Fëmijët tanë janë pasuria më e madhe që na ka dhënë All-llahu xh.sh. Njashtu ato janë sprovë për ne në këtë botë dhe përgjegjësi për ditën e Llogarisë. Ata janë sytë tanë me të cilët shohim, mundi jonë për të cilin shpenzojmë kohë, energji dhe vullnet, shpresa jonë për një pleqëri të lumtur!
Hammad ibn Seleme transmeton prej Ebu Hurejres r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Me të vërtetë robit do t`i shtohen gradat dhe do të thotë: O Zoti im, prej nga kjo. Kjo është për shkak të kërkimit të faljes së fëmijës tënd pas vdekjes tënde." (hadithi gjendet në librin: Një Buqetë lulesh për fëmijët tuaj, Ibën Kajjim El Xhevzi , Shkup 2007 fq.19).
All-llahu xh.sh. përveç që na ka sprovuar me fëmijët tanë, Ai na ka mundësuar që përmes tyre të na shtohen edhe gradat tona pas vdekjes sonë. Por, a thua vallë a do na shtoheshin gradat tona pas vdekjes nëse fëmijët tanë nuk i edukojmë me Islam?
Shpesh herë pyetemi se ku qëndrojnë problemet e shumta në shoqërinë tonë ballkanase, pse kemi gjenerata të paedukuara me Islam, pse u shuajt nderi familjar, respekti i ndërsjellë etj... Ka shumë faktor që kanë ndikuar në këtë gjë, por kryesori normalisht është ai i edukimit të fëmijëve tanë me Islam. Por, ai edukim duhet të realizohet fillimisht nga vet ne pasi që Muhammedi a.s. na sqaron se fëmija edukohet 20 vite para lindjes së tij. Si edukohet 20 vite para lindjes? Për të edukuar një fëmijë të shëndosh me Islam së pari duhet që vet të edukohemi, të zgjedhim një grua besimtare e cila edhe ajo është e edukuar me Islam dhe pastaj ta edukojmë edhe fëmijën tonë në frymën Islame. Pra, procesi i edukimit është i vështirë, i rëndësishëm, i thjeshtë por njëkohësisht edhe mjaft kompleks.
Imam Shafiu r.a. pjesën më të madhe të jetës së tij në mësimin dhe ligjërimin e Islamit e ka kaluar në sqarime dhe mësime rreth edukatës dhe moralit islam, ndërsa shumë pak vite i kushtoi fikhut islam! Paramendoni këtë fakih të madh, njëri prej themeluesve të katër shkollave juridike, bazamente të mësimit të fesë, i kushtoi aq shumë rëndësi edukatës... Për edukatën dhe moralin është shkruar shumë në këto troje, por shumë pak është punuar në praktik. Duhet të ekzistojë në çdo pore të jetës sonë edukata islame si njëra prej shtyllave kryesore të depërtimit të mesazhit islam në zemrat e miliona njerëzve.
Si ummet ne nuk guxojmë që mesazhin islam të mos e përçojmë, hallka e parë e zinxhirit të përçimit të këtij mesazhi islam është familja jonë gjegjësisht fëmijët tanë. Po arritëm që të gjithë ne të ndërtojmë sheriatin në shtëpitë tona nuk do kemi nevojë ta kërkojmë sheriatin në nivel kolektiv, por ajo do bëhet ajri pa të cilin nuk mundemi të frymojmë.
Fëmijët tanë janë dhuratë e All-llahut xh.sh. për të cilën dhuratë duhet të falënderohemi.
Thotë All-llahu xh.sh. në Kur`an: "Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do. Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm." ( Esh-Shura:49-50)
Ky ajet kur`anor na qartëson bukur se All-llahu xh.sh. vendos me fatin tonë dhe të fëmijëve tanë dhe nuk guxojmë që për hir të komplekseve tona dhe traditave të mykta e jo të mira të mos bindemi me përcaktimin e All-llahut xh.sh. e kjo të reflektojë edhe në edukimin dhe mësimin që duhet t'i ja japim fëmijëve tanë. Fëmijët duhet t'i mësojmë me Islamin, të jetojnë me Islamin, të përballen me sprovat në jetë që do i prijnë dhe të bëhen edhe ato bartës ose përçues të mesazhit islam në rruzullin tokësor. Në vazhdim të tekstit do paraqes disa rregulla të pakualifikuara të cilat rregulla shpresoj që do të ndikojnë pozitivisht gjatë përvojave tona me fëmijët tanë.
a) Vendosi emër të bukur
Ebu Derda thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Me të vërtetë në Ditën e Gjykimit do të thirreni me emrat tuaj dhe me emrat e baballarëve tuaj, kështu vendosni emra të bukur." (libri i cituar: fq.102). Ky hadithë i Pejgamberit a.s. na qartëson se emrat e fëmijëve tanë duhet të vendosen të bukur dhe me kuptim të mirë. Në shumë hadithe tjera Pejgamberi a.s. preferon që të vendosen emra Pejgamberësh dhe cilësishë të përkulshmërisë së robërve të All-llahut ndaj All-llahut xh.sh. Emrat e bukur përveç që ndikojnë në identitetin e fëmijëve tanë na japin një stimuls, dëshirë dhe vullnet plus që fëmijët tanë t'i mësojmë dhe orientojmë drejtë atyre personaliteteve, ose personave të bekuar mbi baza të të cilëve i kemi emërtuar.
