E enjte, 25/04/2024, 07:27
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Krijimi i njeriut [17]
Krijimi i gjithësisë [27]
Krijesa të mrekullueshme [18]
Mjeshtëria e Allahut në ngjyra [11]
Tema tjera shkencore [74]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Kurani dhe shkenca » Krijimi i njeriut

Ndërtimi i Sistemit Nervor

 

Derisa të gjitha këto veprime vazhdojnë, një ndërtim i rëndësishëm duhet të bëhet: sistemi nervor qendror.  Sistemi nervor qendror (truri dhe palca kurrizore) del nga një e zgjatur e trashë e ektodermës, shtresa më e jashtme e tri shtresave fillestare të embrionit. Anësoret e kësaj pllakëze neurale ngriten përderisa nervori mbështillet, i cili me t'u rritur më tutje, mbushet dhe kapsullohet, dhe kështu krijon një tub nervor.

Pjesa e përparme e këtij tubi trashet dhe shtrihet për të formuar trurin, ndërkohë pjesa e pasme formon palcën kurrizore.

Ndërtimi i trurit paraqitet qartë në ambientin me ujë në mitrën e nënës. Ky ndërtim bëhet nga qelizat të cilat nuk kanë intelegjencë apo dituri. Në fund të këtij procesi të mrekullueshëm foshnja do të ketë një total prej 10 bilion qeliza të trurit. Secila qelizë vepron me një njohuri paraprake se me cilën qelizë duhet të lidhet. Nga mundësit e pafundme, ajo gjen vendin ku përket. Bashkohet me qelizën që duhet të bashkohet. Në fund, arrihen 100 trilion lidhje perfekte në tru. Ai vullnet që ua lejon qelizave pa vetëdije, duke punuar në terr, të ndërtojnë kompjuterin më të shkëlqyeshëm në botë – trurin – është ditura e përjetshme e Zotit.

 

Të gjitha zhvillimet të cilat i kemi përmbledhur këtu me një apo dy fjali kalojnë kufijtë e imagjinatës së njeriut.  Fazat e tjera në formimin e sistemit nervor  vazhdimisht vërtetojnë karakterin e jashtëzakonshmë të këtyre zhvillimeve.

Nga java e katërt në palcën e kurrizit fillojnë të prodhohen qeliza të veçanta nervore që quhen neurone.  Ato prodhohen shumë shpejt në një shpjetësi prej 5000 në sekond. 37   Një numër i madh i qelizave të trurit prodhohen në pesë muajt e parë të jetës së embrionit, dhe të gjitha para lindjes vendosen në vendin e vet në tru. Qelizat e sistemit nervor formohen shumë shpejt dhe pastaj fillojnë të shpërngulen në vendet më të largëta në mënyrë që të formojnë vargjet e sistemit nervor.

Në këtë fazë, është absolutisht e nevojshme për çdo njeri që secili neuron të gjej vendin e tij të rezervuar në sistemin nervor.  Për këtë arsye, një udhëzues është i domosdoshëm që të ndihmojë orientimin e neuroneve të reja drejt vendit të tyre.  Këta udhëzues janë qelizat e veçanta të cilat zgjaten si një lloj kablloje në mes të vendit ku zhvillohet truri dhe palca kurrizore.  Neuronet e lëshojnë vendin ku ato prodhohen dhe shpërngulen të ngjitura në këta udhëzues.  Ato e dijnë vendin e caktuar të tyre, vendosen aty dhe menjëherë lëshojnë zgjatime duke formuar lidhje me neuronet e tjera.

E gjithë kjo është shumë mirë.  Mirëpo, si e dijnë neuronet që duhet të nisen në një udhëtim të gjatë menjëherë mbas formimit të tyre?  Si vendosin që të përdorin një udhëzues që të arrijnë tek vendi dhe të bashkëpunojnë me njëra tjetrën?  Ato që quajmë neruone janë qeliza të vogla që mund të shikohen vetëm me anën e mikroskopit,  dhe janë të përbëra nga atomet dhe molekulat.   Pa dyshim se ato nuk mund të pozicionohen në mënyrë të tillë nga vendimi dhe vullneti i tyre.  Ajo që i drejton ato nuk është truri, sepse truri i embrionit në mitrën e nënës nuk është zhvilluar ende.

Menjëherë mbasi të formohen këto qeliza, të dirigjuara nga informacioni që gjendet në to, lëvizin sikur të programuara drejt vendit të panjohur. është e qartë se në procesin e formimit të trurit dhe sistemit nervor, asnjë ndodhi nuk mund vjen në ekzistencë nga rastësia, sepse një ndryshim në një fazë të vetme do të shkaktonte reagime të njëpasnjëshme zinxhirore duke bërë që tërë sistemi të prishet.  Formimi i neuroneve dhe bërja e tyre sistem nervor është vetëm një fazë e formimit të trurit dhe sistemit nervor të lidhur me të.   Jo truri, siç pohojnë evolucionistët, por asnjë neuron i vetëm nuk mund të formohet nga rastësia.

