E diel, 22/12/2024, 15:14
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Krijimi i njeriut [17]
Krijimi i gjithësisë [27]
Krijesa të mrekullueshme [18]
Mjeshtëria e Allahut në ngjyra [11]
Tema tjera shkencore [74]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Kurani dhe shkenca » Krijesa të mrekullueshme

TERMITET E VERBRA QË NDËRTOJNË NDËRTESA TË LARTA

TERMITET E VERBRA QË NDËRTOJNË NDËRTESA TË LARTA

Termitet janë insekte të vogla, të ngjashme me milingonat. Ato janë të shkathta. Foletë e tyre, që në këto figushumëra ngjajnë si kulla të larta, janë ndërtuar nga këto gjallesa të vogla. Gjithçka është e përkryer dhe pa asnjë gabim. Termitet i ndërtojnë ato sipas një plani të caktuar. Dhomat e veçanta për të vegjëlit, për ruajtjen e ushqimit apo për mbretëreshën janë vetëm disa nga pjesët e një foleje termitesh. Sistemi i ventilimit është më i rëndësishmi. Termiteve, lëkura e të cilave është shumë e hollë, u nevojitet ajër i lagësht. Për këtë arsye, atyre u duhet të mbajnë temperaturën dhe lagështinë e folesë në një nivel të caktuar, përndryshe ngordhin. Ato bëjnë të mundur qarkullimin e ajrit nëpër fole nëpërmjet disa kanaleve të veçanta, duke përdorur ujin që vjen nga tunelet e nëntokës të hapura nga ato vetë. Në këtë mënyrë rregullohet temperatura dhe lagështia.

A e përfytyroni dot se sa i vështirë është ky proces? Termitet duhet të veprojnë në një rregull të caktuar, duke pasur vëmendjen për shumë gjëra së bashku. Përveç kësaj, çfarë përmendëm deri tani është vetëm një përmbledhje e shkurtër e gjërave të shumta që bëjnë termitet.

Një karakteristikë tjetër e termiteve është ngritja e folesë deri në shtatë metra lartësi. Termitet janë në alarm sa herë që formohet ndonjë vrimë në folenë e tyre. Duke përplasur kokat në mur, termitet roje japin alarmin te të gjithë anëtarët e tjerë të kolonisë. Pas këtij alarmi, vezët transferohen në vende të sigurta. Hyrja e dhomës ku jetojnë mbreti dhe mbretëresha bllokohet me një mur. Pjesa e dëmtuar rrethohet nga ushtarët termite, të cilët shoqërohen nga punëtoret që sjellin materialin për të rindërtuar murin. Në pak orë, zona e shkatërruar është rregulluar. Pastaj ndërtohen dhomëzat e brendshme. Termitet veprojnë sipas një plani të paracaktuar dhe secili anëtar i kolonisë i zbaton detyrat e veta pa shkaktuar asnjë rrëmujë.

Fakti se termitet mund t’i kryejnë gjithë këto veprime në një kohë të shkurtër është tregues i komunikimit të përkryer ndërmjet tyre. Ekziston edhe një aspekt tjetër i mrekullueshëm i jetës së termiteve që punojnë me një rregull të tillë dhe ndërtojnë mjedise të ngjashme me gradaçelat: Ato janë të verbra. Ndërsa kryejnë detyrat e tyre, ato nuk shohin asgjë.

Si është e mundur që këto krijesa të veprojnë me kaq shkathtësi dhe të vënë në jetë plane të tilla?

Përgjigjja që evolucionistët i japin kësaj pyetjeje është se këto insekte i kanë fituar të gjitha këto aftësi “rastësisht”. Kjo përgjigje nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën, sepse edhe një pjesë e vetme e rregullit në koloninë e termiteve, p.sh. kanalet e ventilimit, është e mjaftueshme për të provuar që një sistem i tillë nuk mund të shfaqet rastësisht. Pa asnjë dyshim, termitet e verbëra nuk mund ta sigurojnë vetë këtë rregull të përsosur. Atyre u është dhënë nga dikush tjetër aftësia për të vepruar.

