E hënë, 10/08/2020, 03:05
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Edukata Islame [22]
Bashkëshortësia [35]
Gruaja në Islam [17]
Edukimi i fëmijëve [32]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Familja Islame » Bashkëshortësia

Çështjet tjera lidhur me kurorën

Çështjet tjera lidhur me kurorën

Vetitë që kërkohen tek gruaja
Bashkshortesia1. I Dërguari a.s. gjithnjë ka preferuar bukurinë shpirtërore përkundër bukurisë materiale. E para është konstante, nuk ndrydhet, ndërsa e dyta është relative, e zbehtë, fiket. Sa bukuroshe ekzistojnë e nuk mund ta bëjnë të lumtur njeriun, pasiqë shpirti i tyre është i thjeshtë. Ja disa këshilla të Pejgamberit a.s.:
"Mos i martoni gratë bukuria e të cilave mund t’ju zhvleftësojë nga ana morale, mos u martoni as për pasurinë e tyre sepse ato mund t’i llastoni. Martohuni me ato për shkak të besimit të tyre. Me siguri ndonjë grua zeshkane e me veshje të leckosur por besimtare, është shumë e vlefshme".

"Kush disponon me këto katër gjëra, disponon edhe me të mirat e kësaj bote edhe me ahiretin: zemërmirësinë, gjuhën që vazhdimisht e përmend emrin e All-llahut, trupin që i duron mundimet dhe që nuk e tradhëton as nderin as pasurinë e bashkëshortit."

"Me gruan lidhet kurorë për shkak të këtyre katër gjërave: pasuria, fisnikëria, bukuria, dhe besimi. Kërkoje atë që është besimtare dhe do të jesh fatlum!"

2. Virgjëria. I Dërguari i All-llahut as’habët e vet i porosiste të martohen me virgjëresha sepse me një të tillë është më lehtë të adaptohesh në dashuri. Përveç kësaj, për shkak të shumë punëve shtëpiake si dhe për shkak të numrit të fëmijëve u lut për mirëqenien e atyre të cilët u martuan me të veja.

3. Siç u theksua më lartë lidhur me definicionin e kurorës, njëri ndër qëllimet e martesës është edhe ai-të kesh fëmijë. Kjo në njëfarë shkalle mund të kuptohet, duke i krahasuar nënat tona dhe gratë e afërta. I Dërguari a.s. thotë:

"Martohuni me gra që mund të lindin dhe që e duan familjen. Unë në Ditën e Gjykimit do të mburrem me numrin tuaj para ummeteve tjera."

4. Gruaja duhet t’i dojë fëmijët. Ajo duhet ta ruajë pasurinë e burrit si edhe krenarinë dhe nderin e tij. Nëse burri është lumi që rrjedh vazhdimisht, gruaja është penda e tij. Vërtetë, nëse nuk është ekonomike në buxhetin familjar, fitimi i burrit i gjason asaj sikur të hedhësh ujë në shoshë. I Dërguari i All-llahut thotë:

"Nga gratë më të mira janë gratë kurejshite dhe nga ato, më e vlefshmja është ajo që ndjen dashuri më të madhe ndaj fëmijës së vet dhe e cila kujdeset më së shumti për pasurinë e burrit."

Kur e pyetën:

O i Dërguar i All-llahut, cila prej grave është e mirë? - ai u përgjigj kështu: -Është ajo grua të cilën kur e shikon burri i saj, ndjen kënaqësi, kur t’i thuhet diçka, e kryen, ndërsa lidhur me nderin e pasurinë nuk bën diç që nuk i pëlqen burrit."

Vetitë që duhet t’i ketë burri

Si tek gratë ashtu edhe tek burrat virtyti i parë është besimi i tij. Një hadith që e cituam në nëntitullin "Nevoja për martesë" po e përsërisim edhe këtu:

"Kur të vijë tek ju dikush me karakterin dhe besimin e së cilit jeni të kënaqur, jepjani vajzën tuaj. Nëse nuk veproni kështu, do të lindin intrigat dhe përçarjet." "Nëse, o i Dërguar i All-llahut, tek ai mbretëron skamje dhe rrjedh nga familja jo bujare?" i Dërguari i All-llahut duke përsëritur tri herë tha: "Kur të vijë një njeri me fenë dhe karakterin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni".

