DITA E ARAFATIT - Artikuj - Publikuesi - Sinqeriteti.com
E hënë, 05/12/2016, 05:21
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

DITA E ARAFATIT
DITA E ARAFATIT


Sedat G. ISLAMI

Falënderimet i takojnë Allahut që vlerësoi disa kohë nga kohët tjera, disa vende nga vendet tjera dhe disa njerëz, me sinqeritet e besim, nga të tjerët me hipokrizi e pabesim. Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, profetin që porosiste për shfrytëzim maksimal të çdo çasti të jetës e në veçanti të këtyre kohëve, që Allahu parashikoi shpërblime të mëdha në to.
 
"Arafati” është stacioni ynë i radhës për sot. Atje flaket vela e dyshimit, hapen dyert e qiellit, dhe haxhilerët, të zhveshur nga epshet, teket dhe dëshirat (qejfet e kësaj bote), drejtohen kah Allahu me zemra të pastra, me zemra të shndritura nga nuri, me zemra të cilat ngjiten lart derisa dëgjojnë edhe madhërimin e melaikeve me gjuhën e adhurimit. Pastaj ngritën edhe më derisa hyjnë dhe depërtojnë në botën e domethënieve të Kur’anit dhe arrijnë në atë shkallë devotshmërie saqë thua se dje iu shpallën këto ajete kur’anore që neve lexojmë… Ata kuptojnë, ndiejnë dhe përjetojnë praktikisht atë, që neve e përsërisim shpeshherë në teori. Atje merr fryme lirisht njerëzimi që gati sa nuk pëlciti nga tymi i barutit, nga vijat e kufirit, nga zotëriu e i nënshtruari, nga robi e robëruesi; atje, atje në Arafat jeton jetën që duhet jetuar. Atje nuk ka të madh e të vogël, nuk ka të bardhë e të zi, nuk ka rob e zotëri( ), nuk ka të hijshëm e të shëmtuar, nuk ka të pasur e të varfër, nuk ka shqiptar e turk, por ka vetëm musliman. Kjo për arsye se vatani i muslimanit është Kur’ani e jo dheu dhe guri, jo liqeni dhe përroska, jo deti dhe kodra:
إنما المؤمنون إخوة
S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër...". ( )

Kështu thotë Allahu: „Besimtarët janë vëllezër", e jo „Egjiptasit janë vëllezër", „Turqit janë vëllezër", „Arabët janë vëllezër", jo, besimtari është vëlla i besimtarit pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flet, cilës race i përket apo çfarë ngjyre ka.

Njoftim me Arafatin

Arafati është vend afër Mekkes, përafërsisht 12 mile larg saj. Është emër i një vendi ku haxhilerët në ditën e nëntë të muajit Dhu’l Hixh-xheh kryejnë ceremoni të haxhit, pra qëndrimin në këtë vend. Me këtë emër është njohur qysh nga lashtësia.
Është thënë se quhet me këtë emër „Arafat" për arsye se Ademi dhe Havva janë njoftuar-takuar në mes veti në këtë vend( ). Kur Ademi theu urdhrin e Zotit dhe së bashku me gruan hanë nga pema e ndaluar, Allahu i zbriti në tokë dhe i ndau. Ata vazhduan ta kërkojnë njëri tjetrin derisa erdhën në këtë vend dhe u takuan. Mu për këtë ky vend u quajt Arafat- vend i njohjes-takimit. Sipas shumicës së transmetimeve ajo ditë ishte edhe ditë e xhuma. Arafati është vend ku Ademi dhe Havva kërkuan falje nga Allahu për mëkatin e bërë. Thotë Allahu:
فتلقى آدم من ربه كلماتٍ فتابَ عليهِ
E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin)...". ( )
Është thënë edhe ndryshe.
   Ibrahimit, alejhi’s selam i qe përshkruar ai vend dhe kur e pa me sy e njohu atë, kështu që u quajt Arafat.
   Ngase njerëzit njihen ndërmjet vete dhe takohen në atë vend dhe atë ditë.
   Njerëzit pranojnë (ja’terifune) mëkatet e tyre para Allahut në këtë vend dhe kërkojnë falje.
   Ngase njerëzit ngritën-hipin mbi kodrat e tij, dhe arabët, çdo gjë që ngritët-lartësohet e quajnë Arefeh( ).
Arafat ka edhe disa emra, si:
   Xhebelu’rr rrahmeh (Kodra e mëshirës),
   Xhebelu’llah (Kodra e Allahut),
   Xhebelu’t teubeh (Kodra e pendimit),
   El-xhebel el-mukaddes (Kodra e shenjtë),
   Xhebelu’d dua (Kodra e lutjes),
   El-mesh’ar el-haram (Monumenti i shenjtë),
   Et-tajjib (I miri-bukuri),
   Es-sabru (durimi) ( ),
   En-Ne’man, etj( ).

Arafati është përmendur një here në Kur’an:
فإذا أفَضتُم من عَرَفَاتٍ فاذكروا الله عند المشعرِ الحرام
...E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë (Muzdelife)...". ( )

Arafati, për hire të rëndësisë së madhe që ka, është quajtur haxh. Ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
"الحج عرفة
Haxhi është Arafat”. ( )

Vlera e Ditës së Arafatit

Për vlerën e Ditës së Arafatit janë përmendur tekste të shumta, qofshin ato ajete e hadithe apo edhe mësime e porosi të dijetarëve të përfituara nga këto dhe tekste tjera.
1. Dita e Arafatit është ditë feste për muslimanët. Ukbe b. Amiri transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"يوم عرفة ويوم النحر وأيام التشريق عِيدُنا أهلَ الإسلام، وهي أيام أكل وشرب
Dita e Arafatit, dita e parë e Kurban Bajramit, ditët e teshkrikut (tri ditët vijuese të k. bajramit) janë festa jonë, ithtarëve të Islamit; ato janë ditë ngrënie dhe pijeje”. ( )
Ibnu’l Kajjimi ka thënë: Dita e Arafatit është feste për ata që janë në Arafat kështu që nuk është e pëlqyer për ta agjërimi i kësaj dite( ).
2. Arafati është festa e plotësimit të fesë sonë. Arafati nuk është caktuar rastësisht të jetë festë jona, sidomos kur kemi parasysh faktin se ai shënon përmbylljen e suksesshme të misionit të Muhammedit, alejhi’s selam. Transmeton Imam Buhariu se:
أَنَّ رَجُلًا مِنْ الْيَهُودِ قَالَ لَهُ يَا أَمِيرَ الْمُؤْمِنِينَ آيَةٌ فِي كِتَابِكُمْ تَقْرَءُونَهَا لَوْ عَلَيْنَا مَعْشَرَ الْيَهُودِ نَزَلَتْ لَاتَّخَذْنَا ذَلِكَ الْيَوْمَ عِيدًا قَالَ أَيُّ آيَةٍ قَالَ: الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الْإِسْلَامَ دِينًا قَالَ عُمَرُ قَدْ عَرَفْنَا ذَلِكَ الْيَوْمَ وَالْمَكَانَ الَّذِي نَزَلَتْ فِيهِ عَلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ وَهُوَ قَائِمٌ بِعَرَفَةَ يَوْمَ جُمُعَةٍ
Një çifut i tha Omerit: O prijësi i besimtarëve, ju muslimanët e lexoni një ajet kur’anor që po të kishte zbritur tek ne do ta merrnim ditën e zbritjes si festë. Cili ajet është ai?- pyeti Omeri. Ajeti: "... Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe...”- u përgjigj çifuti. Ne e dimë atë ditë dhe vend në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit, alejhi’s selam. Ishte duke qëndruar në Arafat në Ditën e Xhuma- tha Omeri".