Allahu ka përmendur emrat e disa kafshëve në Kuran, duke na nxitur të mendojmë rreth tyre. Për shembull, bleta është dhënë si shembull në suren “En-Nahl”, ku thuhet se bleta, e cila prodhon mjaltë, është mësuar nga Zoti për atë që i duhet të bëjë:

Zoti yt i dha instikt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra, pemë dhe gjithashtu nëpër kulmet që njerëzit ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha frutat dhe futu nëpër rrugët e mësuara nga Zoti yt!” Prej barkut të saj del mjaltë me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim për njerëzit. Në këto fakte ka argumente dhe mësime për njerëzit që mendojnë. (En-Nahl: 68-69)

Ashtu si bletët që përmenden në ajetet e mësipërme, termitet jetojnë sipas mënyrës që u ka mësuar Allahu, i Cili krijoi komunikimin e përkryer ndërmjet këtyre krijesave të verbëra, duke bërë të mundur që secila nga një milion termitet e çdo kolonie të kryejë detyrat përkatëse.

O ju njerëz! Kujtoni të mirat që Allahu u dhuroi. A ka ndonjë zot tjetër që ju furnizon nga qielli e toka? Askush nuk e meriton adhurimin përveç Tij. E si pra i ktheni shpinën? (Fatir: 3)

VETËMBROJTJA TE KAFSHËT


Zogjtë në foto ndërtojnë foletë e tyre për të ndaluar hyrjen e armiqve. Foletë e termiteve, të ngjashme me gradaçelat janë të forta si një kështjellë.

Nga mrekullitë më të mëdha në natyrë janë mënyrat që përdorin gjallesat për vetëmbrojtje. Shumë krijesa kanë aftësinë të vlerësojnë rreziqet e mundshme dhe të përdorin forma të ndryshme sigurie. Për shembull, termitet që përmendëm më sipër i ndërtojnë muret e kolonisë se tyre aq të trasha dhe të qëndrueshme, saqë me shumë vështirësi mund të shkatërrohen edhe me kazmë. Zogjtë shtegtarë e ndërtojnë hyrjen e folesë së tyre në një mënyrë të atillë që të ndalojnë gjarpërinjtë të hyjnë brenda. Disa merimanga kanë dhoma të caktuara në folenë e tyre, në të cilat mbeten të bllokuara insektet e tjera që, në një mënyrë apo një tjetër, kanë hyrë në fole.

Bletët, gjithashtu, marrin masa të veçanta mbrojtëse për të ruajtur kosheret e tyre. Bletë roje vëzhgojnë kosheret. Ato nuk lejojnë të hyjë aty askënd, përveç anëtarëve të kolonisë. Kur ndonjë nga rojet largohet, një tjetër bletë vjen tek hyrja e kosheres për ta zëvendësuar. Për më tepër, këto bletë roje i marrin përsipër detyrat duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre.


Duke ndërtuar diga nëpër përrenj e lumenj, kastorët ndalojnë rrjedhjen e ujit dhe ndërtojnë strofka të mrekullueshme për veten e tyre.

Kastorët i ndërtojnë strofkat e tyre nën ujë. Për të hyrë, çdonjëri duhet të kalojë nëpër një tunel të fshehtë, të njohur vetëm nga kastorët që e kanë ndërtuar atë. Në fund të tunelit, ndodhet një dhomë ku kastorët jetojnë së bashku me të vegjëlit e tyre.

Këta shembuj janë të mjaftueshëm për të kuptuar se një inteligjencë e jashtëzakonshme fshihet pas mënyrës së sjelljes të këtyre gjallesave, të cilat zbatojnë metoda kaq të efektshme për t’u vetëmbrojtur. Përveç kësaj, ju e keni vënë re që armiku i një krijese është një krijesë tjetër. Megjithatë, të gjitha krijesat i njohin armiqtë e tyre shumë mirë dhe marrin masa të ndërlikuara për t’u mbrojtur prej tyre. Është shumë e çuditshme që një termit ose një zog, pavarësisht nga mungesa e funksioneve të zhvilluara mendore, mund të njohë tiparet e një krijese tjetër.

