E diel, 22/12/2024, 20:40
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Krijimi i njeriut [17]
Krijimi i gjithësisë [27]
Krijesa të mrekullueshme [18]
Mjeshtëria e Allahut në ngjyra [11]
Tema tjera shkencore [74]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Kurani dhe shkenca » Krijimi i gjithësisë

TË MENDOSH THELLË NE KRIJIMIN E ALL-LLAHUT.

TË MENDOSH THELLË

Shumica e njerëzve kujtojnë se për të "menduar thellë", njeriu duhet ta fusë kokën midis dy duarve, të mbyllet në një dhomë dhe të shkëputet nga të gjitha shqetësimet dhe njerëzit përreth. Ata e vlerësojnë kështu "të menduarit e thellë", sepse ai u duket shumë i vështirë, ndaj dhe arrijnë në përfundimin se ai është një cilësi e veçantë, që u përket vetëm "filozofëve".

Megjithatë, siç kemi vënë në dukje në hyrjen e këtij libri, Allahu u bën thirrje të gjithë njerëzve që të mendojnë dhe shprehet se Ai e ka shpallur Kuranin për njerëzit që mendojnë:

"Ky është një Libër i begatë, që Ne ta shpallëm ty, me qëllim që njerëzit me mendje të shëndoshë të reflektojnë rreth argumenteve të tij dhe të marrin mësim prej tij." (Sad 29)

E rëndësishme për njeriun është të përmirësojë në mënyrë të sinqertë aftësinë e tij për të menduar dhe të thellohet në këtë drejtim.

Por, nga ana tjetër, njerëzit që nuk shqetësohen për përfundimin e tyre, vazhdojnë jetën në një "shkujdesje" të thellë. Fjala "shkujdesje" ka domethëniet e saj plotësuese, si: "moskokëçarje e vazhdueshme, braktisje, mospërfillje, mosvrasje e mendjes". Shkujdesja e atyre që nuk mendojnë, është pasojë e harresës apo e lënies pas dore me vetëdije e qëllimit të krijimit dhe të vërtetave që na mëson feja, por ky është një drejtim shumë i rrezikshëm, që mund t'i çojë ata në Zjarr. Për këtë arsye, Allahu i ka lajmëruar njerëzit që të mos jenë të shkujdesur:

"Përmende Allahun tënd në vete, me respekt e me frikë, pa e ngritur zërin, në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj prej atyre që janë të pakujdesshëm." (El A'raf: 205)

"Tërhiqu atyre vërejtjen për ditën e dëshpërimit (Ditën e Kijametit), kur të marrë fund çështja, ndërsa ata jetojnë në këtë botë me mospërfillje duke mos besuar." (Merjem 39)

Në Kuran, Allahu u drejtohet atyre njerëzve të cilët mendojnë dhe, pasi reflektojnë me vetëdije, e shohin të vërtetën dhe i frikësohen Atij. Atje shpallet se ata që ndjekin verbërisht të parët e tyre, pa u menduar dhe pa i peshuar gjërat, gabohen rëndë. Kur pyeten, këta njerëz shprehen se janë besimtarë dhe besojnë te Zoti, por duke qenë se nuk mendojnë, ata nuk e përmirësojnë qëndrimin e tyre për frikën ndaj Zotit. Në vargjet e mëposhtme kuranore, mentaliteti i këtyre njerëzve është përshkruar qartë:

"Thuaj: "E kujt është toka dhe çdo gjë në të, nëse jeni prej atyre që e dinë?" Ata do të thonë: "E Allahut." Atëherë thuaju: "Përse pra nuk mendoni?" Thuaj: "Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit të madh?" Ata do të thonë: "Allahu." Thuaju: "E pse nuk frikësoheni pra?" Thuaj: "Në dorën e kujt është pushteti i çdo sendi... ...nëse jeni nga ata që e dinë?" Ata do të thonë: "Në dorë të Allahut!" Thuaj: "E si mashtroheni pra?" Por jo, Ne ua sollëm atyre të vërtetën e, megjithatë, ata jetojnë me gënjeshtra (duke adhuruar idhuj)." (El- Mu'minun 84-90)

