Ajo i bindet bashkeshortit te saj dhe e respekton
Gruaja e vërtetë muslimane gjithmonë i bindet bashkëshortit të saj, përderisa ai (bashkëshorti) nuk bën ndonjë mëkat. Ajo e rrespekton atë dhe gjithmonë është e etur për ta kënaqur atë dhe për ta bërë të lumtur. Nëse ai (bashkëshorti) është i varfur, ajo nuk i ankohet për këtë. Ajo nuk ankohet se ka shumë punë shtëpie, sepse e di që shumë gra që historia islame na tregon fjalë të mira për to, kanë qenë të durueshme dhe të qëndrueshme në duke u shërbyer burrave të tyre dhe duke i mirëmbajtur shtëpitë e tyre përkundër varfërisë dhe vështirësive që kishin. Njëra nga këto gra të moralshme është edhe Fatime el-Zahra, vajza e pejgamberit s.a.v.s dhe gruaja e Ali ibn Ebu Talibit r.a. Ajo ankohej për dhembjen në duart e saj nga grimcimi i drithërave. Burri i saj, Ali ibn Ebu Talibi r.a. një ditë i tha: "Babai yt ka sjellur disa robëresha, kështuqë shko e kërkoja një për të të shërbyer ty!” Ajo shkoi te babai i saj, mirëpo, turpërohej për t’ia kërkuar atë që donte. Andaj Aliu r.a. shkoi për ta kërkuar një shërbëtore për bijën e tij të dashur, por Pejgamberi a.s. nuk mundte t’i ndihmonte të dashurve të tij e në anën tjetër t’i shkelë nevojat e muslimanëve tjerë të varfur, kështuqë ai s.a.v.s. erdhi te vajza dhe dhëndrri i tij dhe u tha: "A t’ju mësoj diçka më të mirë se ajo që më kërkuat? Kur të shkoni në shtrat thuani 33 herë subhanallah, 33 herë elhmadulilah dhe 34 herë All-llahu ekber. Kjo është më mirë për juve sesa t’ua jap një shërbëtore.”
Pastaj ai s.a.v.s. i përshëndeti dhe iku, pasiqë ia dha këtë ndihmë të shenjtë, e cila do t’i bënte që ta harrojnë lodhjen e tyre.
Aliu r.a. filloi t’i thotë fjalët që ia mësoi Pejgamberi s.a.v.s. dhe një herë patë thënë: "Asnjehere nuk i kam ndërprerë këto fjalë që m’i mësoi ai s.a.v.s..” Njëri nga të pranishmit i tha: "As në natën e Sifinit?” Ai tha: "As në natën e Sifinit.” [Fet-h el Bari, 7/71]
Esma binti Ebu Bekr r.a. i shërbeu bashkëshortit të saj el-Zubejrit dhe përkujdesej për shtëpinë. Bashkëshorti i saj kishte një kali, për të cilin ajo përkujdesej duke e ushqyer dhe ushtruar atë. Buhariu dhe Muslimi e tregojnë këtë ngjarje mu me fjalët e saj: "U martova me Zubejrin dhe ai nuk kishte pasuri as skllevër. Unë e ushqeja kalin e tij, duke u përkujdesur dhe ushtruar atë. Unë sillja ujë e bëja bukë për të por nuk mundesha ta piqja, kështuqë disa gra ensare, të cilat ishin të sjellshme, e piqnin atë. I merrja të gjitha hurmat që Pejgamberi s.a.v.s. ia jepte Zubejrit dhe vendi prej të cilit i merrja ato ishte shumë larg shtëpisë sonë. Një ditë isha duke u kthyer me hurmat për në shtëpi. Gjatë rrugës e takova pejgamberin s.a.v.s. i cili ishte me disa shokë. Ai më thirri, pastaj e uli deven e tij që unë të ulesha pas tij (në deve). Më pastaj i tregova Zubejrit për këtë gjë dhe i thashë: "Më erdhi turp se e di që ti je pak xheloz.” Ai më tha: "Për mua, më keq është të të shoh duke i mbajtur hurmat në kokë sesa të ecësh pas tij (Pejgamberit s.a.v.s.).” Më vonë, Ebu Bekri më dërgoi një shërbëtor dhe unë u lirova nga të përkujdesurit e kalit dhe kjo më erdhi sikur të isha liruar nga skllavëria.” [Fet-h el Bari, 9/319]
