E mërkurë, 01/05/2024, 17:46
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Edukata Islame [22]
Bashkëshortësia [35]
Gruaja në Islam [17]
Edukimi i fëmijëve [32]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Familja Islame » Bashkëshortësia

Të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të bashkëshortes dhe bashkëshortit

Të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të bashkëshortes dhe bashkëshortit

"...ashtu siç ju keni të drejta ndaj grave, edhe ato kanë të drejta ndaj jush."

Muhammedi a.s.

Në Kur’anin Famëlartë bashkësia bashkëshortore quhet "hududullah: kufinjë që i ka caktuar All-llahu". Martesa s’është vetëm një ngjarje që ndodh midis dy personave. Ajo e përbën themelin e familjes. E familja është shtylla kryesore e shoqërisë. Martesa përveç anës së rëndësishme humane e juridike, ka edhe anën hyjnore fetare. Kushtet e nevojshme për zgjatjen e lumturisë dhe paqës janë "kufinjt që i ka caktuar All-llahu". Vazhdimësia e martesës është e mundur me ruajtjen e këtyre kufijve. Shkelja e tyre, në realitet, është shkatërrimi i martesës.

"Kush i tejkalon kufijtë (e përcaktuar nga ana) e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarë."

I Dërguari i All-llahut përgjegjësitë e bashkëshortes dhe të bashkëshortit në bashkësinë bashkëshortore i thekson kështu:

"Keni kujdes, sepse çdokush nga ju është një bari dhe përgjigjet për ata që janë nën pushtetin e tij. Gjithashtu edhe burri është bari i anëtarëve të familjes dhe përgjigjet për ta. Gruaja, në shtëpinë e bashkëshortit si dhe për fëmijët, është një bari. Është përgjegjëse për ta. Shërbëtori është rojtar i mallit të pronarit të shtëpisë dhe është përgjegjës për të. Në fund, secili nga ju është bari dhe secili është përgjegjës për atë që ruan."

Të drejtat e gruas ndaj burrit

Një sqarim i obligueshëm:

"T’i njohish njerëzit me masën e së vërtetës, e jo të vërtetën me njerëzit". Kjo e thënë ka rëndësi të madhe për temën në shqyrtim. Feja Islame është një besim i atillë që e ka zbritur Zoti duke krijuar një tërësi me themelet e imanit, me përcaktime, me faljen me etikën dhe sistemin juridik. Urdhërat dhe udhërrëfimet e Zotit për Islamin janë të shtruara në Kur’an. Muhammedi a.s. është ai që me frymëzim e pranoi Kur’anin nga All-llahu dhe ua shpalli njerëzve. Muhammedi që ishte "Ummijj: analfabet" nëpërmjet frymëzimit mbizotëroi çdolloj njohurie, ndaj fjalët e tij janë burim për kuptimin e fesë.

"Ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet."

Veprat që i ka bërë i Dërguari i All-llahut, respektivisht aksionet dhe sjelljet e tij janë vetë e vërteta. Ai të vërtetën e shpalli me fjalë, ndërsa e zbatoi me vepra. Në Kur’anin Famëlartë urdhërohet:

"Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut".

Nga kjo del se Islamin duhet ta kuptojmë nga Kur’ani dhe nga sunneti i të Dërguarit a.s. që është interpretim, sqarim dhe plotësim i gjykimeve islame. Kur gjykojmë për Islamin para së gjithash, duhet t’i lexojmë burimet e tij. Sipas kësaj dispozite vlerësohet edhe mënyra e sjelljes së muslimanit.

Gjatë historisë së Islamit, gruaja muslimane, në vende të ndryshme është trajtuar në mënyra të ndryshme. Kjo mund të thuhet edhe për të gjitha gratë e botës. S’është mirë të thuhet se muslimania gjatë historisë islame ka jetuar një jetë të prapambetur në krahasim me femrat tjera. Në kohën e Osmanlinjëve kanë jetuar ndryshe, varësisht me atë se ku kanë jetuar, në fshat o qytet, e në vende të ndryshme të mbretërisë së gjerë, e prej kohe në kohë janë ballafaquar me interpretime të ndryshme. Por, kjo nuk është tema jonë. Po përsërisim se nuk duhet dhënë gjykime në lidhje me kuptimin e pozitës së gruas islame, duke shikuar në trajtimin e saj në disa kohëra dhe vende të botës islame.