Kufuv (ngjashmëria)

Në sistemin e vjetër juridik kihej kujdes që të mos ketë diferenca klasore midis bashkëshortëve të ardhshëm. Në të drejtat e vjetra brahmane, më parë, një burrë mund të martohej me një femër të klasës më të ulët, më pastaj, një martesë e këtillë midis njerëzve të shtresave të ndryshme, sipas zakonit, nuk pranohej. Në të drejtën romake, kurorë legale, mund të bëhej vetëm midis një burri, qytetar i Romës, dhe një gruaje, gjithashtu qytetare e Romës. Nëse njëra nga palët s’kishte të drejtën e qytetarit (ose e humbte atë) kurora prishej.

Në të drejtën islame ekzistojnë disa norma në dobi të gruas. Gruaja ose prindi i saj, mund të kërkojë disa kushte prej atij me të cilin do të lidhë kurorë. Juristët e ndryshëm japin mendime të ndryshme lidhur me atë se si duhej të dukeshin këto normativa. Një rregullim i këtillë quhet "kufuv", që do të thotë ngjashmëri, barazi etj,

Drejtimet e ndryshme ndajnë të njëjtin mendim, se në pikëpamje të fesë midis bashkëshortëve duhet të ketë barazi. Veç kësaj hanefijtë, sollën edhe një kusht se burri nuk duhet të jetë në shkallë më të ulët se gruaja nga aspekti i prejardhjes, kështu janë kurejshët midis tyre, arabët tjerë midis veti. Njerëzit tjerë jashtë radhëve të arabëve, janë të barabartë dhe mund të martohen. Gjithashtu, burri duhet të ketë fuqi financiare deri në atë shkallë sa t’ia paguajë gruas mehrin dhe të ketë aq sa mund të paguajë alimentacion 6 muaj ose një vjet. Edhe nga aspekti i marrëdhënieve ndaj shoqërisë ku jeton, nuk duhet t’i sjellë gruas turp.

Sipas shafiijve, në pikëpamje të fesë, profesionit, origjinës dhe lirisë, burri nuk duhet të jetë në një shkallë më të ulët nga gruaja.

Gjithashtu edhe tek hanbelijtë mendohet përafërsisht njëlloj. Ndërsa, malikijtë, mendonin më lirisht dhe për nga argumentet fetare, sillen në mënyrë më solide. Sipas tyre kufuvi ose barazia kërkohet vetëm në besim, në shëndetin trupor dhe të organeve trupore.

Kritika dhe preferime

Është e qartë se juristët islamikë në temën e kufuvit dhe vetitë që duhen kërkuar tek burri, nuk kanë arritur një mendim të përbashkët. Imami Malik Thevri, nga hanefijtë Imam Kerhi, sipas një transmetimi Imam Shafiu, Amr b. Mes’ud, nga tabiinët Muhammed b. Sirin dhe ‘Umer b. Abdulaziz mendojnë se barazia kërkohet vetëm në fe dhe moral. Pikërisht kështu flet edhe hadithi të cilin e theksuam në fillim të kësaj teme. Ato hadithe që janë në lidhje me kërkesën e barazisë së origjinës midis palëve nuk mund të jenë të fortë. E nga ato hadithe që janë autentikë nuk mund të nxirret një gjykim i këtillë.

Barazia profesionale jasht barazisë së origjinës kohë paskohe ndryshon si edhe nga vendi në një vend tjetër. Disa profesione të cilat në ndonjë vend ose në ndonjë interval kohe, llogariten të ulëta dhe të prapambetura, në ndonjë vend tjetër trajtohen ndryshe.

Ekzistojnë disa hadithe autentike të Pejgamberit a.s., të cilat në rrënjë e mohojnë diferencën midis njerëzve në baza të origjinës. Para së gjithash, në ajetin 13 të sures el-Huxhurat All-llahu xh.sh. na shpall se të gjithë njerëzit kanë prejardhje nga një mashkull dhe një femër, ndaj janë të barabartë dhe të ndarë në fise të ndryshme që të munden të njihen dhe të identifikohen. Superioriteti mund të kërkohet vetëm në devotshmëri që mund të ekzistojë tek secili:

"...s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur..."

