili falte namaz, jepte sadaka, agjëronte, por nuk i kishte dhënë hakun përgjegjësisë që kishte ndaj nënës së tij, përkundër kësaj i kishte dhënë përparësi gruas, e kishte çmuar dhe vlerësuar shumë më tepër atë që kishte dëgjuar nga gruaja sesa fjalët e nënës dhe me këtë kishte shkaktuar hidhërimin e nënës së tij.
Atëherë, Pejgamberi, alejhi selam, e ktheu kokën prej Bilallit, radijall-llahu anhu, dhe tha: "Shko e sillmi disa dru ta djegi Alkamen në zjarr!” Kur e dëgjoi këtë, nëna shprehu një zë pikëllues dhe të dhimbshëm dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, don ta djegësh birin tim, lulen e zemrës sime në praninë time? Si do të mund ta bart këtë zemra ime? Pejgamberit, alejhi selam, i shkoi buza në gaz, sepse fjalët e tij rreth djegies së Alkames dhanë rezultatin e dëshiruar, pasi ai kishte dëshirë që nëna e Alkames t’ia falë gabimin birit të saj. Pastaj, Pejgamberi i tha nënës së Alkames: "Nëse dëshiron që Zoti të jetë i kënaqur dhe ta shpëtojë birin tënd, falja gabimin, pajtohu dhe bëhu e kënaqur ndaj tij.” Pejgamberi, alejhi selam, heshti për një moment e pastaj tha: "Pasha Atë në duart e të cilit është shpirti im, nuk do të përfitojë asgjë me namazin, sadakën dhe agjërimin e tij derisa ti je e hidhëruar ndaj tij.” Atëherë, nëna e dashur e ngriti zërin nga thellësia e shpirtit dhe tha: "Po dëshmoj para Zotit, po të dëshmoj ty o i Dërguar i Allahut, po dëshmoj para të gjithë këtyre që janë të pranishëm: "Unë ia fala gabimin dhe jam e kënaqur ndaj tij.” Kur nëna e shpalli pajtimin ndaj djalit të saj, ia fali gabimin dhe e largoi hidhërimin, Pejgamberi, alejhi selam, tha: "Bilall, shko dhe shiko a po e thotë shehadetin? Me këtë deshi të provojë se a e kishte thënë nëna pajtimin dhe fjalën me zemër, apo nuk e kishte thënë me zemër, por vetëm pse ishte turpëruar prej Pejgamberit. Kur shkoi Bilalli, radijall-llahu anhu, te dera e Alkames, radijall-llahu anhu, e dëgjoi atë duke thënë shehadetin. U kthye dhe e lajmëroi Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se po e thoshte shehadetin.
Andaj, le të ketë kujdes çdo i mençur që të mos bëjë lëshime ndaj prindërve se përfundimin do ta ketë të keq! Le të bëhet i zellshëm për bamirësinë ndaj tyre sepse ata shpejt e marrin rrugën për në botën tjetër e pastaj ty të kaplon pendimi! Lusim Allahun që të jemi të dëgjueshëm ndaj prindërve, salavatet dhe selamet qofshin mbi profetin Muhamed, familjen dhe shokët e tij.
Shkruar nga Blerta Shaqiri
|