Ka shumë e shumë detaje të tjera në këtë zhvillim.  P.sh. kur neuronet vijnë në ekzistencë në fillim, ato kanë ndërtim të ndryshëm nga ato të njeriut të pjekur.   Në mënyrë që të kryejnë funksionet e kërkuara nga sistemi nervor i një njeriu në zhvilllim, neuronet shpërngulen në një pjesë të veçantë të trupit, dhe në fazën e parë, metabolizmi i tyre ju mundëson atyre që të mbijetojnë pa oksigjen.  Kur ato arrijnë në tru dhe vendosen aty, ato menjëherë marrin një metabolizëm që varet nga oksigjeni për mbijetesen e tyre.   Për dobi të të gjitha qelizave nervore ky ndryshim duhet të ndodh çdo herë në mënyrë perfekte, përndryshe mbijetesa e tyre do të ishte e pamundur.  Kjo padyshim se është një gjë e mrekullueshme. 38 

Sot e dijmë që është tejet e rrezikshme për njeriun që qelizat e trurit të mbesin pa oksigjen për një kohë të caktuar, dhe nëse kjo kohë zgjat paraqitet paraliza, pastaj vdekja është e pashmangshme.  Mirëpo neuronet e para që vijnë në ekzistencë kanë një sistem krejt ndryshe.  Sikur të ketë problem në këtë fazë, d.m.th, sikur të mos ndodh ndryshimi në metabolizmin e neuroneve saktësisht në momentin e duhur, embrioni nuk do të zhvillohej në njeri.  Natyrisht që, nuk është e mundur që qeliza të vendos çfarë funksioni do të kryej në të ardhem dhe të ndryshoj ndërtimin nga vullneti dhe dijenia e saj në mënyrë që të kryej këtë funksion.

Duke qenë kështu, ne konfrontohemi me një të vërtet të qartë: është Zoti I Cili krijon neuronet me këto karakteristika, i fut ato në punë në momentin e duhur dhe i përcakton drejtimin ku duhet të shkojnë.  çdo njeri duhet të di se është sjellur në jetë nëpërmes këtyre  fazave, dhe të falemnderoj Zotin për madhështinë me të cilën e ka krijuar atë në njeri. Ai nuk duhet për asnjë moment të harroj se Zoti është Krijuesi i çdo gjëje, dhe përveç Atij, nuk ka forcë tjetër në qiell e në tokë.

…A nuk besoni në Atë I Cili ju krijoj juve nga dheu, pastaj prej një pike të spermës, dhe pastaj ju bëri juve njeri? Megjithatë, Ai është All-llahu, Zoti im, dhe unë nuk i bëj asnjë shok Zotit tim. (Kur'an, 18: 37-38)

Rëndësia e Planifikimit Ndërmjet Qelizave

Kur shikojmë zhvillimin e embrionit, vërejmë një shkallë të lartë të proporcionit dhe harmonisë. Në fund të muajit të parë, zhvillimi i syve, veshëve, hundës, mjekrrës dhe faqeve bëhen të dallueshme.

Në rrjedhën e këtij zhvillimi harmonik është shumë e rëndësishme që të ndodh rritja dhe ndryshimi struktural.  është e nevojshme që këto ndryshime të ndodhin në të njejtën mënyrë në të gjitha pjesët e trupit, sepse të gjitha organet e trupit të njeriut kanë ndërtim tepër të ndërlikuar.  P.sh. vetëm syri ka 40 pjesë të ndryshme. Që syri të jetë i aftë të kryej funksionin e tij, është e nevojshme që rritja e këtyre pjesëve të jetë proporcionale, lidhjet në mes pjesëve të jenë të mira dhe çdo pjesë të jetë në vendin e vet.  Përndryshe, syri nuk do të mund të kryej funksionin e tij. Në të njejtën mënyrë, në formimin e krahut, eshtrat dhe muskujt duhet të fillojnë formimin e tyre në të njejtën kohë.

Siç kuptohet nga e tërë kjo, të gjitha qelizat e embrionit veprojnë në harmoni.  Secila nga ato është në dijeni të planit kryesor të trupit.  Secila dërgon një numër të mesazheve dhe reagon në mesazhet që i vijnë nga qelizat e tjera.  Të gjitha qelizat në embrion veprojnë së bashku; me mirëkuptim të vërtet, secila e ndryshme nga tjetra, ashtu siç duhet ato përdorin atë që nevojtet nga informacioni që gjendet në ADN.

Por si e dijnë qelizat ku të shkojnë dhe çka të bëjnë?  Si mund të veprojnë së bashku në harmoni të tillë me qelizat e tjera?  Kush vendos se si duhet të përdoret materiali gjenetik që gjendet në qeliza dhe si e bëjnë qelizat dallimin ndërmjet njëra tjetrës?

Në organet e trupit tonë nuk duhet të ketë mangësi apo tepricë.  Një e metë në një organ nganjëherë është fatale; e më së paku shkakton  paaftësi.  Një teprim vendos një barrë të panevojshme në trup.  Kështu që, së pari është e nevojshme që të vendoset numri i organeve që trupi ka nevojë.  Si vendoset për këtë numër?  Si ndodh që kur një grup qelizash fillojnë të bëjnë një organ, një grup tjetër i qelizave nuk e bëjnë të dytin, d.m.th. të njejtin organ?