Gruaja e vërtetë muslimane nuk e kursen veten prej përkujdesjes së shtëpisë dhe bashkëshortit. Ajo i di të drejtat e bashkëshortit të saj kundrejt saj, sikurqë pejgamberi s.a.v.s. për këtë çështje ka thënë: "Asnjë qenie njerëzore nuk lejohet t’i përkulet ndonjë qenieje tjetër njerëzore, por nëse kjo do të kishte qenë e lejuar, do t’i kisha obliguar gratë t’u përkulen burrave të tyre.” [Ahmedi]
Ajsha r.a. një herë e pyeti pejgamberin s.a.v.s.: "Kush ka të drejta më shumë ndaj gruas?” Ai s.a.v.s. tha: "Bashkëshorti i saj.” Ajo përsëri e pyeti: "Kush ka të drejta më shumë ndaj mashkullit?” Ai s.a.v.s. i përgjigj: "Nëna e tij.” [Bazari]
Një herë një grua erdhi te pejgamberi s.a.v.s. për ta pyetur për diçka, me ç’rast ai s.a.v.s. e pyeti: "A je e martuar?” Ajo tha: "Po.” Pastaj ai s.a.v.s. e pyeti: "Si qëndron raporti mes juve?” Ajo tha: "Unë asnjëherë nuk dështoj në detyar e mia.” Ai s.a.v.s. i tha: "Ki kujdes se si sillesh ndaj tij, sepse për shkak të tij ti do të shkosh në Parajsë apo në Ferr.” [Ahmedi]
El Hanbal ibn el Xhevzi në librin e tij "Ahkam el Nisa’” (fq. 331) thotë: "Një njeri me emrin Shuajb ibn Harb agjëronte dhe falej shumë. Ai dëshironte të martohej me një grua dhe asaj i tha: "Unë jam njeri temperament.” Ndërkaq ajo ia ktheu me mençuri: "Ajo që ta largon temperamentin tënd, është më e keqe se ti.” Menjëherë pas këtyre fjalëve, ai e kuptoi se pranë tij po qëndronte një grua e cila ishte intelegjente, e mençur dhe e pjekur. Ai menjëherë i tha: "Ti do të jesh gruaja ime.”
Kjo grua kishte një ujdi të mirë se si duhet të jetë gruaja dhe këtë (ujdi) ia konfirmoi bashkëshortit (tanimë të saj) se do t’ia kishte kuptuar psikologjinë dhe natyrën e tij se çka i pëlqen dhe çka nuk i pëlqen atij. Ajo do të ishte në gjendje ta përfitojë zemrën e tij dhe se do të ishte në gjendje ta mbyllë çdo derë konfliktoze në jetën e tyre. Gruaja e cila nuk i kupton këto realitete, nuk meriton që të jetë grua e suksesshme. Përmes provokimeve të saj, ajo mund ta bëjë bashkëshortin e saj që ta humbë kontrollin e tij, e me këtë rast, ajo do të ishte më e keqe se ai, sepse faktikisht ajo është shkaku direkt për humbjen e këasj kontrolle.
Gruaja e mirë nuk është kështu asnjëherë. Ajo i ndihmon bashkëshortit të saj që (ai) të jetë me karakter të mirë. Kjo e bën bashkëshortin e saj që ta dojë më shumë, sepse të qenurit bashkëshorte e mirë nuk është vetëm lavdërim që mund ta bëjë para shokëve, por njëkohësisht është edhe obligim që All-llahu xh.sh e ka urdhëruar. Nëse e ka kryer me sukses, do të shpërblehet, por nëse ka dështuar, do të ndëshkohet.
Një nga mënyrat më të rëndësishme që gruaja mund t’i bindet bashkëshortit të saj është të rrespektuarit e dëshirave të tij... Sa më shumë që ia plotëson dëshirat, aq më e fortë do të bëhet lidhja e të dyve.
