Errësirat dhe drita, pikëpamja shkencore, fakte të reja kozmike
Sipas teorive më të reja, shkencëtarët deklarojnë se jeta e universit sillet rreth 13.7 miliardë vite. Kozmosi filloi me një shpërthim të madh e pastaj yjet dhe galaktika nisën të formohen. Mirëpo mes shkencëtarëve ka lindur një problem, ngase shpërthimi duhet të ndriçojë kozmosin dhe kozmosi të nisë me ndriçim direkt. Por zbulimet e reja shkencore tregojnë se kozmosi në fillimin e tij ka kaluar periudha të errëta për miliona vite! Pas kësaj yjet dhe galaktikat kanë filluar të formohen duke përfunduar kohën e errësirave dhe filloi koha e dritës.
Shkencëtarët deklarojnë se ata kanë zbuluar një galaktikë e cila është larg nesh 13 miliardë vite dritë. Kjo galaktikë konsiderohet prej trupave më të largët nga Toka dhe shkëlqimi i saj mund të vërehet vetëm me përdorimin e teknikave shumë të përparuara. Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë deklarojnë se atë galaktikë e kanë vëzhguar përmes observatorit Keck II, i cili gjendet në njërën prej majave të vullkaneve të shuar.
Shkencëtarët vërtetojnë se përmes zmadhimit të teleskopit kozmik arritën të shohin një dritë që del nga galaktikat e formuara para 13 miliardë vitesh dhe kjo kur mosha e universit ishte 550 milionë vjet. Në atë kohë hapësira vazhdonte të kalonte në periudhën e errët kozmike. Astronomët i shpjegojnë këto zbulime me fjalët se ata shfrytëzuan thjerrat tërheqëse dhe shfrytëzojnë dritën e galaktikave të afërta si thjerrat për zmadhimin dhe përforcimin e dritës që del nga këto yje të fikura.
Realiteti i vërtetuar shkencor
Universi ka filluar me periudhën e errësirave, e cila ka vazhduar miliona vjet. Pastaj yjet kanë filluar të formësohen dhe të përhapin dritë. Si rrjedhim i kësaj më parë janë krijuar errësirat e më pas është krijuar drita.
Realiteti kuranor
Nga mrekullitë e Kuranit është se Allahu i Lartësuar ka folur rreth fillimit të krijimit dhe ka përmendur errësirën para dritës. Allahu i Plotfuqishëm thotë: "Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën. E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre." (En'am, 1)
Nëse i përcjellim të gjitha ajetet e Kuranit të cilat flasin rreth fillimit të krijimit, do të vërejmë se Allahu i Lartësuar gjithmonë përmend errësirën para dritës.
Aspekti i mrekullisë
Këtu shfaqet një aspekt prej aspekteve të mrekullisë. Allahu i Lartësuar në këtë ajet fisnik ka filluar me lavdërimin e Vetes për faktin se Ai krijoi për ne qiejt dhe Tokën: "Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën" pastaj për të na vërtetuar neve se Ai është Krijues i qiejve dhe i Tokës na ofroi një fakt shkencor, më parë errësirën e pastaj dritën "dhe bëri errësirat dhe dritën", megjithëkëtë jobesimtarët mohojnë Zotin dhe i përbuzin dhuntitë e Tij "E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre."
Kjo na jep të kuptojmë se Kurani është shumë preciz në shprehjet e tij dhe në radhitjen e fjalëve. Meditoni sesi Kurani nuk ka thënë "dhe bëri dritën dhe errësirat", por tha "dhe bëri errësirat dhe dritën", sepse errësira dhe drita janë rezultat i krijimit të qiejve dhe Tokës. Allahu i Lartësuar ka krijuar lëndën e qiejve dhe të Tokës dhe kjo lëndë ka kaluar në periudha të errëta e më pas është shfaqur drita.. Gjithashtu, Kurani gjithnjë për errësirën shprehet në shumës ndërsa për dritën në njëjës. Arsyeja është se përqindja e errësirës në kozmos është më tepër se 96%, respektivisht pjesa dërrmuese e kozmosit është errësirë, ndërsa sasia e dritës është shumë e vogël dhe kjo pa dyshim se konsiderohet një mrekulli tjetër.
Atëherë tek fjala e Allahut të Lartësuar "dhe bëri errësirat dhe dritën", kemi tre sinjalizime:
1- Errësirat dhe drita bashkë janë rezultat i krijimit të qiejve dhe të Tokës dhe kjo është e vërtetë shkencore.
2- Errësira është formuar para dritës dhe këtë shkencëtarët po e vërtetojnë sot.
3- Ajeti përmes fjalës "errësirat" në shumës dhe fjalës "dritën" në njëjës sinjalizon se errësira është shumë më e madhe në kozmos sesa drita. Këtë shkencëtarët po e vërtetojnë sot. Ata deklarojnë se 96% e kozmosit është lëndë dhe fuqi e errët. Themi ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: "Dhe thuaj: "Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t'jua tregoj; shenjat e Tij e ju do t'i njihni ato!" E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju." (Neml, 93)
Abdu'daim el Kehil Përktheu: Almedin Ejupi 26.4.2009
Referencat 1- Artikulli me titull: Zbulimi i galaktikës më të largët nga planeti i Tokës, i publikuar në rrjetin amerikan CNN më datë 16.02.2004. 2- Artikulli me titull: Shkencëtarët arritën të vëzhgojnë dritën kozmike, mosha e së cilës është 13 miliardë vjet, i publikuar në rrjetin amerikan CNN më datë 17.07.2007. 3- E Papantonopoulos, The Physics of the Early Universe, Springer,2005. 4- Matts Roos, Introduction to Cosmology, John Wiley and Sons, 2003. 5- Michael Rowan-Robinson, Cosmology, Oxford University Press, 1996. 6- Malcolm S. Longair, The Cosmic Century, Cambridge University Press, 2006. 7- Klapdor-Kleingrothaus, Dark Matter in Astro- And Particle Physics, Springer, 2003. 8- The Age of the Universe, Dark Matter, and Structure Formation, Colloquium on the Age of the Universe St, National Academies Press, 1998.
|