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të deshi t’ia bënte me dije këtij çifuti se ky ajet përveç që shënon fundin e misionit të Muhammedit, alejhi’s selam me një ngadhënjim moral, shpirtëror, parimor e ideor mbi të keqën dhe pabesimin, ai ka zbritur në një vend të shenjtë dhe ka rastisur të jetë në ditë të madhe për muslimanët, pra në Ditën e Xhuma. Këtë shumë bukur e sqarojnë edhe shtesat e përmendura të hadithit të aprovuara kuptimisht për plotësimin e domethënies së këtij hadithi edhe nga dijetari Ibni Haxher el-Askalani. Ai përmend shtesën e Is’hakut nga Kabisah:
"نَزَلَتْ يَوْم جُمُعَة يَوْم عَرَفَة وَكِلَاهُمَا بِحَمْدِ اللَّه لَنَا عِيد
Ka zbritur Ditën e Xhuma në Ditën e Arafatit, që të dyja për ne, falënderuar qoftë Allahu, janë festa”.
Si dhe shtesën e Taberiut dhe Taberaniut:
"وَهُمَا لَنَا عِيدَانِ
E këto ditë janë dy festa për ne”.( )
Plotësimi i fesë –ikmali- ndodhi atë ngase muslimanët katër shtyllat e Islamit (shehadetet, namazin, zekatin dhe agjërimin) i përmbushën ndërsa haxhin, shtyllën e pestë dhe të fundit të Islamit nuk patën rastin ta kryejnë. Plotësim i fesë krahas kësaj  është edhe fakti se vonesa e haxhit u bë edhe me qëllim të pastrim total të Qabesë dhe ritit të haxhit nga cdo formë, ngjyrë, metodë a peizazh i periudhës paraislame-joislame. Haxhi u zhvesh nga ritet e lakuriqësisë, therjes për puta, etj, dhe mori formën origjinale siç qe në fillim kur iu ligjësua profetit Ibrahim, alejhi’s selam. Ndërsa sa i përket itmamit (përsosmërisë, plotësimit) të begatisë dhe dhuntisë, ajo u arrit me faljen e mekateve ngase begatia nuk mund të plotësohet pa këtë element, pra pa falje të mekateve, siç i tha Allahu të dërguarit të Tij, Muhammedit, alejhi’s selam:
"لِيَغْفِرَ لَكَ اللَّهُ مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنبِكَ وَمَا تَأَخَّرَ وَيُتِمَّ نِعْمَتَهُ عَلَيْكَ
Ashtu që All-llahu (pas fitores) të liroi ty prej mëkateve (që t'i mbathën) të mëparshme dhe prej atyre të mëvonshme (kur njerëzit do ta pranojnë fenë islame dhe nuk do të jenë më mëkatarë) dhe ashtu të plotëson mirësinë e Vet ndaj teje...”. ( )
Kjo, krahas tjerash, tregon edhe për faktin se sekularizmi nuk ka vend në shtetet islame. Islami ka mjaft ligje për një jetë normale.
3. Dita e Arafatit është prej ditëve më të mira. Nëse Nata e Kadrit është nata më e mirë e vitit, nëse Dita e Xhumasë është dita më e mirë e javës, atëherë Dita e Arafatit është dita më e mire e vitit.
4. Se sa rëndësi ka kjo ditë e kuptojmë edhe nga fakti se Pejgamberi, alejhi’s selam tërë haxhin e kishte konsideruar Arafat. Në hadith qëndron:
"الحج عرفة
Haxhi është Arafat”. ( )
Në koment të këtij hadithi dijetarët mes tjerash kanë thënë: Haxh i vërtet dhe parimor është ai që përfshinë edhe Ditën e Arafatit( ).
5. Agjërimi i kësaj dite shlyen mëkatet e dy vjetëve. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"صيام يوم عرفة، أحتسب على الله أن يكفر السنة التي قبله، والسـنة التي بعده
Shpresoj-llogaris në Allahun se agjërimi i Ditës së Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që pason”. ( )
Kasim b. Muhammedi transmeton se:
" أَنَّ عَائِشَةَ أُمَّ الْمُؤْمِنِينَ كَانَتْ تَصُومُ يَوْمَ عَرَفَةَ
Aisheja, nëna e besimtarëve agjëronte Ditën e Arafatit".  ( )
Për detajet e agjërimit të kësaj dite kemi paraparë të flasim më poshtë në kuadër të: Çfarë të bëjmë në këtë ditë?
6. Dita e Arafatit është një ditë që shënon gjurmë të pashlyera në zemrat tona edhe për faktin se në atë ditë më shumë se kurrë më parë lirohen njerëz nga zjarri i Xhehennemit. Aisheja transmeton se Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam ka thënë:
" مَا مِنْ يَوْمٍ أَكْثَرَ مِنْ أَنْ يُعْتِقَ اللَّهُ فِيهِ عَبْدًا مِنْ النَّارِ مِنْ يَوْمِ عَرَفَةَ وَإِنَّهُ لَيَدْنُو ثُمَّ يُبَاهِي بِهِمْ الْمَلَائِكَةَ فَيَقُولُ مَا أَرَادَ هَؤُلَاءِ
Nuk ka ditë në të cilën liron Allahu i Madhëruar më shumë njerëz nga zjarri se sa Dita e Arafatit; Ai afrohet ashtu siç i takon madhërisë së Tij e pastaj mburret me ta (haxhilerët) para melaikeve dhe thotë: Çfarë deshën ata?!". ( )
Por që të arrijmë një falje dhe lirim të tillë natyrisht se duhet larguar dhe shmangur nga disa gjëra, si:
- Ruajtja nga ndalesat çfarëdo qofshin ato( ).
- Përmendja e shumtë e Allahut me tehlil (la ilahe il-la Allah), tekbir (Allahu Ekber) dhe tesbih (Subhanallah). Ibni Omeri transmeton:
كنا مع رسول الله صلى الله عليه وسلم في غداة عرفة، فمنّا المكبر ومنا المهلل
Ishim me Pejgamberin, alejhi’s selam ne mëngjesin e Arafatit dhe prej nesh kishte që bënte tekbir por kishte edhe që bënte tehlil...”. ( )
- Shpeshtimi i lutjeve në këtë ditë për falje dhe shpëtim nga zjarri i Xhehennemit, ngase siç është transmetuar:
"خير الدعاء دعاء يوم عرفة
Duaja më e mirë është duaja në ditën e Arafatit...”. ( )