Është Zoti Ai që Krijon Trupin Nga një Copë Mishi

 

 

Para se të fillojë të zhvillohet, embrioni i ngjan një cope mishi. Sytë, veshët, zemra dhe organet e tjera zhvillohen dhe një person i ri vjen në ekzistencë. Lart, shofim zhvillime serike që ndodhin në formimin e fytyrës së njeriut. Çdo njeri në faqen e tokës ka kaluar nëpër këto faza. Njeriu si një grumbull qelizash të pavetëdijshme për ekzistencën e tyre, vazhdon nëpër këtë zhvillim në ambientin e mbrojtur dhe të sigurt në mitrën e nënës. Sytë simetrik, vetullat, hunda, goja dhe lëkura mbrojtëse të gjitha formohen në trupin e nënës. Këto transformime mrekulluese që shifen në foton lart janë dëshmi e artit krijues të Zotit. Është detyrë e secilit person në botë të mendojë për këtë të vërtet dhe të falemnderoj Zotin.

 

Evolucionistët mundohen t'i shmangen kësaj çështje duke thënë se molekula e ADN-së është përgjegjëse për këto funksione, por kjo është vetëm një mashtrim.  çështja kyqe për t'u shqyrtuar këtu është:  kush i vendosi të gjitha informatat në molekulën e ADN-së të çdo qelize në trup.  Gjithashtu, kush vendos se ku, kur dhe si kjo informatë të përdoret?  Këtyre pyetjeve evolucionistët nuk mund t'ju japin përgjigje.

Qelizat formohen nga atomet pa jetë dhe dije, enët e gjakut, indet, ajri, era apo çfarëdo materiali tjetër, nuk kanë fuqi të sjellin vendime të tilla.  është Zoti I Cili nguliti këtë plan të mrekullueshëm në ADN dhe është Zoti I Cili siguron realizimin perfekt të këtij plani duke i frymëzuar qelizat që të bëjnë atë që duhet bërë.  Zoti ka fuqi mbi të gjitha gjërat. 

KRIJIMI MAHNITËS I SYRIT

Në javën e katërt, në dy anët e kokës së embrionit formohen dy zgavra. Është vështirë të besohet, por sytë do të formohen në këto zgavra në fillimin e javës së gjashtë. Me muaj qelizat punojnë sipas një plani të jashtëzakonshëm, duke formuar pjesë të ndryshme të syrit një nga një. Disa qeliza bëjnë kornen, disa bëjnë bebëzat dhe të tjerat bëjnë lentet. Kur një pjesë që ndërtohet nga një qelizë e posaçme kompletohet, qeliza ndalet së punuari. Secila qelizë bënë një pjesë të ndryshme të syrit; më vonë ato bashkohen me njëra tjetrën në një mënyrë mahnitëse. Në proces nuk ka gabime; asgjë tjetër nuk zë vendin e bebëzës, apo të kornesë, apo të muskulit të syrit dhe secili element është në vend. Këto veprime vazhdojnë dhe syri formohet në mënyrë perfekte me shtresat e tij të ndryshme.

Këtu duhet t'ia bëjmë vetes ca pyetje:  Si e dijnë këto qeliza se duhet të ndërtojnë shtresa të ndryshme?  Si vendosin ato kur të fillojnë dhe kur të përfundojnë ndërtimin e secilës shtresë?  Në këto pyetje është vetëm një përgjigje:   Qelizat mund të kryejnë këtë aktivitet të dijshëm sepse ato lëvizin nën inspirimin e Zotit.  Por evolucionistët të cilët mundohen të shpjegojnë fromimin e njeriut nga veprimet e rastësisë nuk mund t'u japin përgjigje këtyre pyetjeve.

Një nga evolucionistët i cili shpjegoi planin  perfekt në trupin e  njeriut ishte  Hoimar von Ditfurth.  Në librin e tij,   Im Anfang War Der Wasserstoff  (Në Fillim ishte Hidrogjen), ai shpjegon formimin e njeriut në detaje dhe pranon se teoria e evolucionit  kurrë nuk do të mund të jap përgjigje në pyetjet "si' dhe "pse":

Sikur të mos ketë një plan të përcaktuar ku dhe kur ndërtimi të fillojë dhe në çfarë rendi të vendosen në veprim secili nga elementet e tij, ai plan do të ishte i kotë, edhe sikur të ishte i shkëlqyeshëm në aspektet e tjera.   Ne e dijmë se ndërtimin e kësaj ndërtese duhet filluar nga themeli dhe pas përfundimit të mureve e vendosim kulmin.   Por para se të kompletohet instalimi i ujit dhe i rrymës, ne nuk mund të suvatojmë.  Së bashku me planin që duhet të përcillet me përpikëri në çdo ndërtim, gjithashtu edhe koha është e caktuar për përfundim.

