Detyrat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit
Femra është një krijesë njerëzore sikurse edhe mashkulli dhe janë të të njëjtit lloj, siç thotë Kurani Fisnik në suren Nisa, ajeti 25: "Ju jeni nga njëri- tjetri (të një origjine)”. Dallimet mes mashkullit dhe femrës në disa drejtime kanë ardhur duke pasur parasysh dallimin natyror të tyre dhe rolin e ndryshëm që ka femra në disa fusha të jetës. Ekzistojnë disa dallime të caktuara fizike dhe shpirtërore ndërmjet gjinive dhe kjo ka sjellë disa dallime të caktuara në disa drejtime dhe obligime (p.sh: trashëgimia). Njëri nga shkaqet që Allahu subhanehu ue teala e krijoi femrën është edhe ajo se mashkulli gjen prehje tek ajo gjatë martesës. Nëse martesa është e lumtur dhe e suksesshme, atëherë pa marrë parasysh shqetësimet që mund të ndodhin, pa marrë parasysh vështirësitë që hasen në jetë, pa marrë parasysh sëmundjet dhe rrethanat e padëshiruara, të martuarit do t’i presin ato duke qenë të sigurt, pasi ndodhen brenda një kalaje, brenda mureve të së cilës do të mund të harrojnë qoftë edhe për pak çaste vështirësitë e ndryshme dhe do të kenë dashurinë e njëri-tjetrit.
Është shumë e rëndësishme që në një martesë të mirë muslimane bashkëshortja ta respektojë bashkëshortin e saj. Në të kundërtën, martesa e tyre do të jetë vetëm një përvojë e keqe. Njëra prej rregullave themelore në një martesë muslimane është që bashkëshorti të jetë kreu i shtëpisë dhe të tregohet se ai e meriton këtë pozicion. Në Kuranin Fisnik, Allahu kërkon prej bashkëshorteve që të jenë të dëgjueshme ndaj bashkëshortëve të tyre, t’i respektojnë ato derisa kjo nuk është në kundërshtim me dëshirat e Tij. Pejgamberi (alejhi selam) njëherë ka thënë se nëse do t'i ishte lejuar që ta urdhëronte një qenie njerëzore t’i përkulej një qenieje tjetër njerëzore, ai do t’i kishte urdhëruar gratë që t’u përkuleshin burrave të tyre.
Disa nga detyrat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit:
- Gruaja duhet t’i bindet bashkëshortit për ato gjëra që nuk e kundërshtojnë Allahun e Madhëruar, siç thuhet në Kuranin Fisnik: "E nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre" (Nisa, 34) Dhe siç ka thënë i Dërguari i tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të: "Nëse gruaja nuk i shkon burrit kur ky e fton në shtrat, dhe ai gdhihet i zemëruar me të, atë e mallkojnë engjëjt deri në agim.” (Hadith i saktë, përzgjedhur nga Ebu Daudi, Hakimiu, Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e ka cilësuar hadithin të vërtetë.)
- Të ruajë nderin e burrit dhe të sajin, të kujdeset për pasurinë, fëmijët dhe punët e shtëpisë, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: "Gratë e mira janë respektuese dhe besnike ndaj së fshehtës….” (Nisa, 34) Ndërsa Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: "Ndërsa gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe e fëmijëve të tij.” (Buhariu dhe Tirmidhiu). "Detyra e tyre ndaj jush është që të mos fusin në shtretërit tuaj tjetër kënd, veç jush, dhe të mos lejojnë të hyjnë në shtëpitë tuaja ata që nuk i doni”. (përzgjedhur nga Taberaniu me sened të besueshëm - sahih).
- Të mos dalë nga shtëpia pa lejen dhe miratimin e të shoqit, të ulë shikimin dhe zërin e saj, të mos bëjë e të mos flasë keq, të sillet mirë ndaj prindërve dhe të afërmve të burrit, sepse Allahu i Madhëruar në suren Nur, ajeti 31 ka thënë: "Thuaju besimtareve të ulin shikimin e tyre, të ruajnë pjesët intime dhe të mos i shfaqin bukuritë e tyre, përveç asaj pjese që duket ”. I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të ka thënë: "Gruaja më e mirë është ajo që, kur e sheh të gëzon, kur i flet të bindet dhe kur largohesh, ruan për ty nderin e saj dhe pasurinë tënde.” (hadith i vërtetë). Përzgjedhur nga Tabariu dhe Kurtubiu.
- Gruaja duhet të jetë e dëgjueshme ndaj burrit të saj. I Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam ka thënë: "Kur gruaja i zbaton pesë kohët e namazit, agjëron gjatë Ramazanit, e mbron nderin e saj dhe e dëgjon burrin e saj, ajo mund të hyjë në xhenet nga cila derë të dëshirojë.” (Transmeton Ibën Hibani, el-Bezari, Imam Ahmedi ibën Hanbeli, et-Tabarani dhe el-Bani)
- Gruaja e mirë është arsyeja e lumturisë në këtë botë. Ajo e ndihmon burrin e saj ta adhurojë Allahun, subhanehu ue teala, i afron atij qetësi shpirtërore dhe paqe. I Dërguari ka thënë: "Kjo botë (jetë) është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e mirë.” (Transmeton Muslimi).
Përgatiti: Eglantina Muça
|