Për ta kuptuar më mirë, mendoni veten tuaj! A mundeni ju të kuptoni që në shikimin e parë karakteristikat e një kafshe që nuk e njihni ose që nuk e keni parë më parë? A mund të dini se me çfarë ushqehet, si gjuan dhe çfarë e frikëson? Natyrisht që nuk mundeni. Ju nevojitet të lexoni një libër dhe të merrni informacion rreth kësaj krijese ose dikush t’ju flasë rreth cilësivë të saj. Si është e mundur që kafshët kanë informacion rreth krijesave të tjera? A mundet që ato të kenë zbuluar vetë kush janë armiqtë e tyre, pastaj të kenë organizuar një studim mbi sjelljen dhe mënyrat e tyre të të gjuajturit, në bazë të të cilave ato kanë zhvilluar format e përshtatshme të mbrojtjes? Natyrisht që jo. Asnjë kafshë nuk ka aftësi mendore për të bërë kërkime. Për më tepër, do të ishte absurde dhe e pakuptimtë të mendosh që kafshët mbledhin rastësisht informacion rreth armiqve të tyre, sepse dështimi në përpjekjen e parë do të thotë vdekje.

Pa dyshim është Allahu, Zoti i gjithë botës, që i mëson gjallesat si të vetëmbrohen. Fakti që jo vetëm kafshët që shohim rreth nesh, por të gjitha gjallesat në botë sillen në të njëjtën mënyrë inteligjente, vë në dukje inteligjencën dhe fuqinë e Zotit.

BUSULLA NË SYTË E MİLİNGONAVE

Ne kemi nevojë për udhëzues kur udhëtojmë në një vend të panjohur. Në veçanti, kur nuk dimë vendin ku po shkojmë, natyrisht që duhet të kemi një busull dhe një hartë. Harta na tregon se ku jemi, ndërsa busulla nga duhet të shkojmë. Ne e gjejmë rrugën duke përdorur këto mjete, si dhe duke pyetur njerëzit e tjerë. A e keni pyetur ndonjëherë veten se si e gjejnë rrugën e tyre krijesat e tjera? Keni pyetur veten se si një milingonë kërkon ushqim në shkretëtirë dhe kthehet përsëri në folenë e saj?

Milingonat e zeza të shkretëtirës që jetojnë në brigjet mesdhetare të Tunizisë janë ndër ato gjallesa që i ndërtojnë foletë e tyre në shkretëtirë. Këto milingona janë shumë të afta në gjetjen e rrugës në shkretëtirën e pafund dhe në kthimin në fole pa ndihmën e një busulle ose harte.

Pasi lind dielli, temperatura në shkretëtirë mund të arrijë deri në 70OC. Milingonat lënë folenë e tyre për të gjetur ushqim mes këtij të nxehti përvëlues. Duke ngurruar, duke u kthyer e rrotulluar shpesh rreth vetes, ato ndjekin një rrugë gjarpëruese brenda një zonë që mund të jetë deri në 200 metra larg folesë. Ju mund ta shikoni këtë rrugë në hartë. Por mos mendoni që një milingonë mund të humbasë rrugën për shkak të këtyre zigzakeve. Në çastin që gjendet burimi i ushqimit, milingona ndjek një rrugë të drejtë dhe kthehet në fole. Duke marrë parasysh përmasat e tyre, ky udhëtim i milingonave mund të krahasohet me kthimin e një njeriu në pikën e tij të nisjes duke marrë një rrugë të drejtë afro 35-40 kilometra larg në shkretëtirë. Si ndodh, atëherë, që një milingonë është e suksesshme në kryerjen e kësaj detyre, kur kjo është praktikisht e pamundur edhe për një njëri?

Shenjat e ndryshme, si pemët, shkëmbinjtë, lumenjtë ose liqenet që ndihmojnë në gjetjen e rrugës nuk ekzistojnë në shkretëtirë. Ka vetëm rërë në çdo anë. Edhe po të kishte shenja të tilla, nuk do bënte ndonjë ndryshim, sepse do të ishte e pamundur për një milingonë që t’i mbante mend këto shenja dhe t’i përdorte për të gjetur rrugën. Duke menduar në këtë mënyrë, çdo njeri mund ta kuptojë mirë vështirësinë e detyrës që kryen një milingonë. Ajo mund ta kryejë këtë detyrë të vështirë në saje të strukturës së veçantë të trupit të saj.

