Druri i kënasë - Lawsonia inermis
”Nuk ka bimë më të dashur për All-llahun [azze ve xhel-le] se druri i kënasë.“ Në një transmetim thuhet: ”Pasi e krijoi All-llahu [azze ve xhel-le] Xhenetin, e rrethoi me borzilok, e pastaj borzilokun e rrethoi me këna. Prej vegjetacionit të vet që All-llahu e ka krijuar, më e dashur i është këna. Dhe me të vërtetë, ai i cili është i ngjyrosur me kënë, e bekojnë melekët e qiejve, kurse në mëngjes toka i bën nderim.“
Në Xhenet ka drunjë që quhen Tubba për t’a kaluar rrethin e këtij druri i duhet kalorësit të kalërojë më shumë se 100 vjet dhe ky dru në disa transmetime thuhet se është Druri i kënasë. All-llahu alem.
Kur vdiq Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i kishte flokët e lyera me kënë dhe i shiheshin disa fije të flokëve në të kuqe pasi se ai kishte shumë pak flokë të thinjura.
Ebu Davudi ka treguar se i Dërguari i All-llahut, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], ka thënë: ”Nuk ka bimë më të dashur për All-llahun [xhel-le she'nuhu] se druri i kënasë.“
Nëse All-llahu [xhel-le she'nuhu] don diçka atëherë ne do ta duam gjithashtu, për atë shkak edhe dëshiroj të tregoj mbi këtë bimë të dashur nga ajo që kam mbledhur me ndihmën e All-llahut [xhel-le she'nuhu]. Nga vetë fakti se All-llahu [xhel-le she'nuhu] e don shumë këtë bimë atëherë ka me siguri të mira në te. Edhe pse me vetëdije të plotë se është shumë pak por me shpresë të madhe se Inshall-llah do të ketë lexues që do të sensibilizohen pak dhe do të hulumtojnë edhe më shumë në këtë drejtim, me lutje të sinqertë drejtuar All-llahut [xhel-le she'nuhu] që të ju ndihmojë juve, mua dhe të gjithë muslimanëve në aspekt të arritjes së diturisë dhe përparimit në çdo lëmi.
Druri i kënasë (El-Hinna; Al-khanna; Lawsonia inermis)
Druri i kënasë rritet në vende të nxehta dhe të thata me temperaturë prej 19-27°C. Bima është e gjatë prej 3 deri 5 Metra dhe prodhon lule të bardha, ngjyrë kreme dhe pak në të kuqe. Gjethet kanë formë eliptike 2-3 cm, të gjata kurse frutat janë të rrumbullakta dhe të kuqe dhe në të gjinden me qindra fara.
Vetitë shëruese dhe fitoterapeutike të kënasë në medicinën arabe, kanë pasur përdorim të madh. Kënaja është në shkallën e parë e ftohtë kurse në të dytën e thatë. Kënaja shëron vendet e djegura, përdoret në shërimin e të thatëve të gojës, stomatitis, dhe ënjteve të nxehta. Vënia e kënasë së zier në vendet e prera shëron plagën, dhe mënjanon lagështinë e tepërt si dhe stimulon rigjenerimin e indeve.
"I Dërguari i All-llahut, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], sa herë që ka pësuar ndonjë lëndim apo thumbim, ka vënë këna dhe nuk ka vuajtur kurrë“.
Këna ndihmon gjithashtu në shërimin e variolës në stadin e saj fillestar, lyhet pjesa e pasme e këmbës me këna dhe kjo do të pengojë përhapjen e mëtejme të sëmundjes. Balsami i kënasë mund të përdoret në shërimin e thyerjes, infeksionet, mirëmbajtjen dhe zbukurimin e thonjve. Kënaja ndihmon në rritjen, bukurinë dhe volumin e flokëve, rrit freskinë rinore, përmirëson të shikuarit dhe është e dobishme në shërimin e kallove, puçrrave dhe të thatëve ndërmjet këmbëve.