Të drejtat e bashkëshortes

Kur e kanë pyetur se çfarë të drejta ka gruaja ndaj burrit, i Dërguari a.s. është përgjegjur kështu:

"Kur të hash vetë, do ta ushqesh edhe atë, kur të vishesh vetë, do ta veshish edhe atë. Mos ia përkujto qëllimisht të mirat që ia ke bërë. Mos e quaj atë dhe punët e saja të shëmtuara, kur t’i hidhërohesh, të mos e lësh në vetmi, por brenda në shtëpi (një kohë të caktuar mund t’i rrish larg)."

Në një hadith tjetër thuhet kështu:

"U jepni atyre nga ajo që hani, veshni ato sikur që visheni vetë, mos i rrahni, mos i quani të shëmtuara, mos përdorni fjalë të këqia."

1) Nevojat materiale dhe shpenzimet kryesore të gruas janë në përgjegjësi të burrit. Kjo ndryshon varësisht nga gjendja materiale e burrit. Ç’është me rëndësi, kjo duhet të realizohet sipas nivelit të burrit. Siç u theksua më sipër, nga aspekti juridik gruaja nuk është e obliguar të punojë as në shtëpi. Por, s’ka kurrëfarë dyshimi se puna në shtëpi është e vlefshme nga aspekti i dashurisë, intimitetit dhe ndieshmërisë (senzibilitetit), nëse mund të kryhet. Por, sipas mendimit të Imam Malikut dhe disa të tjerëve nga as’habët dhe tabbiinët, nëse burri është i varfër gruaja duhet të punojë. Nëse burri është koprrac dhe nuk e shpenzon atë që është faktike dhe e zakonshme, gruaja ka të drejtë që për vete dhe për fëmijën e saj, të shpenzojë atë pa e lajmëruar (informuar) burrin. Pejgamberi a.s. e ka lejuar këtë gjë.

2) Të mos degradohet (nënçmohet) gruaja. Kjo don të thotë se as ajo dhe as punët e saja të mos quhet të shëmtuara. Të mos shprehet (nga ana e burrit) mospëlqimi. Siç dihet, ofendimi më i madh ndaj gruas është kur atë do ta quash e shëmtuar. Gruaja është e dhënë vazhdimisht me shpirt që burrit t’ia tregojë bukurinë dhe prezencën e saj. Është sjellje gjentile që asaj t’i thuhet se është e bukur.

Veç kësaj që u tha më sipër, në hadithe ekzistojnë këshilla që burri të mos i hidhërohet gruas, të mos braktiset ajo. Mirësjellja me gruan është shpallur edhe në Kur’an:

"Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, se ndodh që All-llahu të falë shumë të mira në një send që ju e urreni."

Për këtë çështje flasin shumë hadithe të Pejgamberit a.s.:

"Në lidhje me gratë, njëri tjetrin ta këshilloni me mirësi..."

"Një besimtar një besimtares të mos i hidhërohet kur është i nevrikosur. Nëse nuk i pëlqen ndonjë veti e saj, ndoshta do të jetë i kënaqur me vetitë tjera."

Me të vërtetë nuk është e thënë të na pëlqejë çdo veti dhe çdo punë e ndonjë njeriu. Por, një njeri i sinqertë, me siguri do të gjejë shumë veti që do t’i pëlqejnë tek të tjerët, e sidomos tek gruaja. Me ato ai duhet të kënaqet dhe të jetë i lumtur. Një hadith tjetër i të Dërguarit a.s. thotë:

"Besimtarë, më të pjekur në iman janë ata që kanë moral më të lartë. Nga ju, më i vlefshmi është ai, që ndaj grave sillet më mirë dhe është më gjentil."

Të përsërisim se është e ndaluar të hidhërohesh me gruan, të mos i flasish asaj dhe ajo të bojkotohet. (lidhur me këtë ekziston një përjashtim i cili do të ceket në vijim të librit). Gruaja dëshiron që burri të interesohet për të... Ndjen nevojë shpirtërore që vazhdimisht të pranohet prezenca dhe vlera e saj nga ana e burrit. Nëse nuk mund të gjejë një interesim të këtillë nga ana e bashkëshortit, ajo do të jetë e brengosur. Është vërtetuar me anketa se njëri ndër shkaqet më të rëndësishme për kërkesën e kënaqësisë shpirtërore e seksuale, është pikërisht një gjendje, siç u theksua më lartë.