 

Të menduarit largon "magjepsjen" nga njerëzit

Në ajetin e lartpërmendur, Allahu i pyet njerëzit, "E si mashtroheni pra?" Fjala "mashtroheni" në ajet përfshin një gjendje mendore topitëse që e pushton njeriun tërësisht. Mendja e atij që nuk mendon është e topitur, vështrimi i tij mjegullohet, ai vepron sikur nuk i sheh faktet që shpalosen para syve dhe aftësia e tij e gjykimit dobësohet. Ai bëhet i paaftë për të kuptuar qoftë edhe një të vërtetë të thjeshtë dhe nuk mund të jetë plotësisht i vetëdijshëm për ngjarjet e jashtëzakonshme, që ndodhin pikërisht pranë tij. Ai nuk i vë re detajet e ndërlikuara të ngjarjeve. Arsyeja përse njerëzit janë të shkujdesur gjatë jetës së tyre që prej mijëra vitesh dhe përse qëndrojnë larg nga të menduarit, duket sikur është një dukuri e trashëguar, por, në të vërtetë, kjo nuk është tjetër, veçse një topitje e mendjes.

Ne mund ta shpjegojmë një prej pasojave të kësaj "magjepsjeje kolektive" me një shembull:

Nën koren e tokës ndodhet një "shtresë e zjarrtë", e quajtur magmë. Korja e tokës është shumë e hollë, që do të thotë se kjo masë e zjarrtë është shumë pranë nesh, pothuajse nën këmbët tona. Me qëllim që të kuptojmë më mirë se sa e hollë është korja e tokës, mund të bëjmë një krahasim: trashësia e kores së tokës në përpjestim me të gjithë tokën, është e ngjashme me trashësinë e lëkurës së mollës kundrejt gjithë mollës.


Siç mund te shihet edhe në foto, poshtë kores së tokës shtrihet shtresa e magmës. Si rezultat i levizjeve të shtresave nënsipërfaqësore, magma depërton nëpër koren e tokës, duke shkaktuar shpërthimet vullkanike. Llava që vërshen prej vullkanit të Etnës, në Itali, i cili shpërtheu në vitin 1992, duket si një "lum i zjarrtë". (poshtë)

Shumë njerëz e dinë se ekziston një shtresë e zjarrtë me temperaturë shumë të lartë, pikërisht nën sipërfaqen e tokës, por kjo nuk i bën ata të mendojnë sa duhet për këtë. Kjo ndodh, sepse prindërit e tyre, vëllezërit, të afërmit, shokët, fqinjët, gazetarët e gazetave që ata lexojnë, producentët e programeve televizive dhe profesorët e universiteteve të tyre, gjithashtu, nuk mendojnë për këtë.

Por, le të përpiqemi të mendojmë pak rreth kësaj teme. Ta zemë se një njeri, që ka humbur kujtesën e tij, përpiqet të mësojë për mjedisin që e rrethon, duke pyetur njerëzit që ka përqark. Ky njeri do të pyeste në fillim se ku ndodhet. Çfarë do të mendonte ai, nëse do t'i thuhej se nën shtresën e tokës, ku ai qëndron, shtrihet një lëmsh i zjarrtë përvëlues, që mund të dalë në sipërfaqe të tokës si pasojë e një tërmeti të fortë apo një shpërthimi vullkanik?

Le të shkojmë më tej dhe të supozojmë, se këtij njeriu do t'i thuhej se kjo botë është vetëm një planet i vogël, që noton në një zbrazëtirë të pafund, të quajtur hapësirë dhe se kjo hapësirë përmban rreziqe edhe më të mëdha se ato të nënshtresave të tokës. P.sh., meteorët me peshë shumëtonëshe lëvizin lirisht rreth planetit ku ne jetojmë. Nuk ka arsye pse ata të mos ndryshojnë drejtimin e tyre, për shkak të ndikimeve gravitacionale të një planeti tjetër dhe, kështu, të përplasen me tokën tonë.

