Me martesë në Islam nënkuptojmë bashkimin e një burri dhe një gruaje nëpërmjet një kontrate, nikahut. .[1]
Nuk janë veç burri dhe gruaja të cilët formojnë një çift; në Kur'an lidhja e një çifti shihet si një ligj universal. Në fakt, në një verset mund të lexojmë: Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit). [Edh Dharijat 51,49][2]
Pastaj akoma në një tjetër verset thuhet: I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë. [Ja-Sin 36,36]
Fjala shqipe "lloje", e përdorur në dy versetet e sipërcituar, përkthehet nga fjala arabe 'azwaxh, fjalë që në arabisht nënkupton një çift. Ky term nuk i referohet vetëm çiftit 'burrë-grua'. Sipas ajetit të parë të gjithë krijesat janë në çifte, si dita dhe nata, qielli dhe toka, e në veçanti bimët dhe kafshët. Pastaj- siç na sugjeron ajeti i dytë i sipërpërmendur- Zoti "nga vet ata", dmth nga vet lloji i tyre krijoi burrin dhe gruan. Çdo çift nëse është i ndarë, që të plotësohet kërkon unitetin e tij. Në të njëjtën mënyrë burri dhe gruaja kanë prirje njëri ndaj tjetrit: Zoti në zemrën e burrit ka vendosur dashurinë ndaj gruas e në zemrën e gruas dashurinë ndaj burrit. Kjo nevojë në islam përmbushet me bashkimin e të dyve, dmth me martesën, e cila bëhet e lejueshme nëpërmjet nikahut. Edhe pse termi 'azuaxh nuk ka kuptimin e shprehur qartë të martesës, sidoqoftë është një shprehje fondamentale që definon marrëdhëniet e një çifti; zauxh në arabisht është një term shumë i përdorur për të definuar martesën. Ndërsa nikahu është kontrata që rregullon rendin shoqërorë, pra martesa, me kuptimin e nikahut bënë të mundshme që të njihet babai, vëllezërit, motrat; prandaj është një element i nevojshëm nëse duam të jetojmë në një shoqëri stabile dhe pa trazira.
Nga definicioni i martesës si kontratë kuptojmë një nga arsyet primare të martesës, dmth mundësia e të plotësuarit e nevojave fizike dhe psikologjike në mënyrë të lejuar për shkak të nevojës së një rregulli shoqërorë. Por kjo nuk është e vetmja dhe e arsyeja e vërtetë e martesës. Në fakt, sipas Kur'anit, rëndësi primare ka paqja shpirtërore dhe qetësia që arrihet përmes martesës. Në ajetin që vijon shihet një nga shenjat e Zotit: Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. [Er-Rrum 30,21]
Ky verset na jep një ide se si duhet të jenë relacionet e një çifti në brendi të martesës dhe cilat janë objektivat që duhet arritur në bashkimin e dy personave. Që të kuptojmë kuptimin e thellë të këtij ajeti është mirë që të analizojmë çdo hap. "Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është": kjo shprehje, që përsëritet në të njëjtën sure[3], gjendet edhe te ajeti 20: Nga faktet (e fuqisë) e Tij është edhe ajo, se Ai ju krijoi prej dheu, e mandej ju (u zhvilluat në) njerëz që veproni të shpërndarë.
Ky verset na thirr që të mendojmë rreth njeriut dhe gjithë njerëzve duke u mahnitur nga madhështia e Zotit: nga dheu Zoti krijon njerëzimin që shpërndahet nëpër tokë. Pastaj, nëse shikojmë njeriun dhe çiftin, është e mundshme të shohim një shenjë të krijimit. Bile është e mundshme të rishikojmë të gjithë historinë humane duke u nisur nga "Ademi që Zoti e krijoi nga dheu"(El-Imran 3,59).
Ashtu sikurse krijimi i Ademit nga dheu është një shenjë që tregon madhësinë dhe fuqinë e Zotit, në të njëjtën mënyrë krijimi i të gjithë njerëzve- gjithashtu nga dheu siç sugjeron ajeti 20- është një shenjë, një nga shenjat e Tij. Pra edhe krijimi i çiftit - që në ajetin 21 të sures Er-Rrum përkthet si "palë" dhe me të cilin shpesh nënkuptohet gruaja, në realitet dmth edhe burrë - është një ndër shenjat e Zotit, është dëshira e Tij sepse ai kujdeset për çiftin duke ngjallë ndenja më të bukura ne mes tyre.