3) Argëtimi në shtëpi me bashkëshorten ose vëzhgimi i përbashkët i ndonjë ngjarjeje argëtuese, është njëra nga të drejtat e gruas ndaj burrit. Nëna jonë, Aisheja bënte gara në vrapim me të Dërguarin a.s.; ndonjëherë ajo e tejkalonte të Dërguarin e Zotit, ndonjëherë e tejkalonte ai. Në Mesxhidin e Medines (një xhami e vogël) ushtarë nga Abisinia ushtronin lojra ushtarake me shtizat e tyre. Pejgamberi a.s. dhe Aisheja i vëzhgonin nga porta e tyre. I Dërguari a.s. e mbuloi me shaminë e tij Aishen dhe kështu, deri sa nuk u mërzit ajo, vazhduan t’i përcjellin ushtarët. Rrëfehen fjalët e Ibën ‘Abbasit:

"Si unë që dëshiroj që bashkëshortja ime të rregullohet për mua, ashtu më pëlqen edhe rregullimi im për të. Meqë All-llahu ka urdhëruar:

"Si kanë të drejtë burrat ndaj grave, ashtu edhe ato kanë të drejtë ndaj burrave."

I Dërguari a.s. në një hadith thotë:

"Të gjitha lojrat që i bëjnë njerëzit janë të kota. Përjashtim bën hedhja e shigjetës me hark, ushtrimi me kalë dhe të luajturit me gruan. Janë këto reale dhe të drejta."

4) Të mos rrihet gruaja, duke i pasur parasysh gratë, Pejgamberi a.s. thotë:

"Mos i rrihni robëreshat e Zotit."

Erdhi ‘Umeri r.a. dhe u ankua se gratë kanë filluar të rebelojnë kundër burrave të tyre. Pas kësaj, i Dërguari i All-llahut lejoi që gratë të rrihen. Kësaj radhe u shtua numri i grave që erdhën tek gratë e Pejgamberit a.s. të cilat u ankuan nga burrat e tyre. Në fund Pejgamberi a.s. tha:

"Shumë gra po vijnë tek familja ime e po ankohen nga burrat. Ata që i rrahin gratë e veta, s’ka dyshim se nuk janë të hajrit."

Në Islam, kreu i familjes është burri. A mundet që kreu i familjes ta rrahë gruan për t’a kthyer disciplinën, me kusht që ajo rrahje të mos jetë shumë e dhembshme? Nëse gruaja është rebele ose, nëse ka rebeluar kundër burrit dhe, nëse ka filluar që në mënyrë të drejtëpërdrejtë ta shkatërrojë bashkësinë familjare, burri mund ta rrahë atë. Për një rrahje të këtillë, ka edhe arsye tjera. Lidhur me këtë do të bëhet fjalë më vonë. Jashtë këtyre arsyeve, burri nuk ka të drejtë ta rrahë të shoqen. Pejgamberi a.s. thotë:

"Asnjë nga ju s’duhet ta rrahë gruan si rrihet robëresha. Ndoshta në fund të jetës do të kthehet dhe do të bëjë marrëdhënie me të."

5) Nuk duhet bërë gruan lëndë shpirtëkeqësie duke e kontrolluar atë befasisht. S’duhet bërë kontrollime sekrete.

Vetëm nëse disponon me argumente të forta dyshimi, mund ta bëjë atë. Në një hadith thuhet: Nëse dikush është larg familjes, mos të kthehet pa u lajmëruar më parë.

Burri nuk duhet aty për aty t’u besojë thashethënave lidhur me gruan e tij dhe s’duhet të japë gjykime të ngutshme. Njëri ndër mëkatet më të mëdha është, të ndërmjetësuarit në keqësimin e marëdhënieve mes gruas dhe burrit. Pejgamberi a.s. thotë:

"Ai që spiunon gruan tek burri i saj dhe atë e prezenton si femër të keqe, nuk është me ne."

Njëra ndër arsyet përse nuk është e preferuar që burri befas të hyjë në shtëpi ose në ndonjë rast tjetër, është pamundësia e përgatitjes së gruas të dalë para burrit të vet, e jo diç tjetër e papëlqyer.

