E diel, 22/12/2024, 15:21
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Krijimi i njeriut [17]
Krijimi i gjithësisë [27]
Krijesa të mrekullueshme [18]
Mjeshtëria e Allahut në ngjyra [11]
Tema tjera shkencore [74]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Kurani dhe shkenca » Krijesa të mrekullueshme

ZOGU ME KRAHËT MË TË GJATË NË BOTË: ALBATROSİ

ZOGU ME KRAHËT MË TË GJATË NË BOTË: ALBATROSİ


.

Albatrosët janë zogj oqeanikë me krahë shumë të gjatë, rreth 3.5 metra. Ata kalojnë 92% të jetës së tyre në det dhe vijnë në tokë vetëm për t’u shumuar. Karakteristika më e rëndësishme e këtyre zogjve është që ata mund të fluturojnë për një kohë shumë të gjatë pa u ndalur. Ata e kryejnë këtë detyrë të vështirë duke u mbështetur në stilin e fluturimit të tyre.

Me qëllim që të fluturojë, është e mjaftueshme për një albatros të hapë krahët e tij të gjera. Në këtë mënyrë, ai mund të fluturojë për orë të tëra pa i përplasur fare krahët. Zogu e bën këtë duke i shtrirë krahët e tij sa më shumë që të jetë e mundur. Largësia e krahëve të tij arrin deri në 3.5 metra. Kjo është gjatësia më e madhe e krahëve ndër të gjithë llojet e zogjve.

Duke përdorur rrymat e ajrit dhe erën, albatrosët lëvizin në drejtimin e tyre. Kështu, albatrosët fluturojnë mbi det për orë të tëra pa i rrahur krahët. Po si është e mundur që ta kryejnë një detyrë kaq të vështirë? Çfarë i bën këta zogj kaq të fortë?

Së pari, një energji shumë e madhe është e nevojshme për të mbajtur hapur ato krahë gjigandë të hapur në mënyrë konstante. Për ta kuptuar më mirë këtë detyrë të vështirë që albatrosët kryejnë, le të krahasojmë albatrosët me njerëzit. Është e vështirë për një njeri të mbajë krahët e tij të hapur për një kohë të shkurtër. Shpejt krahët fillojnë t’i dhembin dhe ai detyrohet t’i ulë. Megjithatë, albatrosët mund të qëndrojnë në ajër për disa orë me krahët e tyre të hapur.

Në kockat e krahëve të albatrosit gjendet një sistem mbyllës që u mundëson atyre t’i mbajnë krahët të hapur. Me anë të këtij sistemi mbyllës, ata nuk përdorin ndonjë fuqi muskulare. Kjo e bën më të lehtë fluturimin e këtij zogu. Në saje të këtij sistemi të veçantë, albatrosët mund të fluturojnë pa u ndalur për ditë, javë, madje edhe muaj, duke harxhuar vetëm një sasi të vogël energjie.

Mjafton vetëm një çast për të kuptuar që këto tipare nuk mund të kenë ardhur në ekzistencë rastësisht. Ne shohim mëshirën dhe mirësinë e Allahut për këta zogj që fluturojnë për një periudhë të gjatë mbi dete. Është Allahu Ai që u ka dhuruar albatrosëve të gjitha këto tipare që u nevojiten për të mbijetuar. Allahu, i Cili ka fuqi mbi gjithçka, i mbron dhe u jep albatrosëve gjithçka që u nevojitet, siç bën edhe me çdo krijesë tjetër. Allahu bën fjalë për zogjtë në një ajet kuranor ku thotë:

A nuk i shohin zogjtë si janë të përshtatur për fluturim në qiell? Asgjë nuk i mban ata përveç Allahut. Në këtë fakt ka argumente për njerëzit që besojnë. (En-Nahl: 79)

ARTİSTËT E ZBUKURİMEVE: ZOGU TENDË

A e dinit ju që këta zogj zbukurojnë foletë e tyre? Ashtu si qeniet njerëzore që stolisin vendin ku jetojnë, disa lloje zogjsh zbukurojnë foletë e tyre. Sjellja e këtyre zogjve është e mrekullueshme. Ndonjëherë ata stolisin foletë e tyre me objekte zbukuruese që mbledhin andej-këndej ose pikturojnë muret e foleve të tyre me fruta me ngjyrë.