Kjo vlen edhe për ndërtimet natyrale dhe posaçërisht për qelizat.  Mirëpo, ne nuk dijmë gati asgjë se si kjo marrëdhënie "përpara dhe prapa (më vonë)" ndodh në organizimin e qelizës.   Biologët ende nuk janë në gjendje të gjejnë se kush ju tregon qelizave se cila pjesë e planit duhet të kryhet dhe kur.  Kush ua jep urdhërin që pengon veprimin e disa gjeneve m'u në kohën e duhur, si hiqet embargoja në disa gjene, dhe kush i organizon gjenet shtypëse dhe gjenet shtytëse në veprim?  Këto janë pyetje për të cilat jemi në errësirë të plotë. 1

Në formimin e syrit, "kamerës më të mirë në botë", kemi parë që qelizat e pavetëdije veprojnë me dituri tejet të lartë, duke krijuar syrin në trupin e nënës nga asgjëja.  Sigurisht që,  nuk janë vet qelizat që kanë sukses në kryerjen e kësaj pune të jashtëzakonshme:  ato veprojnë nën inspirimin e Zoti të Madhërishëm.  Në Kur'an, Zoti tregon se Ai un jep njerëzve formën e tyre:

Ai është All-llahu – Krijuesi, Shpikësi, Dhënësi i Formës.  Atij i përkasin emrat më të bukur. çdo gjë në qiej e në tokë e madhëron Atë.  Ai është i Gjithëfuqishmi, I Urti. (Kur'an, 59: 24)

1-Hoimar von Ditfurth, Im Anfang War Der Wasserstoff (In the Beginning was Hydrogen), pp. 129-130

 

Mbështjellja e Muskujve Rreth Eshtrave

Deri vonë, embriologjistët mendonin që eshtrat dhe muskujt e embrionit zhvillohen në të njejtën kohë.  Sidoqoftë, hulumtimet e vonshme zbuluan një fakt krejt tjetër i cili ishte i panjohur për njeriun.  Së pari,  indi kërcor i embrionit  osifohet (eshtërohet).  Pastaj qelizat muskulore që janë selektuar nga indet rreth eshtrave bashkohen dhe mbështillen përrreth eshtrave.

Ky fakt, që është zbuluar kohëve të fundit nga shkenca, është shpallur në Kur'an 1400 vite më parë:

Pastaj shndërruam pikën në copë gjaku (embrion) dhe shndërruam copën e gjakut në copë mishi dhe shndërruam copën e mishit në eshtra dhe veshëm eshtrat me mish, pastaj e bëmë krijesë tjetër. I Bekuar qoftë All-llahu, më i miri Krijues! (Kur'an, 23: 14)

Kjo çështje, për të cilën Kur'ani informon 1400 vite më parë, shpjegohet kështu në një botim shkencor të titulluar Zhvillimi i Njeriut:

Në fazën e eshtrave gjatë javës së 7të forma e skeletit përcakton pamjen e përgjithshme të embrionit ; muskujt nuk zhvillohen në të njejtën kohë por zhvillimi i tyre pason përrreth eshtrave në tërë trupin dhe i veshin eshtrat.  Kështu muskujt marrin format dhe strukturat e tyre të njohura.1

Shkurt, fazat e zhvillimit të njeriut ashtu siç përshkruhen në Kur'an janë në harmoni perfekte me zbulimet e embriologjisë moderne.  Zoti, Sunduesi i të gjitha botërave, ia ka dhënë njeriut këtë informatë shekuj më parë.

1- Keith L. Moore, The Developing Human, W.B. Saunders Company, PA, 1982, p. 364a


Në javën e gjashtë krahët dhe këmbët e embrionit paraqiten. Zinxhiri i mrekullive në zhvillimin e embrionit vazhdon pa ndalje derisa qelizat ndërtojnë duartë. Por disa nga këto qeliza më vonë sjellin një vendim të jashtëzakonshëm dhe mijëra qeliza mbysin vetën një nga një. Qelizat vdesin në një vijë të dallueshme duke formuar një kallëp për zhvillimin e gishtërinjëve. Qelizat e tjera i hajnë qelizat e vdekura dhe formojnë kavitete në këto vende. Këto kavitete janë hapësirat në mes të gishtërinjëve. Dhe kështu gishërinjët formohen. Vet fakti se qelizat mbysin veten për hir të qenieve njerëzore është dëshmi e qartë se Zoti krijoj njerëzit. Ndërkohë, disa qeliza fillojnë të formojnë këmbët. Këto qeliza nuk e dijnë se embrioni do të ketë nevojë për ecje në botën e jashtme, por ato ia ndërtojnë këmbët dhe shputat me strukturën më të mirë të mundshme. Burimi i aktivitetit të dijshëm të qelizave është inspirimi nga Zoti.

 

Përgatitjet për Botën e Jashtme

Foshnja,  organet e të cilës zhvillohen ngadalë dhe e cila është në prag të fillimit të lëvizjes, pret një zhvillim të mëtjeshëm.  Që foshnja të mbijetojë në një ambient plotësisht të ndryshëm nga ai në të cilin jeton tash, duhet që përgatitjet e nevojshme të bëhen.

 

Në të djathë, fetusi shifet në membranën amniotike. Lëngu brenda membranës mbron fetusin nga lëndimet dhe dëmtimet. Përveç kësaj, lëngu amniotik po ashtu i përgatit zorrët e fetusit për funksionin e tyre absorbues (thithës), ndihmon në funksionimin e veshkëve dhe ofron temperaturën konstante që i nevojitet foshnjës. Prezenca e lëngut amniotik është po ashtu i rëndësishëm edhe për shëndetin e nënës. Ky lëng pengon fetusin të bëj shtypje në mitër.