6) Nuk është e lejuar që bashkëshortët t’i zbulojnë sekretet lidhur me marëdhëniet seksuale dhe me çështjet tjera. Një sjellje e këtillë, mund ta prishë ndjenjën e turpit te gruaja dhe t’ia dobësojë emocionet, ndaj është jomorale. Këtë gjë i Dërguari i All-llahut e shpjegon kështu:

"Ditën e Gjykimit, para All-llahut, në vendin më të keq do të gjenden edhe ata që zbulojnë sekretin e gruas së vet pas mardhënieve me të."

Normalisht, edhe gruaja duhet të respektojë këtë parim në të njëjtën mënyrë.

E drejta e burrit ndaj gruas

1) Siç është theksuar më parë, burri është njeri i cili: është i obliguar t’i sigurojë gruas dhe fëmijëve ushqim, veshmbathje dhe strehim si dhe nevojat tjera. Mban edhe obligimet e përgjithshme të tërë familjes. Për shkak të këtyre obligimeve dhe aftësive të tij, ai është kreu i familjes është pronar i shtëpisë. Gruaja është e detyruar ta dëgjojë në punët legale. Po nuk u pajtuan rreth diskutimit lidhur me kurorën, do të dëgjohet zëri i burrit. Ta përkujtojmë ajetin në të cilin thuhet:

"Burrat janë përgjegjës për gratë."

Gruaja për burrin është shok jete. Është faktore qetësie e paqe, lëndë e dashurisë dhe mëshirës si dhe këshilltare e denjë. Bashkëshortët e plotësojnë njëri tjetrin. Por, kjo nuk don të thotë se burri ia plotëson çdo dëshirë gruas së vet; se ç’ti bie në mend asaj, do ta ketë. Shoqëria islame bazohet në përgjegjësinë e burrit, që rrjedh nga ajo se burri është i dëgjuari, ndërsa gruaja ajo që duhet të dëgjojë.

2) Gruaja është rojtare e shtëpisë së burrit. Ajo, siç është e obliguar t’i ruajë fëmijët dhe pasurinë, është e detyruar ta ruaj edhe nderin nga mëkatet. Pejgamberi a.s. në një hadith të drejtat e burrave ndaj grave kështu i thekson:

"Të tjerët mos të shkelin krevatin tuaj. Të mos hyjnë në shtëpinë tuaj ata njerëz që nuk ju pëlqejnë. Gratë të mos i lejojnë këto sjellje."

Në Kur’an theksohet:

"...gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj fshehtësisë..."

Në këtë ajet fjala "gajb: fshehtësi, sekret" përmban begatinë e burrit, sekretet e familjes, nderin, madje edhe foshnjen në stomakun e gruas. Gruaja duhet t’i ruajë këto dhe të ketë kujdes të mos dështojë fëmija. Duke i respektuar këto, gruaja faktikisht i plotëson në masë të madhe obligimet fetare. Në një hadith thuhet kështu:

"Nëse gruaja falet pesë herë në ditë dhe nëse agjëron një muaj, poashtu nëse e ruan nderin dhe e dëgjon burrin e vet, nga cila portë të dojë le të hyjë në Xhennet."

3) Gruaja nuk duhet ta shkatërrojë sistemin e themeluar familjar. Përveç situatave kur nuk është e mundur të mbahet kurora, gruaja nuk duhet të kërkojë shkurorëzim nga burri i saj. Në këto raste ndodh që shkaqet e shkurorëzimit të rrjedhin nga marëdhëniet e reja me burrat tjerë ose nga ndonjë vendim i pamenduar mirë. Shkaku i parë është imoraliteti dhe tradhëtia ndaj burrit. Më pastaj do të lind pendimi. I Dërguari a.s. thotë:

"Cila grua kërkon shkurorëzim nga burri pa pasur arsye, era e Xhennetit për të do të jetë haram."

4) Në bashkëshortësi s’duhet të harrohen gjërat e nevojshme për vazhdimësinë e dashurisë dhe simpatisë. Martesa, para së gjithash mbështetet në rehatinë e dyanshme (relaksimi, arritja e kënaqësisë). Ashtu si nuk guxon gruaja t’u largohet obligimeve të bashkëshortësisë, edhe burri nuk guxon t’u shmanget obligimeve të veta. Simptomet e sëmundjes, si prepotenca ose impotenca, janë më të shprehura tek gratë se sa tek burrat. Në epshet seksuale ndikon edhe bota emocionale e njeriut, planet dhe imagjinata. Në këtë ndikojnë edhe gjërat që i dëgjojmë nga të tjerët dhe jeta private e njerëzve lidhur me seksin. Ndaj është i ndaluar rrëfimi dhe transmetimi i marëdhënieve sekrete të bashkëshortëve.