"Faktet" është fjala që përkthehet nga arabishtja ajjatun. Ky emër në Kur'an nënkupton versetet; por, gjithmonë në Kur'an, rrënja e fjalës ajjat, që përsëritet shumë shpesh, merr edhe tjera kuptime si fjalë, shenjë, model, mrekulli, etj. Është shumë e rëndësishme prandaj të vërejmë sesi dashuria e një çifti është një shenjë- gati një fjalë apo mrekulli- e Zotit. Verseti vijon: "...që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë)". Kjo dmth se burri dhe gruaja kanë të njëjtën origjinë që buron nga Ademi; që të dy pra janë krijuar nga një person i vetëm, nga i cili Zoti pastaj krijoi gruan. Në fakt, në një tjetër verset të ngjashëm me këtë thuhet: Ai (All-llahu) është Ai që ju krijoi prej një vete, e prej saj, krijoi palën e saj për t'u qetësuar pranë saj. [El-A'raf 7,189]
Ky verset i drejtohet Hauasë që, sipas traditës, qe krijuar nga brinja e Ademit, pra nga vet ai përveçse nga lloji i tij. Për këtë arsye burri duhet ta dua atë, ta mbrojë dhe të jetë i mëshirshëm ndaj saj sikur do të ishte për veten, në fjalë tjera të jetë i gatshëm që të ndaj momentet vuajtjëse dhe t'i ndihmojë në situata të tilla. Këtu është koha për tu kthyer te fjala zauxh. Në fakt, zauxh (që zakonisht përkthehet si lloj, çift) nënvizon akoma më shumë origjinën e përbashkët të burrit dhe gruas. Po, pasi- siç kemi pasur mundësi të shohim- do me thënë bashkëshort (shokë) apo edhe bashkëshorte (shoqe) pa bërë dallime.[4]Ky hap i Kuranit gati na sugjeron se burri dhe gruaja janë 'ndarë' e tashti, nëpërmjet martesës, ribashkohen duke gjetur kështu unitetin e tyre të mëparshëm dhe kështu plotësohen.
Ky plotësim qartësohet nga vijimi i versetit tonë: "ashtu që të gjeni prehje te ato". Folja të gjesh prehje përkthehet nga arabishtja tassakunu, që dmth qetësi, paqe, të ndjehesh rehat, të kesh besim në ndonjë. Uniteti i çiftit këtu synon prehjen dhe kënaqësinë reciproke. Në suren e dytë të Kur'anit lexojmë: ...ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. [El-Bekare 2,187]
Sipas Tabariut, një ekzegjet i madh i Kur'anit, kjo shprehje ka dy kuptime sepse prehje, në arabisht libas, mund të ketë kuptimin e një petku por mund të thotë edhe vendstrehim çlodhjeje e qetësie.[5]Kur libas merr kuptimin e petkut, në mënyrë metaforike nënkupton trupat që kur një çift ka marrëdhënie intime janë aq afër saqë në një far mënyre njëri mbulon tjetrin. Thënë shkurt: shpallja e këtij verseti lejon marrëdhëniet seksuale mes një çifti edhe gjatë netëve të muajit të Ramazanit; e kjo shpallje ishte e rëndësishme, sidomos në vitet e para të Islamit kur kishte një traditë që ndalonte relacionet seksuale dhe ngrënien gjatë natës, pas namazit të fundit, isha'-së. Por neve na intereson më së shumti kuptimi i dytë i fjalës libas që është prehje. Burri dhe gruja janë prehje për njëri tjetrin sepse secili prej tyre është vendstrehim çlodhjeje për tjetrin e mund të gjej qetësi dhe prehje në tjetrin. Qetësia reciproke: ja pra sesi Kur'ani shpjegon rëndësinë e qetësimit dhe paqes së një çifti.
Kjo qetësi duhet të shoqërohet nga dy ndenja të rëndësishme: dashuria (mauadda) dhe mëshira (rahma). Në të vërtet verseti jonë vazhdon: "dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë". Mauadda dmth dashuri intensive, t'ia duash të mirën dikuj, të dëshirosh, shoqëri, simpati; pastaj është edhe një nga atributet e Zotit, Zoti është El Uadud, dmth Dashuria e pafund. Sa i përket termit të dytë, dmth rahma, nënkupton mëshirën. Të njëjtën rrënjë e gjejmë edhe te një ndër emrat e Zotit, një ndër më të cituarit në Kur'an: Er-Rahman, Mëshiruesi. Rahma rrjedh nga rrënja rhm dhe po e njëjta rrënjë tregon edhe mitrën e gruasë.[6]Shprehje shumë të rëndësishme dhe domethënëse këta të fundit: dashuri dhe mëshirë sepse duan të na bëjnë me dije për rëndësinë e dashurisë në mes një çifti. Këtu luan rol një dashuri që reflekton dashurinë e Zotin ndaj krijesave të Tij: ajo dashuri që na përkujton atributi i Tij El Uadud dhe, respektivisht, atributi tjetër Er-Rahman. Kur'ani pra sugjeron një dashuri 'amtare' në një çift, një dashuri që na përkujton, e në një far mënyre, na bën me dije për atë që ekziston në mes Zoti dhe njerëzve.
