E martë, 19/03/2024, 04:01
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Kuran

Çfarë thotë Kurani për diturinë?

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

"Ja, ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain) e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)? Allahu e di të vërtetën e ju nuk dini” (3:66)

"Jo, pse, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu).” (102:5)

"I lartë është Allahu, Sundimtar i vërtetë. Ti mos nxito me Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, thuaj: "Zoti im, më shto dituri!” (20:114)

"Allahu është Ai që krijoi shtatë palë qiej dhe prej tokës aq sa ata; në to zbatohet vendimi i Tij për ta ditur ju se Allahu ka fuqi për çdo send dhe që me të vërtetë Allahu ka përfshirë çdo send me dijen e vet.” (65:12)

"Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (17:36)

"Allahu ju krijoi, pastaj Ai ua merr shpirtin. E ka prej jush që shtyhet deri në jetën më të vjetër, ashtu që të mos dijë asgjë nga çka ka ditur. Allahu është më i dijshmi, më i fuqishmi.” (16:70)

"Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit.” (3:18)

"E ka ndonjë prej njerëzve që bën polemikë rreth çështjes së Allahut, duke mos pasur kurrfarë dije, kurrfarë udhëzimi dhe kurrfarë libri të besueshëm.” (22:8)

"A mos është që tek ai ka njohuri për të fshehtën (çështjen e dënimit në Ahiret) dhe ai po e ditka? (53:35)

"Ata nuk dinë asgjë për atë (emërtim), ata nuk ndjekin tjetër vetëm paragjykime, e paragjykimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës.” (53:28)

"Ajo është e tërë dituria që kanë arritur ata, e Zoti yt është ai që di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai është që e di më së miri për atë që është në rrugën e drejtë.” (53:30)

 "Prej tyre ka asish që vijnë të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u drejtohen atyre që kanë dije u thonë: "çka tha ai (Muhamedi) më parë?” Ata janë zemrat e të cilëve i ka vulosur Allahu e ata udhëhiqen pas dëshirave të veta.” (47:16)

 "Kur u erdhën atyre të dërguarit me argumente të qarta, ata ju gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu ajo që e tallnin.” (40:83)

 "A e ke parë ti (Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij, më thuaj, pos Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim?” (45:23)

 "(Jehuditë i thanë se nuk të besojmë në shpallje Muhammedit) Por Allahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjtë dëshmojnë, po mjaft është Allahu dëshmues.” (4:166)

"Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kur’anin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej Allahut as ndihmë as mbrojtje.” (13:37)

"Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria, e argumentet Tona nuk i mohon kush pos të shfrenuarve.” (29:49)

"Ndërsa atyre që u është dhënë dijenia, e dinë se kjo që të është shpallur ty nga Zoti, është e vërtetë dhe se udhëzon për në rrugën e Fuqiplotit, të lavdishmit.” (34:6)

"E, edhe për ta vërtetuar të dijshmit se me të vërtetë ai (Kur’ani) është i vërtet prej Zotit tënd dhe kështu t’i besojnë atij (Kur’anit) dhe (zemrat e tyre) të binden ndaj tij. E Allahu patjetër do t’i udhëzojë ata që besuan (përqafuan) në rrugën e drejtë.” (22:54)

"Thuaj: "I besuat ju atij ose nuk i besuat (atij nuk i bëhet dëm), e atyre që u është dhënë dijeni (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet atyre, ata hedhen me fytyra (përdhe) duke i bërë sexhde”. (17:107)

"Ka ndonjë nga njerëzit që kundërshton në çështjet rreth Allahut, pa kurrfarë dije dhe ndjek çdo djall të mbrapshtë.” (22:3)

"Ata pastaj thanë: "Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata (as idhujt e as melaiket). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm gënjejnë”. (43:20)

"Ata edhe thanë: "Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë.” (45:24)

"Thuaj: "Më thuani për ata që pos Allahut i adhuroni, më tregoni se çka krijuan ata në tokë dhe a kanë pjesëmarrje në (krijimin në) qiejtë? Nëse e thoni të vërtetën, më sillni ndonjë libër para këtij ose ndonjë gjurmë të mbetur prej diturisë”. (46:4)

"Më thirrni ta mohoj Allahun dhe adhuroj atë që nuk di asgjë për të, ndërsa unë ju thërras për te i gjithfuqishmi, mëkatfalësi!” (40:42)

"E nëse nuk u përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kur’ani), është i zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka zot pos Tij. A jeni pra muslimanë?” (11:14)

"Ne u sollëm atyre (mekasve) një libër (Kur’anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë, e që është udhërrëfyes e mëshirë për ata që besojnë.” (7:52)

"Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe e me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet e) Allahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.” (31:6)