Gruaja muslimane e di që bindja ndaj bashkëshortit të saj, do ta dërgojë atë në Xhennet, sikurqë pejgmaberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse një grua falet pesë herë në ditë, e agjëron muajin e Ramazanit, i bindet bashkëshortit të saj dhe e ruan nderin e saj, në Ditën e Gjykimit do t’i thuhet: Hyn në Xhennet prej cilës derë që dëshiron!” [Ahmedi, Taberani]
Ummu Seleme r.a. ka thënë: "Secila grua që vdes dhe e lë bashkëshortin të kënaqur prej saj, do të hyjë në Xhennet.” [Ibn Maxhe, 1/595]
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "A t’ju tregoj për gratë e juaja në Xhennet? Ato janë fertile dhe të përzemërta. Nëse ju nevrikoseni, ato thonë: "Dora ime është në dorën tënde. Mos më zëntë gjumi përderisa ti nuk je i kënaqur nga unë”.” [Taberani]
Gruaja e vërtetë muslimane e di që Islami e ka shumëfishuar shpërblimin ndaj saj nëse ajo i bindet bashkëshortit të saj dhe gjithashtu ia ka tërhequr vërejtjen çdo femre që devijon nga rruga e të qenurit e bindur ndaj bashkëshortit të saj, sepse në të kundërtën (pra, nëse nuk i bindet), ajo do të jetë mëkatare e do të jetë e mallkuar edhe prej engjujve.
Buhariu dhe Muslimi e shënojnë atë që Ebu Hurejra e ka transmetuar prej pejgamberit s.a.v.s., i cili ka thënë: "Nëse burri e thërret gruan e vet për në shtrat e ajo nuk vjen, engjujt do ta mallkojnë atë grua deri në mëngjes.” [Fet-h el Bari, 9/294]
Mallkimi i engjujve do të bie mbi ato gra që janë të pabindura ndaj bashkëshortëve të tyre. Kjo nuk i përjashton as ato gra që nuk janë të gatshme në rast kur bashkëshortët e tyre i thërrasin. All-llahu xh.sh i mallkon edhe ato gra që vonohen kur bashkëshortët e tyre i thërrasin për në shtrat e ato thonë: "Do të vij...”, "Do të vij...” [Taberani]
Martesa në Islam nënkupton të ruajturit e nderit të gruas e poashtu edhe të burrit. Prandaj detyra e femrës është t’i përgjigjet kërkesave të bashkëshortit të saj... Gruaja muslimane nuk do t’iu kishte shmangur këtyre (detyrave). Rreth kësaj çështje pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse burri e thërret gruan e vet në shtrat, le t’i përgjigjet ajo edhe nëse është në deve (d.t.th. edhe nëse është e zënë me punë)” [Bazari]
Mbrojta e nderit të burrit është gjëja më e rëndësishme që gruaja mund ta bëjë, sepse Islami do që burrat dhe gratë të jetojnë në një mjedis i cili është i pastër prej fitneve dhe haramit.
Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: "Nëse ndokush prej juve mahnitet prej ndonjë gruaje, le të shkojë te gruaja e vet dhe le të ketë kontakt me të...!” [Muslimi, 9/178]
Vërejtja që i bëhet gruas, burri i së cilës është i hidhëruar me të e arrin atë nivel saqë do ta dridhte vetëdijën e çdo gruaje që ka dro All-llahun xh.sh. dhe Ditën e Gjykimit. Asaj i është thënë se namazi dhe punët e saj të mira nuk pranohen përderisa burri i saj nuk është i kënaqur prej saj.
