Në shumë ajete, njerëzve u bëhet thirrje që të përqëndrojnë vëmendjen në krijimin e tyre. Shumë shpesh atyre u kujtohet ardhja në jetë e njeriut, fazat në të cilat ka kaluar krijimi i tij dhe se çfarë është ai në thelb:
”Ne ju kemi krijuar juve; përse pra nuk e pranoni të vërtetën?! A keni menduar ndonjëherë për farën (spermën) që nxirrni?
Mos vallë ju e krijoni atë, apo jemi Ne krijuesit e saj?” (El Uakia 57-59)
Krijimi i njeriut, bashkë me mrekullitë e shumta që përmban, është theksuar në mjaft ajete të tjera. Disa pjesë të informacionit të përmendur në disa ajete kuranore janë kaq të hollësishme saqë është e pamundur që një njeri, i cili ka jetuar në shekullin VII të kishte njohuri për to. Disa prej këtyre pikave janë si më poshtë:
1- Njeriu nuk është krijuar nga e tërë fara, por nga një pjesë mjaft e vogël e saj. 2- Është mashkulli ai që luan rol në përcaktimin e gjinisë së fëmijës dhe jo femra. 3- Embrioni njerëzor ngjitet në mitrën e nënës si një shushunjë. 4- Embrioni zhvillohet brenda tri errësirave (shtresave) në mitër. Në kohën e shpalljes së Kuranit, njerëzit e dinin me siguri që faktori bazë në lindjen e njeriut ishte fara e mashkullit. Po ashtu, fakti që foshnja lind mbas një periudhe prej nëntë muajsh kuptohej nga të gjithë dhe s’kishte nevojë për vëzhgime të mëtejshme. Ndërsa informacioni i përmendur në pikat që cituam më lart ishte i paarritshëm dhe i pakonceptueshëm nga niveli i njohurive që zotëronin njerëzit e asaj kohe.
Këto të dhëna u vërtetuan në mënyrë shkencore vetëm në shekullin XX. Tani le t’i studiojmë këto pika një nga një.
Një pikë e farës Gjatë marrëdhënieve seksuale, nga organi seksual i mashkullit dalin njëherësh rreth 250 milionë spermatozoidë, të cilët nisin një udhëtim të mundimshëm në trupin e femrës, derisa arrijnë te veza. Nga 250 milionë spermatozoidë vetëm një mijë prej tyre ia dalin të arrijnë në destinacionin e duhur. Në fund të kësaj ”gare”, veza lejon vetëm një qelizë spermatozoide që të depërtojë brenda saj. Ky është thelbi i njeriut, i cili nuk është krijuar nga e tërë sperma, por nga një pjesë shumë e vogël e saj. Në Kuran thuhet:
”A mos mendon njeriu se do të lihet pa u ngarkuar me përgjegjësi. A nuk ka qenë ai dikur një pikë e farës që derdhet?” (El Kijame 36-37) Siç shihet, Kurani na informon se njeriu nuk është krijuar nga e gjithë sperma, por nga një pjesë shumë e vogël e saj. Ky fakt që theksohet në këtë shpallje është zbuluar prej shkencës bashkëkohore dhe është një dëshmi e qartë e origjinës hyjnore të saj.
Përzierja në farë (spermë) Fara nuk përmban vetëm spermatozoide, por edhe një përzierje lëngjesh të ndryshme. Këto lëngje kanë funksione të ndryshme, siç është mbajtja e sheqerit, i cili është i nevojshëm për t’u dhënë energji spermatozoideve, neutralizimi i acideve gjatë hyrjes në mitër dhe krijimi i një ambjenti rrëshqitës në mënyrë që t’u lejojë lëvizje të lirë spermatozoideve. Kur përmendet fara në Kuran, ajo përshkruhet si një lëng i përzierë:
”Ne e krijuam njeriun prej një pike uji të përzier me qëllim që ta sprovojmë atë…” (El Insan 2)
Një ajet tjetër, po ashtu, bën fjalë për farën si një përzierje. Në të theksohet se njeriu është krijuar nga ”esenca” e kësaj përzierje: ”Ai e përsosi krijimin e çdo gjëje dhe filloi krijimin e njeriut nga balta. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të shtohen prej esencës së një lëngu të dobët.” (Es-Sexhde 7-8)
Fjala arabe ”sulale” e përkthyer si ”esencë”, nënkupton diçka esenciale ose pjesën më të mirë të diçkaje. Në raste të tjera ajo nënkupton ”një pjesë të një tërësie”. Kjo tregon që Kurani është fjala e Atij që e njeh krijimin e njeriut në detajet më të hollësishme. Ai është Zoti, Krijuesi i njeriut.