Edukata e duasë është qe duart t’i ngrijë lart, të jetë i kthyer kah kibleja, të jetë i përulur dhe të pranoje lëshimet e tij si dhe të vendos për pendim të sinqertë.
- Duhet patur kujdes nga mëkate që privojnë njeriun nga falja, si: këmbëngulja në mëkate të mëdha, gënjeshtra, bartja e fjalëve, shpifja, përgojimi, etj.
7. Duaja në këtë ditë është prej duave që shpresohet më së shumti të pranohen. Ibni Omeri transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"خير الدعاء دعاء يوم عرفة، وخير ما قلت أنا والنبيون من قبلي: لا إله إلا الله وحده لا شريك له، له الملك، وله الحمد، وهو على كل شيء قدير
Duaja më e mirë është duaja e Arafatit ndërsa gjënë më të mirë që unë dhe pejgamberët para meje e kemi thënë është: La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike lehu, lehu’l mulku ve lehu’l hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir (Nuk ka tjetër përveç Allahut, Një dhe të pashoq. Atij i takon pushteti dhe falënderimi, dhe Ai, ka fuqi mbi çdo gjë)”. ( )

8. Arafati është vendi ku Allahu mori besën e pasardhësve të Ademit, alejhi’s selam se do ta adhurojnë vetëm Atë dhe nuk do t’i shoqërojnë askënd në adhurim. Ibni Abbasi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"أَخَذَ اللَّهُ الْمِيثَاقَ مِنْ ظَهْرِ آدَمَ بِنَعْمَانَ يَعْنِي عَرَفَةَ فَأَخْرَجَ مِنْ صُلْبِهِ كُلَّ ذُرِّيَّةٍ ذَرَأَهَا فَنَثَرَهُمْ بَيْنَ يَدَيْهِ كَالذَّرِّ ثُمَّ كَلَّمَهُمْ قِبَلًا قَالَ { أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ قَالُوا بَلَى شَهِدْنَا أَنْ تَقُولُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّا كُنَّا عَنْ هَذَا غَافِلِينَ أَوْ تَقُولُوا إِنَّمَا أَشْرَكَ آبَاؤُنَا مِنْ قَبْلُ وَكُنَّا ذُرِّيَّةً مِنْ بَعْدِهِمْ أَفَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ الْمُبْطِلُونَ }
 Allahu mori besën e pasardhësve të Ademit në Ne’man (Arafat). Prej kurrizit të tij nxori të gjithë pasardhësit e Ademit që i ka krijuar, i shpërndau para Vetes, ashtu siç i takon madhërisë së Tij, si të ishin thnegla-milingona dhe iu foli duke iu drejtuar: ...A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!". Të mos thoni në ditën e kijametit: "Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur". Ose të mos thoni: "Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”( )”. ( )
9. Në këtë ditë djalli i mallkuar është më i dobët se kurrë më parë. Imam Maliku transmeton nga Talha b. Ubejdil-lahu se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
ما رؤى الشيطان يوماً هو فيه أصغر ولا أدحر ولا أحقر ولا أغيظ منه في يوم عرفة وما ذلك إلا لما رأى من تنزل الرحمة وتجاوز الله عن الذنوب
Djalli asnjëherë nuk është parë më i poshtëruar, përzënë, nënçmuar dhe hidhëruar se sa në Ditën e Arafatit me përjashtim të Ditës së Bedrit. Kjo për faktin se ai sheh zbritjen e mëshirës së Allahut dhe faljen e mëkateve të robërve prej Tij". 
 
Nuk dua të kalojmë tutje pa kuptuar esencën e kësaj veçorie. Pejgamberi, alejhi’s selam po përshkruan një armik të përbetuar të njeriut, mashtrimet dhe intrigat e të cilit vazhdojnë prej lindjes e deri ne vdekje të njeriut. Thotë Allahu:
" قَالَ فَبِمَا أَغْوَيْتَنِي لأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَاطَكَ الْمُسْتَقِيمَ ثُمَّ لآتِيَنَّهُم مِّن بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَانِهِمْ وَعَن شَمَآئِلِهِمْ وَلاَ تَجِدُ أَكْثَرَهُمْ شَاكِرِينَ قَالَ اخْرُجْ مِنْهَا مَذْؤُوماً مَّدْحُوراً لَّمَن تَبِعَكَ مِنْهُمْ لأَمْلأنَّ جَهَنَّمَ مِنكُمْ أَجْمَعِينَ
(Iblisi) Tha: "Për shkak se më humbe mua, unë do t'u ulem atyre (do t'u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë, 17. Mandej, do t'ju sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”18.(All-llahu) Tha: "Dil nga ai (Xhenneti), i urryer, i dëbuar. Kush prej tyre vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur Xhehennemin me të gjithë ju”.( ).