Zogu tendë, një lloj zogu australian që është një nga shpendët që pikturon folenë e tij është me të vërtetë “ekspert i arkitekturës”. Masa e mashkullit është sa e një pëllumbi. Ndërsa ndërtojnë folenë e tyre, ata ndërthurin dhjetëra degë të holla në dy radhë, secila përballë tjetrës, siç shihet edhe në figurë. Në këtë mënyrë, ata ndërtojnë një lloj tende. Zogu i grumbullon të gjitha materialet e marra nga mjedisi rrethues përballë kësaj tende. Materialet janë nga më të ndryshmet. Ato mund të jenë krahu i një fluture, penda e ndonjë zogu, çelësat e një makine ose disa letra paketimi. Ky lloj zogu është i interesuar veçanërisht për objektet në ngjyrë të kaltër. Siç mund ta shihni edhe në figurë, ai ka grumbulluar në folenë e tij të gjitha objektet e kaltra që ka gjetur.

Përveç kësaj, ai përdor edhe disa mënyra të tjera stolisjeje. Zogu tendë pikturon muret e folesë se tij. Doni ta dini se si? Ai mbledh bimë të ngjyrave të ndryshme dhe pikturon muret duke përdorur copa prej tyre. Ndonjëherë përdor qymyr që e përzien me jargët e veta. Ai i pikturon muret e folesë se tij, të ndërtuara me degë, edhe me një copë lëvore druri që mban në gojë.

Allahu është Krijuesi i të gjitha llojeve të zogjve, qofshin këta të rrallë si zogjtë tendë, qofshin ndër ata që i shohim më shpesh, si pëllumbat dhe harabelat. Allahu i Gjithëlavdishëm u mëson zogjve të vegjël si të ndërtojnë dhe zbukurojnë folenë e tyre. Ajo çka neve na takon të bëjmë është të mendojmë në mënyrë të veçantë mbi këto karakteristika të kafshëve për të kuptuar më mirë fuqinë e madhe të Allahut, i Cili thotë në një ajet kuranor:

Ai ka bërë gjithçka në qiej dhe në tokë të dobishme për ju. Gjithçka është nga Ai. Në këtë fakt ka argumente për njerëzit që mendojnë. (El-Xhathije: 13)

ZOGJTË QË NDËRTOJNË FOLE PËR PASARDHËSİT E TYRE

Megapodët jetojnë në Australi dhe ndërtojnë fole shumë të veçanta për vezët e tyre. Megapodi mashkull gërmon një vrimë të madhe dhe e mbush atë me lëndë të lagura e bimë të kalbura. Zogu ka një arsye të veçantë dhe të rëndësishme që vepron kështu. Bakteriet në bimët e kalbura prodhojnë nxehtësi, kështu që foleja e tij ngrohet. Me qëllim që të mbajë temperaturën konstante, mashkulli bën ajrimin dhe vazhdimisht kontrollon temperaturën e folesë duke ngulur sqepin e tij në këto vrima. Ai bën, gjithashtu, një dalje në formë hinke në sipërfaqen e pirgut të bimëve. Kjo dalje lë shiun të pikojë brenda pirgut gjatë dimrit dhe në këtë mënyrë, e mban atë të njomur. Pasi foleja është gati, femra vjen dhe lëshon vezët e saj në vrimën e hapur.

Megjithatë, temperatura e folesë rritet vazhdimisht gjatë verës, ndaj dhe mashkulli megapod mbulon folenë me rërë. Kjo mënyrë bën të mundur ndalimin e rritjes së nxehtësisë në fole.

Tani, le të shtrojmë një pyetje. Para se të lexonit këto rreshta, a e dinit se nga bimët e kalbura çlirohet nxehtësi? Është e natyrshme që të mos e keni ditur nëse nuk keni qenë informuar nga ndonjë tekst i specializuar. Shumë njerëz nuk e dinë. Megjithatë, megapodët kanë njohuri për këtë fakt. Për më tepër, ata e përdorin këtë njohuri në dobi të pasardhësve të tyre.

Po si është e mundur që një zog të bëjë llogaritje kaq delikate dhe të mençura? Si munden zogj të tillë të marrin masa të tilla parandaluese? Pse kryejnë një detyrë kaq të vështirë për pasardhësit e tyre?