Xhabir ibn Abdullahu transmeton se pejgamberi s.a.v.s ka thënë: "Tre njerëzve nuk do t’u pranohet namazi. I pari është robi jo i bindur, përderisa ta dëgjojë zotëriun e tij. I dyti është pijaneci, përderisa t’i kthehet vetëdija dhe i treti është gruaja, burri i së cilës është i hidhëruar me të.” [Ibn Hibban]
Pejgamberi s.a.v.s. gjithashtu ka thënë: "Nuk është e lejuar për një grua që e beson All-llahun, ta lejojë të hyjë në shtëpi ndonjë person, të cilin burri i saj nuk e do, apo të shkojë dikund ku ai nuk do, apo ta braktisë shtratin, apo ta godasë më grusht atë... Nëse ai është në të padrejtë, ajo duhet t’i afrohet përderisa ai pranon, e nëse pranon, atëherë All-llahu do t’ia pranojë namazin dhe veprat e saj dhe do ta forcojë atë.” [Hakimi, 2/190]
Prej shenjave të bindjes është që ajo nuk agjëron në ditë tjera, përveç se në ato ditë që ai i jep leje (në përjashtim të muajti Ramazan). Tjetër është se ajo nuk e lejon askënd të hyjë në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Gjithashtu ajo nuk harxhon prej fitimeve të tij pa lejen e tij. Nëse ajo harxhon diçka pa lejen e tij, atëherë gjysma e shpërblimit (sevapit) do të jetë për të (burrin). Gruaja e vërtetë muslimane i ka parasysh këto mësime, gjegjësisht hadithin që pejgamberi s.a.v.s. e ka thënë: "Nuk lejohet që gruaja muslimane të agjërojë, përveç se me lejen e burrit të saj. Nuk lejohet që ajo ta fusë dikë në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Çkado që ajo jep pa e ditur ai, gjysma e shpërblimit (sevapit) do të jetë për të (burrin e saj).” [Muslimi, 7/115]
Nëse një grua jep lëmoshë pa lejen e tij, ajo nuk do të fitojë shpërblim, por përkundrazi ajo do të llogaritet si mëkat. Nëse ajo do të japë në vend të burrit të saj dhe nëse është e sigurtë se po ta dinte bashkëshorti i saj për këtë punë, do ta lejonte, atëherë ajo lejohet të japë lëmoshë, përndryshe jo.
Harmonia mes burrit dhe gruas nuk mund të arrijë përderisa mes tyre nuk ekziston mirëkuptimi reciprok në të gjitha çështjet, gjithashtu asnjëri prej tyre nuk gabon dhe nuk bën telashe, nëpërmjet të cilave është mëse e ditur se dëmtohet dashuria bashkëshortore.
Nëse mashkulli është koprrac dhe harxhon shumë pak për bashkëshorten dhe fëmijët e tij, atëherë asaj (gruas) i lejohet të harxhojë aq sa ka nevojë për veten dhe fëmijët e saj. Më lartë përmendëm se ajo (gruaja) nuk guxon të harxhojë pa leje paraprake, mirëpo ky rast është i veçantë.
Një herë Hind bint Utbah, gruaja e Ebu Sufjanit erdhi te pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha: "O i dërguar i All-llahut, Ebu Sufjani është shumë koprrac. Ajo që ai ma jep, nuk mjafton për mua dhe fëmijën tim, kështuqë unë pa dijen e tij marr prej pasurisë së tij.” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: "Merer atë që ke nevojë për ty dhe fëmijën tënd.” [Buhariu dhe Muslimi]
Gruaja muslimane e kupton përgjegjësinë që Islami ia ka dhënë asaj, të përkujdeset për shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe të përkujdeset për fëmijët e saj, gjithashtu.
Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith ka thënë: "Secili prej jush është bari dhe ju jeni përgjegjës për ata që janë nën përkujdesjen tuaj. Sundimtari është bari për popullin e tij, burri është bari për familjen e tij, gruaja është bari për shtëpinë e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.” [Buhariu dhe Muslimi]
Gruaja e vërtetë muslimane duhet qenë si ajo që i do fëmijët e saj dhe përkujdeset për bashkeshortin e saj. Këto janë dy karakteristikat më të mira që ndonjë grua mund t’i ketë.
Rreth kësaj çështje pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Gratë që më së miri i kalorojnë deveve janë gratë kurejshite. Ato janë shumë të dhembshme ndaj fëmijëve të tyre kur ata (fëmijët) janë të vegjël dhe më të kujdesshmet kundrejt bashkëshortëve të tyre.” [Buhariu dhe Muslimi]
Është nder i madh për gruan që të përkujdeset për bashkëshortin e saj mëngjes e mbrëmje dhe çdoherë të ketë buzëqeshje në fytyrë në raport me të, buzëqeshje kjo e cila atij mashkulli do t’ia mbushte jetën me gëzim, harmoni dhe qetësi shpirtërore. Muslimanet, shembullin më të mirë kanë Aishen r.a. e cila e shoqëronte pejgamberin s.a.v.s. në haxh, duke u përkujdesur për të (pejgamberin s.a.v.s.) mjaft mirë. Ajo e parfumoste atë para se ta veshte ihramin dhe gjente parfumin më të mirë që mundej.
