Rregulli në Qiej
...Mbas materies fshihet diçka tjetër që në një mënyrë e kontrollon atë. Dhe kjo, mund të thuhet se është njëlloj argumenti i ekzistencës matematikore të një krijuesi.
Gai Marçi, shkrimtar shkencor amerikan 44
Gjatë natës së 4 korrikut 1054, astronomët e perandorisë kineze vëzhguan se në qiell ngjau diçka shumë interesante. Në afërsi të shenjës zodiakale të Demit u shfaq papritmas një yll shumë i shndritshëm. Ylli ishte aq i shndritshëm saqë drita e tij mund të vërehej edhe gjatë ditës ndërsa natën ndriçonte edhe më tepër se Hëna.
Astronomët kinezë e vëzhguan dhe e regjistruan këtë fenomen, i cili është më interesanti ndër fenomenet astronomikë. Ai ishte një supernovë.
Supernova është një term, i cili përdoret kur një yll shpërbëhet nga një shpërthim i fuqishëm. Një yll gjigand, me anë të një shpërthimi të frikshëm asgjëson vetveten dhe po me një shpejtësi tmerrësisht të madhe përhapet në hapësirë. Drita, e cila rrezatohet nga ky shpërthim është mijëra herë më e fortë se drita e tyre normale.
Astronomët mendojnë se supernovat luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e universit. Këto shpërthime sipas hamendjes së tyre ndihmojnë në transportimin e materieve në pika të ndryshme të universit. Mbetjet e një ylli, të cilat shpërndahen nga shpërthimi supozohet se mblidhen në një skaj të universit nga ku formojnë përsëri yje apo sisteme yjorë. Sipas këtij supozimi Dielli, planetet në Sistemin Diellor dhe padyshim edhe Toka jonë janë shfaqur shumë kohë më parë si përfundim i një shpërthimi të një supernove.
Shpërthimet e supernovave venë në lëvizje të gjithë materien në hapësirën e universit. Interesante është se largësitë në univers janë të përcaktuara në atë mënyrë që të mos ndikohen nga këto shpërthime. |
Interesante është se me shikim të parë, shpërthimi i supernovës qëndron si një fenomen i thjeshtë fizik por që në të vërtetë është i mbështetur në disa ekuilibre tepër delikatë. Këtë gjë Majkëll Denton në librin "Nature's Destiny (Fati i Natyrës)" e përshkruan kështu:
"Largësitë midis supernovave dhe faktikisht midis të gjithë yjeve janë shumë kritike. Në galaktikën tonë largësitë midis yjeve janë përafërsisht 30 milion milje. Në qoftë se kjo largësi do të ishte pak më e vogël do të sillte një destabilizim në orbitën e planeteve. E nëse do të ishte pak më e madhe, materia e shpërndarë nga një supernovë do të ishte aq e çrregullt sa që me shumë mundësi sisteme planetarë që i ngjajnë tonit nuk do të formoheshin kurrë. Që universi të jetë një vend i përshtatshëm për jetë, shpërthimet e supernovave duhet të realizohen në një raport shumë preçiz dhe me këto shpërthime distanca midis të gjithë yjeve duhet të jetë në një largësi po aq preçize.45
Raportet e supernovave dhe distancat e yjeve faktikisht janë vetëm dy veçori të vogla brenda këtij rregulli të madh të universit. Nëse do ta studionim pak më me imtësi universin do të shikonim një rregull të jashtëzakonshëm.
Përse ekzistojnë hapësirat e mëdha?
Le të kujtojmë shkurtimisht atë që shpjeguam në kapitujt e mëparshëm: Universi, i cili u shfaq pas Big Bengut ishte një masë gazi e përbërë vetëm nga hidrogjeni e heliumi dhe më pas kjo masë e gaztë me anë të reaksioneve bërthamore të projektuara qëllimisht formuan elemente më të rëndë. Por për kthimin e universit në një ambient të përshtatshëm për jetë, nuk mjaftonte vetëm ekzistenca e këtyre elementeve të rëndë. Një pikë e rëndësishme këtu është edhe forma e rregulli që do të merrte universi.
Fillimisht le të shohim se sa i madh është universi.