Bashkëshortët duhet të njihen mirë lidhur me potencën, që të sillen në mënyrë harmonike. Pejgamberi a.s. ka thënë:

"Nëse një grua nuk përgjigjet kur burri i saj e thërret në krevat, engjëjt do ta mallkojnë deri në mëngjes ose deri atëherë kur bjen në krevat."

Një ditë, para Muhammedit a.s. erdhi një grua dhe u ankua nga burri i saj, Safhani:

-Kur lidhem në namaz, ai më rreh, kur agjëroj, ai ma prish agjërimin... - aty pranë gjendej edhe Safhani. Kur e pyeti i Dërguari a.s. ai u përgjegj:

-O ndërmjetës i Zotit, e vërteta është ndryshe. Ajo në namazin e vet lexon dy sure e unë ia ndaloj këtë. -pastaj i Dërguari a.s. tha:

-Të ishte vetëm një sure, do të mjaftonte për njerëzit. - Safhani vazhdoi:

-Unë ia prish agjërimin ngase ajo don të agjërojë vazhdimisht. E unë jam burrë i ri, nuk mund të qëndroj. - e i Dërguari a.s. tha:

-Gruaja të mos agjërojë (vullnetarisht) pa lejen e burrit.

Nuk duhet penguar gruan në obligimet bashkëshortore. Në plotësimin e detyrave fetare që janë farze gjithashtu gruaja duhet të ketë kujdes që ibadeti i paobligueshëm të mos bëhet pengesë në funksionin e saj grua, bashkëshorte.

I njëjti parim vlen edhe për burrin. Edhe ky duhet t’i plotësojë obligimet e veta. Ibën Hazëm thotë se detyrat e këtilla të ndërsjella bashkëshortore, për ta janë farz (të detyrueshme). Nuk është besim nëse apstenon në këtë temë. Përkundrazi është zullum dhe padrejtësi kundër vetive të egos që ekzistojnë prej lindjes, është torturë kundër gruas. Kjo do të mund të jetë shkas për prostitucion dhe marëdhënie jolegale. Një ditë, tre as’habë u takuan dhe u morën vesh kështu: I pari tha:

-Unë do të agjëroj përherë. -i dyti ia priti:

-Deri sa të jam gjallë, natën do të fal namaz. -ndërsa i treti tha:

-Unë do të qëndroj larg grave. Kurrë nuk do të martohem. -kur Pejgamberi a.s. kuptoi për këto vendime, shkoi tek ata dhe u tha:

-Jini ju ata që kështu flitni? Keni kujdes! Betohem në emër të All-llahut se në mesin tuaj, unë jam ai që më së shumti i frikësohem Atij dhe më së shumti kam kujdes të mos i kundërvihem. Ndaj, unë ndonjëherë agjëroj e ndonjëherë nuk agjëroj. Edhe falem edhe bëj gjumë dhe martohem me gra. Kush ia kthen kurrizin sunnetit tim, ai nuk i takon anës sime.

Abdullah Ibën Amr Ibën As, ishte i njohur me lutjen e tij në izolim dhe respektin e tij ndaj All-llahut. Kur e pyeti i Dërguari a.s.:

-Dëgjova se ditën agjëron e natën falesh, është ashtu? -ai u përgjegj:

-Po, o i Dërguar i All-llahut. - Pejgamberi a.s. i tha:

-Mos bën ashtu! Ndonjëherë agjëro e ndonjëherë mos agjëro. Natën edhe të falesh edhe të flesh, sepse trupi yt kërkon të drejtën e vet, syri yt kërkon të drejtën e vet, gruaja e jote kërkon të drejtën e vet.

S’ka dyshim se këto falje dhe agjërime që u theksuan në këto hadithe, janë jashtë farzit. Është normale se farzet duhet plotësuar.