Me qëllim që të bëjë të gjitha këto, një zog duhet të ketë njohuri teknike të një inxhinieri dhe aftësitë intelektuale të një qenieje njerëzore. Natyrisht, një zog nuk ka arsyen dhe trurin për të vepruar si një njeri i mësuar. Ka një fuqi që i drejton zogjtë dhe bën të mundur që megapodët të kryejnë këto detyra që kërkojnë përdorimin e arsyes. Kjo fuqi është Allahu, i Cili krijoi çdo gjë në mënyrën me të përsosur.

Nga sa lexoni në këtë libër, është e lehtë të kuptohet se këto krijesa nuk munden t’i bëjnë të gjitha këto gjëra të mrekullueshme vetë, pa aftësitë dhe ndihmën e dhënë nga Allahu, i Cili ka krijuar gjithçka. Megjithatë, ka njerëz që nuk pranojnë këtë fakt. Allahu na tregon për këta njerëz në Kuran:

Thuaj (o Muhamed): “Kush është zoti i tokës dhe qiejve?” (Ata nuk kanë përgjigje tjetër ndaj) thuaj: “Allahu.”

Thuaj: “Atëherë si ka mundësi që në vend të tij adhuroni zota të tjerë, të cilët nuk kanë mundësi t’i sjellin as dobi e as dëm vetvetes?”

Thuaj: “A është i barabartë i verbëri me atë që sheh? A krahasohet errësira me dritën?

A mos vallë ata adhuruan në vend të Allahut zota që kanë krijuar ashtu siç krijon Ai, ndaj dhe ata nuk janë në gjendje të dallojnë krijimin e Allahut nga krijimi i zotave të tjerë?”

Thuaj: “Allahu është krijuesi i çdo gjëje.

Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe Ai është ngadhënjyes mbi çdo gjë.” (Er-Ra‘d: 16)

KUJTESA E FUQİSHME E GRİFSHËS

Grifshat mbledhin kokrra drithi dhe i groposin ato në tokë për përdorim të mëvonshëm. Ndonjëherë ato groposin deri në mijëra kokrra drithi në ditë. Çdo gjë në pyll duket njëlloj. Kjo është arsyeja pse është e vështirë madje edhe për një njeri të gjejë një vend të caktuar në një pyll. Atëherë si mundet që grifshat e gjejnë vendin ku kanë fshehur ushqimin e tyre? Ato veprojnë në mënyrë shumë të zgjuar dhe e shënojnë vendin duke përdorur tri degë ose copa gurësh. Sidoqoftë, është shumë e vështirë të gjesh diçka të groposur në një pyll. Megjithatë, eksperimentet kanë treguar se këta zogj mund të gjejnë kokrrat e drithit edhe nëntë muaj me vonë. Është një mrekulli e krijimit që këta zogj kanë një kujtese kaq të fortë.

Natyrisht, nuk është e mundur të shpjegojmë sjelljen e grifshës për të fshehur kokrrat e drithit, duke i groposur në tokë ose duke i shënuar këto vende të fshehta për t’i gjetur me vonë.

Duke groposur mijëra kokrra drithi dhe duke shënuar vendet e tyre me gurë dhe degë në mënyrë të rregullt, ky zog kryen diçka shumë të habitshme. Është shumë e natyrshme për një zog të ushqehet me drithë sapo e gjen, por vetëm një qenie inteligjente mund t’i ruajë për përdorim të mëvonshëm, të shënojë vendin ku ka fshehur ushqimin dhe ta njohë këtë shenjë më vonë.

Një zog nuk mund të bëjë vetë asgjë nga këto. Kështu, ne e kuptojmë se ka një qenie që zotëron mençuri e urtësi të pafund, ka fuqi mbi gjithçka dhe frymëzon grifshën të veprojë siç u tregua më sipër. Kjo mençuri e urtësi e madhe i përket Allahut, i cili krijoi gjithçka me një rregull të përsosur.

TANKET E BLİNDUARA TË MBRETËRİSË SË KAFSHËVE

Këto kafshë të Amerikës se Jugut, të cilat quhen armadijo, kanë një pamje shumë interesante për shkak të koracës që mbulon trupin e tyre. Këto krijesa ushqehen me insekte dhe zakonisht kërkojnë ushqim duke gërmuar në tokë. Armadijot kanë një shqisë të mprehtë nuhatjeje. Duke nuhatur erën e ushqimit, armadijo vendos hundën e tij në tokë dhe gërmon me shpejtësi sikur ka frikën e humbjes së erës. Shumëkush mund të habitet kur sheh si armadijo arrin të marrë frymë ndërsa gërmon. Por armadijot nuk marrin frymë në kohën e gërmimit. Në të vërtetë, ata janë në gjendje të mbajnë frymën e tyre deri në 6 minuta.