Siç e dimë planeti Tokë është një pjesë e Sistemit Diellor. Ky sistem formohet nga nëntë planete, të cilët sillen rrotull Diellit së bashku me 54 satelitë të tyre. Toka është planeti i tretë afër Diellit.
Fillimisht le të konceptojmë madhësinë e këtij sistemi. Diametri i Diellit është 103 herë më i madh se diametri i Tokës. Le ta shtjellojmë këtë me një krahasim: Nëse diametrin e Tokës prej 12.200 kilometra do ta sillnim në madhësinë e një zari të vogël qelqi, Dielli do të merrte një përmasë më të madhe se një glob, sa dy topa futbolli. Interesante është edhe largësia mes tyre për të formuar një model të njëjtë me dimensionet reale, largësia e zarit të vogël prej qelqi nga globi duhet të jetë 280 metra. Ndërsa ato planete orbita e të cilëve është më larg Diellit, duhet t'i vendosim me kilometra larg.
Ky dimension kaq gjigand i Sistemit Diellor qëndron shumë modest në raport me galaktikën "Rruga e Qumështit" ku ndodhet. Sepse në galaktikën "Rruga e Qumështit" ekzistojnë rreth 250 miliard yje në madhësinë e Diellit apo më të mëdhenj se ai. Ylli më i afërt me Diellin është Alfa Centauri. Nëse do ta përshtasim edhe Alfa Centaurin me maketin që vendosëm Tokën dhe Diellin atë do të na duhet ta vendosim diku rreth 78.000 kilometra larg globit që përfaqësonte Diellin.
Le ta zvogëlojmë disi këtë model. Toka le të jetë një grimcë e vogël pluhuri, e cila mezi shihet me sy. Atëherë Dielli do të jetë në madhësinë e një kokrre arre dhe do të zerë një vend 3 metra larg Tokës. Mbështetur këtyre përmasave Alfa Centaurin duhet ta vendosim 640 kilometra larg Diellit.
Galaktika e "Rrugës së Qumështit" mbart 250 miliard yje, të cilët ndodhen larg njëri-tjetrit në këto distanca të pabesueshme. Dielli ynë zë vend në një skaj larg qendrës së kësaj galaktike në formë spirale.
Interesante është se nëse do të mendojmë vendin që zë galaktika e "Rrugës së Qumështit" në hapësirë, kjo është shumë e vogël. Sepse në hapësirë ndodhen edhe rreth 300 miliard galaktika të tjera!... Hapësirat midis këtyre galaktikave janë miliona herë më të mëdha se largësia reale e Diellit me Alfa Centaurin.
Në lidhje me këto madhësi kaq marramendëse, Xhorxh Grinshtajn në librin e tij "The Symbiotic Universe (Universi Simbiotik)" shkruan se:
"Nëse yjet do të ishin pak më afër me njëri-tjetrin, astrofizika nuk do të ishte shumë më ndryshe. Nuk do të ndodhte asnjë proces ndryshimi në funksionet themelore të fizikës në yje, nebula apo në trupat e tjerë qiellorë. Nëse e shohim nga larg pamja e galaktikës sonë do të ishte e njëjta. I vetmi ndryshim do të ishte kur mbrëmjeve të shtriheshim në bar dhe tek vështronim yjet, do të shihnim se qielli do të ishte i tejmbushur me yje. Më falni, po; Do të kishte edhe një ndryshim tjetër. "Unë", i cili do të shihja këtë peisazh nuk do të ekzistoja... Kjo hapësirë gjigande në yjësi është një kusht për ekzistencën tonë". 46
Grinshtajn e shpjegon edhe arsyen; hapësirat boshe në kozmos sigurojnë që disa ndryshore fizike të formulohen në harmoni pikërisht me jetën tonë. Kjo është një arsye edhe për ruajtjen e Tokës nga përplasjet me trupat qiellorë gjigandë, të cilët enden nëpër këto hapësira kaq të mëdha pa ushtruar më të voglin kërcënim për Tokën.
Shkurtimisht përhapja e trupave qiellorë në univers është në strukturimin e duhur harmonik për jetën tonë. Hapësirat gjigande nuk janë formuar pa qëllim por janë shfaqur si përfundim i një krijimi të vullnetshëm.