Pa dyshim, ky njeri nuk do të ishte në gjendje të harronte, qoftë edhe për një çast, situatën e rrezikshme, në të cilën ndodhet. Ai do të çuditej, kur të shikonte, se si njerëzit jetojnë në një mjedis të tillë, tek i cili ata mbahen fort, si pas një fijeje floku.

Por, më në fund, ai do të kuptonte se në këtë botë ekziston një rregull i përsosur. Pjesa e brendshme e planetit, në të cilin ai jeton, paraqet një rrezik të madh, por ekuilibra shumë të ndjeshëm i parandalojnë këto rreziqe, që mund të dëmtojnë njerëzit, me përjashtim të rrethanave të pazakonta. Njeriu që ndërgjegjësohet, e kupton se toka dhe të gjitha krijesat në të, vazhdojnë të ekzistojnë e jetojnë në siguri, vetëm me vullnetin e Allahut, në saje të ekuilibrit të përsosur që ka krijuar Ai.

Ky shembull është vetëm një nga miliona apo miliarda shembuj të tjerë, mbi të cilët njerëzit duhet të mendojnë.

Le të japim një shembull tjetër, që do të na ndihmonte të kuptojmë, se si ndikon shkujdesja në aftësinë e të menduarit të njerëzve dhe se si e pengon ajo aftësinë e tyre intelektuale.


Një turmë kaq e madhe njerëzish e bën njeriun të reflektojë rreth krijimit unik e madhështor të Allahut. Që nga momenti që bota erdhi në ekzistencë, Allahu ka krijuar miliarda fytyra njerëzish, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra.

Njerëzit e dinë se jeta e kësaj bote do të mbarojë shumë shpejt, por ata ende sillen sikur nuk do ta lenë asnjëherë këtë botë. Ata jetojnë sikur nuk do të ketë vdekje kurrë. Në të vërtetë, kjo është një lloj "magjepsjeje" e bartur brez pas brezi. Ajo ka një ndikim kaq të fortë, saqë kur dikush bisedon për vdekjen, njerëzit menjëherë e mbyllin këtë temë, nga frika se mos prishin "magjepsjen" e tyre dhe nga frika e përballjes me të vërtetën. Njerëzit që e kanë kaluar të gjithë jetën duke pasur si qëllim kryesor vetëm blerjen e një shtëpie të bukur dhe një automobili, si dhe sigurimin e një shkolle të mirë për fëmijët e tyre, nuk dëshirojnë të mendojnë, se një ditë do të vdesin dhe se nuk do të jenë në gjendje të marrin me vete makinat, shtëpitë apo fëmijët e tyre. Si rrjedhim, në vend që të fillojnë të bëjnë diçka për jetën e vërtetë pas vdekjes, ata nuk mendojnë për këtë.

Megjithatë, secili, shpejt a vonë, do të vdesë. Pas vdekjes, jeta e përhershme do të fillojë për të gjithë. Nëse kjo jetë e përhershme do të kalohet në Xhenet ose në Zjarr, kjo varet nga ajo që njeriu ka bërë gjatë jetës së tij të shkurtër në këtë botë. Ndërkohë që kjo është e vërteta e qartë, arsyeja e vetme pse njerëzit sillen sikur vdekja nuk ekziston, është pikërisht kjo "magjepsje", që i ka pushtuar, për shkak të mosmenduarit.