Për këtë çështje Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aishja r.a. ka thënë: "E kërkoja parfumin më të mirë për pejgamberin s.a.v.s. para se ai e veshte ihramin.” [Muslimi, 8/100]
Pastaj Buhariu dhe Muslimi gjithashtu transmetojnë se Aishja r.a. ka thënë: "Kur pejgamberi s.a.v.s. ishte në i’tikaf (izolim), ai e vënte kokën e tij tek unë dhe unë ia krihja flokët.”
Aishja r.a. i stimulonte gratë muslimane që të përkujdeseshin për bashkeshortët e tyre dhe që t’i njohin të drejtat që bashkëshortët e tyre i kanë mbi to. Ajo këto të drejta i vlerësonte si shumë të rëndësishme saqë në një thënie të saj ajo ka thënë: "Oj gra, nëse do t’i kishit ditur të drejtat që burrat e juaj i kanë mbi ju, do t’ia kishit fshirë pluhurin e tyre që e kanë në shputa edhe atë me fytyrë.” [Ibn Hibban]
Kjo është një shprehje gjallëruese për ta treguar rëndësinë e të drejtave që gruaja duhet t’i rrepektojë në raport me bashkëshortin e saj. Aishja r.a. gjithashtu donte t’i tregojë grave muslimane që arroganca dhe kokëfortësia nuk duhet të ekzistojë në zemrat e tyre, sepse vërtet këto dyja janë shkatërruese të forta të jetës bashkëshortore.
Para se të martohej vajza e Abdul Malikut, e cila posedonte një mençuri të rrallë, i tha: "Oj vajza ime, po t’i jap disa këshilla, të cilat mund të të vlejnë gjatë tërë jetës:
Ji e gatshme kur ai është afër ty dhe bindju atij. Kontrollohu se a të vjen era e mirë dhe a dukesh mirë. Përgatitja ushqimin në kohë dhe mos bën zhurmë kur ai është duke fjetur. Përkujdesu për pasurinë dhe fëmijët e tij. Asnjëherë mos i demasko sekretet e tij dhe mos iu kundërvepro dispozitave (dëshirave) të tij. Ki kujdes, oj bija ime! Duhet të ta gëzosh kur ai është i mërzitur dhe mos trego fytyrë të keqe para tij kur i është i lumtur. Shfaqi atij sa më shumë rrespekt që mundesh dhe pajtohu me të sa më shumë që mundesh, kështuqë ai do të ketë dëshirë të bisedojë dhe të qëndrojë bashkë me ty. Dije, oj bija ime, se nuk mund të arrish asgjë përderisa kënaqësinë e tij ta vësh para tëndes! Dhe dhashtë Zoti të zgjedhë çka është më mirë për ty dhe të të mbrojë.” Ajo, pastaj, u martua me bashkëshortin e saj dhe martesa e tyre ishte shumë e suksesshme; ajo lindi fëmijë që u bënë mbretër. Kjo këshillë, në mëryë të qartë përfshinte thuajse çdo gjë që një vajzë e re do të duhej të dinte për ta trajtuar bashkëshortin e saj siç duhet. Nëse ajo është e pasur, gruaja muslimane nuk lejon që pasuria e saj ta vërbojë kundrejt të drejtave të bashkëshortit të saj. Zejnebja, gruaja e Abdullah ibn Mes’udit r.a. tregon: "Pejgamberi s.a.v.s na tha: Oj gra, jepni lëmoshë, qoftë edhe sa një pjesë e vogël prej stolive tuaja!” Ajo më pastaj tha: "Shkova te Abdullah ibn Mes’udi dhe i thashë: Ti ke pasuri të vogël, ndërsa pejgamberi s.a.v.s. na ka porositur neve që të japim lëmoshë, kështuqë shko e pyete atë se a është e lejueshme që ty të jap lëmoshë! Nëse lejohet, do të të jap nga pasuri ime, e nëse jo, atëherë do t’ia jap dikujt tjetër.” Abdullahu tha: "Jo, shko ti e pyete për këtë punë!” kështuqë unë shkova e e gjeta një grua të ensarëve aty, e cila poashtu kishte të njëjtën pyetje. U turpëruam shumë të hyjmë për shkak se kishim rrespekt, në ndërkohë erdhi Bilalli dhe i thamë: Shko dhe