Në sytë e milingonës gjendet një sistem i posaçëm orientimi. Ky sistem, të cilin Allahu e ka vendosur te milingona, është shumë më i përparuar se pajisjet mekanike që ruajnë drejtimin. Duke qenë e aftë të shikojë disa rreze të pakapshme nga njeriu, milingona mund të vendosë drejtimin dhe të dijë se ku ndodhet veriu e jugu. Në saje të kësaj aftësie, nuk është e vështirë për të që të gjejë ku ndodhet foleja e saj dhe të kthehet tek ajo.

Ata adhurojnë në vend të Allahut zota që nuk u sjellin asnjë furnizim as nga qiejt as nga toka dhe as nuk kanë mundësi edhe në të ardhmen? Mos i përshkruani Allahut partnerë. Allahu di gjithçka, ndërsa ju nuk e dini. (En-Nahl: 73-74)

Njerëzit janë bërë kohët e fundit të vetëdijshëm për veçoritë dhe karakteristikat e dritës, ndërsa milingonat e njohin dhe e përdorin një karakteristikë të dritës që kur lindin. Natyrisht që një ndërtim i tillë i përsosur si syri i milingonës nuk mund të jetë rezultat i rastësisë. Syri i milingonës ka qenë i ndërtuar në këtë mënyrë që kur ajo ka ardhur në ekzistencë. Përndryshe, milingona nuk do të mund të kthehej në fole në mes të shkretëtirës së nxehtë dhe kjo do të vinte në rrezik jetën e saj. Natyrisht, sytë e të gjitha milingonave të shkretëtirës janë të pajisura me këtë sistem që ditën e parë që ato dalin në jetë. Allahu, i Gjithëfuqishmi, është Krijuesi i syve të tyre.

BASHKËPUNİMİ MREKULLUESHËM NDËRMJET MİLİNGONËS dhe ZOGUT

Kudo ka mikrobe që rrezikojnë shëndetin tonë dhe shkaktojnë sëmundje. Këto mikrobe përbëjnë rrezik si për njerëzit ashtu edhe për gjallesat e tjera, të cilave u duhet të mbrojnë veten. Kur vëzhgojmë gjallesat, shohim që ato përdorin metoda të posaçme për t’u mbrojtur nga mikrobet. Për shembull, milingonat prodhojnë një lloj substance acidike që vret mikrobet. Ato e vendosin këtë lëndë në trupat e tyre dhe nëpër muret e folesë. Me fjalë të tjera, ato e dinë që jo vetëm ato vetë, por edhe foleja ku jetojnë duhet pastruar nga mikrobet.


Milingonat, këto krijesa kaq të vogla, janë në dijeni se mikrobet janë të dëmshme dhe marrin kundër tyre masat e duhura. Ato prodhojnë një lloj acidi që i ngordh mikrobet. Allahu i frymëzon që të veprojnë kështu.

Si mundet që një milingonë të veprojë me kaq zgjuarsi? Pa dyshim që aftësia intelektuale e milingonës nuk është e mjaftueshme për këtë. Një milingonë nuk mund të dijë as çfarë është një mikrob dhe as si të mbrohet prej tyre. Milingona nuk mund ta analizojë mikrobin dhe pastaj të zbulojë lëndën mbrojtëse. Po si e prodhon ajo këtë lëndë?

Le të mendojmë së bashku!

Njerëzit vaksinohen ndaj disa sëmundjeve që shkaktohen nga mikrobe të veçanta, por këto vaksina janë pregatitur në laboratorë si rezultat i shumë kërkimeve dhe eksperimenteve. Për më tepër, janë ekspertët ata që i bëjnë këto kërkime. Për ndryshe, vaksina nuk do të përdorej, sepse mund të ishte e dëmshme. Milingonat, nga ana tjetër, nuk kanë njohuri të tilla. Ato nuk mund të shkojnë në një laborator dhe të bëjnë kërkime. Është absurde të mendosh një gjë të tillë. Sigurisht, milingonat kanë lindur në këtë botë të pajisura me gjithçka që u duhet për të kryer aktivitetet e tyre jetësore.