b) Respekto mendimin e tij
Realiteti jonë është shumë i hidhur sa i përket këtij segmenti. Ne jo që nuk respektojmë mendimet e fëmijëve tanë, por as që i përgatisim fëmijët tanë të mendojnë dhe të logjikojnë me kokën e tyre. Kjo gjë bie ndesh me traditat e Muhammedit a.s. dhe me Kur`ani Kerimin. Nga dashuria e madhe që kemi për to ne shpesh herë i neglizhojmë fëmijët tanë dhe nuk i nxisim për mendime kreative dhe të dobishme. Në rrethet ku po jetojmë do të dukej shumë qesharake që fëmija të jap mendim të vetin për një çështje të caktuar, kjo gjë mjerisht ka sjellë deri tek gjeneratat e ardhshme " tepricë teknologjike" studentësh të cilët janë edhe viti i katërt në fakultet ndërsa nuk dinë të bëjnë një analizë të thjeshtë të programimit linear. Të respektuarit e mendimit të fëmijëve tanë na hap dyert e thellimit dhe penetrimit të përbashkët me to në dijet fetare dhe në këtë mënyrë na lehtësohet barra e përçimit të mesazhit islam tek fëmijët tanë.
c) Angazhoje me punë të dobishme
Thotë All-llahu xh.sh. në Kur`an: "O ju që besuat , ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët." (Tahrim,6).
Fëmijët tanë duhet t'i angazhojmë me mësimin e Kur'anit, mësimin e gjuhëve të ndryshme, të matematikës, jetës së Pejgamberit a.s., kushteve të fesë, të haditheve të Pejgamberit a.s. Duhet të përpilojmë program ditor për fëmijët tanë edhe jashtë shkollave ose edukatorëve. Nëse fëmijët i angazhojmë kjo nuk d.t.th. që nuk i duam dhe që po i privojmë prej të drejtave të tyre për jetesë të mirë.
Kam lexuar në një vend që një mbret djalin e tij kishte dashur ta bëjë dijetar. Por, ky djali ishte rritur në pasuri dhe bollëk në oborrin mbretëror dhe nuk ishte mësuar me jetën e thjeshtë e modeste të një muslimani. E dërgon te një dijetar që ai dijetar të përkujdeset për të. Detyrën e parë që i cakton dijetari i nderuar djalit të këtij mbreti është që të dalë në rrugë dhe për një periudhë të caktuar të kërkojë lëmoshë e më pastaj të kthehet dhe të fillojë procesi i kërkimit të diturisë.
Ky shembull na mëson shumë gjëra të cilat duhet t'i jetësojmë edhe ne si prindër. Angazhimi i fëmijëve tanë me kërkimin e diturisë dhe punë të dobishme, jetësimi praktik i Islamit i fëmijëve tanë duhet të jetë prioriteti ynë. Për fëmijët tanë ne jemi shembulli më i mirë që e udhëheqë atë gjatë jetës, por mund të bëhemi edhe shembulli më i keq që e humbë në humnerat e kësaj dhe botës tjetër.
d) Ledhato fëmijën tënd
Bejhekiu përmend një hadith prej Ez-Zuhriut në të cilin thuhet se një njeri ishte ulur me Pejgamberin a.s., i erdhi djali i tij ndërsa ky e puthi dhe e mori në prehër. Pastaj erdhi vajza e tij dhe e uli afër vetes. Pejgamberi a.s. i tha: "Nuk je i drejtë ndaj tyre." (vepra e njëjtë: fq.195)
Fëmijët kanë nevojë për ledhatimin tonë ashtu siç kemi nevojë ne për to, por nuk duhet që të bëjmë dallim ndaj tyre dhe të bëhemi të padrejtë...
e) Përgaditë misionar musliman
Secila familje duhet ta ketë primare këtë kusht dhe t'i orientojë të gjitha forcat materiale, mentale dhe fizike drejtë realizimit të këtij qëllimi. Prindërit duhet t'i përgatisin fëmijët e tyre për sprovat që do i kaplojnë në të ardhmen. Ato, pra prindërit, fëmijët duhet t'i mësojnë që jetën e tyre ta jetojnë me qëllim dhe me mision të caktuar. Fëmijët tanë duhet të ushqehen dhe të frymojnë në këtë rrugë.
Dhe për fund të këtij teksti përmendim një thënie të Abdullah ibn Omerit r.a.: "Edukoje fëmijën tënd sepse je përgjegjës për të, për atë se si e ke edukuar dhe çka e ke mësuar, ndërsa fëmija është përgjegjës për nënshtrim ndaj Zotit dhe nënshtrim ndaj teje." (vepra e njëjtë: fq.192).
Hamdi NUHIJU
|