E enjte, 25/04/2024, 01:25
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Edukata Islame [22]
Bashkëshortësia [35]
Gruaja në Islam [17]
Edukimi i fëmijëve [32]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Familja Islame » Gruaja në Islam

Dëshmia dhe gruaja

Dëshmia dhe gruaja

"O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hirë të All-llahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvehtes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse All-llahu di më mirë për ta..."

Kur’ani Famëlartë, (4): 135

Rëndësia e dëshmisë

Në të drejtën islame, dëshmia është mjeti kryesor i argumentimit. Varësisht nga dëshmia e dy ose katër dëshmitarëve, përcaktohen të drejtat më të mëdha të robërve të All-llahut, dhe sillen dënime më të mëdha deri në vdekje. Një ditë, para të Dërguarit a.s. as’habët nxorrën një xhenaze. Të pranishmit nga as’habët e lavdëruan të vdekurin, ndërsa Pejgamberi a.s. tha:


-Atij i është caktuar Xhenneti;
- pas një kohe të caktuar kaloi një grup me një xhenaze tjetër, as’habët e kritikuan të vdekurin. Pejgamberi a.s. tha:

-Atij i është caktuar Xhehennemi. -Kur e pyetën as’habët për ç’arsye, morën këtë përgjigje:

-Besimtarët janë dëshmitarë të All-llahut në sipërfaqen e tokës.

Një gjë e ngjashme ndodhi edhe në prani të ‘Umerit r.a.

Në Kur’anin Famëlartë është theksuar largimi i njerëzve nga adhurimi idhujve dhe ruajtja nga dëshmia e rrejshme. Një herë Pejgamberi a.s. rrinte me as’habët dhe i pyeti tri herë:

-A dëshironi t’ju njohtoj me mëkatin më të madh?; ata i thanë: -Urdhëro. Ai filloi të numërojë:

-Shirku (të adhuruarit e tjetërkujt pos All-llahut) dhe kundërshtimet që i bëhen babait dhe nënës. Pas kësaj Pejgamberi a.s. duke u drejtuar në vend, përsëriti tri herë: -Keni kujdes, është edhe një - dëshmia e rrejshme. Keni kujdes, është edhe një - dëshmia e rrejshme. Keni kujdes, është edhe një - dëshmia e rrejshme. Kështu tha i shqetësuar dhe në mënyrë kërcënuese, as’habët, duke u çuditur, u lutën vetëm të qetësohej ai.

Dëshmia, që zë vend të rëndësishëm në ndarjen e drejtësisë, luan rol të madh edhe në sistemin e vjetër juridik edhe në atë të ri. Në drejtësinë e vjetër egjiptase, për dëshmi të rrejshme, dënimi ishte pas prerjes së duarve, ekzekutimi me vdekje. Ky dënim për dëshmi të rrejshme, bëhet vetëm e vetëm për realizimin e drejtësisë. Për këtë shkak, në drejtësinë islame, që të vazhdojë dëshmia, kërkohen ca kushte nga dëshmitari. Kushti më i rëndësishëm quhet "el-adlu". Në Kur’an urdhërohet që dëshmitarët të kenë drejtësi. Ç’është "adl" ose të kesh drejtësi? ‘Umeri thotë kështu:

"Në kohën e të Dërguarit a.s. gjendja e njerëzve vlerësohej me vahj (shpallje). E tani (pas përfundimit të shpalljes) është ndërprerë kjo. Tani i gjykojmë sipas sjelljeve të jashme."

Në librat e drejtësisë islame, e drejta e dëshmitarit shpjegohet kështu: Njeriu të ketë më tepër anë të mira se sa të këqia, kjo don të thotë se ai duhet të ruhet nga mëkatet e mëdha e të mos bjerë në mëkate të vogla shpesh. Gjykatësi është i thirrur t’i studjojë sjelljet e dëshmitarëve.