Edhe Pejgamberi a.s. urdhëron kështu:

"Njerëzit janë të njëjtë si janë të njëjtë dhëmbët e krehërit. Asnjë arab nuk gëzon më tepër përparësi nga joarabi. Përparësia është vetëm në devotshmëri ndaj All-llahut."

Në hutben e njohur lamtumirëse të Pejgamberit a.s., një citat thotë kështu:

"Njerëz! Zoti është Një. Edhe babai juaj është një. Të gjithë ju jeni bij të Ademit. E Ademi është krijuar nga dheu. Para Zotit është më i çmuari, ai që Zotin e respekton më shumë. Arabi nuk ka asnjë përparësi nga joarabi, përveç masës së respektit ndaj Zotit."

Dhe të theksojnë edhe këtë se Muhammedi a.s. e martoi Fatimen të bijën e Kajsit që ishte e mençur, e bukur dhe prej fisit Kurejsh, si fis që llogaritet ndër fiset më të njohur dhe më të ngritur, për Usamen, i biri i një robi të çliruar. Gjithashtu, në kohën e tij, e motra e Abdurrahman b. Avf nga kurejshët, u martua me ish robin, Bilalin nga Etiopia, ndërsa Ebu Hudhejfe e dha të bijën e vëllait për robin e vet, Salim. I Dërguari a.s. disa nga veprat e këtilla i kreu vet e disa nga ato, pasi u informua, i lejoi të kryhen.

Edhe familja është një nga ato elemente ku ne muslimanët jemi duke pësuar disfatë në frontin tonë të luftës midis së vërtetës dhe gënjeshtrës që ka arritur në shkallën më të lartë e që vazhdon prej kohës së njeriut të parë dhe Pejgamberit të parë, Ademit a.s. Numri i familjeve tona që janë të lidhura me imanin e Islamit dhe zakonet lidhur me to, gjithnjë po zvogëlohet. Arsye për këtë është korrupcioni rreth masave dhe vlerave në kurorë. Vajzat që janë rritur në familje muslimane shkojnë në qarqe ateiste për t’u martuar për doktorë, avokatë, inxhinierë, fabrikantë, ndërsa burrat besimtarë, nga ana tjetër, që s’janë të kujdesshëm ndaj fesë, martohen me vajza të cilat, gjithashtu nuk kanë kujdes të duhur ndaj fesë. Në këtë mënyrë familja islame, është e sulmuar nga dy anë dhe fatkeqësisht, prindërit që duken se janë besimtarë, më tepër janë të preokupuar me këtë dukuri. Ata, duke vërtetuar se po kërkojnë njeri besimtar, në realitet kërkojnë dhëndër të pasur (madje edhe sikur të jetë mëkatar). Këta njerëz, që me trupin e vet janë të kthyer nga Kibla e me zemra nga materia, hyjnë në atë kategori, për të cilën i Dërguari a.s. në hadithin që vijon thotë:

"Secili ummet (popull) ka nga një intrigë, e intriga e ummetit tim është pasuria."

Njëri nga as’habët Sehl b. Sa’d es-Saidi, thotë: Një ditë pranë të pranishmëve të Pejgamberit a.s. kaloi një njeri. I Dërguari a.s. e pyeti njërin ndër të pranishmit:

"-Ç’do të thoje për këtë që po kalon?

-Është vendas i vjetër. Betohem se sikur të kërkojë vajzë, meriton t’i jipet. Nëse flet për ndonjë temë, meriton t’i dëgjohet fjala. - tha as’habi.

I Dërguari a.s. heshti. Pas pak kohësh kaloi një tjetër. Edhe kësaj radhe pyeti:

-E për këtë, ç’do të thuash? Ky u përgjigj:

-O i Dërguar i Zotit, ky është njëri ndër muslimanët më të varfër. Sikur të kërkojë vajzë, meriton të refuzohet. Që të jetë ndërmjetës, meriton të mospranohet, e, nëse flet diçka, nuk meriton të dëgjohet.