Në saje të aftësisë së dhuruar nga Allahu për të mbajtur frymën për një kohë të gjatë, armadijot mund të gërmojnë nën tokë dhe të gjejnë ushqimin e tyre. Ky shembull tregon mëshirën e Allahut ndaj këtyre krijesave. Në një ajet, Allahu na njeh me veten e tij:

Vërtet Zoti yt është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëbërësi. (Esh-Shu‘ara’: 9)

ZOGJTË SHTEGTARË QË MUND TË FLUTUROJNË EDHE NATËN

Shumë lloje zogjsh udhëtojnë me mijëra kilometra çdo vit në vende ku mund të gjejnë burime të pasura ushqimi, ku mund të lëshojnë vezët dhe të rrisin të vegjlit e tyre. Allahu na tregon për fluturimin e zogjve në një ajet kuranor:

A nuk i shohin njerëzit zogjtë që fluturojnë sipër tyre duke hapur e mbyllur krahët? Asgjë nuk i mban në ajër përveç Fuqiplotit, i Cili sheh çdo gjë. (El-Mulk: 19)

Shumë zogj ujorë kryejnë fluturime në largësi të mëdha në saje të ndërtimit të trupit dhe aftësisë së komunikimit ndërmjet tyre. Zogjtë ujorë komunikojnë gjatë fluturimit duke kënduar dhe duke prodhuar tinguj të ndryshëm. Kështu bën çdo anëtar i grupit, madje edhe në mes të natës, pa marrë parasysh sa të shumtë janë në numër.

Çdo pjesëtar i turmës e di ku janë të tjerët. Shkencëtarët mendojnë se zogjtë e ujit përdorin diellin për të gjetur vendndodhjen e tyre. Kur janë pranë vendndodhjes së tyre, ata njohin disa shenja. Kjo është e ngjashme me përdorimin e rrugëve dhe ndërtesave të caktuara për të gjetur shtëpinë tuaj. Në mënyrë të ngjashme, zogjtë e ujit ndjekin lumenjtë, malet dhe shenja të tjera tokësore. Disa zogj ujorë mund të fluturojnë pa u ndalur natën dhe ditën gjatë shtegtimit të tyre.

Aftësia për të gjetur drejtimin është karakteristikë për qeniet njerëzore që janë të pajisura me arsye. Njeriu mund të gjejë drejtimin e tij duke përdorur disa teknika ose me ndihmën e diellit, por si munden zogjtë ta gjejnë drejtimin e tyre? Si munden ata të shfrytëzojnë pozicionin e diellit apo shenjat e tjera?

Në ajetin kuranor të përmendur më sipër thuhet: “A nuk i shohin njerëzit zogjtë që fluturojnë sipër tyre duke hapur e mbyllur krahët..?” Me anë të këtij ajeti Allahu na tërheq vëmendjen ndaj fluturimit të zogjve. Ai kërkon prej nesh që të mendojmë mbi këtë aftësi që u ka dhuruar atyre. Duke menduar në këtë mënyrë, ne arrijmë në përfundimin se sjelljet inteligjente dhe aspektet e përsosura fizike të krijimit nuk mund të jenë fryt i rastësisë.

Mendoni rreth fakteve të tilla dhe ndajini mendimet tuaja me njerëz të tjerë! Sigurohuni që edhe ata të kuptojnë madhështinë e Allahut dhe faktin se është Ai që ka krijuar gjithçka.

PASTRUESİT E DETİT

Çfarë mendoni ju nëse shikoni një peshk të vogël që është gati të hyjë në gojën e një peshku të madh? Do të mendoni se peshku i madh do ta gëlltisë peshkun e vogël dhe do të çuditeni se si peshku i vogël qëndron aq pranë tij.

Pa dyshim, kjo është diçka e veçantë që peshku i madh e lejon peshkun e vogël të notojë rreth tij, nuk e sulmon dhe nuk do t’ia dijë fare nëse është duke notuar edhe brenda gojës ose nën gushën e tij. Megjithatë, është e mundur të shohësh shpesh pamje të tilla në oqeane. Peshqit e vegjël nuk janë të vetmet gjallesa që notojnë pa frikë pranë peshkut të madh. Ndonjëherë mund të shihen edhe karkaleca deti afër peshqve të mëdhenj. Këta janë karkalecat pastrues, puna e të cilëve është të pastrojnë disa nga peshqit e mëdhenj.