Pra, pikërisht këto shprehje kaq të rëndësishme, të një thellësie të madhe, duhet konsideruar si principet fondamentale të një martese. Nëse duam të kemi një jetë të lumtur dhe një martesë që zgjat përgjithmonë, nuk mund mos marrim parasysh këto kushte. Burri dhe gruaja duhet të shkrihen si një unitet duke ndarë ndjenjat e tyre, duke pasur mëshirë njëri ndaj tjetrit sikurse që Zoti ka mëshirë ndaj krijesave. Veç nëse kanë besim në njëri tjetrin e duke pasur këto ndjenja mund të luftojnë aspektet negative që mund të lindin gjatë jetës së tyre bashkëshortore.
Verseti i sures Bizantinët (Er-Rum) përfundon me: "Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë". Zoti këtu ua tërhek vërejtjen lexuesëve: ky verset (ajjat), që flet për një shenjë (ajjat) të Zotit- pra për një shenjë që gjindet brenda një tjetër shenje- nuk duhet të lexohet në mënyrë sipërfaqësore. Ai duhet të kuptohet, duhet të bëj që të reflektojmë, të mendojmë dhe të logjikojmë, sidomos duhet të zbatohet. Duke bërë një sintezë mund të themi që verseti 21 i sures së Bizantinëve është një mësim për sesi duhet të jenë marrëdhëniet mes burrit dhe gruas në martesë. Bëhet fjalë për një objektiv fondamental që duhet arritur nëse duam të formojmë familje. Të jesh mirënjohës ndaj tjetrit, të shprehësh ndjenjat pozitive si dashuria dhe mëshira, ndjenja që shpesh lihen anash nga njerëzit sepse nuk reflektojnë, por veç mendojnë të përmbushin nevojat e tyre.
Bibliografia
Y. Ali, The Meanings Of The Holy Qur'an: http://www.islam101.com/quran/yusufAli/
KURAN-i, përktheu dhe komentoi H. Sh. Ahmeti.
P. Kh. DAL MONTE, La sessualita nell'Islam, su: http://www.islam-online.it/donne.htm
L. Declich, Il matrimonio (nik_a.h): http://www.islamistica.com/lorenzo_declich/ambivalenza_linguistica_arabo.html
Tefsiri i Ibn Kathirit: http://www.tafsir.com/
Y. Al-Qaradawi, The Philosophy of Marriage in Islam: http://www.islamonline.net/servlet/Satellite?pagename=IslamOnline-English-Ask_Scholar/FatwaE/FatwaE&cid=1119503543574
Tabarî. Commentaire du Coran. Abrégé, traduit et annoté par P. Godé, Vol. 2, Editions d'Art Les Heures Claires, Paris, 1984.
Pjesë e punimit të maturës, Rexhije Ameti, Uno sguardo sulle relazioni tra uomo e donna nel Corano e nella Bibbia, a partire dalle rispettive societa, Locarno, 2008. [1] Nga një artikull i L. Declich, Il matrimonio (nik_a.h): http://www.islamistica.com/lorenzo_declich/ambivalenza_linguistica_arabo.html [2] KURAN-i, përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti. [3] Ne fakt përsëritet në këto ajete: 22.23.24.25.46 [4] Është e rëndësishme të nënvizojmë faktin që përkthimet nuk mund të respektojnë gjuhën orgjinale arabe, prandaj shpesh përkthimi është edhe një interpretim. Kështu që ky verset sipas disave mund të duket pak si i njëanshëm, por në realitet nuk është aspak. Reciprociteti i këtij verseti shihet qartë në një përkthim të Kur'anit në gjuhën angleze. Yusuf Ali, në përkthimin e tij The Meanings Of The Holy Qur'an, përkthen kështu ajetin 21 të sures Er-Rum: "And among His Signs is this, that He created for you mates from among yourselves, that ye may dwell in tranquillity with them, and He has put love and mercy between your (hearts): verily in that are Signs for those who reflect". (Marrur nga: http://www.islam101.com/quran/yusufAli/). [5] Shih Tabarî. Commentaire du Coran. Abrégé, traduit et annoté par P. Godé, Vol. 2, Editions d'Art Les Heures Claires, Paris, 1984, p. 252. [6] Më gjerësisht shih artikullin e P. Kh. Dal Monte, La sessualita nell'Islam, su: http://www.islam-online.it/donne.htm.
Shkruan: Rexhije AMETI
|