Foshnja ka nevojë të fillojë të lëvizë ngadalë dhe t'i fus në veprim organet e sapo formuara. Ky problem është zgjidhur në mënyrën më të mrekullueshme. Në membranën që e ndan foshnjën nga mitra, një lëng i veçantë i quajtur "lëngu amniotik" fillon të prodhohet. Veshkët dhe mushkëritë e foshnjës, membrana amniotike dhe mitra që e rrethon kontribojnë në formimin e këtij lëngu. 39 

"Uji i Jetës" i Foshnjës: Lëngu Amniotik

Lëngu amniotik është i prodhuar posaqërisht për foshnjën; ajo siguron që organet të jenë të përgatitura për funksionim pas lindjes.  Foshnja, sikur të ishte duke ushtruar e gëlltit lëngun amniotik që të përgatitet për botën e jashtme.  Në këtë mënyrë, gjuha e saj fillon të ndjej shijen e hidhur, të ëmbël, të njelmët dhe të thartë.  Pastaj gjëndrrat e pështymës fillojnë të funksionojnë.  Lëngu amniotik që gëlltitet nga fetusi fillon të përgatisë zorrët për funksionin absorbues (thithës), dhe i bën veshkët të funksionojnë duke krijuar nevojën e filtrimit të vazhdueshëm të këtij lëngu të njejtë nga gjaku. Lëngu i marrur nga veshkët kthehet prapë te lëngu amniotik, pa e ndotur atë, sepse veshkët kanë aftësinë e dallimit nga funksioni i tyre i mëvonshëm, të filtrojnë dhe të sterilizojnë lëngun e gëlltitur nga foshnja.   Ky lëng, vazhdimisht pastrohet me ndihmën e disa lëngjeve të tjera sikurse që pastrohet një pishinë noti.

Pa lëngun amniotik nuk është e mundur që foshnja të zhvillohet në mitrën e nënës. Ky lëng është prodhuar pa mangësi që nga koha e njeriut të parë e deri më sot. Kjo zhvlerëson pohimin e evolucionistëve se ky zhvillim ndodhi rastësisht fazë pas faze gjatë një periudhe kohore.

Në të njejtën periudhë së bashku me këto zhvillime, lëngje që ndihmojnë tretjen e ushqimit fillojnë të sekretohen (tajiten) në stomak në mënyrë që sistemi i tretjes të përgatited plotësisht.40  Qelizat në zorrët e reja të foshnjës kanë aftësine e dallimit në mes të sheqerërave dhe kripërave dhe kthejnë mbetjet e posaçme në gjakun e nënës.  Në këtë mënyrë, të dyja, zorrët dhe veshkët vihen në veprim.  Lëngu amniotik thithet nga zorrët e fetusit njëherë në tre orë, kjo ndodh tetë herë në ditë dhe kthehet te nëna nëpërmes gjakut.   E njejta sasi e lëngut gëlltitet dhe lirohet në hapësirën e lëngut amniotik nga mitra e nënës, mushkëritë dhe veshkët e fetusit. Në këtë mënyrë, sasia e këtij lëngu, që ka rëndësi vitale për fetusin, mbetet konstante. Ky organizim perfekt siguron funksionimin e sistemit të tretjes së fetusit pa ndonjë dëmtim të fetusit.  

Në përputhje me rritjen e fetusit, sasia e lëngut amniotik shtohet, duke arritur rreth 30 ml në javën e dhjetë, 350 ml në muajin e pestë dhe 1 litër në muajin e shtatë.  Në momentin e lindjes, sasia e lëngut bie në gjysmë litër. 41 

Lëngu amniotik jo vetëm që përgatit sistemin tretës për periudhën pas lindjes, por gjithashtu ofron mundësinë që foshnja të lëvizë lirshëm në mitrën e nënës.  Fetusi noton në këtë lëng sikurse një barkë e lidhur për liman (port).  Edhe në këtë gjendje mund të lëvizë lirshëm në mitrën e nënës.  Në të njejtën kohë,  ky lëng mbron fetusin nga lëndimet fizike të jashtme.  Shtypja e bërë në lëng nga çfarëdo drejtimi shpërndahet barabartë në çdo drejtim duke e mbrojtur fetusin nga efektet e dëmshme.  P.sh. nëse nëna vrapon, lëkundjet nuk kanë efekt në foshnjën; kjo mund të krahasohet me një tapë që noton në një enë të mbushur me ujë.  Sistemi mbrojtës më perfekt i mundshëm është krijuar për fetusin; çdo lloj rreziku është parashikuar dhe masat paraprake janë ndërmarr. 

Prania e lëngut amniotik është i rëndësishëm për shëndetin e nënës gjithashtu.  Ky lëng mbush tërë mitrën, kështu që derisa fetusi rritet dhe fiton peshë, nuk bëhet shtypje në mitër. Sikur ky lëng të mos ishte prezent, rritja e fetusit do të peshonte mitrën poshtë dhe kundër-shtypja nga muret e mitrës do të bënte të pamundur zhvillimin normal të fetusit.