Gjinia e foshnjes Jo shumë kohë më parë mendohej se gjinia e foshnjes përcaktohej prej qelizave të nënës. Ose më saktë, besohej se gjinia ishte e përcaktuar nga qelizat e mashkullit dhe të femrës së bashku. Por në Kuran na është dhënë një informacion i ndryshëm, sipas të cilit të dy gjinitë janë krijuar nga ”pika e farës që hidhet”.
”Ai i krijoi të dy gjinitë, mashkullin dhe femrën, prej pikës së farës që hidhet.” (En-Nexhm 46-47)
Përmendja e dy gjinive nuk është e rastësishme. Nëse Zoti do të kishte për qëllim thjesht krijimin e njeriut, atëherë në ajet do të thuhej ”Ai e krijoi njeriun… prej pikës së farës..”. Mirëpo ajeti na informon se Zoti i krijoi të dy gjinitë prej pikës së farës… Zhvillimi i gjenetikës dhe biologjisë molekulare ka vërtetuar shkencërisht saktësinë e këtij informacioni të dhënë në Kuran. Tani është e qartë se gjinia përcaktohet nga qelizat spermatozoide të mashkullit, ndërsa femra nuk luan asnjë rol në këtë proces. Kromozomet janë elementet bazë në përcaktimin e gjinisë. Dy nga 46 kromozomet, të cilat përcaktojnë strukturën e njeriut, janë të njohura si kromozomet seksuale. Këto dy kromozome te mashkulli janë emërtuar ”XY”, ndërsa te femra ”XX”, sepse forma e këtyre kromozomeve ngjason me shkronjat përkatëse. Kromozomi Y mban kodin gjenetik të mashkullit,kurse kromozomi X atë të femrës. Formimi i një qenieje njerëzore fillon me ndërthurjen e një prej këtyre kromozomeve, i cili gjendet si te çiftet e mashkullit, ashtu edhe te ato të femrës. Te femra, komponentet e qelizës seksuale, të cilat ndahen në dy pjesë gjatë ovulacionit, mbajnë kromozomet X. Qeliza seksuale e mashkullit, nga ana tjetër, prodhon dy lloje të ndryshme qelizash spermatozoide, njëra prej të cilave përmban kromozomet X, ndërsa tjetra Y. Nëse një kromozom X i femrës bashkohet me një qelizë spermatozoide, e cila përmban një kromozom X, atëherë fëmija do të jetë femër. Nëse ai bashkohet me një qelizë spermatozoide që përmban kromozomin Y, fëmija do të jetë mashkull. Me fjalë të tjera, gjinia e foshnjës përcaktohet nga ai kromozom i mashkullit që bashkohet me vezën e femrës. Asgjë prej këtij informacioni nuk dihej para shekullit XX, gjatë të cilit u zbuluan gjenet. Në të vërtetë, më parë besohej se gjinia e foshnjes përcaktohej nga trupi i femrës. Kjo është edhe arsyeja pse gratë fajësoheshin kur lindnin vajza. Trembëdhjetë shekuj para zbulimit të gjeneve, në Kuran shpallet lajmi i cili hodhi poshtë këtë besim të kotë, duke bërë të qartë se gjinia e njeriut nuk e ka pikënisjen nga femra, por te sperma e mashkullit.
Në Kuran thuhet se meshkujt dhe femrat janë krijuar nga “pika e farës që derdhet”. Gjithësesi, jo shumë kohë më parë, besohej se gjinia e foshnjës përcaktohej nga qelizat e nënës. Shkenca arriti ta zbulojë faktin e përmendur në Kuran vetëm në shekullin XX.