Kjo dituri i mësohet milingonës nga një Ekzistencë Madhështore: Allahu, Zoti i të gjitha botëve dhe Krijuesi i çdo gjëje. Ai i mësoi milingonës si të mbrohet nga mikrobet.

Tani, le të marrim zogjtë si një shembull tjetër i gjallesave që mbrohen nga bakteriet. Mikrobet shqetësojnë edhe zogjtë, por këta të fundit nuk kanë një sistem në trupat e tyre që të prodhojë lëndë mbrojtëse si te milingonat. Ata kanë gjetur një zgjidhje të ndryshme, por praktikisht të ngjashme për këtë problem. Ata shkojnë e shtrihen në një fole milingonash dhe presin që milingonat të enden nëpër puplat e tyre. Milingonat, që kërkojnë ushqim, ecin nëpër pupla dhe substanca që vret mikrobet përhapet në trupin e zogut. Në këtë mënyrë, zogu pastrohet nga mikrobet. Si është e mundur që zogjtë e dinë se milingonat prodhojnë një substancë të tillë, që mund të dezinfektojë trupat e tyre nga mikrobet?

Njerëzit e kanë zbuluar sistemin mbrojtës të milingonave vetëm pas kërkimesh e hulumtimesh të shumta. Madje shumë njerëz, të cilët janë ekspertë rreth kafshëve, ende nuk janë në dijeni të këtij fakti. Ndoshta edhe ju vetë e mësuat këtu. Zogjtë, megjithatë, e njohin këtë veti të milingonave që kur lindin. Edhe pse nuk ka njeri që t’u mësojë si të veprojnë, ata mund të përdorin milingonat për t’u pastruar nga mikrobet.

Fakti që zogjtë kanë njohuri për lëndën që prodhohet në trupat e milingonave dhe në të njëjtën kohë dinë si ta përdorin atë, na çon vetëm në një përfundim: Ky informacion u është MËSUAR atyre nga Allahu, krijuesi i të gjitha krijesave.

… çdo gjë në qiell dhe në tokë i përket vetëm Atij. Çdo gjë i bindet vetëm Atij. (El-Bekare: 116)

Për një popull që sinqerisht është i bindur ka argumente në krijimin tuaj dhe në krijimin e kafshëve. (El-Xhathije: 4)

ZOGJTË E VEGJËL İNXHİNİERË

Ju mund të keni parë foletë e zogjve në pemë, në majë të ndërtesave apo nëpër këndet e ballkoneve. Këto janë foletë e një numri të vogël zogjsh që ju i njihni, por shumë lloje të tjera jetojnë në botë dhe ndërtojnë lloje të ndryshme folesh.


Zogjtë ndërtojnë foletë e tyre në vende të sigurta të zgjedhura prej tyre.

Para së gjithash, zogjtë i ndërtojnë foletë në mënyrë që të jenë të lidhur me mjedisin e tyre natyror. Le të marrim në shqyrtim zogjtë e bregut të detit. Këta zogj i ndërtojnë foletë e tyre në sipërfaqe të ujit e megjithatë foleja nuk prishet. Materialet e përdorura dhe forma e folesë janë të projektuara më së miri, kështu edhe nëse niveli i ujit rritet, foleja dhe të vegjëlit nuk dëmtohen. Këto krijesa kanë aftësi të lindur për të ndërtuar fole dhe nuk kanë nevojë për t’u “specializuar”. Ato nuk mund ta kenë mësuar një detyrë të tillë nga përvoja, me kalimin e kohës. Nëse do të përpiqeshin të eksperimentonin dhe nëse do të gabonin, foleja do të fundosej në ujë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodh kurrë. Të gjithë zogjtë bregdetarë i ndërtojnë foletë e tyre në të njëjtën mënyrë që nga dita e parë që janë shfaqur.

Disa zogj që jetojnë në moçale i ndërtojnë muret e foleve të tyre të larta, në mënyrë që vezët të mos bien për shkak të erës. Si është e mundur që këta zogj janë në dijeni të rrezikut të rënies se vezëve?