Pas këtyre fjalëve i Dërguari i All-llahut tha:

-Ky nga ai i pari vlen shumë më tepër se një botë e tërë.

Nuk e njoh ndonjë të vërtetë më të madhe se sa atë që e shpalli i Dërguari i All-llahut."

 

Të kërkuarit e vajzës

Në kohën e Pejgamberit a.s. Aliu personalisht e kërkoi Nënën tonë, Fatimen r.a. nga i Dërguari a.s. As’habët u ofronin vajzat dhe motrat e tyre njerëzve përkatës në moshë të martesës, e ata, ose pranonin ose refuzonin, e grave që u pëlqente martesa me dikë ofroheshin personalisht vetë. Kjo rrodhi nga dëshira fetare, sinqeriteti dhe modestia.

I Dërguari a.s. thotë:

"Askush të mos kërkojë të njëjtën vajzë pasi e kërkoi vëllau besimtar, vetëm pasi ky të ketë hequr dorë, ose, po t’i jipte leje atij të dytit. Kjo bën përjashtim"

Nuk rekomandohet oferta e kurorës në mënyrë të hapët, gruas që është në fazën e pritjes (sipas sheriatit-iddeti), pas shkëputjes së kurorës ose pas vdekjes së bashkëshortit.

Mehri dhe dhurata

Në të drejtën islame, mehr, quhet pasuria që e meriton gruaja që t’i jipet nga ana e burrit, për lidhjen e kurorës. Mehri nuk është e drejtë as e nënës, as e babait, as e prindit, por e drejtë personalisht e gruas. Është ky një lloj dëmshpërblimi që e pagon burri në kurorë. Me të, mbulohen nevojat e gruas dhe asaj ia sjell njëfarë vlere. Mehri mund të paguhet menjëherë (muaxh-xhel) ose si muexh-xhel (në rast shkurorëzimi ose vdekjeje). Mehri është i obligueshëm për lidhjen e kurorës. Edhe nëse nuk përmendet gjatë këtij akti, madje edhe të bëhet kurorë me kusht që të mos pagohet mehri, megjithatë burri është i obligueshëm që gruas t’ia paguajë atë, si e drejtë e saj e paevitueshme.

Nuk ekziston kufiri i mehrit edhe pse është i caktuar kufiri më i ulët, por, edhe për këtë nuk ka kufi të caktuar.

Nuk mund të rëndohet kurora në Islam. Përkundrazi, që të mund të shtohen gjeneratat e prostitucioni të evitohet, kurora lehtësohet. Do të ishte mirë që mehri mos ta ngarkojë shumë burrin. Pejgamberi a.s. thotë:

"Mehri më i mirë është ai që është pak".

Mehri është e drejtë personale. Me të gruaja nuk është e detyruar të përgatisë pajën (çeizin).

Prindi i vajzës ose farefisi i saj nuk guxojnë të kërkojnë nga ajo ndonjë shumë të hollash. Të hollat që i paguhen familjes së vajzës në disa vende, s’kanë lidhje me Islamin. Është ky zakon që është praktikuar para Islamit. Në Islam asnjë njeri i lirë, në asnjë mënyrë, nuk mund të shitet. Kërkimi i shpenzimeve të panevojshme nga ana e vajzës që do të bëhet nuse dhe praktika e mosmbulimit të vajzave e rëndon martesën. Kjo e lind tragjedinë e prostitucionit dhe grabitjen e vajzave. E rezultat i këtyre është armiqësia, zënkat, vrasjet...

Dasma

Dasma është sunnet. I Dërguari a.s. thotë:

"Bëni dasmë madje edhe po të jetë ajo vetëm me një dele, jepni zijafet."

Dasma është akt edhe përkujtim, shpallje e një pune fatlume njerëzve, shprehje e disponimit dhe ushqim i të varfërve. Kur të ftohet njeriu në dasmë, ftesën duhet pranuar. Pejgamberi a.s. thotë kështu:

"Ngrënia më e keqe është ajo ngrënie dasmore kur ftohen të pasurit e harrohen të vobektit. Kush nuk pranon ftesën ai është kundër All-llahut dhe të Dërguarit të Tij."