Ky lëng i veçantë ofron edhe një nevojë tjetër vitale për fetusin: një temperaturë konstante.  Dihet se lëngjet shpërndajnë nxehtësinë në mënyrë të barabartë.  Lëngu amniotik qarkullon vazhdimisht dhe ruan një temperaturë konstante.  Nxehtësia që nevojitet për zhvillimin e fetusit shpërndahet e barabartë në çdo drejtim.

Problemi më i vogël në prodhimin, pastrimin e vazhdueshëm apo rregullimin e volumit të këtij lëngu, ndikon në mos zhvillim normal të fetusit.  P.sh. nëse sasia e lëngut amniotik është më e ulët se sa që kërkohet, apo nëse fare nuk është i pranishëm, një seri anomalish paraqiten. Gjymtyrët vyshken dhe deformohen, nyjet ngjiten, lëkura lëshohet dhe për shkak të shtypjes, fytyra deformohet.  Problemi më serioz është se zhvillimi i mushkërive ndalon dhe foshnja vdes menjëherë pas lindjes. 42 

QIME TË POSAÇME MBROJNË FOSHNJËN

 

Lëngu amniotik mbron foshnjën gjatë zhvillimit në mitrën e nënës. Mirëpo, nëse foshnja kalon shumë kohë në këtë lëng, do të pësoj dëmtime. Por, kjo nuk ndodh. Trupi i foshnjës ka një mbrojtje të shkëlqyeshme kundër dëmtimit nga ky lëng. Në muajin e pestë, qime të imëta pa ngjyrë mbulojnë trupin e foshnjës. Këto qime mbesin në trupin e foshnjës për tre ose katër muaj. Para lindjes ato e mbulojnë trupin e foshnjës gati plotësisht. Për shkak të këtyre qimeve, lëngu amniotik nuk dëmton lëkurën e foshnjës. Është e qartë se prezenca e këtyre qimeve është masë e veçantë e ndërmarrur për mbrojtjen e foshnjës. Në zhvillimin e foshnjës në mitrën e nënës nuk ka mangësi në asnjë detaj. Ky sistem është i organizuar në atë mënyrë që të mos ndodhin probleme dhe është vetëm një nga manifestimet e pakufijë të fuqisë krijuese të Zotit.

 

 

Gjithë kjo na tregon se nga njeriu i parë e deri më sot, prodhimi i lëngut amniotik ka vijuar pa të meta.  Pa atë, foshnja nuk mund të zhvillohet në mitrën e nënës.  Ky fakt plotësisht zhvlerëson pohimin e evolucionistëve se zhvillimi ka ndodhur fazë pas faze gjatë një periudhe kohore.  Sikur një fazë e vetme në krijimin e njeriut të mos zhvillohej, lindja nuk do të mund të ndodhte kurrë dhe raca njerëzore nuk do të ekzistonte.  Për këtë arsye nuk mund të pohohet se lëngu amniotik filloi të prodhohej gjatë një periudhe kohore kur u lind nevoja për të.  Ky lëng duhet të ekzistojë së bashku me foshnjën.  është e pamundur të pohohet se një lëngë i tillë, me të tilla funksione vitale, është formuar në një moment rastësisht.   Të thuhet se një organizëm kompleks erdhi në ekzistencë në një moment është të thuhet se ky organizëm u krijua.  është e pamundur që veprimet e rastësishme të llogaritin, të vendosin për nevojat, të zgjedhin gjërat e duhura për këto nevoja dhe të zbatojnë ato saktësisht në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

është e qartë se Zoti krijoj lëngun amniotik dhe sistemet me të cilat është e lidhur ajo.  Ai po ashtu vendos për sasinë e nevojshme të këtij lëngu.

All-llahu e di se ç'bart çdo grua dhe çdo tkurrje dhe enjtje (fryrje) të mitrës. çdo gjë ka masën tek Zoti. (Kur'an, 13: 8)

Përgatitjet për Frymëmarrjen e Parë

Pas lindjes gjëja më e rëndësishme për foshnjën është frymëmarrja; është e nevojshme që mushkëritë, të cilat kurrë nuk e kanë njohur ajrin më parë, të mbushen me atë dhe t'a fillojnë frymëmarrjen.  Foshnja, e cila me parë ka pranuar oksigjenin nga gjaku i nënës, tani duhet t'a merr atë nga ajri me anën e mushkërive të saj.  Dhe në mëyrë të mrekullueshme, mushkëritë, që kurrë nuk kanë marrë frymë më herët në momentin e parë të lindjes, fillojnë të marrin frymë krejt normalisht.

Vjen koha që foshnja lind, Zoti krijoj çdo gjë të gatshme dhe bëri që përgatitjet e mushkërive të jenë kompletuar siç duhet.  Në përgatitjen e mushkërive, luan rol edhe diafragma; e cila është e lokalizuar në mes stomakut dhe kafazit të brinjëve.  Diafragma fillon të funksionojë gjatë muajit të gjashtë të shtatzënisë.  Në fillim ajo zgjerohet dhe shtrëngohet me ndërprerje disa herë në orë, por pas lindjes ajo e bën këtë pa ndërprerje.