Një lloj tjetër zogu që jeton në zona të thata e ndërton folenë e tij nëpër shkurre dhe jo në tokë. Arsyeja pse ai vepron kështu, është ndryshimi i temperaturës. Temperatura nëpër shkurre është dhjetë gradë më e ulët se në tokë. Shumëkush nga ne nuk është në dijeni të ndryshimit të temperaturës ndërmjet shkurreve dhe tokës, por këta zogj e dinë dhe mbrojnë veten dhe të vegjëlit e tyre nga nxehtësia e madhe duke ndërtuar foletë në vende më të freskëta.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si zogjtë, të cilët nuk kanë vetëdije dhe aftësi mendore, mund të njohin hollësi të tilla?

Këto sjellje të zogjve mund të krahasohen me ato të inxhinierëve që janë arsimuar dhe specializuar për vite me radhë në fushat e tyre. Ndërsa ndërtojnë një shtëpi, inxhinierët marrin parasysh hollësi të tilla si madhësia e ndërtesës, materialet që do të përdoren dhe vendndodhjen. Vetëm atëherë ndërtimi mund të fillojë. Siç e patë edhe në shembullin e përmendur më lart, zogjtë i ndërtojnë foletë e tyre sipas një plani. Por atyre nuk u nevojitet arsim. Ata veprojnë të frymëzuar nga Allahu dhe zbatojnë detyrat e tyre me shumë lehtësi. Këta zogj dhe ajo çka bëjnë janë një provë e krijimit të përkryer të Allahut, të Gjithëditurit që i frymëzon ata të bëjnë gjithçka.

Çdo gjë në qiej dhe në tokë i përket vetëm Atij. Allahu është Ai që nuk ka nevojë për asgjë. Ai është i Plotfuqishmi, i Falenderuari. (El-Haxh: 64)

SISTEMİ NGROHËS İ FLUTURËS DİMËRORE

Kur vjen dimri, shumë lloje insektesh që banojnë në rajone të ftohta të botës, mund të ngordhin nga i ftohti ose mungesa e ushqimit. Kjo ndodh sepse insektet janë krijesa të ndjeshme. Mirëpo ka disa përjashtime. P.sh. fluturat kukuvajkë ngjajnë me fluturat e zakonshme dhe në shikim të parë duken shumë delikate. Në të vërtetë, ato janë mjaft të forta dhe u mbijetojnë kushteve të ashpra të dimrit. Si rrjedhim, këto flutura quhen “flutura dimërore”.

Ashtu si edhe fluturat e zakonshme, një flutur dimërore ka dy krahë dhe trupin, ku bashkohen krahët. Me qëllim që kjo flutur të fluturojë, duhet që temperatura e kafazit të kraharorit ku bashkohen krahët të jetë 30OC, por temperatura e mjedisit ku ato jetojnë është zakonisht 0OC apo edhe disa gradë nën zero. Si mundet që fluturat dimërore t’i mbijetojnë një të ftohti të tillë?

Çfarë i pengon ato nga ngrirja kur nuk lëvizin dhe çfarë ua bën të mundur të fluturojnë në kohë të ftohtë?

Kjo lloj fluture është krijuar së bashku me një sistem të veçantë ngrohjeje që i mundëson asaj të jetojë në kushtet e dimrit. Ky sistem ka disa tipare plotësuese.

Para fluturimit, fluturat dimërore tendosin në mënyrë të vazhdueshme muskujt kryesorë që janë të lidhur me krahët dhe i bëjnë krahët e tyre të dridhen. Dridhja e shpejtë e krahëve çon në një rritje të temperaturës së kraharorit të insektit. Në saje të kësaj rritjeje, temperatura e kafazit të kraharorit mund të rritet nga 0OC deri në 30OC apo edhe më tepër. Megjithatë, kjo është vetëm një nga vetitë që fluturës i nevojitet të mbijetojë. Me qëllim që të fluturojë, nuk është e mjaftueshme vetëm rritja e temperaturës, sepse ndryshimi midis temperaturës se trupit të insektit dhe mjedisit mund të rezultojë në humbje të nxehtësisë. Në të njëjtën mënyrë, sikurse ftohet një gotë me çaj të ngrohtë, edhe trupi i fluturës do të ftohej pa i mbajtur krahët duke u dridhur. Me qëllim që flutura të fluturojë dhe, si rrjedhim, të mbijetojë, një tjetër metodë është e nevojshme të ruajë nxehtësinë e prodhuar. Kjo realizohet nga një strukturë e posaçme që Allahu ka krijuar në trupin e fluturës dimërore. Fluturat dimërore janë të mbuluara me luspa të dendura që zvogëlojnë humbjen e nxehtësisë. Shkencëtarët kanë zbuluar se një flutur pa luspa ftohet dy herë më shpejt se ajo me luspa.