"Feja e pranueshme tek Allahu është Islami, e atyre që u është dhënë libri, pasi mësuan për të vërtetën, vetëm nga zilia mes vete kundërshtuan. E kush mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu shpejtë do t’i japë llogarinë.” (3:19)

"Po ata, vetëm pasi që u erdhi e vërteta, nuk u përçanë për tjetër, por nga zilia mes tyre. E sikur të mos ishte fjala (vendimi) e hershme nga Zoti yt për deri në një afat të caktuar, do të kryhej (dënimi) me ta. Nuk ka dyshim se ata që e trashëguan librin prej tyre (prej të parëve) janë në dyshim të thellë ndaj tij (ndaj librit, Tevrat e Inxhil).” (42:14)

"U patëm dhënë edhe fakte të qarta për çështjen e fesë. Mirëpo, për shkak të zilisë që kishin ndërmjet vete, ata u përçanë vetëm atëherë kur u erdhi dija që ta kuptojnë, e s’ka dyshim se Zoti yt në ditën e kijametit do të gjykojë në mes tyre për shkaqet e përçarjes së tyre.” (45:17)

"Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur’anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin edhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve.” (10:39)

"Jo (ata nuk kanë fakt), por ata që i bënë të padrejtë vetes, pa ndonjë fakt të dijes, shkuan pas dëshirave të epshit të vet. Po kush mund ta vërë në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka lënë të humbur, e ata nuk do të kenë ndihmëtarë.” (30:29)

"Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mira ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të shpiejnë ty që të më pëshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata. Kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni vepruar.” (29:8)

"E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar.” (31:15)

"Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishin kurrfarë dije folëshit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është e madhe.” (24:15)

"As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri sa ta pasosh fenë e tyre. Thuaju: "Udhëzimi i Allahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasi që të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu”. (2:120)

"Po edhe sikur t’u sillshe ti çdo lloj argumenti atyre që u është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor.” (2:145)

"Por ata, prej tyre që kanë thesar të diturisë, dhe besimtarët, besojnë atë që tu shpall ty dhe atë që u shpall para teje, besojnë edhe ata që e falin namazin dhe japin zeqatim dhe besimtarët në Allahun e në jetën e ardhshme. Të tillëve do t’u japim shpërblim të madh. (4:162).

"E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: "Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve”. (3:61).

"Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan.” (6:108).

"S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim.” (6:140).

"Derisa të arrijnë (në vendin e llogarisë), Ai u thotë: "A ju i mohuat argumentet e Mia duke mos i menduar dhe formuar dije për to? E çka vepronit ju ashtu (në Dunja)?” (27:84).

"E atyre që u është dhënë dija dhe besimi thonë: "Ju keni qëndruar aq sa u pat caktuar Allahu deri në ditën e ringjalljes, e kjo pra është dita e ringjalljes, por ju ishit që nuk e pranonit!”. (30:56).

"Njerëzit të pyesin për kijametin (katastrofën) e ti thuaj: "Për atë di vetëm Allahu! E, ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!”. (33:63)

Thuaj: "Atë e di vetëm Allahu, e unë jam vetëm një qortues që ju bëj me dije!”. (67:26)

"Unë nuk kam pasur kurrfarë dije për elitën e lartë (melaiket) kur ata bënë polemikë (rreth Ademit).” (38:69)

"Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: "Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Cështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: "Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)”.(7:187)

"E ai (Isai) është parashenjë e momentit (e kijametit), pra kurrsesi mos dyshoni në të (në katastrofë) dhe eni pas meje, kjo është rruga e drejtë.” (43:61). "I lartësuar qoftë Ai, që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre dhe vetëm Ai di për momentin e kijametit dhe te Ai ktheheni.” (43:85)

"Vetëm Ai e di për katastrofën (për kijametin). Asnjë frut nuk del prej lëvozhgës së vet dhe asnjë femër nuk bart e as nuk lind pa dijen e Tij. E ditën kur Ai i thërret ata se ku janë ata që m’i bënit shokë? Ata thonë: "Ne të kemi njohur Ty, nuk ka ndonjë prej nesh që dëshmon se ke shok!”. (41:47)

"S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do të ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri.” (31:34)

"Të pyesin ty për shpirtin; Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije”. (17:85)

"E ata që mohuan thonë: "Ti nuk je i dërguar!” Thuaj: "Mjafton që Allahu është dëshmitar midis meje dhe midis jush dhe (është dëshmitar) ai që ka njohuri të librit (të shpalljeve)”. (13:43)

"E xhinët ia bëjnë shokë Allahut, e në të vërtetë Ai i krijoi ata (xhinët) dhe duke mos patur kurrfarë dije, ata shpifën se Ai (Zoti) ka djem e vajza. Larg (shpifjeve) është madhëria e Tij e lartë.” (6:100)