Ata që nuk janë në gjendje ta çlirojnë veten nga kjo "magjepsje" dhe, si rrjedhim, nga një gjendje e tillë shkujdesjeje, pas vdekjes, do ta kuptojnë menjëherë gabimin e tyre. Rreth këtij fakti, në Kuran thuhet:

"Atij i thuhet: Ti nuk e përfillje këtë ditë dhe Ne ta hoqëm perden tënde, ndaj tani shikimi yt është shumë i mprehtë." (Kaf 22)

Siç thuhet në këtë ajet, vështrimi, i cili dikur ka qenë i mjegulluar për shkak të mungesës së të menduarit, do të jetë "i mprehtë" në kohën, kur njeriu do të japë llogari në jetën pas vdekjes.

Duhet të vemë në dukje, se njerëzit ia imponojnë me qëllim vetes një "magjepsje" të tillë. Ata mendojnë se, duke vepruar kështu, do të jetojnë një jetë më të qetë. Sidoqoftë, është shumë e lehtë për këdo, që të marrë një vendim për ta shkundur këtë topitje mendore dhe të fillojë të jetojë me vetëdije të plotë.

Allahu ka paraqitur zgjidhjen për njerëzimin. Njerëzit që mendojnë, mund ta largojnë këtë "magjepsje", duke qenë ende në këtë botë. Kështu, ata do të fillojnë të kuptojnë, se të gjitha ngjarjet kanë një qëllim dhe një kuptim të brendshëm dhe do të jenë në gjendje të shohin urtësinë në ngjarjet që Allahu bën të ndodhin në çdo çast.

 

Njeriu mund të mendojë kurdo dhe kudo

Nuk ka kohë, vende apo kushte të përcaktuara për t'u menduar. Dikush mund të mendojë duke ecur në rrugë, duke shkuar për në zyrë, duke ngarë makinën, duke punuar në kompjuter, duke qenë në një mbledhje, duke ndjekur televizionin apo duke ngrënë…

Kështu, ndërsa është duke ngarë makinën, njeriu ka mundësi të shohë qindra njerëz të ndryshëm; duke i parë ata, ai mund të mendojë për gjëra nga më të ndryshmet. Atij mund t'i vijë në mendje, se pamja fizike e këtyre qindra njerëzve është krejt e ndryshme. Asnjë nga këta nuk ngjason me tjetrin. Është e habitshme, sepse megjithëse kanë organe të ngjashme siç janë, sytë, vetullat, qerpikët, duart, krahët, këmbët, goja apo hunda, përsëri ata duken kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po të mendojë më shumë për këtë, njeriu sjell ndërmend se:

Allahu ka krijuar miliarda njerëz prej mijëra vitesh, të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo, pa dyshim, është një dëshmi e qartë e fuqisë dhe epërsisë të Tij.

Kur sheh të gjithë këta njerëz që nxitojnë, njeriut mund t'i vijnë shumë mendime të ndryshme. Në vështrimin e parë, secili nga këta njerëz duket si një individ "i dallueshëm" nga të tjerët. Secili prej tyre ka botën, dëshirat, planet, shijet, mënyrën e tij të jetesës dhe çështje që e bëjnë të lumtur ose të trishtuar, por këto ndryshime janë çorientuese. Në përgjithësi, çdo qenie njerëzore lind, rritet, shkon në shkollë, kërkon një punë, punon, martohet, bëhet me fëmijë, i dërgon fëmijët në shkollë e këta të fundit martohen dhe ai plaket, bëhet gjysh ose gjyshe dhe më në fund largohet nga kjo jetë.

Nga ky këndvështrim, nuk ka ndryshime të mëdha midis jetës së njerëzve. Nëse dikush jeton në afërsi të Stambollit apo në një qytet të Meksikës, kjo nuk ndryshon asgjë. Të gjithë këta njerëz do të vdesin një ditë. Njeriu që i kupton të gjitha këto, mendon dhe pyet veten: "Duke qenë se të gjithë ne do të vdesim një ditë, pse njerëzit veprojnë sikur nuk do të largohen kurrë nga kjo botë? Nëse një njeri, vdekja e të cilit është e sigurtë, duhet të përpiqet për jetën e tij pas vdekjes, atëherë përse pothuaj të gjithë njerëzit sillen sikur jeta e tyre në këtë botë nuk do të marrë fund kurrë?!"