Disa çështje lidhur me jetën seksuale

Gjendjet specifike të gruas

Ekzistojnë disa tema rreth gjendjes të lehonisë dhe menstruacionit të gruas. Menstruacioni është proces organik që paraqitet një herë në muaj tek gratë që nuk janë me barrë. Nuk mund të jetë më pak se tri ditë dhe më shumë se dhjetë ditë. Lehonia, është gjakderdhja pas lindjes dhe mund të zgjasë më së shumti dyzet ditë.

Gratë që kanë menstruacionin ose gjatë lehonisë, deri sa vazhdojnë këto procese, nuk mund të falin namazin, nuk mund të agjërojnë, s’mund ta lexojnë madje as ta prekin Kur’anin, nuk mund të kenë as marëdhënie seksuale.

Hebrenjtë reth Medines, në kohën e Pejgamberit a.s. nuk shoqëroheshin, nuk hanin dhe nuk hynin në të njëjtin krevat me gratë që kishin menstruacionin. Ndërsa Muhammedi a.s. lidhur me këtë gjë thotë:

"Bëni çdo gjë por mos hyni në marëdhënie seksuale me to."

Me gratë që kanë menstruacionin ose janë lehona mund të shoqërohesh, të flesh e të hash edhe ushqimet që ato i përgatisin. Por, është e ndaluar të bësh marëdhënie seksuale. Në Kur’an theksohet:

"Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) deri sa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu..."

Siç shihet nga ajeti kjo është gjendje neverie, papastërtie. Shpjegimin shkencor lidhur me këtë e jep eksperti:

"Gjatë menstruacionit nuk duhet kontaktuar me burrin. Gruaja që vazhdimisht humb gjak dhe ka një brengë të madhe, duhet pranuar dhe kuptuar si grua e sëmurë dhe duhet të jetë larg çfarëdo shqetësimi, sidomos atij seksual. Në gjendje të menstruacionit, organet gjenitale të gruas janë plotë gjak. Hyrja në damarët e mitrës është e hapur sikur të jetë e dëmtuar. Bile edhe tek pedantet e më të pastrat, në këto kanale ka mikrobe të panumërta që presin me mjeshtri. Gjatë menstruacionit këto shumëzohen në mënyrë të përshpejtuar, forcohen dhe presin momentin e nëse u jipet një shkas i vogël shpejtojnë kah organet e dëmtuara gjenitale dhe vezët. Po ndodhi të ketë marëdhënie seksuale, mikrobet do të shtrihen edhe më shumë e kështu edhe më tepër do ta dobësojnë femrën. Nëse vazhdohet me këtë, do të shkaktohet gjakderdhje e vrullshme, do të paraqiten dhëmbje në boshtin kurrizor dhe në nyje dhe do të shkaktohet sëmundje shumë serioze. Në këtë periudhë gruaja ka një erë të rëndë e specifike. Kjo erë do të shtrihet në tërë trupin dhe djersën, madje edhe të femrës së pastër. Edhe vetë gruaja do të gërditet nga kjo erë. Është normale se edhe burri do të gërditet nga kjo erë e rëndë gjatë marëdhënieve seksuale në këtë periudhë. Gruaja, duke qenë e vetëdijshme, duhet të ketë shumë kujdes për higjienën dhe, në këtë periudhë, të qëndrojë sa më larg bashkëshortit.

Edhe lehona duhet të ketë kujdes gjatë atyre dyzet ditëve, sa zgjat lehonia, të jetë larg bashkëshortit. Meqë në momentin e lindjes, organet gjenitale, veçanërisht brendia dëmtohet shumë, shpesh ndodhin edhe shkëputje. Marëdhëniet seksuale, në këtë periudhë, e dëmtojnë shumë femrën. Aktivimi i vrullshëm i mikrobeve kontribuon në shkaktimin e shumë sëmundjeve të grave. Ndaj, assesi s’duhet afruarr gruas para se të shërohet dhe para se organet gjenitale të marrin përsëri formën e natyrshme. Tolstoi e turpëron mashkullin që e shqetëson gruan: "Një burrë, kur bën dashuri me një grua, si me të dashurën e tij, nuk duhet harruar se ajo është një nënë. Një grua nuk mund të qëndrojë që, në të njëjtin moment të jetë edhe dashnore, edhe një nënë e lodhur, një njeri i sëmurë." "Burri nëse është në gjendje të flaktë, mund t’i kënaq epshet e veta pa qenë në afërsi finale, vetëm me përkëledhje, dhe do t’i mjaftojë një bashkëshorti të ndershëm, një kënaqësi e këtillë."

