NDARJA E QIEJVE DHE E TOKËS
Një prej ajeteve që bën fjalë për krijimin e qiejve është edhe ajeti i mëposhtëm: "A nuk e dinë jobesimtarët se qiejtë dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo gjëje. Përse nuk besojnë pra?" (El Enbija 30)
Fjala "retk", e përkthyer "të ngjitura", në gjuhën arabe do të thotë "të përziera me njëra-tjetrën, të bashkuara". Kjo fjalë përdoret në ato raste kur u referohemi dy substancave të ndryshme, të cilat përbëjnë një të plotë. Fraza "Ne i ndamë" është folja arabe "feteka" dhe nënkupton diçka që vjen si rezultat i shkëputjes apo shkatërrimit të strukturës së ngjitur"retk". Carja e farës së bimës në momentet para të mbirjes është një nga rastet në të cilat përdoret kjo folje. Le të shqyrtojmë përsëri ajetin kuranor, duke pasur në mendje faktet e lartpërmendura. Në ajet, qielli dhe toka janë subjekti i parë i gjendjes "retk". Më pas ata ndahen (feteka), duke u shkëputur nga njëri-tjetri. Kureshtja jonë rritet kur rikujtojmë momentet e para të Big Bengut dhe shohim se e gjithë lënda e universit përfshihej në një pikë të vetme. Me fjalë të tjera, çdo gjë, duke përfshirë "qiejt dhe tokën", të cilat ishin krijuar ende, ishin pjesë e kësaj pike në gjendjen "retk". Pas një shpërthimi të fuqishëm, lënda e kësaj pike u nda (feteka) dhe më pas ndodhi procesi i krijimit të strukturës së tërë universit. Kur krahasojmë ajetin kuranor me zbulimet shkencore, shohim se ato përputhen në mënyrë të përkryer me njëra-tjetrën. Fakti më interesant dhe më habitës është se këto zbulime u bënë vetëm në shekullin XX.
Fotoja paraqet Big Bengun, i cili bën të qartë edhe një herë se Zoti e krijoi universin prej asgjësë. Big Bengu është një teori e vërtetuar me dëshmi të qarta shkencore. Megjithëse disa shkencëtarë u përpoqën të sillnin teori të kundërta me Big Bengun, dëshmitë e qarta shkencore bënë që kjo teori të pranohej tërësisht prej komunitetit shkencor.
ORBITAT
Duke iu referuar Kuranit, Dielli dhe Hëna lëvizin në një orbitë të caktuar: "Zoti krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë." (El Enbija 33)
Në një ajet tjetër është përmendur se Dielli nuk është i palëvizshëm, por lëviz në një orbitë të caktuar. "Edhe dielli lëviz drejt kufirit të tij përfundimtar. Ajo lëvizje është përcaktim i të Plotfuqishmit, të Diturit." (Ja Sin 38)
Këto argumente të komunikuara në Kuran u zbuluan prej vëzhgimeve astronomike shumë shekuj më vonë. Sipas llogaritjeve të ekspertëve të astronomisë, Dielli udhëton me një shpejtësi marramendëse prej 720.000 km në orë në drejtim të yllit Vega në një orbitë të vetme të quajtur Maja Diellore. Kjo do të thotë se Dielli përshkon afërsisht 17.280.000 km në ditë. Bashkë me Diellin, të gjitha planetet dhe satelitët brenda sistemit gravitacional të Diellit përshkojnë gjithashtu të njëjtën distancë. Për më tepër, të gjitha yjet në univers bëjnë një lëvizje të ngjashme. Në Kuran është shpallur se i tërë universi është i mbushur plot me rrugë e orbita si ajo e diellit: "Betohem në qiellin plot rrugë." (Edh-Dharijat 7) Në univers ndodhen rreth 200 miliardë galaktika dhe secila prej tyre pëmban rreth 200 miliardë yje. Pjesa më e madhe e këtyre yjeve kanë planete dhe pjesa më e madhe e këtyre planeteve kanë satelitë. Këta trupa gjigandë lëvizin në orbita të caktuara, sipas një lëvizjeje të përllogaritur në mënyrë preçize. Për miliona vite me radhë, të gjithë këta trupa "notojnë" në orbitën e tyre në një harmoni dhe rregull të përkryer. Për më tepër, një anumër i madh kometash lëvizin në orbitat e përcaktuara për to. Orbitat në univers nuk janë karakteristikë vetëm e trupave qiellorë. Edhe vetë galaktikat udhëtojnë me një shpejtësi marramendëse në orbita të projektuara për to. Gjatë kësaj lëvizjeje, asnjë prej trupave qiellorë nuk i zë rrugën, apo përplaset me të tjerët. Sigurisht që në kohën e shpalljes së Kuranit njerëzimi nuk zotëronte teleskopë elektronikë apo teknologjinë e avancuar të vëzhgimit të trupave miliona kilometra në hapësirë, ashtu siç nuk dispononte njohuritë e sotme të fizikës apo astronomisë. Ndaj në atë kohë nuk ishte e mundur të zbulohej në mënyrë shkencore se hapësira është "plot me rrugë dhe orbita", siç është shpallur në ajetin kuranor…
Si shumë kometa të tjera në univers, edhe kometa Halley (lart) lëviz në një orbitë të përcaktuar. Ajo ka një orbitë specifike dhe lëviz në harmoni të plotë me trupat e tjerë qiellorë.Të gjithë trupat qiellorë, duke përfshirë edhe planetet, satelitet, yjet, madje dhe galaktikat, kanë orbitat e tyre, të përcaktuara me llogaritje tepër delikate. Ai që vendosi këtë rregull dhe ekuilibër të përkryer është Zoti, Krijuesi i universit.
|