Megjithatë ai, në raste si ky i Arafatit, deklaron dobësinë e tij para besimtarit të devotshëm. Thotë Allahu:
" قَالَ فَبِعِزَّتِكَ لَأُغْوِيَنَّهُمْ أَجْمَعِينَ {82} إِلَّا عِبَادَكَ مِنْهُمُ الْمُخْلَصِينَ
Ai tha: "Pasha madhërinë Tënde, kam për t'i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, 83. përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!” ( )
Ja kë e mund në këtë ditë me lejen e Allahut!
10. Arafati në vete krahas shumë mësimeve e porosive ngërthen edhe urtësinë se rroba nuk është ajo që e vlerëson njeriun, pasuria nuk është ajo qe ia ngrit pozitën njeriut, por është devotshmëria ajo që luan këtë rol. Atje më shumë se ku do tjetër,  praktikisht, kuptohet ajeti kur’anor dhe hadithi i Muhammedit, alejhi’s selam që shumë herë i kemi dëgjuar:
"إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ
...e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)...”. ( )
"إن الله لا ينظر إلى صوركم ولا إلى أجسامكم ولكن ينظر إلى قلوبكم
Allahu nuk shikon në fizionomitë dhe trupat tuaj por shikon në zemrat tuaja”. ( )
Mu për këtë, në këtë ditë, në mes tjerash, Muhammedi, alejhi’s selam tha:
"أيها الناس: إنما المؤمنون إخوة ولا يحل لامرئ مال أخيه إلا عن طيب نفسه منه، أيها الناس: إن ربكم واحد، وإن أباكم واحد، كلكم لأدم وآدم من تراب وإن أكرمكم عند الله أتقاكم، ليس لعربي فضل  على عجمي إلا بالتقوى، ألا هل بلغت ، قالوا نعم قال : الله اشهد
O njerëz, besimtarët janë vëllezër andaj nuk lejohet marrja e pasurisë së vëllait përveçse me të mirë. O ju njerëz, ju keni një Zot e një baba. Të gjithë ju jeni nga Ademi ndërsa Ademi është prej dheut dhe se më i miri prej jush tek Allahu është më i devotshmi. Arabi nuk ka vlerë ndaj joarabit përveçse me devotshmëri. A dëshmova? Thane: Po. Tha: O Zoti im dëshmo!”. ( )
11. Arafati me pamjet dhe skenat e tij njeriun përgatit edhe për pastrim të mëtutjeshëm të shpirtit nga mëkatet ngase tubimi atje, në atë kodër, njeriut ia përkujton daljen para Allahut për të dhënë llogari( ). Mu për këtë, besimtari bindet se tërë çka ka bërë, mirë e keq, do ta gjejë para Allahut. Thotë Allahu:
فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْراً يَرَهُ * وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرّاً يَرَهُ
E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 8. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë". ( )

12. Arafati çdo vit transmeton para tërë botës vizionin islam ndaj dukurive negative të cilat ngufasin shoqërinë. "Dërgoni amanetet në vend e mos tradhtoni”, "Kamata është e ndaluar”, „Gjaku dhe nderi juaj është i shenjtë", e inserte tjera nga ky edicion vjetor i Arafatit me se miri shfaqin këtë realitet.
13. Arafati njeriun e hutuar e udhëzon në zgjidhjen më adekuate të çdo problemi të jetës së tij. Nëse je mëkatar, Arafati me porositë e tij të ofron zgjidhje. Nëse je i moralshëm, Arafati me rekomandimet e tij të forcon edhe më, dhe këtë duke u mbështetur në porosinë e përgjithshme të Muhammedit, alejhi’s selam, i cili sqaron se armiku i njeriut është djalli që ta humb Xhennetin. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:
أيها الناس : إن الشيطان قد يئس أن يعبد بأرضكم هذه ولكن قد رضي أن يطاع فيما سوى ذلك مما تحقرون من أعمالكم فاحذروه على دينكم ، وقد تركت فيكم ما إن اعتصمتم به فلن تضلوا أبداً
O ju njerëz, djalli ka humbur shpresën që ju ta adhuroni atë në tokën tuaj por ka pajtuar që ta në veprat që ju i përbuzni. Keni kujdes nga ai për fenë tuaj. Unë kam lënë në mesin tuaj atë që nëse përmbaheni për saj nuk humbni". ( )

Mu për këtë, Muhammedi, alejhi’s selam porosiste:
„إياكم ومحقرات الذنوب فإنهن يجتمعن على المرء حتى تهلكه
Keni kujdes nga mëkatet që i merrni si të vogla ngase ato tubohen tek njeriu derisa edhe e shkatërrojnë". ( )
14. Arafati vend ku dukuria e pesimizmit flaket. Nëse Arafati është vend ku zbret mëshira e Allahut, atëherë përse të ekzistoje pesimizmi në fjalorin e muslimanëve. Shikoni se si është mëshira e Allahut e pastaj binduni se Arafati është një reflektues i asaj mëshire. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
جعل الله الرحمة في مائة جزء، فأمسك عنده تسعة وتسعين جزءاً وأنزل في الأرض جزءاً واحداً فمن ذلك الجزء تتراحم الخلق حتى ترفع الفرس حافرها عن ولدها خشية أن تصيبه
Allahu e ka ndarë mëshirën e Tij në 100 pjesë; 99 i ka mbajtur tek Ai ndërsa një pjesë e ka zbritur në tokë. Prej kësaj pjese mëshirohen krijesat ndërmjet vete saqë edhe kali nga frika se e shkel të voglin e vet e ngrit këmbën (dhe bën kujdes)". ( )
Mëshirën e Allahut me robër e përshkruan edhe ky hadith nga Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili rrëfen se nje grua që në mesin e robërve të sjellë tek Pejgamberi, alejhi’s selam kishte humbur foshnjën e saj e gjeti dhe e ledhatoi e i dha gji. Pejgamberi, alejhi’s selam tha:
"ترون هذه المرأة طارحة ولدها في النار؟
A mendoni se kjo grua do ta hidhte djalin e saj në zjarre?
قلنا: لا والله وهي تقدر على ألا تطرحه،
Jo, pasha Allahun – thamë- përderisa të ketë mundësi të mos e bëjë këtë. Pejgamberi, alejhi’s selam tha:
لله أرحم بعباده من هذه بولدها
Allahu është më i mëshirshëm me krijesat e Tij se sa kjo grua me djalin e saj”. ( )
Nëse me një pjesë të mëshirës u arritkan gjëra kaq të emdha atëherë në ahiret pa dyshim se ato 99 pjesë të mbetura do të mjaftojnë që neve Allahu të na falë.
15. Arafati është një stacion qe njeriu para se të hyjë tek Allahu zbukurohet dhe stoliset me iman e pastërti shpirtërore ashtu siç duhet. Në Arafat njerëzit qëndrojnë të përulur, penduar, luten e kërkojnë falje, pastaj të nesërmen shkojnë në shtëpinë e Allahut dhe bëjnë zijaret (vizitojnë) Qabenë. Mu për këtë qellim ky tavaf quhet tavafi i zijaretit. Pra besimtari i pastruar nga mëkatet viziton Allahun që fal e dhuron të mira shumë.