Ngjitja e lëngut të mpiksur në mitër Nëse do të vazhdonim t’i studionim më tej argumentet e shpallura në Kuran rreth formimit të embrionit të njeriut, do të hasnim në disa mrekulli shkencore të tjera shumë të rëndësishme. Kur qeliza spermatozoide bashkohet me vezën e femrës, fillon të formohet qeliza bazë e embrionit. Qeliza e vetme, e cila njihet në biologji me emrin ”zigotë”, fillon menjëherë të riprodhohet nëpërmjet ndarjes dhe më pas shndërrohet në një ”copë mishi” të quajtur embrion. Sigurisht që kjo mund të shihet nga njerëzit vetëm me ndihmën e mikroskopit. Sidoqoftë, gjatë periudhës së zhvillimit, embrioni nuk qëndron në zbrazëtirë. Ai ngjitet në mitër siç ngjiten rrënjët e një bime, të cilat fiksohen fort në tokë nëpërmjet lozeve të tyre. Nëpërmjet kësaj lidhjeje, embrioni arrin të marrë prej trupit të nënës substancat e nevojshme të jetës. Në këtë pikë, një mrekulli mjaft domethënëse është shpallur në Kuran. Duke iu referuar zhvillimit të embrionit në barkun e nënës, Zoti përdor në Kuran fjalën ”alek”, e cila është dhe faza e parë e përshkrimit të zhvillimit të tij. ”Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë. Krijoi njeriun prej alekut (në mitrën e nënës). Lexo, se Zoti yt është më bujari!” (El-Alek 1-3) Nga ana gjuhësore, fjala alek ka kuptimin e ”diçkaje të varur apo të ngjitur në diçka tjetër”. E njëjta fjalë përdoret për të përshkruar shushunjat që ngjiten ne trup për të thithur gjakun. Sigurisht, përdorimi i kësaj fjale për të përshkruar në mënyrë mjaft të përshtatshme zhvillimin e embrionit në barkun e nënës, vërteton edhe një herë se Kurani është shpallje nga Zoti, Zoti i gjithçkaje.
Në fazën e parë të zhvillimit, foshnja në barkun e nënës është në formën e zigotës, e cila ngjitet në mitër me qëllim që të ushqehet prej gjakut të nënës. Në foton lart duket zigota, e cila ngjason me një copë mishi. Ky fakt, i cili u zbulua nga embriologjia bashkëkohore, është një mrekulli e shpallur në Kuran 14 shekuj më parë me anë të fjalës “alek”, që nënkupton “diçka që ngjitet dhe varet në në një vend” dhe përdoret për të përshkruar shushunjën, e cila ngjitet në trup për të thithur gjak.
Mbështjellja e muskujve rreth kockave Një nga ajetet që përshkruan fazat e zhvillimit të embrionit të njeriut pohon faktin se në barkun e nënës në fillim zhvillohen kockat dhe më pas muskujt: ”… Pastaj e shndërruam pikën në alek, pastaj alekun e shndërruam në copë mishi, pastaj këtë copë mishi e shndërruam në eshtra, pastaj eshtrave u veshëm mishin, pastaj e bëmë njeriun krijesë tjetër (me shpirt).
I lartë është Zoti, Krijuesi më i mirë.” (El-mu’minun 12-14) Deri pak kohë më parë, embriologët ishin të mendimit se kockat dhe muskujt në embrion zhvillohen në të njëjtën kohë. Për këtë arsye, për një kohë të gjatë, disa njerëz pretendonin se këto ajete ishin në kundërshtim me shkencën. Por kërkimet e fundit mikroskopike, të ndihmuara nga avantazhi i teknologjisë moderne, zbuluan se shpallja në Kuran është e saktë.
Vëzhgimet në nivele mikroskopike treguan se zhvillimi i embrionit në barkun e nënës ndodh në përputhje të plotë me përshkrimin në Kuran. Së pari, indet kërcore të embrionit kthehen në kocka. Më pas, qelizat muskulore, të cilat formohen prej indeve përreth kockave bashkohen dhe mbështjellin kockat.
Ky proces është shpjeguar si më poshtë në librin e mirënjohur, Zhvillimi i njeriut, i cili është shkruar nga një prej shkencëtarëve më të spikatur në fushën e anatomisë dhe embriologjisë.
