Faza e adoleshencës dhe edukimi fetar
Vitet e rinisë janë një fazë kur fitohen vetitë e personalitetit që janë të duhura për kryerjen e detyrave profesionale dhe familjare. Është fazë përgatitore kur individi fillon të gjykojë në mënyrë më të pavarur dhe të përgjegjshme.
Në fazën e adoleshencës njeriu pëson ndryshime me rëndësi në trupin dhe në psiqikën e tij. I riu ka mbështetje të fortë në vetvete dhe te ai zhvillohet ndjenja e pavarësisë. Sociologët mendojnë se rrethi në të cilin jeton i riu ka ndikim të madh në sjelljet dhe në drejtimin e tij. Ndërsa, psikologët mendojnë se ndjeshmëria e të riut në këtë moshë është në maksimum dhe ai ik nga qëndrimi i vrazhdë i të tjerëve. Nga mosha e rinisë, gjegjësisht e pubertetit, fillojnë obligimet për të riun, si: falja e namazit, agjërimi, etj.
Zakonisht pjekuria te femrat arrihet prej moshës 11-15 vjeçare, edhe pse varet prej vendit ndërsa meshkujt arrijnë pjekurinë në mes moshës 12-15 vjeçare; shumica e arrijnë këtë në moshën 12 vjeçare, por kjo gjë edhe mund të ndryshojë nga personi në person, varësisht prej zhvillimit fizik të tij.
Te i riu paraqiten këto shenja me rastin e pubertetit: zhvillimi i gjoksit, paraqitja e mjekrrës, zhvillimi i muskujve, kraharorit, fytit, paraqitja e qimeve nën sqetulla dhe në vendet intime. Zhvillimi i aftësisë seksuale te i riu nuk do të thotë se ai patjetër do të zhvillojë jetë të pakontrolluar. Andaj, nga këndvështrimi islam, njeriut në këtë kohë nuk i lejohet të punojë sipas epsheve të tij e të mos merret në përgjegjësi për pasojat e veprave të tij, ngase mosha nuk i arsyeton veprimet siç mendon bota perëndimore, e cila nuk ngre padi për të riun, përderisa nuk e kalon këtë fazë.
I riu nuk duhet të lejojë që të jetë i luhatshëm në mendimet e tij, por duhet ta bind veten në atë që është më e dobishme, t'i dojë të tjerët, të tejkalojë interesin personal, të mësojë se njerëzit i bashkon besimi në Allahun, andaj nuk duhet të realizojë qëllimet e veta në dëm të të tjerëve.
Nevoja më e madhe dhe më e rëndësishme e të riut është nevoja për ta ndjerë pavarësinë, që ta respektojnë të tjerët dhe ta gjejë vetveten në shoqërinë ku gjendet. Gjithashtu, prej nevojave të tij qendrore është kënaqësia seksuale, e cila në këtë fazë në veçanti është në kulmacion, prandaj edukimi i të riut me fe, devotshmëri, ulja e shikimit, largimi nga elementet që çojnë drejt prostitucionit është shërimi dhe edukimi më i mirë, pasi që i kupton nevojat e tij dhe i drejton në rrjedhë të drejtë.
Prej plotësimit të nevojave shpirtërore të të riut është krijimi i mundësisë që të paraqesë mendimin dhe nevojat e tij lirshëm e të mos i mbajë në vete. Gjithashtu, i riu duhet ta kuptojë se jeta ka batica dhe zbatica, çështje të mira dhe të liga, andaj duhet të mësojë të durojë në vështirësi, por edhe të jetë mirënjohës për të mirat. Në shoqërinë globale po krijohet një prototip i të riut të tëhuajësuar nga tradita, doket dhe zakonet e veta, i ri asocial, anëtar parazit i shoqërisë, me varësi emocionale e fizike, që braktis procesin e shkollimit, që vjedh, është brutal, dhunon, që s'përgatitet për të krijuar folenë familjare por e shkatërron atë, e më në fund shpesh tenton të bëjë vetëvrasje. Çdo shoqëri ka nevojë që përmes mekanizmave të vet t'i luftojë dukuritë negative, si në aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv-shoqëror. Në këtë drejtim rolin kryesor e luan edukata familjare, sepse njeriu si fëmijë në çerdhen familjare i fiton njohuritë e para pozitive dhe negative.
Rol të rëndësishëm në këtë aspekt do të kishte luajtur edhe inkuadrimi i mësimbesimit nëpër shkolla, në saje të të cilit të rinjve do t'u mbillej ideja për distancimin nga të gjitha dukuritë negative me të cilat preokupohet shoqëria. Rolin madhor për ruajtjen nga devijimet sociale e luan religjioni, sepse ai veprat dhe sjelljet e shëmtuara i cilëson si dalalet, gjegjësisht largim prej mëshirës së Zotit dhe mjet për të fituar ndëshkimin hyjnor. Prandaj, njeriu me ndjenja të kultivuara fetare gjithmonë ka kujdes që të mos bjerë në kurthin e ligësive të përmendura e të bëhet banor i Xhehenemit.
Pra, feja njeriut i dhuron një bindje e cila s'u përngjan bindjeve të botëkuptimeve, filozofive, ideologjive të ndryshme, mbi të cilat njeriu shpesh i mbyll sytë dhe kalon mbi to. Feja ka qenë ajo që i ndihmoi njeriut në periudhën më të errët të historisë së tij, duke i treguar rrugët e lumturisë dhe shpëtimit. Askush nuk mund ta mohojë se për atë njerëzoren, humanen në njeriun, merita më e madhe i takon fesë. Njerëzimi duhet ta falenderojë fenë gjithmonë. Gjithçka që është e bukur, e lartësuar dhe fisnike tek ai, është fryt i fesë. Medoemos paralelisht me zhvillimin material duhet t'i kushtojmë më shumë kujdes jetës shpirtërore, sepse pa vlera shpirtërore është e pamundur të realizohet mirëqenia e mirëfilltë. Besimi në Zotin xh.sh. gjithmonë ka qenë i vetmi burim i cilësive, vlerave shpirtërore dhe i parimeve moralo-etike. Ai mbetet i tillë edhe më tutje. Besimi në Zotin dhe zbatimi i ligjeve të Tij, është burim dhe bazë për çdo lumturi e mirëqenie të njerëzve.
Vetë adoleshenca është një moshë e vështirë pikërisht sepse përbën një fazë kalimtare të jetës: fazë kur s'ke më lehtësinë e jetës së fëmijërisë nën mbrojtjen e familjes, ndërkohë që, nga ana tjetër, s'ke arritur akoma as stabilitetin e moshës së rritur. Është thënë se rinia është ardhmëria e një shoqërie, e një populli, e një shteti dhe në duart e tyre do të barten përgjegjësitë dhe obligimet për të udhëhequr, edukuar, zhvilluar dhe për të çuar përpara bashkësinë njerëzore.
Përgatiti: Fexhrie Kaçiu
|