Një njeri i tillë mendon dhe nga këto mendime arrin në një përfundim vendimtar.

Një pjesë e madhe e njerëzve nuk mendojnë për këtë çështje. Nëse pyeten papritur, "çfarë po mendon në këtë çast?", do të shihni se ata mendojnë për gjëra krejt të panevojshme, prej të cilave nuk kanë ndonjë dobi. Sidoqoftë, njeriu është në gjendje të mendojë për çështje "domethënëse", "të mençura" dhe "të rëndësishme" në çdo çast, që nga koha kur ai zgjohet, deri kur fle dhe të nxjerrë përfundime nga ato që mendon. Në Kuran, Allahu na njofton, se besimtarët reflektojnë dhe nxjerrin përfundime të dobishme, në të gjitha rrethanat:

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe tokës, në ndërrimin e ditës dhe të natës, ka argumente për njerëzit me mendje të shëndoshë, të cilët e përmendin Allahu me përkushtim, kur janë në këmbë, kur janë ulur e kur janë të shtrirë dhe mendojnë rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): "Zoti ynë, të gjitha këto nuk i krijove kot. I lartësuar je Ti! Ruajna prej dënimit të Zjarrit!" (Ali Imran 190-191)

Siç kuptohet edhe nga ky varg kuranor, besimtarët janë njerëz që mendojnë, prandaj ata janë në gjendje të shohin mrekullinë e krijimit dhe të kuptojnë e lëvdojnë fuqinë, njohurinë dhe urtësinë e Allahut.

 

Të mendosh sinqerisht duke iu drejtuar Allahut

Me qëllim që njeriu të arrijë përfundime të drejta, ai duhet të mendojë gjithmonë pozitivisht. P.sh. një njeri, i cili sheh dikë shumë më të bukur se veten, mund të ndiehet inferior, për shkak të pakënaqësisë nga paraqitja e vet fizike dhe, kur kujton bukurinë e të tjerëve, bëhet ziliqar. Ky është një mendim, të cilin Allahu nuk e miraton. Një njeri, që ka për qëllim të fitojë kënaqësinë e Allahut, e vlerëson bukurinë e të tjerëve si një shfaqje të krijimit të përsosur hyjnor. Kur ai e sheh këtë njeri, si një bukuri të krijuar nga Allahu, fiton kënaqësi të madhe. Ai kërkon prej Tij, që t'ia shtojë bukurinë këtij njeriu në jetën pas vdekjes. Sa për vete, ai, gjithashtu, i kërkon Allahut të bukurën e vërtetë dhe të përjetshme në jetën pas vdekjes. Ai e kupton, se njeriu nuk mund të jetë kurrë i përsosur në këtë botë, sepse kjo botë është krijuar e papërsosur, si pjesë e sprovës. Dëshira e tij për të hyrë në Xhenet rritet. Kjo është pa dyshim një nga shembujt e të menduarit të sinqertë. Gjatë gjithë jetës, njeriu ndeshet me shumë raste të tilla.

Suksesi i njeriut në këtë sprovë dhe mirësitë që do të fitojë në jetën tjetër, varen nga mësimet që nxjerr rreth gjërave mbi të cilat ka reflektuar, ndaj është e domosdoshme që njeriu të mendojë vazhdimisht me sinqeritet. Në Kuran thuhet:

"Allahu ju tregon argumentet e Veta dhe ju sjell furnizim prej qiellit (shiun), por përveç atyre që kthehen te Allahu, të tjerët nuk marrin mësim." (Gafir 13)

Kategori: Krijimi i gjithësisë | Shtuar nga: shpend-xhelili (15/09/2009)
Klikime: 1050 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024