Në Malajzi kënanë e përdorin duke i zier gjethet e saj dhe duke e pirë kundër sëmundjeve reumatike ose çrregullimet e lukthit. Në Indonesi është shëruar Lepra me këna. Medicina moderne i ka vërtetuar me anë të zbulimeve më të reja se në të gjindet komponenta Naphthochinon, Lawsone, Tannin dhe tjera pjesë përbërëse, të cilat ndihmojnë lëkurën që lyhet me këna të djersitet më pak.
Poashtu këto veti kanë edhe veti për mbrojtjen e lëkurës dhe flokëve nga rrezatimet ultraviolete (UV) në mënyrë natyrore. Njëkohësisht ajo ka edhe vetinë e ftohjes që gjatë temperaturave të larta ka ndikim të madh e sidomos në vendet e ngrohta. Për atë shkak edhe ditëve të sotme përdoret me shumicë në përgaditjen e shumë preparateve të kozmetikës nëpër botë me sukses shumë të madh dhe pa kundërefekte siç janë te ngjyrat e flokëve që përdoren ditëve të sotme të cilat përmbajnë Toxine shumë të dëmshme për trupin e njeriut.
Në literaturat e mëposhtme mund të gjeni edhe shumë receta për përdorimin e kënasë në raste të ndryshme pasi se këtu nuk do të mundem t’i përmendi të gjitha. Por përdoret në forma të kremit, pudrës, shamponave, zbutës të flokëve, ngjyrë, çaj, etj. Gjithashtu ka edhe shumë faqe të internetit që tregojnë për përdorimin dhe vetitë e kënasë edhe atë në gjuhë të ndryshme. E me siguri çka nuk duhet harruar pyetni edhe më të moshuarit se ata ende e kanë atë thesarin e vjetër të ruajtur nga eksperienca e tyre Inshall-llah.
Bota kthehet dita ditës në mjekësinë e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] duke studjuar dhe analizuar, për atë shkak edhe Sira (Biografia) e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], është në masa të mëdha e studjuar nga gjithë njerëzimi për të përfituar nga çdo gjë që ka përdorur dhe treguar ai,[sal-lallahu alejhi ve sel-lem], pasi se aty ka dobi të mëdha. Kurse ne si musliman duhet edhe më tepër të mundohemi që t’i përdorim këto të mira thjeshtë se ne e dimë edhe më mirë se ai, [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], nuk ka folur nga mendja e Tij por atë e ka udhëzuar All-llahu [subhanehu ve teala]. Dhe siç ka thënë edhe: Diturinë kërkone çdokund dhe merre nga secili ku e gjen por të pastërt, e më e mira është pasimi i rrugës së të Dërguarit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].
E lus All-llahut [azze ve xhel-le] që të më falë gabimet e mija gjatë shkrimit, nëse e kam qëlluar është prej All-llahut [subhanehu ve teala] dhe vetëm Ate e falëmnderoj e nëse kam gabuar atëherë dihet se nga rrjedh kjo.
Lutja jonë e fundit: Falemnderimi i takon All-llahut, Zotit të gjitha botërave, bekimet dhe përshëndjet tona qofshin mbi zotëriun e të gjithë të dërguarve, Muhammedin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], mbi të gjithë të dërguarit dhe mbi të gjitë besimtarët, duke iu lutur All-llahut të Lartëmadhëruar që ta pranojë këtë vepër që është thjesht për hir të All-llahut [subhanehu ve teala] duke shpresuar në dhuntitë, faljen dhe në mbrojtjen Tij në Ditën e Gjykimit.
Përgatiti: Suzana Hasani 03 Maj 2007
----------------------------------
Literatura e përdorur: 1. „Dhuntitë e Xhenetit „- Abdul-Latif Ashur - (Bashkim Aliu & Vesel Mehmedi) 2. „Mjekësia e të Dërguarit Muhammed s.a.v.s.“ - Ibn-Kajjim el- Xhevzi (Dr. sci. Ali F. Iljazi) 3. „Mjekësia profetike“ – Imam Xhelaluddin es – Sujuti (Dr. sci. Ali F. Iljazi) 4. „Mjekësia e Muhammedit s.a.v.s.“- Imam Xhelaluddin Es – Sujuti ( Muhammed Bajrami) 5. „Kënaja prej kokës deri te këmbët“ – të jetojmë me natyrën ( Libër gjermanisht)
|