"Por, dijenia e tyre arrihet në botën tjetër (kur të përjetojnë çka u është premtuar). Ja, ata dyshojnë për këtë (për botën tjetër), bile janë të verbër ndaj saj.” (27:66)

"Dhe për atë (fëmijë), as ata, e as të parët e tyre nuk kanë kurrfarë dijenie. Sa e madhe është ajo fjalë që del nga gojët e tyre, e ata nuk thonë tjetër vetëm se gënjeshtër.” (18:5)

"I adhuruari juaj është vetëm Allahu, që përveç Tij nuk ka zot tjetër, e dituria e Tij ka përfshirë çdo send.” (20:98)

"Ai i di ato që ishin para tyre dhe ato që vijnë pas, po dija e tyre nuk mund ta përfshijë atë.” (20:110)

"Ata (idhujtarët) adhurojnë në vend të Allahut (idhuj) për të cilët nuk u ka ardhur kurrfarë fakti dhe nuk kanë kurrfarë dije, pra për idhujtarët nuk ka ndonjë ndihmëtar.” (22:71)

"(E thonë atë shpifje) Sa për t’i bartur në ditën e gjykimit mëkatet e veta të plota dhe një pjesë të mëkateve të atyre që, pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën. Sa e keqe është ajo me çka ngarkohen.” (16:25)

"Mandej, në ditën e gjykimit Ai i turpëron ata dhe thotë: "Ku janë ata që m’i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre grindeshit?” E ata që ishin të zotët e dijes, do të thonë: "Vërtet, sot turpësia dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët”. (16:27)

"A nuk e dini ju se Allahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë çështjen e Allahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.” (31:20)

"Allahu ju krijoi prej dheu, mandej prej një pike uji, e pastaj ju bëri çift. E asnjë femër nuk bart e as nuk lind ndryshe, vetëm se me dijen e Tij, dhe nuk i jepet kujt të jetojë gjatë ose t’i shkurtohet jeta e tij, vetëm se ajo është e shënuar në Libër (Levhi Mahfudh), e kjo për Allahun është lehtë.” (35:11)

"Kur e godet njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: "Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime!” Jo, por ajo është një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.” (39:49)

"Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin edhe ata që janë përreth e tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij t’i falë ata që besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falju atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaji ata nga dënimi i xhehennemit!” (40:7)

"O ju që besuat, kur t’ju thuhet: zgjerohuni (bëni vend) në vend ndeje, zgjerohuni, se Allahu bën zgjerim për ju, e kur t’ju thuhet: ngrihuni! Atëherë ju ngrihuni, Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.” (58:11)

"E ata që i shoqëruan Zotit, do të thoshin: "Sikur të donte Allahu nuk do t’i bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë) as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send. "Kështu patën gënjyer edhe ata që ishin para tyre derisa (për shkak të mëkatit) përjetuan dënimin tonë të ashpër. Thuaj: "A mos keni ndonjë fakt e të na e prezentoni atë neve?” Ju i mbështeteni vetëm hamendjes, në të vërtetë,vetëm gënjeni”. (6:148)

"Ai (krijoi) tetë lloje (nga kafshët shtëpiake): prej deleve dy (dash e dele), prej dhive dy (cjap e dhi). Thuaj: "A janë të ndaluar (haram) dy meshkuj apo dy femra apo çka mbanë (pjell) mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” Më tregoni, pra, me fakte të ditura (e jo me trillime) nëse jeni të sinqertë.” (6:143)

"Ç’keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i Allahut, e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni detyruar (atëherë edhe harami është hallall). Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit). Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.” (6:119)

"(Përkujtojeni o njerëz) Ditën kur Allahu i tubon të dërguarit e u thotë: "Cfarë përgjigje (popujt) u dhanë juve?” Ata (pejgamberët) thonë: "Ne nuk dimë, vërtet Ti je që i di të gjitha të fshehtat!”. (5:109)

"(Engjëjt) Thanë: "Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!”. (2:32)

"Dhe duke e ditur mirë Ne do t’u rrëfejmë atyre (për atë që punuan), se Ne nuk ishim që mungonim (ishim të pranishëm).” (7:7)

"(Zoti) Tha: "O Nuh, ai (djali) nuk ishte nga familja jote (për të cilën të premtova se do t’i shpëtoj), ai ishte punëkeq, e ti mos më kërko Mua atë që nuk di, Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga injorantët!”. (11:46)

"Ai tha: "Unë nuk di se ç’punuan ata (që ju u thoni të ulët)”. (26:112)