Transmeton Bejhekiu në librin e tij "Fedailu’l evkat” nga Ebu Slejman ed-Darani, një njeri i devotshëm, se: Njëri nga selefi (të parët tanë) qe pyetur: Përse qëndrimi në Arafat nuk është caktuar të jetë në Harem? Ai kishte dhënë këtë përgjigje: Ngase Qabeja është shtëpia e Allahut ndërsa Haremi është dera e (shtëpisë së) Allahut andaj kur erdhën njerëzimi si delegacione i ndali te dera që të përulen. Po përse i ndali prapë në Muzdelife? Tha: Kur iu dha leje të hyjnë i ndali tek porta e dytë, Muzdelifeja, ngase pas përuljes së tyre të gjatë, Ai iu dha leje të therin kurbanat e tyre, e kur larguan papastërtitë, ofruan kurbanat dhe u pastruan me ta nga mëkatet që i patën, Allahu iu dha leje që të pastër ta vizitojnë Atë ( ).
Mu për këtë, Muhammedi, alejhi’s selam, siç rrëfen Bilalli, kishte thënë në mëngjesin e Muzdelifes, ku njerëzit ishin tubuar:
„إِنَّ اللَّهَ تَطَوَّلَ عَلَيْكُمْ فِي جَمْعِكُمْ هَذَا فَوَهَبَ مُسِيئَكُمْ لِمُحْسِنِكُمْ وَأَعْطَى مُحْسِنَكُمْ مَا سَأَلَ ادْفَعُوا بِاسْمِ اللَّهِ
Allahu këtë ditë u begatoi ju në këtë tubim tuajin; gabimtarit i dha për hire të vepërmirit ndërsa këtij të fundit i dha atë që kërkoi. Marshoni me emrin e Allahut!". ( )

16. Allahu mburret me haxhilerët në arafat. Ibni Omer transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"إن الله تعالى يباهي ملائكته عشية عرفة بأهل عرفة، فيقول: انظروا إلى عبادي، أتوني شعثا غبراً
Allahu mburret para melaikeve mbrëmjen e Arafatit me robërit e Tij në Arafat dhe thotë: Shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur flokëshprishur e të pluhurosur”. ( )

17. Allahu është betuar në këtë ditë. Thotë Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë
وَالسَّمَاءِ ذَاتِ الْبُرُوجِ (1) وَالْيَوْمِ الْمَوْعُودِ (2) وَشَاهِدٍ وَمَشْهُودٍ
Pasha qiellin me plot yje, 2. Pasha ditën e premtuar, 3. Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!". ( )
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
اليوم الموعود يوم القيامة و الشاهد يوم الجمعة و المشهود يوم عرفة و يوم الجمعة ذخره الله لنا و صلاة الوسطى صلاة العصر
Dita e premtuar është Dita e Kiametit, "ai që dëshmon” është Dita e Xhumasë ndërsa "atë për të cilin dëshmohet” është Dita e Arafatit. Ditën e Xhuma Allahu na e ka ruajtur (deponuar) neve ndërsa namazi i mesëm është ikindia". ( )

Po ashtu edhe në ajetin:
„والشفع والوتر
Pasha çiftin dhe pasha tekun!". ( ),
Ka thënë Ibni Abbasi: Shef’i është Dita e Bajramit ndërsa vitri është Dita e Arafatit. Kështu mendojnë edhe Ikrimeja dhe Dahhaku.
Për ta vërtetuar këtë do të marrim një shembull. Allahu i madhëruar kur të betohet në gjëra ato padyshim se kanë jë vlerë tl madhe ngase Allahu nuk ka nevojë të betohet.
"وَمَنْ أَصْدَقُ مِنَ اللَّهِ قِيلاً
...E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se All-llahu?”. ( )
Allahu është betuar në Asr, kohën në përgjithësi apo kohën e namazit të ikindisë, dhe ka thënë:
وَالْعَصْرِ
 

Pasha kohën!". ( )
Dijetarët përkitazi me këtë fjalë kanë dhënë komente të ndryshme, prej të cilave edhe: Namazi i ikindisë ( ) apo koha pas daljes së diellit në zenit e deri në perëndim që përfshinë dhe kohën e namazit të ikindisë. Dhe derisa puna është kështu, Allahu për të na treguar se në atë që betohet ka vlerë të madhe, kur na flet për ruajtjen e namazit, të gjitha namazeve iu kushton rëndësi por ikindisë e veçon. Thotë Allahu:
حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلاةِ الْوُسْطَى وَقُومُوا لِلَّهِ قَانِتِينَ
Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze)". ( )

Ndërsa namazi i mesëm, siç pamë nga hadithi i lartshënuar, është namazi i ikindisë.
18. Në Arafat vërtetohet praktikisht dituria, përsosmëria dhe fuqia e pakrahasueshme e Allahut. Allahu në Kur’an ka vërtetuar për Vete cilësinë e të dëgjuarit dhe shikuarit, dhe ja këtu, në Arafat, me gjithë shumicën e atyre zërave që lusin Allahun, prapë Allahut nuk i pështjellët asgjë( ). Thotë Allahu:
"يَعْلَمُ خَائِنَةَ الْأَعْيُنِ وَمَا تُخْفِي الصُّدُورُ
Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra”. ( )
"وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ
E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. ( )
Transmeton Ibni Mes’udi se:
"بين السماء الدنيا والتي تليها خمسمائة عام، وبين كل سماء خمسمائة عام، وبين السماء السابعة والكرسي خمسمائة عام، وبين الكرسي والماء ـ الماء الذي فوقه العرش ـ خمسمائة عام، والعرش فوق الماء، والله فوق العرش، لا يخفى عليه شيء من أعمالكم
Në mes qiellit të dynjasë dhe qiellit vijues ka 500 vjet distancë kohore, në mes çdo qielli ka po kaq, në mes qiellit të shtatë dhe kursisë ka 500 vjet, në mes kursisë dhe ujit, mbi të cili është Arshi, ka 500 vjet, ndërsa Arshi është mbi ujë e mbi të, ashtu siç i takon madhërisë së Allahut, është Allahu, të Cilit nuk i fshihet asgjë nga vepra tuaja”. ( )