Pasi dasma është një shkas për gëzim, aheng dhe fat, nuk ekziston asnjë pengesë që në një farë mënyre të ndalohet nga feja. Madje kjo është edhe imperativ. Ajo që është e ndaluar, është pirja e alkoolit dhe të tubuarit e grave dhe meshkujve bashkarisht. I Dërguari i All-llahut thotë:

"Shpallni kurorën dhe bëni atë nëpër xhami. Në dasmë ftoni edhe dajre. Hallalli ndryshon nga harami (me haram nënkuptohet prostitucioni) me vënien e kurorës, organizimin e argëtimit dhe muzikimit me dajre."

Shoqëria islame nuk i pengon argëtimet legale në ditët e kremteve, festave, etj. Përkundrazi, ato i pranon duke llogaritur se janë të rëndësishme. Është i nevojshëm për një shoqëri formimi dhe ekzistimi i vetëdijes kombëtare. Shoqëria, nevojat e së cilës Islami i përmbush plotësisht, është një shoqëri vullneti i së cilës është vullnet i përhershëm dhe i vazhdueshëm. Derisa ka kaq shumë hadithe verbale dhe praktike të Pejgamberit a.s. ndalimi i dasmave dhe argëtimi në to para së gjithash është kundër sunnetit. Të përsërisim se dasmat dhe argëtimet përputhen me etikën dhe rregullat islame...

Në një ditë të Kurban Bajramit Ebu Bekri, shkoi tek bija e vet, Aisheja, dhe ç’të shikojë-dy vajza muziktojnë me dajre dhe këndojnë. Dhe, Pejgamberi a.s. u mbështet në një kënd dhe u mbështoll me çarçafin e vet. Ebu Bekri iu drejtua vajzave në mënyrë të ashpër. Për këtë Pejgamberi a.s. thotë:

"Lëshoji, Ebu Bekër, secili e gëzon festën e vet. Kjo është festa jonë!"

Rubejda, e bija e Muadhit, thotë:

"Kur u bë dasma ime Pejgamberi a.s. erdhi dhe u ul. Disa vajza luanin në dajre dhe përmendën babanë tim si dhe xhaxhallarët e mij, që ishin martirë në Bedër. Kur, njëra prej tyre tha: "Leri këto fjalë, vazhdoje atë që e the pak më parë" Aisheja kishte martuar një vajzë nga farefisi i vet me njërin nga muslimanët e parë të Medines. Pejgamberi a.s. i tha Aishes: "Aishe, duket se në dasmën tuaj nuk pati valle e argëtim, e ensarit i pëlqen loja.

Sipas një rrëfimi tjetër Pejgamberi a.s. Aishes i tha kështu: "A e keni dërguar një vajzë me nusen që të luaj në dajre dhe të këndojë?" Aisheja e pyeti atë: "Sikur ta kishim dërguar, ç’do të thoshte?" E Muhammedi a.s. duke cituar tri vargje poezie, tha: "Ja kështu do të thoshte".

Një njeri që u ftua në kurorëzim ose në diç të ngjashme, po hetoi diçka jo të pëlqyeshme, së pari duhet ta pengojë atë. Nëse nuk mundet, assesi nuk duhet të merr pjesë në atë akt. S’guxon të rrijë pranë tryezës e të shërbehet me ushqim e pije (në dasmë që bie ndesh me normat islame). Pejgamberi a.s. thotë kështu:

"Po të shikoni ndonjë dukuri të keqe, atë duhet ta përmirësoni me duart tuaja. Nëse nuk keni fuqi me duar, atëherë tentoni me gjuhë (me fjalë). Nëse nuk mund ta evitoni as me fjalë, atëherë ta përbuzni me zemër-që është shkalla më e dobët e imanit."

"Ai që i beson All-llahut dhe Ditës së Kijametit, mos të rrijë në tryezë ku ka pije (alkool)."

Kategori: Bashkëshortësia | Shtuar nga: Argjendi (19/08/2009)
Klikime: 497 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2020