"(Nuhu) Tha: "Zoti im, unë mbështetem në mbrojtjen Tënde që të (mos) kërkoj prej Teje atë për çka nuk kam njohuri, e në qoftë se nuk më fal mua dhe nuk më mëshiron Ti, do të jem i humbur!”. (11:47)

"O babai im, mua më është dhënë nga dituria çka ty nuk të është dhënë, andaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë.” (19:43)

"Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij e ai tha: "A polemizoni me mua, rreth Allahut e Ai më udhëzoi?” Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?”. (6:80)

"Dhe Ne Lutit i dhamë të jetë pejgamber dhe i dijshëm, andaj edhe e shpëtuam prej atij fshati (vendbanimi) që bënte punë të ndyra, ata ishin popull i dëmshëm e i prishur.” (21:74)

"Dhe ata hynë ashtu si i porositi babai i tyre, po ajo nuk ishte gjë që do t’u ndihmonte asgjë nga caktimi i Allahut, përveç një dëshire të Jakubit që e kishte në vete dhe e kreu. Po ai (Jakubi) ishte i dijshëm për të, ngase Ne e kemi mësuar për atë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (12:68)

"E kur e arriti pjekurinë e tij, Ne i dhamë pushtet e dituri. E kështu Ne i shpërblejmë punëmirët.” (12:22)

"Në të vërtetë, Ne i vendosëm beni israilët (pas shkatërrimit të armiqve të tyre) në një vend të mirë, i furnizuam ata me ushqime të dobishme dhe nuk ishin të përçarë (rreth fesë), vetëm pasi që u erdhi atyre dituria (Tevrati). Zoti yt, do të gjykojë mes tyre në ditën e kijametit, për atë që ishin përçarë.” (10:93)

"Dhe e gjetën një nga robtë Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne.” (18:65) "E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur, Ne i dhamë urtësi e dituri. Kështu Ne i shpërblejmë bamirësit.” (28:14)

"Ne i patëm zgjedhur ata (besimtarët beni israilitë) me vetëdije ndër njerëzit e asaj kohe.” (44:32)

"(Musai) Tha: "Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron.” (20:52)

"Ai tha: "Vetëm Allahu e di atë, ndërsa unë po ju kumtoj atë për çka jam i dërguar, por unë po ju shoh se jeni popull injorant”. (46:23)

"Ai (Karuni) tha: "Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” Po a nuk e di ai se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë asish që ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten për fajet e tyre (meqë Allahu e di).” (28:78)

"E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: "Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!”. (28:80)

"Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: "I falënderohemi vetëm Allahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë”. (27:15)

"E Sulejmanit Ne ia mësuam atë (përgjigjen e saktë), po secilit (prej tyre) u patëm dhënë urtësi e dije. Ne bëmë që kodrat dhe shpezët të madhërojnë (bëjnë tesbih) së bashku me Davudin. Ne kemi mundësi (ta bëjmë këtë) edhe e bëmë.” (21:79)

"E ai i cili kishte dituri nga libri tha: "Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë (këtij i tha sille)!” E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij, (Sulejmani) tha: "Kjo është dhuntia e Zotit tim që të më sprovojë mua se a do ta falënderoj, apo mos do ta përbuz. E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush përbuz, Zoti im (s’ka nevojë), është i pa nevojë e bujar!”. (27:40)

"E kur erdhi ajo, iu tha: "A është i këtillë froni yt?” Ajo tha: "Si të ishte vetë ai?!” (Sulejmani tha:) "Neve na është dhënë dituria përpara saj dhe ne ishim besimtarë para saj”. (27:42)

"Madje për shkak të thënies së tyre: "Ne e kemi mbytur Mesihun, Isain, birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau. Ata që nuk u pajtuan rreth (mbytjes së) tij, janë në dilemë për të (për mbytje) e nuk kanë për të kurrfarë dije të saktë, përveç që iluzojnë. E ata me siguri nuk e mbytën atë.” (4:157)


Përmblodhi: Mr. Fehim Dragusha
26.7.2009

 

Të gjitha ajetet kur'anore janë marrë nga Kur'ani (Përkthimi me komentim), të përkthyera e të komentuara nga H.Sherif Ahmeti, botuar në Prishtinë më 1988. Do theksuar se pas mbarimit të qdo ajeti kam sjellur numrin e surës dhe numrin e ajetit, pra shifra e parë tregon numrin e kaptinës, kurse shifra e dytë tregon numrin e ajetit.

Kategori: Kuran | Shtuar nga: Argjendi (27/09/2010)
Klikime: 1934 | Komentet: 1 | Etiketime: Mr. Fehim Dragusha | Ranguar: 4.3/3
Gjithsejt komente: 1
1 Jetlir  
0
FLM allahu ju shperbleft.

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024