E enjte, 28/03/2024, 18:47
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Mos u dëshpëro!

Mos u dëshpëro!



E falënderoj Allahun e Madhëruar, Mëshiruesin, Mëshirëplotin, Atë që mëshiron me mëshirën e gjerë, me mëshirën e posaçme për besimtarët. Te mëshira e Tij shpresojnë të sinqertët, ndërsa prej dënimit të Tij kërkojnë mbrojtje të devotshmit.

Muslimani jeton mes frikës dhe shpresës, nuk e tepron në frikë dhe dëshpërim, është neutral, as nuk e tepron në të shpresuarit dhe të bëj mëkate.

Jeta kalon me kënaqësi e lumturi të ndryshme, dikush ka jetë të gjatë e dikush më të shkurtër, por gjithçka është caktuar nga Allahu i Mëshirshëm.

Dikush ka një jetë me sprova e vuajtje të ndryshme, që i përsëriten njëra pas tjetrës. Dikush tjetër është i fortë dhe i përgatitur që të ballafaqohet me to e të mos dëshpërohet, ndërsa dikush tjetër gjendet në situata jo të mira që Allahu nuk është i kënaqur me të.

Muslimani i sinqertë synon përherë kënaqësinë e Allahut, duke mos u preokupuar shumë me problemet dhe sprovat e tij, pasi ka një qëllim të lartë, i cili është takimi me Allahun e Mëshirshëm në xhenetet e Tij.

Dikush dëshpërohet nga sëmundja që i ka rënë, dikush nga varfëria, dikush nga dashuria, dikush nga ndarja prej dikujt e dikush tjetër nga mosarritja e sukseseve të planifikuara.

Të gjithë i humbin shpresat dhe dëshpërohen në atë masë saqë largohen krejtësisht nga planet dhe  projektet e tyre; qofshin ato thirrja në Allahun, projektet e biznesit apo planifikime familjare për jetë të lumtur islame.

Nuk ka njeri pa mëkate, nuk ka njeri pa gabime, nuk ka njeri pa mërzi, nuk ka njeri pa të meta, por më i miri është ai që pendohet, ai që di të menaxhojë situatat e rënda dhe sprovat që e godasin.

Të dëshpërohesh nga jeta për shkak të këtyre gjërave është kundërshtim i fjalës së Allahut: 
"...
dhe mos e humbni shpresën për mëshirën e Allahut. Shpresën te mëshira e Allahut nuk e humb askush përveç jobesimtarëve.”
 (Jusuf: 87)

Shiko në çfarë niveli është ai që humb shpresën për mëshirën e Allahut, ngase ka thyer urdhrin e Allahut, të Mëshirshmit, i Cili na ka urdhëruar të mos e humbim shpresën te mëshira e Tij.

"E kush mund ta humbë shpresën për mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”? (El Hixhr: 56)

Një njeri i tillë pa dyshim që ka devijuar me një devijim të skajshëm.

Si thirrësi në fe ashtu edhe i thirruri duhet të mbështeten në Allahun e Madhëruar: thirrësi duhet të jetë i kujdesshëm t'i thërrasë muslimanët tek ajo që i afron me mëshirën e Allahut dhe që i largon nga hidhërimi i Tij, t’u japë shpresa për shpëtim, për mbulim nga mëshira e Krijuesit, por gjithnjë duke ecur paralel mes shpresës dhe frikës.

Imam Darimiu transmeton se Aliu radijAllahu anhu ka thënë: "Dijetari i vërtetë është ai që nuk ua humb të tjerëve shpresat te mëshira e Allahut, nuk ua thjeshtëson dhe lehtëson gjërat mëkatarëve dhe nuk i siguron ata nga dënimi i Allahut.”

Si mund të dëshpërohesh kur pas vështirësisë vjen lehtësimi, pas çdo nate lind dielli, pas çdo thatësie vjen gjelbërimi, pas çdo frike vjen qetësia e pas çdo mundi vjen çlodhja?!

Si mund të jesh i dëshpëruar kur Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Fitorja vjen me durim, lehtësimi vjen me vështirësi. E, pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.” [1]

Ki mendim të mirë për Allahun, pasi mendimi i mirë ndaj Allahut të drejton drejt kryerjes së urdhrave të Tij, të afron me xhenetin e Allahut dhe të largon nga xhehenemi.

Sufjan Thevriu ka thënë: "Ditën e Gjykimit, nëse do të më gjykonte nëna ime, nuk do të pranoja sepse Allahu është më i mëshirshëm me mua sesa nëna ime.”

Muslimani duhet të jetë i hapur në jetë, të jetë zemërçelë, të pranojë justifikimet e tjerëve, të pranojë gabimet e kujtdo, të mundohet t'i këshillojë dhe t'u japë ide të reja gabimtarëve, duke i ndihmuar në tejkalimin e situatave me butësi dhe urtësi të madhe.

Tabaraniu transmeton nga Sh’abiju, ky nga Bishri, se ka dëgjuar Ibën Mes’udin radijAllahu anhu duke thënë: "Ajeti më përgëzues në Kur’an është fjala e Allahut: "Thuaj: O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.”  (Ez Zumer: 53)

Të nderuar gjyshër, prindër, bashkëshortë, motra dhe fëmijë, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut! Allahu fali njeriun që vrau 99 veta, Allahu e falë atë që pendohet dhe gëzohet kur robi kthehet tek Ai duke kërkuar falje dhe e madhëron Atë.

Mos harroni se mëshira e Allahut e kaplon hidhërimin e Tij.

Dëlirje & Edukim nr; 25/2
Shkruar nga Unejs Murati

[1] Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu. Hadithi është i saktë. 
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: ShpendXhelili (11/07/2011)
Klikime: 1089 | Ranguar: 5.0/1
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024