Dëshmia e gruas

Në drejtësinë islame dëshmia e grave bëhet rreth çështjeve ku burrat nuk janë kompetentë. Si për shembull, virgjëria e lindja. Sipas hanefijve përveç "haddit" dhe "kisasit" të gjitha të drejtat dhe kontratat tjera, në proceset gjyqësore në vend të dy burrave dëshmitarë respektohet edhe dëshmia e një burri dhe dy grave. (Hadi është dënim me urdhër të All-llahut, siç janë, zinaja, vjedhja dhe të dehurit. Kisas është dënimi për sulme mbi trupin e njeriut, siç është plagosja dhe vrasja që aplikohet në të njëjtën mënyrë edhe në trupin e dorasit).

 

Dy gra në vend të një burri

Mund të dëshmojnë dy gra në vend të një burri. Arsyen për këtë Kur’ani Famëlartë e thekson kështu:

"...se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra..."

Këtu përdoret fjala në përkthim "gabon" që rrjedh nga fjala "dalalet" që don të thotë: pakujdesi, gabim dhe largim nga rruga e drejtë. Kjo flet se në dëshmi aprovohet se gruaja ka trajtim tjetër nga burri.

Është një e vërtetë se gratë kanë një gjendje specifike shpirtërore. Për këtë çështje psikiatri Maz’har Osman thotë:

"Ndryshimi natyror midis gruas dhe burrit fillon që në vitet e para dhe gjithnjë zmadhohet. Karakteristika e parë e gruas është emocioni. Në të gjitha psikozat e gruas takohen gjurmët emocionale. Më tepër takohen psikoza ku dominon emocioni, p.sh. mania depresive. S’ka dyshim, histeria fushën e vet të ndikimit e gjen tek gratë. Prej fiseve primitive e deri te kombet më të zhvillura, prej një vashe të thjeshtë fshatare deri tek një zonjë e arsimuar qytetare, të gjitha gratë kanë gjeste të ngjashme. Secila grua gjysmën e muajit e kalon duke u përgatitur, më pastaj vjen menstruacioni e më në fund vjen një gjendje jonormale sikur të jetë e sëmurë. Roli i burrit në marrëdhëniet intime zgjat vetëm pesë minuta, e pastaj, ai është indiferent, madje ndodh që edhe urren frutin e dashurisë të bartur nëntë muaj në stomak të nënës dhe dy vjet në gjoks. Ajo pëson shumë ndryshime gjatë shtatëzanisë, në lindje dhe lehoni, duke u bërë nervoze, gjë e cila është normale. E si mund të jenë të barabartë gruaja dhe burri?

Derisa bëhet përparim në psikiatri, edhe më qartë duket dallimi shpirtëror dhe mendor. Gruaja jeton me shqetësime, ndërsa burri me gjykimin, maturinë e tij."

Një dijetar tjetër thotë kështu:

"Gjykimet depërtojnë jo në vetëdije por në zemër të gruas. E nga zemra ndikojnë në të. Kënaqësia emocionale, sjellja më tepër nga emocionet se sa nga mendja, të gjitha aktiviteteve të saja morale dhe praktike u japin një drejtim që bazohet në intimitetin... Në temat që e interesojnë gruan, ajo kërkon ndonjë moment që do ta tërheq vëmendjen e saj madje edhe senzibilitetin e saj. Burri nuk gënjen atje ku nuk ka interes, ose gënjen aty ku ka interes. Ndjeshmëria dhe imagjinata tek gruaja mund ta ndryshojë realitetin dhe e bëjnë gruan të jetë e dyshimtë, më melankolike."