pyete pejgamberin s.a.v.s. se a është e lejuar që ne t’i japim lëmoshë bashkëshortëve tanë, por mos i trego se kush të ka thënë ta pyetësh! Bilalli shkoi dhe e pyeti për këtë çështje dhe pyeti se kush i kishte thënë ta pyeste. Bilalli i tha: Zejnebja dhe një ensare. Pejgamberi s.a.v.s. i tha: Ato do t’i kenë dy shpërblime. Njëri është për shkak se dojnë ta mirëmbajnë lidhjen e tyre me bashkëshortët e tyre dhe shpërblimi i dytë është për lëmoshën.” [Fet-h el Bari, 3/328] Gruaja e vërtetë muslimane është gjithmonë e kujdesshme për të shprehur falënderim për atë që All-llahu ia ka dhënë, gjegjësisht për jetën e lehtë dhe të mirë dhe ajo asnjëherë nuk e humb durimin nëse ndeshet me ndonjë vështirësi. Ajo nuk e harron paralajmërimin që e ka thënë pejgamberi s.a.v.s. se shumica e banorëve të Xhehenemit do të jenë gra, kështuqë ajo (gruaja muslimane) kërkon strehë tek All-llahu për të mos u bërë njëra prej tyre. Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga ibn Abasi se pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Oj gra, jepni lëmoshë, sepse shumicën e banorëve të Xhehenemit i kam parë gra. Të pranishmit pyetën: Pse kështu o i dërguar i All-llahut? Ai tha: Sepse ata mallkojnë shumë dhe nuk janë falënderuese ndaj trajtimit të mirë që bashkëshortët e tyre ua bëjnë.” Kur gruaja muslimane mendon rreth këtij hadithi, i cili e përshkruan fatin e shumë grave në Ahiret, ajo gjithmonë shikon të mos bie në këtë mëkat, përkatësisht të mos jetë prej atyre që nuk e falënderojnë të mirë, në këtë rast të mirat që i vijnë nga bashkëshorti i vet. Përveç kësaj, ajo edhe shpejton që të japë lëmoshë, ngaqë pejgamberi s.a.v.s. i porositi të gjitha gratë ta bëjnë këtë punë, me shpresë që kjo/ky (lëmoshë/falënderim) sadopak t’i shpëtojë asaj që u tha më lartë (dmth të mos jenë prej banorëve të Xhehenemit). Gruaja muslimane, si pqrditshmëri e merr shembullin më të mirë në rast kur duhet shprehur rrespekt bashkëshortit.
Historia e grave muslimane është përplot me tregime të këtilla kur ka të bëjë me rrespektin që duhet treguar ndaj bashkëshortit. Një prej atyre grave është Esma bint Umejs, e cila ishte migruesja e parë për në Medine. Ajo ishte e martuar me Xhafer ibn Ebu Talibin, pastaj me Ebu Bekrin, pastaj me Aliun, All-llahu qoftë i kënaqur me gjithë këta. Një ditë , djemtë e saj Muhamed ibn Xhaferi dhe Muhamed ibn Ebu Bekri po garonin me njëri-tjetrin, secili prej tyre duke thënë: "Unë jam më i mirë se ti dhe babai im është më i mirë se ti.” Aliu r.a. i tha Esmas: "Gjyko mes tyre oj Esma!” Ajo tha: "S’kam parë mes arabëve njeri më të mirë se Xhaferi dhe s’kam parë njeri më të matur sesa Ebu Bekri.” Aliu r.a. i tha: "Nuk the asgjë për mua dhe po të kishe thënë diçka më shumë se çka the, do të të kisha urryer!” Esma ia ktheu: "Këto janë tre më të mirët e edhe ti je një prej tyre edhepse je në vendin e tretë nga ato.” [El tabakat el kubra, 7/208-209]
Është për t’u habitur se çfarë përgjigje elokuente i dha kjo gura e mençur atij! Ajo ia dha secilit bashkëshort të saj (të mëparshëm) atë që e meritonin dhe e kënaqi Aliun r.a., edhepse ai ishte më i pakëti, ajo prapëseprapë e futi në grupin e më të mirëve.
Perktheu: Arsim Jonuzi
|