Çfarë bëri Muhammedi, alejhi’s selam në Arafat

Ditën e tetë të muajit dhul-hixhxhe, në ditën e tervijetit (dita në prag të Arafatit), Resulullahu shkoi në Minne. Në Minne fali drekën dhe ikindinë së bashku, kurse akshamin dhe jacinë së bashku. Aty bujti dhe fali namazin e sabahut (në Minne ka falur pesë na¬maze). Kur lindi dielli, u nis për në Arafat. Aty gjeti çadrën e për¬ga¬titur bardh e zi. Aty u vendos dhe kur dielli iu afrua perëndimit kërkoi devenë e vet, i hipi asaj dhe u nis nga qendra e luginës Ara¬fat. Në Arafat ishin tubuar njëqind e njëzet e katër mijë ose njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, haxhilerë. Resulullahu iu drejtua njerëzve si ligjërues dhe mbajti një hutbe universale dhe koncize. Ai tha:
"O njerëz dëgjoni ligjërimin tim, sepse unë nuk e di nëse, pas këtij haxhi, do takohem më me ju në këtë vend.
Gjaku dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë vend tuaj. A thua nuk u rrëzua nën këm¬bën time (u anulua dhe u dëbua) çdo gjë nga koha paraislamike (bes¬tyt¬nia dhe zakonet e vjetra, edhe gjakmarrja, nga koha para¬isla¬mike është rrëzuar)? Gjakmarrja e parë e këtillë e cila anulohet, është gjaku i Ibni Rebiah b. El-Harithit. Ai ka qenë në tajisje te fisi Be¬nu Sa’d, ndërsa e vranë njerëzit nga fisi Hudhejl.
Kamata paraislamike është anuluar. Kamata e parë që anulohet ësh¬të kamata e Abbas b. Abdul-Muttalibit, e tëra është rrëzuar.
Kini frikë Allahun për sjelljet tuaja ndaj grave. Ju i keni ma¬rrë ato në besë të Allahut dhe me to keni marrëdhënie me lejen e Alla-hut. Ato janë të obliguara që në shtëpinë tuaj të mos ua le¬joj¬në hyr-jen askujt. Ju këtë e urreni, andaj keni të drejtë ta kër¬ko¬ni këtë prej tyre. Nëse këto nuk veprojnë kështu, goditini ato me go¬ditje e cila nuk është e fuqishme. Ato kanë të drejtë që ju t’i ush¬qeni dhe t’i vishni, ashtu siç është e drejtë. Juve po ua lë Librin e Allahut, dhe nëse i përmbaheni fuqishëm atij, nuk do të devijoni.
O njerëz, me të vërtetë, pas meje nuk do të ketë më Pejgam¬berë, e as pas jush nuk do të ketë umet (popull) tjetër. Për këtë arsye besoni Krijuesin tuaj, falni pesë kohët e namazit, agjëroni gja-të muajit ramazan, jepni zekatin në pasurinë tuaj. Kështu i pas¬troni shpirtrat tuaj, dhe vizitoni (kryeni haxhin) shtëpinë e Kri¬jue¬sit tuaj. Bëhuni të dëgjueshëm ndaj udhëheqësve tuaj të drejtë. Nëse të gjitha këto i respektoni, do të hyni në Xhenetin e Krijuesit tuaj.”
"E nëse do të pyeteni për mua, çfarë do të thoni?” Ata u për¬gjigjën: "Do të dëshmojmë se na ke komunikuar e na ke këshilluar dhe se e ke zbatuar misionin tënd.”
Resulullahu, duke treguar me gisht nga qielli e pastaj nga po¬pulli, tha: "O Zoti im, Ti je Dëshmitar.” Këtë e përsëriti tri herë.
Njeriu i cili kishte zërin më të lartë, e që i përcillte fjalët e Resulullahut, ishte Rebiah b. Umejje b. Halefi. Pasi e kreu fjali¬min e vet, Allahu i zbriti Shpalljen:
"الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلامَ دِيناً
Sot jua përsosa dispozi¬tat e fesë suaj dhe jua plotësova dhuntinë Time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja Islame të jetë feje juaj.” (El-Maide: 3).
Kur e dëgjoi Umeri këtë ajet, filloi të qante. Njerëzit e pye¬tën: "Ç’të shtyri në vaj?” Ai u përgjigj: "Pas plotësimit dhe përsos¬jes nuk mund të ketë asgjë tjetër, përveç mungesës dhe pakësimit.”
Pas hutbes, Bilali thirri ezanin, pastaj ikametin, e Resulullahu ua fali njerëzve namazin e drekës. Pastaj përsëri u thirr ikameti, e Resulullahu fali namazin e ikindisë. Mes këtyre dy namazeve nuk fali kurrgjë tjetër. Mandej i hipi devesë dhe erdhi në vendqën¬drim në Arafat. Devenë e ktheu nga Xhebelu-l-Rahmeti (kodra e Më¬shirës), derisa kodra ishte përpara tij. U kthye nga kibla dhe ashtu qën¬droi deri në perëndimin e diellit. Kur u zhduk e kuqja në perën¬dim, Resulullahu e hipi pas vetes në deve Usamen dhe u nis për në Muzdelife. Në Muzdelife fali akshamin dhe jacinë me një ezan e dy ika-mete. Mes namazeve nuk këndoi tesbih. Pastaj u shtri dhe fjeti gjer në mëngjes…( )

Çfarë të bëjmë ne në Ditën e Arafatit?

Nga vet nëntitulli kuptohet, në njëfarë mënyre, se për qellim janë ata që nuk kanë patur rastin ta bëjnë haxhin. Pikërisht këtyre, prej të cilëve është edhe autori i këtij shkrimi, ua ofrojmë këto alternativa gjatë kohës kur haxhilerët kryejnë haxhin:
1. Agjërim. Dijetaret janë dakorduar se prej agjërimeve vullnetare, agjërimi i Ditës së Arafatit është agjërimi më me vlerë. Si jo kur Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"صيام يوم عرفة، أحتسب على الله أن يكفر السنة التي قبله، والسـنة التي بعده
Shpresoj-llogaris në Allahun se agjërimi i Ditës së Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit që pason”. ( )
Qëllimi me këtë falje është falja e mëkateve të vogla, falja e të cilave kushtëzohet me braktisjen e mëkateve të mëdha, siç thotë Allahu:
"إن تجتنبوا كبائر ما تنهون عنه نكفر عنكم سيئاتكم
Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla...”. ( )
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"الصلوات الخمس والجمعة إلى الجمعة ورمضان إلى رمضان كفارة لما بينها إذا اجتنبت الكبائر
Pesë namazet ndërmjet vete, Xhumaja deri në Xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan, i shlyejnë mëkatet në mes tyre me kusht që të braktisen mëkatet e mëdha”. ( )
Vlen të theksohet këtu se agjërimi ligjësohet për ata që nuk janë në Haxh. Salimi transmeton se e ka dëgjuar Umejrin, shërbëtorin e Ummi Fadli duke transmetuar nga kjo e fundit se:
" شَكَّ النَّاسُ يَوْمَ عَرَفَةَ فِي صَوْمِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَبَعَثْتُ إِلَى النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ بِشَرَابٍ فَشَرِبَهُ
Dyshuan njerëzit Ditën e Arafatit nëse ishte apo jo Pejgamberi, alejhi's salatu ve's selam agjerueshem kështu qe ia dërgova një pije Pejgamberit, alejhi's salatu ve's selam e ai e piu". ( )