Nga kjo mund të kuptohet se foshnja është vazhdimisht nën mbrojtje të vazhdueshme, por duhet të mbahet në mend se kjo nuk është mbrojtje nga nëna.  Derisa fetusi zhvillohet, nëna bën jetën e saj normale; asnjë nga ndryshimet në trupin e saj nuk janë nën kontrollin e saj.  Edhe sikur të dëshironte të intervenonte nuk do të kishte mundësi.  Të gjitha këto zhvillime bëhen nga një fuqi e përhershme e Zotit tonë.  Zoti në mënyrën më të mrekullueshme ka krijuar të gjitha gjërat e nevojshme që foshnja të vijë në botë si një njeri normal.  Të gjitha nevojat e foshnjës përmbushen derisa është në fazën e fetusit, dhe nëna është e kursyer nga të menduarit se çka duhet të bëj që të sjell foshnjën në botë dhe të siguroj mbijetesën e foshnjës.

Edhe sikur ajo të mendonte të bënte diçka, nuk do të kishte mundësi të ndërhynte.  P.sh. marrja e materialit të ndotur nga trupi i fetusit në veshkët e saj, pastrimi dhe lirimi janë gjëra të cilat asnjë nënë nuk mund t'i bëj vet.  është Zoti I Cili i vendos të gjitha nevojat për një njeri të ri që do të vijë në botë dhe ndërton sistemet në atë mënyrë që t'i përgjigjen më së miri këtyre nevojave.

Përgatitjet Janë Kompletuar

Ndërkohë që fetusi gradualisht përgatitet për jetë në botën e jashtme, një ekip punëtorësh të jashtëzakonshëm janë organizuar ndërmjet organeve.  Puna që bëhet është vendosur në bazë të kushteve të botës së jashtme.  Sytë, e papërdorur në mitrën e nënës, janë ndërtuar për të përballuar intensitetin e dritës së botës; veshët janë bërë për të dëgjuar tingujt e botës.  Në të njëjtën mënyrë, stomaku dhe organet e tjera tretëse kanë një strukturë fiziologjike që përshatet me ushqimin e botës së jashtme.  Qelizat e sistemit tretës janë të programuara dhe të rregulluara në mënyrë të atillë që të tretin ushqimin që kurrë nuk e kanë takuar.   Së bashku me aftësinë e tyre për të analizuar karbohidratet dhe yndyrnat, ato janë të programuara të njohin se cilat ushqime nevojiten për organe dhe bëjnë që këto ushqime të dërgohen te qelizat e nevojshme në trup.  Kështu, fetusi përgatitet për botën e jashtme në një mënyrë të planifikuar dhe të programuar.  Këtu duhet të theksojmë përsëri se këto organe dhe qeliza që formojnë trupin e një njeriu të ri bëjnë këto përgatije për një ambient të cilin kurrë nuk e kanë parë, nuk e dëgjuar apo nuk e kanë përjetuar.   Ato zhvillohen sikur të jenë në dijeni për ambientin që është duke i pritur mbasi t'a lëshojnë trupin e nënës.   Sigurisht se është e pamundur të pohohet se këto qeliza kompletojnë këto veprime nga parashikimi i tyre.  Përgatitjet e dijshme dhe të qëllimshme të bëra nga qelizat në formimin e trupit të foshnjës, të inspiruara nga Zoti, duhen të gjykohen si një dëshmi e rëndësishme e krijimit.


Me teknologjinë e ditëve të sotme është e mundur që me anë të ultrazërit të vështrohet zhvillimi i foshnjës në mitrën e nënës.

Në muajt e fundit, fetusi fillon të fitojë peshë.  Qeliza të caktuara prodhojnë një shtresë yndyrore e cila quhet "yndyra e kaftë" sepse ajo ka një ngjyrë kafeje.  Yndyra e veçantë kafe zhvillohet në vende të posaçme si zverku i qafës, rreth veshkëve dhe prapa dërrasës së gjoksit.  Përveç ofrimit të izolimit, kjo yndyrë prodhon edhe nxehtësi.  Funksioni i veçantë i kësaj shtrese është të mbajë foshnjën ngrohtë në javët e para të lindjes.43 Fakti që qelizat të cilat prodhojnë këtë shtresë yndyrore pa të meta kryejnë detyrat e inspiruara në to është një dëshmi tjetër e krijimit.