Ka disa mekanizma tek flutura dimërore që e mbrojnë atë nga të ftohtët.

Tiparet e përmendura më lart duhet të kenë ekzistuar që kur këto flutura janë krijuar. Përndryshe, ato do të ishin zhdukur për shkak të të ftohtit. Çdo njeri nuk ka nevojë të mendojë gjatë për të kuptuar se nuk është një rastësi që vetëm këto lloje që jetojnë në rajone të ftohta kanë këto tipare që i bëjnë të ndryshme nga fluturat e tjera. Mbijetesa e këtyre krijesave në vende të tilla na provon forcën e Allahut, i Cili na tregon në një ajet kuranor se Ai e di ku dhe si jetojnë gjithë krijesat:

Nuk ka asnjë krijesë në tokë që Allahu mos t’ia ketë garantuar furnizimin e saj. Ai e di ku jetojnë dhe vdesin. Ato janë të gjitha në një libër të qartë. (Hud: 6)

Tipare të tilla të gjallesave na bëjnë të mundur të kuptojmë fuqinë dhe forcën e Allahut dhe rrisin tek ne besimin dhe dashurinë për Të.

Sİ E GJEJNË SALMONËT RRUGËN E TYRE?

Ju gaboheni nëse mendoni që shtegtimi është karakteristikë vetëm e zogjve. Në fakt, ka shumë lloje shtegtarësh në tokë dhe det. Në këtë pjesë do të ndjekim aventurën e salmonit, peshkut shtegtar.

Salmonët vijnë në këtë botë duke dalë nga vezët që femrat kanë lëshuar në lumë. Ata rriten dhe qëndrojnë në këtë vend për javë të tëra, më pas nisin udhëtimin e tyre drejt detit. Pas një udhëtimi udhëtimi rraskapitës plot peripeci salmonët më në fund arrijnë në det të hapur ku kalojnë disa vite të jetës së tyre. Pasi rriten aq sa janë në gjendje të shumohen, ata kthehen përsëri në lumenj.

Destinacioni që salmonët duan të arrijnë është vendi ku kanë lindur, por largësia nuk është e shkurtër. Distanca që peshqve u duhet të përshkojnë për të arritur në vendlindje mund të kapërcejë ndonjëherë edhe 1,500 km, që nënkupton një udhëtim prej disa muajsh. Ka shumë pengesa që salmonët duhet të kalojnë gjatë këtij udhëtimi.


Problemi i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi është gjetja e grykëderdhjes së lumit, në të cilën peshku ka notuar gjatë udhëtimit të tij të parë për në det. Mbështetur te kjo, peshku do të përcaktojë rrugën e kthimit. Në mënyrë të habitshme, asnjë salmon nuk gabon dhe ata të gjithë e gjejnë lumin që me përpjekjen e parë.

Duke hyrë në lumë, salmoni fillon në mënyrë të vendosur të notojë kundër rrymës. Këtë herë detyra e tij është edhe më e vështirë sepse ndërsa herën e parë ka ndjekur me lehtësi rrymën duke notuar nën ujë, tani i duhet të ngjitet mbi ujëra. Gjatë këtij udhëtimi, salmoni mund të notojë në ujëra të cekëta që ia nxjerrin pendët e para mbi ujë. Këto ujëra të cekëta janë plot më zogj, arinj dhe shumë grabitqarë të tjerë.