"Vërtetë, Ne e kemi stolisur qiellin më të afërt (Tokës) me bukurinë e yjeve". (Safat, 6) |
Entropi dhe Rregull
Për të kuptuar më mirë konceptin e rregullit në univers, fillimisht le t'iu flasim për një nga ligjet më themelore të fizikës, mbi Ligjin e Dytë të Termodinamikës.
Ligji i Dytë i Termodinamikës tregon se të gjithë ato sisteme që janë të pavarur dhe enden në kushte (natyrale) normale, me kalimin e kohës prishen, destabilizohen dhe çrregullohen. Kjo shprehet edhe si "Ligji Entropik". Entropia është njësia matëse mbi çrregullimin që përmbledh një sistem fizik. Kalimi i një sistemi të rregullt, të organizuar dhe të planifikuar në një gjendje të çrregullt, shpri-shur dhe të paorganizuar reflekton drejtpërdrejt në entropinë e atij sistemi. Sa më i madh të jetë çrregullimi në një sistem aq më e lartë do të jetë edhe entropia e tij.
Kjo është diçka në të cilën asistojmë shpesh gjatë jetës sonë. Psh, nëse braktisim një makinë në shkretëtirë dhe pas shumë muajsh nëse do ta kontrollojmë atë makinë padyshim që nuk do të përballemi me një makinë më të zhvilluar se e vjetra apo në kushte më të mira se ajo. Në të kundërt do ta gjejmë me goma të plasura, xhama të thyera, me motorr të kalbur dhe llamarina të ndryshkura. Ose nëse e lëmë shtëpinë të pabanuar, në një kohë të shkurtër do të shohim se rregulli aty fillon e prishet dhe gjithçka mbulohet nga pluhuri. Këtë mund ta parandalojmë vetëm me një ndërhyrje të vetëdijshme (pra, duke e rregulluar dhe sistemuar atë).
Një makinë e braktisur përkeqësohet dhe bie copë-copë. Çdo gjë në univers i nënshtrohet entropisë: li-gjet thonë se e lënë në vetvete, çdo gjë me kalimin e kohës bëhet më pak e qëndrueshme dhe e organizuar. |
Ligji i Dytë i Termodinamikës apo siç njihet me emrin tjetër Ligji Entropik, është një ligj, i cili është vërtetuar teorikisht dhe eksperimentalisht. Abert Ajnshtajn që pranohet si shkencëtari më i madh i shekullit tonë, e ka përkufizuar këtë ligj si "ligji i parë i të gjitha shkencave". Shkencëtari amerikan Xheremi Rifkin në librin "Entropy: A New World View (Entropia: Vështrimi i një bote të re)" thotë:
"Ligji entropik do të jetë një paradigmë sunduese gjatë periudhës së ardhshme të historisë. Albert Ajnshtajni ka thënë se ky është "ligji i parë i të gjitha shkencave; ndërsa Sër Artur Edington shprehet për të se është ligji metafizik më suprem i të gjithë universit".47
Interesante është se ligji entropik zhvlerëson në një mënyrë të prerë pretendimin e materializmit se universi është një grumbull materiesh, e cila është e mbyllur kundrejt çdo ndërhyrjeje të mbinatyrshme. Në univers ekziston një rregull shumë i qartë por që vetë ligjet e universit mundohen për ta prishur atë rregull. Nga këtu dalin dy përfundime:
1- Universi nuk mund të ketë ekzistuar që nga pafundësia siç pretendojnë materialistët. Po të ishte ashtu Ligji i Dytë i Termodinamikës prej kohësh do ta kishte ngritur në maksimum entropinë në univers dhe ky i fundit do të kthehej në një gjendje homogjene pa asnjë lloj rregulli në të.
2- Është i pavlefshëm edhe pretendimi se universi është formuar pas Big Bengut pa asnjë kontroll, mbikqyrje dhe ndërhyrje të mbinatyrshme. Universi i shfaqur pas Big Bengut ishte një univers që sundohej nga parregullsia. Me kalimin e kohës rregulli në këtë univers është shtuar dhe universi ka arritur në struktura të përsosura sot. Dhe kjo meqë është realizuar në kundërshtim me ligjin entropik, dmth, që universi është organizuar me një krijim të mbinatyrshëm.