Ka shumë lloje karkalecash pastrues deti. Ky që shihet në foto është një prej tyre. Vija e kuqe dhe e bardhë e karkalecit të detit e bën atë të dukshëm, të ngjashëm me një dritë dhe ndihmon peshqit që u duhet të pastrohen për të dalluar atë. Kur karkaleci, me dy antenat e gjata të bardha, vendoset pranë peshkut, ky i fundit pret në mënyrë shumë të durueshme karkalecin për të ngrënë parazitet në lëkurë ose në vendet e dëmtuara. Karkaleci pastrues mund të futet edhe në gojë për të hequr parazitet që bezdisin peshkun. Në këtë mënyrë, karkaleci gjen edhe ushqimin e vet. Karkaleci i detit vazhdon të punojë derisa të sigurohet se peshku është pastruar. Kur puna mbaron, peshku i madh nuk i shkakton as edhe dëmin më të vogël karkalecit që në fakt mund të jetë një ushqim shumë i mirë. Karkaleci i detit vepron pa u shqetësuar dhe pa u frikësuar nga peshku i madh. Siç shihet edhe në foto, këto dy krijesa shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën.

Konceptet e “të shkuarit mirë” apo “të dhënit garanci” etj. janë karakteristikë për njerëzit që kanë arsye dhe inteligjencë. Ato nuk mund të vlejnë për këto gjallesa ujore. Megjithatë, Allahu, që ka kontroll dhe fuqi mbi gjithçka, i mëson këto krijesa të sillen kështu dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

GJİNKALLA E ZHURMSHME

Gjinkalla është një insekt i zhurmshem. Ajo prodhon gumëzhitje me anë të një sistemi në trupin e saj. Poshtë barkut të insektit gjenden një çift organesh membranozë. Gjinkalla prodhon atë tingull shumë të njohur duke dridhur këto membrana si daulle. Kur këto membrana tërhiqen dhe lëshohen nga muskujt me të cilët janë ngjitur, prodhohet një tingull i ngjashëm me atë të një ene të zbrazur metalike. Insekti e përsërit këtë tërheqje-lëshim 500 herë në sekondë. Duke marrë parasysh që ju mund të mbyllni dhe të hapni sytë vetëm një herë në sekondë, shpejt mund të shikoni se sa e vështirë është ta kryesh këtë 500 herë në sekondë.

Me hapjen dhe mbylljen e pjesës së jashtme që ndodhet në zonën më të ulët të kafazit të kraharorit të insektit, niveli i tingullit mund të rritet dhe të ulet. Syri i njeriut nuk mund t’i dallojë këto hapje e mbyllje që ndodhin në të dhjetën e sekondës. Ne nuk e vëmë re as faktin se tingulli është i ndërprerë dhe mendojmë se tingulli gumëzhitës i gjinkallës është i vazhdueshem.

ZOGJTË PASTRUES

Zogjtë që shikoni në foto janë zogjtë pastrues. Këta zogj ushqehen me parazitët që jetojnë në lëkurën e disa kafshëve si rinocerontët, elefantët apo zebrat. Për këtë arsye, këto kafshë nuk shqetësohen prej këtyre zogjve edhe kur i kanë mbi trup e mbi kokë.

Kjo lidhje është me leverdi për të dy palët. Në këtë mënyrë, kafshët heqin parazitët dhe lajmërohen, gjithashtu, nga zogjtë që ngrenë zërat e tyre në rast rreziku. Në shkëmbim, zogjtë sigurojnë ushqimin dhe madje edhe qimet për të mbuluar pjesën e brendshme të folesë se tyre.

PATİNATORËT E PELLGUT QË ECİN MBİ UJË

Është e pamundur për qeniet njerëzore të ecin në sipërfaqe të ujit. Megjithatë, disa gjallesa e bëjnë këtë me anë të strukturës së veçantë të trupit që Allahu u ka dhënë. P.sh., një lloj insekti që quhet patinatori i pellgut ecën sipër ujit duke shtypur këmbët e tij të gjata dhe të holla me lëkurë elastike në sipërfaqe të ujit. Kur këmbët e insektit shtyjnë ujin, një vrimë e vogël formohet në sipërfaqe. Në këtë mënyrë, insekti shpërndan peshën e tij të trupit mbi një sipërfaqe të gjerë.