Ka thënë Mundhiriu: Dijetarët kanë polemizuar sa i përket agjërimit të Ditës së Arafatit për ata që janë në Arafat. Ibni Omeri ka thënë se Pejgamberi, alejhi’s selam, Ebu Bekri, Omeri dhe Uthmani nuk e kanë agjëruar dhe as unë nuk e agjëroj.
Atau madje mbante qëndrimin se ai qe han këtë ditë për t’u forcuar për lutje, ai ka shpërblimin e agjëruesit të kësaj dite.
Saatijj-u përmend se Imamët, Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Thevriu, dhe xhumhuri nuk e kanë agjëruar këtë ditë (në Arafat). Këtë mendim e ndanin edhe Ebu Bekri, Omeri, Uthmani, Ibni Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Tek unë ky është mendimi më i qëlluar( ).
Disa fetwa përkitazi me agjërimin e kësaj dite:
a) Agjërimi i një dite para Ditës së Arafatit.
Agjërimi i Ditës së Arafatit është dita kur haxhilerët qëndrojnë në Arafat dhe ajo është e ligjësuar për ata që nuk janë në haxh. Nëse dëshiron ta agjërosh këtë ditë, bën, e edhe nëse ia shton një ditë para nuk ka gjë të keqe. Po kështu, nëse agjëron nëntë ditë të Dhu’l Hixh-xhes bën...
b) Agjërimi i Ditës së Xhuma nëse në të rastis të jetë Dita e Arafatit.
Lejohet agjërimi i kësaj dite edhe nëse nuk agjëron para apo pas saj ndonjë ditë. Por nëse dëshiron për ta larguar dyshimin nga zemra, lejohet që para kësaj dite të agjërosh një ditë.
c) Agjërimi i Ditës së Shtune nëse rastis që ajo të jetë Dita e Arafatit.
Nuk prish punë që kjo ditë të veçohet me agjërim ngase agjërimi i Ditës së Arafatit është sunnet i pavarur dhe se hadithi i ndalimi i agjërimit të Ditës së Shtunë është i dobët për shkak se bie ndesh me hadithe autentike.
d) A lejohet agjërimi i kësaj dite për njeriun që ka mbetur pa kompensuar disa ditë nga Ramazani?
Ai që agjëron Ditën e Arafatit si agjërim vullnetar por që ka ditë të Ramazanit pa kompensuar ende, agjërimi i tij është i vërtetë, edhe pse është mirë që të mos shtyhet kompensimi vonë. Por nëse agjëron këtë ditë si kompensim të ditëve të Ramazanit është më parësore ngase ato ditë të mbetura janë obligim ndërsa kjo ditë është vullnetare ( ) .
Meqë jemi këtu tek agjërimi i kësaj dite, shfrytëzoj rastin të përmend se hadithi që potencon se kinse agjëruesi i kësaj dite është sikur të ketë agjëruar 60 vjet është i shpifur( ). 
2. Duaja. Në këtë ditë duaja është shumë e preferuar ngase është shansi më i madh për pranimin e saj. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam: 
"خير الدعاء دعاء يوم عرفة، وخير ما قلت أنا والنبيون من قبلي: لا إله إلا الله وحده لا شريك له، له الملك، وله الحمد، وهو على كل شيء قدير
Duaja më e mirë është duaja e Arafatit ndërsa gjënë më të mirë që unë dhe pejgamberët para meje e kemi thënë është: La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike lehu, lehu’l mulku ve lehu’l hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadir (Nuk ka tjetër përveç Allahut, Një dhe të pashoq. Atij i takon pushteti dhe falënderimi, dhe Ai, ka fuqi mbi çdo gjë)”. ( )
Ka thënë Ibni Abdu’l Berr-rri: Në këtë hadith ka argument se duaja-lutja në këtë ditë është më e vlefshme se në ditët tjera. Po kështu këtu vlerësohet kjo ditë mbi ditët tjera, se zakonisht lutjet e kësaj dite pranohen dhe se dhikri më i mire është La ilahe il-la Allah.
Ka thënë Ibnul Kajjimi në Zadu’l mead: Në Ditën e Arafatit, Allahu i Madhëruar afrohet afër haxhilerëve kah mbrëmja -ashtu siç i takon Atij- dhe mburret me ta para melaikeve: "Çfarë duan këta?! Ju kam dëshmitar se ua kam falur mëkatet”. Me afrimin e Tij arrihet çasti i pranimit te lutjes. Askush që e lut Allahun për të mirë dhe përulet e afrohet tek Allahu nuk refuzohet në atë çast...( ).
Pejgamberi, alejhi’s selam kur lutej në Arafat ngritke duart e tij lart ashtu siç vepron miskini kur kërkon ushqim( ).
Hakim b. Hizami qëndronte në Arafat dhe me vete sillte 100 deve për kurbana dhe 100 skllevër, të cilët i lironte, me ç’rast njerëzit ia plasnin vajit e thoshin: O Zoti jonë, ky është robi yt, liroi 100 robër ndërsa ne jemi robërit Tu të lusim të na lirosh (falesh)!.
Fudejli kur kishte parë të qajturit dhe madhërimin e njerëzve që bënin për Allahun u qe drejtuar disave: Çka mendoni, sikur këta njerëz të shkonin tek një njeri kështu dhe t’ia kërkonin një danik (pjesë dirhemi) a do t’i refuzonte? Jo- thanë. Pasha Allahun, u betua Fudejli, falja e mëkateve të tyre është më e thjeshtë për Allahun se sa paraja që ata do ta kërkonin prej atij njeriu.
Ibni Mubareku rrëfen e thotë: Mbrëmjen e Ditës së Arafatit shkova tek Sufjan Thevriu dhe e pashë të gjunjëzuar duke qarë. Kush i ka punët më së keqi prej tyre? – e pyeta. Ai që mendon se Allahu nuk i falë ata- mu përgjigj ai.
Prej njerëzve kishte që Allahun e lusnin qe shkaku i tyre te mos ua refuzonte veprat tjerëve. Mutrif b. Abdil-lahu dhe Bekir el-Muznijj qëndruan në Arafat dhe njëri u lut: "O Zot, mos refuzo këta njerëz shkaku im!”, ndërsa tjetri tha: "Sa madhështor dhe sa shpresëdhënës qenka ky vend për falje të mëkateve sikur unë të mos isha në të” ( ).