Në periudhën e menstruacionit dhe të lehonisë, sipas fesë, është i ndaluar vetëm kontakti i drejtpërdrejtë seksual. Sjelljet tjera nuk janë haram, me kusht që njeriu të jetë i sigurt në vete dhe gjërat të mos i çojë deri në haram.

S’është e rrezikshme, sipas fesë, të kontaktohet me gruan shtatëzane. Por mjekët vërtetojnë se gjatë tre muajve të parë dhe të fundit kontaktimi është i rrezikshëm. Gjatë tre muajve të parë është e mundur të dështojë fëmija, ndërsa në tre muajt e fundit, ekziston rreziku i lindjes së parakohshme dhe gjakderdhja. Duhet patur kujdes i posaçëm për gjendejn shëndetësore të gruas.

Marëdhëniet seksuale

Në Kur’an theksohet:

"Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj..."

Një qëllim i martesës është edhe ai që të formohet gjenerata e re. E kjo është e mundur vetëm me marëdhënie sipas rregullave. Në ajetin që e theksuam më parë urdhërohet të bëhet kontakt me gratë e pastruara.

"...E kur të pastrohen atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu ..."

E kjo është një rrugë e natyrshme. Sipas kësaj, një burrë bashkëshortes së tij nuk guxon t’i afrohet afër vendit të ndytë në vend të rrugës së natyrshme gjenitale. Kjo është një sjellje e keqe. Është jo morale. Pejgamberi a.s. thotë:

"Është i mallkuar ai njeri që bashkëshortes i afrohet nga prapa (zgavra anale - anusi)."

Një hadith tjetër thotë kështu:

"All-llahu nuk shikon me mëshirë atë njeri që, gruas i afrohet nga prapa (zgavra anale), ose bën marrëdhënie mashkull-mashkull."

Të penguarit e formimit të fëmijës

Në marrëdhënie seksuale, që të mos arrijë sperma deri tek ama, kryhet jasht vaginës. Të kryerit jasht vaginës quhet "azl". Ka shumë dilema lidhur me atë, është azli i ndaluar ose jo. Pejgamberi a.s. kur e pyetën për këtë, zgjodhi shprehje të buta. Në një hadith të tij thuhet:

"Në kryerjen e azlit nuk ka dëm për ju. Meqë deri në Ditën e Gjykimit sigurisht do të formohen qenie të gjalla që All-llahu ka urdhëruar të krijohen."

Xhabir b. Abdullahu thotë:

"Erdhi një njeri tek i Dërguari a.s. dhe e pyeti:

-E kam një robëreshë dhe kur jam në marëdhënie me të, bëj azl. Ç’do të thuash për këtë? - Pejgamberi a.s. u përgjegj:

-S’mund ta pengoj atë që All-llahu e ka dëshiruar. -pas pak kohësh i njëjti njeri e pyeti përsëri:

-O, i dërguar i All-llahut, robëreshën që e përmenda, tani është shtatzane. - Pejgamberi a.s. i tha:

-Unë jam rob i All-llahut dhe i Dërguar i Tij. Atë që të them është e vërtetë"

Vërtetë, ndonjëherë arritja e spermës deri tek mitra mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Është bërë takimi me vajza që nuk e kanë humbur virgjinitetin dhe që kanë ngelur shtatzane. Nga spermat e shumta që gjenden në farën e mashkullit, shumë sish do të arrijnë deri në mitër dhe kështu s’është aq lehtë të ruhesh, duke kryer jashtë, në momentin më të ndieshëm në marrëdhëniet seksuale.

Disa prej juristëve islamikë edhepse azlin e shohin të papëlqyer, megjithatë kanë thënë se është i lejuar. Është e vërtetë thënia e përcjellur nga një as’hab:

"Ne kemi bërë azl gjatë kohës së Pejgamberit a.s. dhe kjo nuk pengohej."

E disa mendojnë se ky është i ligjshëm vetëm nëse lejon gruaja. Vërtetë është e mundur kënaqësia e gruas në marrëdhëniet seksuale, vetëm atëherë kur spermat udhëtojnë kah mitra. Po nuk u kënaq gruaja, janë të mundura ngatërresat shpirtërore e komplikime trupore.

E azli, në të njëjtën kohë është njëra ndër mënyrat e pengimit të shtimit të gjeneratave. Dhe, kjo është kundër politikës së zgjërimit të Islamit.