Galaktikat janë nga një provë mbi strukturën e rregullt të universit. Këto sisteme të mahnitshme, të cilat në brendësi të tyre mbartin mesatarisht 300 miliard yje, sillen në një ekuilibër dhe harmoni të qartë. |
Pikën e dytë le ta shtjellojmë me anën e një shembulli. Universin ta mendojmë si një shpellë gjigande të mbushur me grumbuj gurësh e shkëmbinjsh. Nëse do ta braktisim në kushte natyrore dhe do të presim miliarda vjet me radhë, do të shohim se ajo do të jetë në një gjendje më të çrregullt se ç'ishte. Nëse pas miliarda vjetësh në shpellë do të gjendeshin statuja të panumërta gurësh e të punuara hollë, menjëherë do të mendonit se ky rregull nuk kishte prejardhje nga ligjet natyrore. I vetmi shpjegim mbi shkakun e këtij rregulli do të ishte ndërhyrja e një "mendjeje të ndërgjegjshme".
Ja pra, ky rregull që mbizotëron në këtë univers është një tregues i qartë i ekzistencës së një Inteligjence të Epërme. Fizikanti nobelist gjerman Maks Plank rregullin në univers, e shpjegon si më poshtë:
"Nëse do t'i përmbledhim fjalët, çdo gjë që mësojmë nga shkencat pozitive rreth strukturës gjigande të natyrës është një tregues i një rregulli, i cili sundon mbi të. Ky është një rregull i pavarur nga inteligjenca njerëzore. Aq sa mund të përkufizojmë me perceptimet tona ky rregull mund të jetë shfaqur vetëm në saje të një përpilimi të qëllimshëm. Ky është një argument i qartë që universi zotëron një rregull të vullnetshëm".48
Fizikanti nobelist Maks Plank: "Në univers mbizotëron një rregull i qartë... Ky rregull mund të shfaqet vetëm me një përpilim të ndërgjegjshëm". |
Materializmi, i cili mbron tezën se universi ekziston që nga pafundësia dhe në asnjë mënyrë nuk është sistemuar, është brenda një kolapsi përballë rre-gullit dhe ekuilibrit madhështor të universit. Pol Devis shpjegon se:
"Kudo që të hedhim sytë në univers që nga galaktikat më të largëta e deri në thellësi të atomit ndodhemi përballë një rregulli të përsosur... Në qendër të këtij universi special dhe të rregullt shtrihet koncepti "informacion". Një sistem, i cili ekspozon një rregull të veçantë dhe të organizuar në një shkallë shumë të lartë, kërkon informacione shumë të dendura për ta përshkruar atë. Apo e thënë ndryshe ky sistem përfshin informacione tejmase të denduara (voluminoze)...
Këtu na shfaqet një pyetje tepër kurioze. Meqë informacioni dhe rregulli zotërojnë një prirje natyrore drejt vetëasgjësimit të tyre, nga ka ardhur në atë fillim i gjithë ai informacion, i cili e bëri Tokën një vend të veçantë? Universi i ngjan zemrekut të një ore, i cili zbrazet dalë nga dalë. Si ka mundur të shpëtojë fillimisht"?49
Ajnshtajni rregullin në univers e ka quajtur diçka të "papritur" por që faktikisht duhet quajtur "mrekulli" dhe e shpjegon kështu:
"Faktikisht si a priori (e parapranuar) Toka mund të vijë në gjendje të rregullt (ligjore) vetëm nëse atë e sistemojmë me inteligjencën tonë sistemuese. Ky do të ishte një sistemim si renditja e shkronjave alfabetike të një gjuhe... Por në Tokën materiale ekziston një gradë aq e lartë e rregullit, e cila nuk mund të lejojë auto-rizimin e a priorit. Kjo është një "mrekulli" dhe paralelisht me shkencën tonë sa vjen e forcohet më tepër".50
Shkurtimisht rregulli ekzistues në univers, i cili përmbledh një "informacion" të madh, është krijuar nga ana e një Krijuesi Suprem, zotërues i të gjithë universit. Më një shprehje disi më të qartë, i gjithë universi është krijuar dhe sistemuar nga Allahu dhe prej Tij mbrohet nga çrregullimet.