Vështirësitë që salmoni duhet të kapërcejë nuk janë të kufizuara me kaq. Ai ka dalë nga një vezë në një degë lumi, në një pjesë në thellësi të tokës. Me qëllim që të arrijë përsëri atë pikë, kur lumi degëzohet, ai duhet të ndjekë pa u ngatërruar rrugën e saktë. Salmoni nuk bën gabime në këto zgjedhje dhe ndjek gjithmonë të njëjtën rrjedhë.

Tani zëreni se ju keni lindur dhe jeni rritur në një shtëpi në një qytet! Një ditë ju largoheni nga shtëpia juaj, udhëtoni për ditë të tëra dhe arrini në një vend 1,500 km larg shtëpisë. Vitet kalojnë dhe ju dëshironi të ktheheni në vendin tuaj të lindjes. A mendoni se mund të jeni në gjendje të kujtoni rrugët që i keni kaluar vetëm një herë? Një qenie njerëzore nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, salmoni po. Ai e gjen gjithmonë rrugën e tij pa bërë asnjë gabim.

Janë bërë shumë studime për të kuptuar se si arrijnë salmonët të bëjnë këtë udhëtim të jashtëzakonshëm. Është arritur në përfundimin se salmonët gjejnë rrugën e tyre duke përdorur “nuhatjen”.

Në saje të nuhatjes se tij, një salmon mund të ndjekë një aromë në ujë ashtu siç bën dhe një qen gjahu. Çdo rrymë ka një aromë karakteristike. Salmoni i kujton të gjitha aromat gjatë udhëtimit të tij dhe kthehet në shtëpi duke i rikujtuar këto aroma.

Si mund të ndodhë një gjë kaq e jashtëzakonshme? Si mundet që çdo salmon të gjejë rrugën e tij në mënyrë kaq të përsosur? Pse të gjithë salmonët përpiqen të kthehen në vendin ku kanë dalë, duke rrezikuar jetën, duke kapërcyer ujëvara dhe duke u përballur me kafshë të egra? Për më tepër, ata nuk i bëjnë të gjitha këto për veten e tyre, por me qëllim që të lëshojnë vezët e tyre në këto ujëra.

Ka vetëm një përgjigje për këto pyetje: Allahu, i Gjithëdituri, e krijoi salmonin dhe sistemin që i bën të mundur atij të gjejë rrugën. Si të gjitha krijesat e tjera, salmoni vepron sipas frymëzimit dhe instiktit të mësuar nga Zoti i Lartësuar.

Përmes provave që mohojnë teorinë e evolucionit është fakti se salmonët përshkojnë mijëra kilometra dhe rrezikojnë jetën e tyre për t’u shumuar. Evolucionistët deklarojnë se të gjitha krijesat janë në luftë me njëra-tjetrën dhe se vetëm më i forti mbijeton në fund të kësaj lufte. Megjithatë, në kundërshtim me pohimet e evolucionistëve, midis qenieve të gjalla ekziston një bashkëpunim i ngushtë. Kafshët rrezikojnë vetë jetën për pasardhësit e tyre. Përveç kësaj, siç do ta shikoni në shembujt që do të sillen më poshtë, ka lloje të ndryshme që bashkëpunojnë dhe përfitojnë nga njëri-tjetri. Salmoni është një nga krijesat më interesante që shfaq sjelljen e tij vetëflijuese për pasardhësit e vet. Salmonët shtegtojnë dhe kujdesen të arrijnë vendlindjen për t’u shumuar. Ata mbeten të pakët në numër dhe ngordhin shpejt pasi lëshojnë vezët e tyre. Megjithatë, ata nuk heqin dorë nga udhëtimi i tyre. Një sjellje e tillë nuk mundet të shpjegohet nga teoria e evolucionit. Ky fakt është shumë i qartë. Allahu krijoi salmonin dhe këto krijesa sillen siç i frymëzoi Ai. Njerëzit që përdorin urtësinë e tyre mund të marrin mësime nga sjelljet e kafshëve të tilla. Allahu u kujton atyre:

Të gjitha krijesat janë nën sundimin e Tij … (Hud: 56)

Kategori: Krijesa të mrekullueshme | Shtuar nga: Argjendi (26/08/2009)
Klikime: 1081 | Ranguar: 5.0/1
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024