Sipas fesë, mund të thuhet se azli nuk është haram. Por nuk është as ndonjë hallall. Është mekruh (diç e urrejtur) me kusht që të merret leje nga gruaja. Institucionet fetare të Egjiptit kanë dhënë leje për ruajtjen nga shtatëzania për shkaqe shëndetësore ose financiare.

Asgjësimi i embrionit të fëmijës (aborti)

Në Kur’an dhe në hadithe shpallet se fara njerëzore nëse qëndron në mitrën e nënës do të kalojë nëpër periudhat që pasojnë: dyzet ditët e para "nutfe: lëng njerëzor", dyzet ditët e dyta, një copë gjaku i koaguluar, e dyzet ditët e treta, një copëz mish. Pas dyzet ditëve të treta, ose pas katër muajve të parë, formohen organet e fëmijës dhe fryhet shpirti. Shkencëtarët e vjetër llogarisin se legalisht mund të hidhet (mund të bëhet abort) para se t’i mufatet shpirti. Por fëmija është i gjallë, ai ësht në jetë edhe para se t’i formohen organet. Spermat në farën e mashkullit janë të gjalla. Edhe një gjë është e rëndësishme: shëndeti i nënës. Dështimi i fëmijës është diç e rrezikshme dhe e dëmshme për shëndetin e nënës. Lidhur me këtë temë, të japim një këshillë të shkurtër të një mjeku:

"Është shumë e rrezikshme që nëna shtatzane duke e tronditur ta mbysë dhe ta dështon fëmijën, ngase shpesh edhe veten e dërgon në varr para fëmijës. Enët e mëdha të gjakut pranë mitrës do të dëmtohen, kështu gruaja mund të vdesë nga gjakderdhja e madhe ose do të infektohet në "membranën e peritfanit" rreth mitrës. Dalëngadalë do të vdesë nga sëmundja e Peritonit. Mund të vdesë edhe nga septisemia ose piamia, për shkak të toksinimit të gjakut. Duhet patur kujdes të madh për këtë gjë, që kurrsesi të mos dëmtohet mitra. Kjo do të sillte shumë peripeti. Rreziku i këtillë nuk varet vetëm nga duart e specialistëve të akusherisë. Gruaja mund të vdesë gjatë abortimit ose të ketë dhembje të mëdha pas abortimit.

Pejgamberi a.s. u fliste grave që sapo kishin pranuar Islamin rreth mosdështimit të fëmijës. Ibën Kethiri në komentin e tij të ajetit për mosvrasjen e fëmijëve, ajet ky që flet për marrëveshjen e të Dërguarit a.s. me gratë e reja muslimane, vërteton se abortimi hyn në kategorinë e mbytjeve të fëmijëve. Kështu flet Azzeja, e bija e Habilit:

"-Në marrëveshjen që bëra me të Dërguarin a.s. Ai më vuri kusht që: të mos mbys fëmijën as haptazi, as në mënyrë sekrete. Unë e di se ç’është mbytja e fëmijës haptazi. E për mbytjen e fëmijëve në mënyrë sekrete nuk e pyeta të Dërguarin e Zotit (se ç’është ajo). As ai nuk më tha asgjë. Betohem në emër të All-llahut se deri sa jam gjallë nuk do të abortoj."

Në Kur’an shpallet:

"...gratë e mira janë respektuese dhe besnike ndaj të fshehtës."

Këtu në shprehjen "besnike ndaj të fshehtës" hyn edhe abortimi i fëmijës, ruajtja e saj në stomak.

Para se ta përfundojmë temën "Gruaja në familje", të theksojmë një fjalë të rëndësishme për shkak të përparësisë që Islami i jep gruas dhe të sqarimit të reformës së madhe rreth të drejtave të gruas: Abdullah Ibën ‘Umeri r.a. thotë kështu:

"Në kohën e Pejgamberit a.s. u frikësuam nga bisedat e ashpra me gratë, nga sjelljet e vrazhdëta me to, ngase frigoheshim se do të shpallet ndonjë ajet për ne, por, pas vdekjes së tij, filluam të flasim ashpër dhe të sillemi në mënyrë të vrazhdë."

Kategori: Bashkëshortësia | Shtuar nga: Argjendi (19/08/2009)
Klikime: 1941 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024