Allahu në Kuran shpjegon se qiejt dhe Toka vetëm nëse qëndrojnë nën mbrojtjen e fuqisë së Tij nuk do të arrijnë të çrregullohen:
"Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë; Ai është që nuk nxitohet, është që falë". (Fatir, 41)
Ky rregull hyjnor në univers tregon edhe një herë se sa fjalë boshe janë pretendimet e materialistëve kur thonë "universi është një grumbull materiesh të pakontrolluara". Allahu këtë e shpjegon kështu në një ajet:
"E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to...". (Muminun, 71)
Sistemi Diellor
Sistemi Diellor ku ndodhet edhe Toka, është një nga sipërfaqet ku mund të vëzhgohet më qartë, rregulli i universit. Në Sistemin Diellor zënë vend 9 planete dhe 54 satelitë të lidhur me to. Këto planete janë, duke i marrë sipas largësisë së tyre nga Dielli: Mërkuri, Afërdita, Toka, Marsi, Jupiteri, Saturni, Neptuni, Urani dhe Plutoni. Mes këtyre planeteve dhe 54 satelitëve të tyre, i vetmi trup qiellor që zotëron një sipërfaqe dhe atmosferë të përshtatshme për jetë është Toka.
Tek analizojmë strukturën e Sistemit Diellor përballemi me një ekuilibër shumë të madh. Faktori, i cili i ruan planetet nga i ftohti ngrirës i hapësirës është "forca tërheqëse" e Diellit dhe "forca centrifugale" e planeteve. Dielli me anë të forcës së madhe tërheqëse që zotëron tërheq të gjithë planetet rreth tij dhe ato në saje të orbitave që shkaktohen nga forca centrifugale i rezistojnë kësaj tërheqjeje. Por nëse shpejtësia orbitale e planeteve do të ishte pak më e ngadaltë, atëherë këto planete do të thitheshin me shpejtësi nga Dielli dhe do të gëlltiteshin nga ai me një shpërthim të madh.
Albert Ajnshtajn: "Në botën materiale ekziston një rregull i mrekullueshëm". |
Edhe e kundërta është e mundshme. Nëse planetet do të silleshin rreth Diellit më shpejt, atëherë forca e tij nuk do të mjaftonte për t'i mbajtur dhe këto planete do të endeshin shkujdesshëm nëpër hapësirë. Për fatin tonë të mirë ky ekuilibër ekziston dhe sistemi i mbron forcat në mënyrë që gjithçka të qarkullojë sipas orbitës përkatëse.
Të tërheq vëmendjen këtu ky rregull, i cili është krijuar i veçantë për çdo planet. Largësitë e tyre me Diellin janë të ndryshme dhe aq më tepër që janë të ndryshme edhe përmasat e tyre. Për këtë arsye duhet përcaktuar një shpejtësi orbitale e veçantë për secilin në një mënyrë të tillë që as t'i afrohen e as t'i largohen më tepër Diellit.
Konceptet materialiste astronomike pretendojnë se origjina e Sistemit Diellor nuk mund të shpjegohet me perioda fizike natyrore, pra, ky sistem është formuar rastësisht vetvetiu. Por të gjitha teoritë e shfaqura këto 300 vitet e fundit nuk janë gjë tjetër veçse spekulacione. Origjina e Sistemit Diellor për pikëpamjet materialiste është akoma një sekret i pashpjegueshëm.
Kepler, Galilei si dhe të tjerë astronomë, të cilët zbuluan ekuilibrin e jashtëzakonshëm delikat të Sistemit Diellor, patën deklaruar se projektimi kaq i qartë i këtij sistemi tregon ekzistencën e Zotit dhe provon ndërhyrjen e Tij në univers. Isak Njutoni që ka bërë zbulime të rëndësishme në strukturën e Sistemit Diellor dhe që quhet "shkencëtari më i madh që ka jetuar deri më sot" ka thënë:
"Ky sistem delikat i përbërë nga Dielli, planetet dhe kometat është burim vetëm i vullnetit dhe mbikqyrjes së një Ekzistence Inteligjente dhe Supreme... Ai i drejton këto dhe për shkak të këtij sovraniteti thërritet "Zot i një fuqie të epërme".51
"As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata ditën. Po secili noton në një orbitë të caktuar." (Jasin 40) |
Pozicioni i Tokës
Pranë këtij ekuilibri të mahnitshëm të Sistemit Diellor edhe pozicioni i Tokës, planetit ku ne jetojmë, në këtë sistem dhe në hapësirë në përgjithësi, është përsëri tregues i ekzistencës së një krijimi të përsosur.