Vëzhgimet kanë treguar se këmbët e patinatorëve të pellgjeve nuk e thyejnë sipërfaqen e ujit. Me fjalë të tjera, këmbët e tyre nuk hyjnë në ujë. Si rezultat, patinatorët e pellgjeve kanë mundësi të ecin në sipërfaqe të ujit ndërsa krijesa të tjera nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

KËMBËNGULJA E PESHKUT THİTHËS

E veçanta e peshqve thithës është se ata përdorin anijet ose peshkaqenët për t’u përhapur në oqean. Pendët e peshkut janë si një disk oval thithës. Ai mund të lëvizë me ndihmën e gjithçkaje, e gjallë ose jo e gjallë. Pavarësisht nga fakti se sa shpejt noton objekti apo gjallesa pas së cilës ngjiten, peshqit thithës nuk lëshohen për asnjë çast prej tij. Në foton më sipër shihen peshq thithës që i janë ngjitur nga poshtë një peshkaqeni. Në një ajet kuranor Allahu i Madhëruar thotë:Çdo gjë në tokë dhe në qiej i përket vetëm Allahut. Dija e Allahut përfshin çdo gjë. (En-Nisa: 126)

PESHKU ME BUZË TË KUQE

Peshku lakuriq nate me buzë të kuqe është i vetmi peshk në botë që ecën me të katër pendët. Ato pendë janë të përcaktuara pikërisht për të bërë të mundur ecjen. Ai ka, gjithashtu, një hundë me pamje të çuditshme dhe buzë të kuqe e të mëdha. Këto bëjnë që pamja e jashtme e peshkut të duket e veçantë. Ato që i mundësojnë peshkut lakuriq nate të ecë në fund të detit si një qenie njerëzore janë pendët e tij të kraharorit dhe të legenit. Duke përdorur këto pendë, ky lloj peshku mund të qëndrojë shumë lehtë në fund të detit dhe të zhvendoset mbi majat e pendëve.

Përveç kësaj aftësie, peshku lakuriq nate ka një tipar tjetër interesant. Ai ka disa shtojca poshtë hundës, të cilat i përdor si një vijë peshkuese për të mashtruar peshq të tjerë. Këto lloje peshqish janë mishngrënës. Duke përdorur këtë linjë peshkuese, ata gjuajnë peshq të tjerë, gaforre, larva dhe midhje. Ky krijim i ndërlikuar në këta peshq të vegjël që jetojnë në fund të detit na tregon edhe një herë një nga shembujt e shumtë të forcës krijuese të Allahut.

ÇAFKAT SHUMËNGJYRËSHE

Çafkat mund të shihen pothuajse në çdo zonë ku ka ujë. Çafka e madhe ngjyrë blu që shohim në figurë është zogu më i gjatë që jeton në Amerikën e Veriut.

Vendi i folesë ku çafkat mblidhen është, zakonisht, në një zonë të fshehtë e të thellë që është shumë e vështirë për njerëzit të arrijnë ta gjejnë. Një lloj tjetër çafke ka ngjyra të ndryshme gjatë pranverës, ndërsa i shfaqen ngjyra të reja rreth sqepit shumëngjyrësh gjatë kohës së ndërtimit të folesë.

Allahu i krijoi zogjtë me ngjyra të ndryshme. Ne kënaqemi duke parë ngjyrat e bukura në puplat e zogjve. Kjo larmi ngjyrash tek zogjtë është një nga shenjat e krijimit të mrekullueshëm të Allahut. Në Kuran, Allahu tregon se Ai është krijuesi i ngjyrave:

A nuk e sheh se Allahu e zbret shiun nga qielli dhe nëpërmjet tij nxjerr fruta me ngjyra të larmishme?

Ai krijoi malet në të cilat gjenden rrugë të bardha dhe të kuqe, me ngjyra të ndryshme dhe të tjera tepër të zeza.

Po kështu ai krijoi njerëzit, kafshët dhe bagëtitë me një larmi ngjyrash.

Me të vërtetë, ata që i frikësohen më shumë Allahut ndërmjet robërve të Tij, janë dijetarët. Allahu është i Gjithëfuqishëm dhe Falës i Madh (Fatir: 27-28)

Kategori: Krijesa të mrekullueshme | Shtuar nga: Argjendi (26/08/2009)
Klikime: 1747 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024