Megjithatë, diku-diku mund të përmenden edhe disa lutje që, tradicionalisht, nuk janë të transmetuara. Lutja: "Subhane’l Ledhi fi’s sema arshuhu, Subhane’l Ledhi fi’l erdi mevtiuhu, Subhane’l Ledhi fi’l bahri sebiluhu, Subhane’l Ledhi fi’n nari sultanuhu, Subhane’l Ledhi fi’l Xhenneti rahmetuhu, Subhane’l Ledhi fi’l kuburi kadauhu, Subhane’l Ledhi vedea’l erda, Subhane’l Ledhi la melxhee ve la munxa minhu il-la ilejhi”, është e shpifur.
Po kështu edhe hadithi: Njeriun e parë që Allahu e shikon në Arafat është ai qe drejtohet me fytyrë kah kibleja, shtrin duart e tij sikurse të lutësit, thotë "La ilahe il-la” Allah tri herë dhe "Allahu ekber” tri herë, e pastaj thotë: "La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike lehu, lehu’l mulku ve lehu’l hamdu, juaji ve jumit, bijedihi’l hajr” 100 here....”, është i shpifur( ).

3. Tekbiri. Imam Neveviu duke folur për vlerën e dhjeteë ditëve të Dhu’l Hixh-xhes në mes tjerash thotë: Dije se preferohet shpeshtimi i dhikrit në këto dhjete ditë më shumë se në ditët tjera sikur që preferohet shpeshtimi i dhikrit në Ditën e Arafatit me shumë se sa në ditët tjera të Dhu’l Hixh-xhes( ).
Prej dhikrit të preferuar shumë në këto dhjetë ditë është thënia: Allahu Ekber, La ilahe il-la Allah dhe Elhamdulilah. Ahmedi në Musnedin e tij, ne musnedin e Ibni Omerit, transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:
مَا مِنْ أَيَّامٍ أَعْظَمُ عِنْدَ اللَّهِ وَلَا أَحَبُّ إِلَيْهِ مِنْ الْعَمَلِ فِيهِنَّ مِنْ هَذِهِ الْأَيَّامِ الْعَشْرِ فَأَكْثِرُوا فِيهِنَّ مِنْ التَّهْلِيلِ وَالتَّكْبِيرِ وَالتَّحْمِيدِ
Nuk ka ditë, në të cilat vepra e mirë është e dashur tek Allahu sikurse në këto dhjetë ditë, andaj shtoni në to tehlilin (La ilahe il-la Allah), tekbirin (Allahu Ekber) dhe tahmidin (Elhamdulilah)". ( )

Pastaj ne gjatë përshkrimit të qëndrimit të Muhammedit, alejhi’s selam në Arafat, në mesin e haxhilerëve kishte që bënin tekbire e kishte që bënin tehlile( ). Forma e tekbirit që në tetë ditët e para ishte e lirë ndërsa prej kësaj dite e deri në ditën e katërt të Bajramit është e kushtëzuar, është:
الله أكبر الله أكبر لا إله إلا الله، والله أكبر الله أكبر ولله الحمد
Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-la Allah, Vallahu Ekber, Allahu Ekber Ve Lil-lahi’l Hamd( ).
Sqarim
Nëse xhumaja dhe Arafati rastisin të jenë në një ditë atëherë kjo ditë veçohet nga ditët tjera me disa veçori, si:

   Bashkohen dy ditë të cilat janë ditët me të mira.
   Xhumaja ka një çast në të cilin duaja plotësohet ndërsa ata që janë në arafat luten dhe bëjnë dua vazhdimisht.
   Tubimi i muslimanëve nga të gjitha viset për faljen e namazit të xhumasë dhe dëgjimit të hutbes si dhe tubimi i haxhilerëve në arafat në të njëjtën kohë reflekton një bashkim dhe lutje të muslimanëve të paparë në ditët tjera.
   Xhumaja është festë javore për tërë muslimanët ndërsa arafati është festë për haxhilerët kështu tubohen dy festa në një ditë.
   Në atë ditë ndodhë bashkimi i shahidit (dëshmitarit) dhe mesh’hudit (të dëshmuarit), në të cilët edhe është betuar Allahu, siç qëndron në kaptinën el-Buruxh, ajeti, 2-3. Për shahidin është thënë se është Xhumaja ndërsa për mesh’hudin se është Arafati. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: „Dita e premtuar është Dita e Kiametit, "ai që dëshmon” është Dita e Xhumasë ndërsa "atë për të cilin dëshmohet” është Dita e Arafatit. Ditën e Xhuma Allahu na e ka ruajtur (deponuar) neve ndërsa namazi i mesëm është ikindia". ( )
    Nëse ndodhë kjo atëherë përputhet me haxhin e Pejgamberit, alejhi’s selam kur edhe atëherë ndodhi që Arafati të jetë në Ditën e Xhuma( ).
***
O ju që nuk patët shansin të shkoni në Arafat, kryejini obligimet e Allahut kudo që të jeni!
Ai që nuk mundi të buaj këtë vit në Muzdelife, le të buaj në shtëpinë e tij me vendosmëri për ta adhuruar Allahun përherë!
Ai që nuk ka mundur ta ther kurbanin e tij në Mina le ta ther këtu epshin e vet!
Ai që nuk ka mundur të shkoje në Qabe le t’i drejtohet Zotit të Qabesë kudo që të jetë ngase Ai është afër!
Allahu na mundësoftë kryerjen e Haxhit!
Allahu na pastroftë nga mëkatet dhe gabimet!
Allahu na pranoftë veprat e mira dhe na ruajt nga veprat e liga!
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (12/11/2010)
Klikime: 1067 | Komentet: 3 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 3
3  
nese osht t henen un duhna mu qu n syfyr t dielen a po inshallah jom kon e qart sa do ku do skom dit shum gjera ktu n web tuajin po msoj allahu ju shperbleft

2  
tregomi saksisht ju lutem kur o dita e Arafatit daten dua t agjeroj ket dit t madhe po zdi kur o a o ajo dit diten e kurban bajramit ju lutem tregomni Allahu ju shperbleft

1  
o stafi faqes kur te shkruan shkronja arabe shkruani edhe ne shkronja latine amo shqiptim arab besoj se kuptoni cka po dua te them sepse ka shum edhe qe se dine arabishten

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2016