Isak Njuton, një nga pionierët dhe themeluesit e fizikës moderne dhe të astronomisë, shikonte në strukturën e universit faktin e mrekullueshëm të krijimit hyjnor. |
Zbulimet e fundit astronomike tregojnë se ekzistenca e planeteve të tjerë në sistem luan një rol të rëndësishëm mbi orbitën dhe sigurinë e Tokës. I tillë është edhe pozicioni i Jupiterit. Ky i fundit është planeti më i madh i Sistemit Diellor. Faktikisht me ekzistencën e tij ai siguron ekuilibrin e planetit Tokë. Llogaritjet astrofizike nxorrën në pah se ekzistenca e Jupiterit në orbitën ku gjendet siguron stabilitetin e Tokës dhe të planeteve të tjerë në sistem. Një funksion dytësor i Jupiterit për mbrojtjen e Tokës shpjegohet kështu në një shkrim të Xhorxh Uethërill me titull "Sa i veçantë është Jupiteri":
"Në vendin ku gjendet Jupiteri nëse nuk do të ishte një planet me madhësinë e tij, Toka do të ishte një objektiv efektiv përafërsisht 1.000 herë më tepër për kometat dhe meteorët që enden në hapësirë... Nëse Jupiteri nuk do të ndodhej në vendin ku është edhe ne nuk do të ekzistonim për të kërkuar origjinën e Sistemit Diellor".52
Shkurtimisht struktura e Sistemit Diellor zotëron një projektim posaçërisht për të siguruar jetën në Tokë. Tani le të flasim pak për pozicionin e Sistemit Diellor në univers. Ashtu siç e cilësuam edhe më lart Sistemi Diellor nuk zë vend në qendër të galaktikës "Rruga e Qumështit", por në një skaj të krahëve të saj gjigandë. A krijon kjo ndonjë avantazh për ne? Majkëll Denton në librin "Nature's Destiny (Fati i Natyrës)" këtë çështje e shpjegon si më poshtë:
"Një tjetër fakt goditës është se universi jo vetëm është i harmonizuar në mënyrë të jashtëzakonshme për të mbuluar ekzistencën dhe nevojat tona biologjike, por është edhe i formuluar në atë mënyrë që ne të arrijmë ta perceptojmë atë... Pozicioni i sistemit tonë në një skaj të krahëve të galaktikës është një pozicion që netëve duke vëzhguar qiellin të na mundësojë marrjen e sa më tepër informacioneve rreth strukturës së përgjithshme të universit dhe për të arritur studimin e galaktikave edhe më të largëta. Nëse do të zinim vend në mesin e galaktikës asnjëherë nuk do të dinim rreth strukturës spirale të galaktikës dhe nuk do t'ia kishim idenë as strukturës së universit".53
E thënë ndryshe si ligjet fizike të universit ashtu edhe pozicioni i Tokës në hapësirë, përmbledhin argumente, të cilat tregojnë se ky univers është projektuar posaçërisht për njeriun.
Pra, është një fakt tashmë që universi është krijuar dhe sistemuar nga Allahu.
Në disa raste njerëzit për ta konceptuar diçka të tillë duhet të arsyetojntë sinqerisht dhe pa paragjykime. Çdo njeri, i cili në ndërgjegjen e tij mendon të sinqertë se në univers asgjë nuk është fryt i rastësisë dhe i paqëllimtë siç cilësohet edhe në ajet "Ne nuk e krijuam qiellin e as tokën dhe çka ka në mes tyre pa qëllim, ai është mendimi i atyre që nuk besuan...." (Sad 27), kupton se gjithçka është krijuar dhe sistemuar nga Zoti posaçërisht për njeriun.
Ky kuptim i thellë në një ajet tjetër të Kuranit shpjegohet:
"Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndyshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit! (Ali Imran, 190-191) |