Kockat e foshnjës mbasi zhvillohen krejtësisht në barkun e nënës, vishen me mish gjatë një faze të veçantë. Shumë prej fazave të zhvillimit të fëmijës në barkun e nënës janë shpallur në Kuran. Siç thuhet edhe në ajetin e katërmbëdhjetë të sures El Mu’minun, indet kërcore të embrionit, në fillim, shndërrohen në kocka. Pastaj kockat vishen me qeliza muskulore. Zoti e përshkruan këtë zhvillim nëajetin: “… pastaj mudgan e shndërruam në eshtra, pastaj eshtrave u veshëm mishin.” Gjatë javës së shtatë, skeleti fillon të shpërndahet nëpër tërë embrionin dhe kockat marrin formën e tyre natyrale. Në fund të javës së shtatë dhe gjatë javës së tetë, muskujt zënë vendin e tyre rreth formave të kockës. Pra, fazat e zhvillimit të njeriut të përshkruara në Kuran janë në harmoni të plotë me zbulimet e embriologjisë bashkëkohore.
Tri fazat e foshnjës në mitër. Në Kuran është shpallur se njeriu është krijuar në barkun e nënës në tri faza. ”... Ai ju krijoi në barkun e nënave tuaja, fazë pas faze, në tri errësira. Ky është Zoti, Zoti juaj, vetëm i Tij është pushteti…” (Ez-Zumer 6) Siç mund të shihet nga ajeti i mësipërm, njeriu është krijuar në barkun e nënës në tri faza të veçanta. Me të vërtetë, biologjia bashkëkohore ka zbuluar se zhvillimi embrional i foshnjës realizohet në tre sektorë të veçantë në barkun e nënës. Sot, në të gjitha tekstet e embriologjisë që studiohen në fakultetet e mjekësisë, ky subjekt trajtohet si pjesë e njohurive themelore. Për shembull, në librin Embriologjia njerëzore elementare, i cili është një referencë e rëndësishme në fushën e embriologjisë, ky fakt përshkruhet si më poshtë: Jeta në mitër kalon në tri faza: paraembrionike (dy javët e para plus gjysma e javës së tretë), embrionike dhe fetus (fundi i javës së tetë e deri në lindje).”18 Këto faza u referohen etapave të ndryshme të zhvillimit të një foshnjeje. Karakteristikat kryesore të këtyre etapave janë dhënë më poshtë: - Faza paraembrionike Në këtë fazë, zigota rritet nëpërmjet ndarjes dhe, kur bëhet një grumbull shumëqelizor, ajo ngjitet në muret e mitrës. Ndërsa vazhdojnë të rriten, qelizat organizohen në tri shtresa. - Faza embrionike Kjo fazë zgjat për pesë javë e gjysmë, gjatë së cilës foshnja quhet ”embrion”. Në këtë fazë, sistemet dhe organet kryesore të trupit fillojnë të shfaqen prej shtresave qelizore. - Faza fetus Në këtë fazë, embrioni quhet ”fetus”. Kjo fazë fillon në javën e tetë të shtatzanisë dhe zgjat deri në momentin e lindjes. Karakteristikë dalluese e kësaj faze është se fetusi merr formën e një qenieje njerëzore me fytyrë, duar dhe këmbë. Megjithëse fillimisht është vetëm 3 cm i gjatë, që të gjitha organet e tij janë të dallueshme. Kjo fazë zgjat për rreth 30 javë dhe zhvillimi vazhdon deri në javën e lindjes. Informacioni mbi zhvillimin e foshnjës në barkun e nënës u bë i mundur vetëm pasi u bënë vëzhgime me mjete dhe metoda bashkëkohore. Si shumë argumente të tjera shkencore, disa pjesë të këtij informacioni janë shpallur në ajetet e Kuranit. Përmendja e këtij informacioni kaq të detajuar dhe të përpiktë, në një kohë kur njerëzit kishin njohuri të pakta mbi çështjet e mjekësisë, është një tregues i qartë se Kurani nuk është fjala e një njeriu, por është fjala e Zotit.