Pas këtyre vërejtjeve mund të themi se, angazhimi i dy grave si dëshmitare në vend të një burri, në disa raste, në ligjin Islam nuk don të thotë se rrjedh prej koncepcionit se gruaja është më e ulët se burri ose është gjysmë qenie në krahasim me burrin, por kjo rrjedh nga karakteristikat fiziologjike dhe psikologjike të saj. Pejgamberi a.s. flet për këtë karakteristikë të gruas gjatë dëshmisë. Këtu është edhe një moment që duhet të mirret parasysh. Cilësia më e madhe dhe më e nderuar e gruas është - detyra e nënës. Nëna, natyrisht, pjesën më të madhe të kohës së saj e kalon në shtëpi duke i rritur dhe edukuar fëmijët e vet. Ajo nuk mundet shumë t’i përcjellë ngjarjet që ndodhin jashtë, në shoqëri. Sipas ligjeve të memories në psikologji, sa më shumë njeriu të jetë në kontakt me një ngjarje, aq më tepër përshtypje i regjistrohen në trurin e tij. Në mënyrë të ndërsjellë ngjarjet që i opservon më rrallë, kanë përshtypje më të dobëta në memorien e tij dhe ato më lehtë harrohen. Sipas kësaj, edhe përshtypjet e gruas lidhur më marrëdhëniet ndërnjerëzore në të cilat natyrisht ajo më rrallë merr pjesë, janë më të dobëta, në krahasim me burrin. Kur’ani Famëlartë duke i dhënë gruas një ndihmesë në këtë pikëpamje, në të njëjtën kohë i ka dhënë edhe një rëndësi drejtësisë.

Mosdëshmimi, në mënyrë të drejtpërdrejtë çon në fshehjen dhe mosrealizimin e së drejtës. Zoti e ka ndaluar këtë. Dëshmimi jo i drejtë për shkak se njëra nga palët mund të jetë farefis i dëshmitarit ose për ndonjë arsye tjetër, gjithashtu çon në padrejtësi. Kur’ani Famëlartë thotë kështu:

"O ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hirë të All-llahut edhe nëse është kundër (interesit) vetëvetes suaj, kundër prindërve ose të afërmve tuaj, le të jetë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse All-llahu di më mirë për ta."

Dëshmia ka edhe dënimet materiale. Për shembull: Nëse dikush dëshmon rrejshëm për zinanë e nuk e vërteton dëshminë e vet, dënohet me tetëdhjetë shkopinj dhe kurrë më nuk i besohet fjalës së tij. Pikërisht duke e marrë parasysh rrezikun dhe përgjegjësinë e madhe të aktit të dëshmisë, ligjet islame, gruas i kanë dhënë një shoqe me të cilën ndajnë përgjegjësinë. Pikërisht për këtë, gruaja nuk mirret si dëshmitare në raste të zinasë, akuzimeve të padrejta, për akte të dehjes ose të vjedhjes si dhe të hakmarrjes.

E vërteta kurrsesi nuk duhet të humb në institucionin e dëshmisë. Në raste kur nuk është e mundur që të dëshmojë mashkulli, dëshmia e grave (madje edhe vetëm një prej tyre) është e vlefshme. ‘Umeri r.a. e aprovoi dëshminë e gruas në raste të shkurorëzimit. Edhe Aliu r.a. e ka pranuar dëshminë e grave që ishin dëshmitare në vrasjen e një fëmije. Në Kur’anin Famëlartë është shpallur, që me rastin e udhëtimit kur dikush don të lë testament dhe nuk mund të gjejë dëshmitarë nga muslimanët pranohet edhe dëshmia e jomuslimanëve. As’habët e ndershëm e kanë pranuar edhe dëshminë e fëmijëve në rast të lëndimeve midis fëmijëve. Ibën Kajjimi, thotë se ulemaja duke u mbështetur në këto argumente, mendimet e tyre përputhen në këtë pikë: në rast nevoje dhe domosdoshmërie që të mos humb e vërteta, pranohet dëshmia e atyre që në kushte normale nuk u pranohet dëshmia për disa çështje. Përjashtimi i gruas nga dëshmia në raste të gjykimeve për hadd dhe kisas, rrjedh nga nevoja që në këto raste të rënda të mos ketë vend dyshimi. Në ligjet islame këto parime janë themelore: "Dënimet të jenë të pastra prej dyshimeve". "Sa të jetë e mundur dënimet më larg muslimanëve". E gjithë kjo, tregon një respekt ndaj qenies së njeriut, trupit dhe shëndetit të tij.

Kategori: Gruaja në Islam | Shtuar nga: Argjendi (20/08/2009)
Klikime: 605 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024