Ndërkohë, lëkura e fetusit kalon nëpër ndryshime të rëndësishme që rezulton në zhvillimin e sipërfaqes së lëkurës para lindjes e cila është tejet e rëndësishme për mbijetesë pas lindjes.  Lëkura e fetusit prodhon një mbulesë vajore sipërfaqësore e cila zmbraps ujin nga lëkura që është në kontakt me lëngun amniotik. Kjo shtresë vajore sipërfaqësore ka një efekt të rëndësishëm në ngritjen e pjekurisë së qelizave nënlëkurore dhe në formimin e një barriere lëkurore para lindjes. 44 

Në pjesët e mësipërme, kemi përmendur se në fazat e hershme të embrionit, qelizat mbrojtëse të nënës nuk lejohen të hyjnë në gjakun e foshnjës sepse e konsiderojnë foshnjën si një trup të huaj dhe mund t'a mbysin.  Por në muajin e nëntë, papritmas kjo situatë ndryshon dhe antitrupat (një proteinë mbrojtëse e prodhuar nga sistemi imunologjik) në mitrën e nënës kalojnë në fetus përmes placentës.   Kur e kuptojmë arsyen e kësaj, mahnitemi nga diçka tejet befasuese.  Në gjashtë muajt e parë pas lindjes, qelizat në sistemin imununologjik të foshnjës nuk zhvillohen, por foshnja ka nevojë për antitrupa që të mbrohet nga mikrobet në botë.  Kështu që, në muajin e fundit, antitrupat e nënës, të cilët lejohen të kalojnë në gjakun e foshnjës, do të jenë të gatshme që të mbrojnë foshnjën nga sëmundjet infektive kur të lind. 45 Në muajt vijues, sistemi imunologjik i foshnjës fillon të prodhojë antitrupat e vet dhe antitrupat e nënës pushojnë së funksionuari.

Sikurse e kemi përmendur edhe më lart  ky veprim, është një shembull i planit perfekt të krijimit të njeriut.  Detajet e formimit të qenies njeri janë të llogaritura hollësisht në çdo muaj, në çdo ditë e në çdo minutë.  Sistemet pa të meta ndalojnë materialin e dëmshëm që të arrijë foshnjën, por kur këto materiale nevojiten, sistemi i vjetër mënjanohet në bazë të planit të njejtë perfekt, dhe një i ri vendoset.  Sigurisht se, ky perfeksion nuk vjen nga vendimi dhe vullneti i paramenduar i qelizave të cilat formojnë njeriun.  Të gjitha këto gjëra janë dëshmi e krijimit të pakrahasueshëm të Zotit të Madhërishëm.  

Nga shembujt e dhënë, kuptojmë që secila fazë e zhvillimit të njeriut është e kontrolluar dhe ndodh sipas një plani perfekt të urdhëruar.   Dhe secili njeri derisa është në fazën e fetusit, kalon nëpër këtë zhvillim të kontrolluar dhe rritet deri në pjekuri. Për individët e vetëdijshëm plani i veçantë dhe procesi perfekt në zhvillimin e njeriut janë manifestim i diturisë dhe mençurisë së përhershme të Zotit. 

KRIJIMI NGA NJË PIKË

Gjatë nëntë muajve në mitrën e nënës, rritja vazhdon në mënyrë perfekte.  Fetusi së pari hyn në mitër si një pikë lëngu dhe gradualisht kthehet në një qenie njerëzore.

Sikur aty të ishte edhe mungesa më e vogël e kordinimit në zhvillim, fetusi sigurisht se do të vdiste.  P.sh. sikur truri të rritej më shpejt se sa eshtrat e kafkës, truri i fetusit do të shtrëngohej dhe do të kishte pasoja.  Ky kordinim është po ashtu shumë i rëndësishëm në fomimin e syve, mëlçisë, zemrës, organeve të tjera si dhe eshtrave që i rrethojnë.  Zhvillimi i renditur i organeve është po ashtu shumë i rëndësishëm sepse, sikur veshkët të zhvilloheshin ngadalë dhe sistemi qarkullues të formohej me kohë, gjaku nuk do të pastrohej dhe trupi do të helmohej.

Por kjo nuk ndodh dhe foshnja gati për të hapur sytë në botën e jashtme është krijuar duke kaluar në mënyrë perfekte nga një fazë në tjetrën. 

Fuqia e vetme që krijon një qenie njerëzore komplet nga ajo që në fillim ishte vetëm një pikë lëngu është ajo e Zotit të Madhërishëm, Zotit të universit.

Kur'ani tregon se si Zoti krijoj njeriun:

"A mendon njeriu se do të lihet të vazhdoj i pa vëzhguar?
A nuk ishte një pikë sperme e derdhur,
e pastaj një alaq (embrion) të cilin Ai e krijoj dhe i dha formë,
duke i bërë nga ai të dy gjinitë, mashkullin dhe femrën?
Ai I Cili e bëri këtë a nuk është në gjendje të sjell të vdekurin në jetë?"
(Kur'an, 75: 36-40)

Një individ që ballafaqohet me këtë të vërtet gjithmonë do t'i jetë falemnderues Zotit të tij që e krijoj atë nga një pikë lëngu dhe e formoi atë në një person që shikon, dëgjon dhe mendon.

Thuaj: "është Ai I Cili ju solli në qenie dhe iu dha dëgjimin, shikimin dhe zemrat. Sa pak falemnderim tregoni!" (Kur'an, 67:23)

Kategori: Krijimi i njeriut | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 5406 | Komentet: 5 | Ranguar: 5.0/2
Gjithsejt komente: 5
5 MARIO  
0
ALLAH FALEMINDERIT QE EKZISTON !! .. TE DUA ALLAH <3

4 Dr  
0
ELHAMDULILAH, vertet njeri eshte ni kriuar ne menyr te persosur

3 Arigona  
0
ALL-LLAHU EKBER All-llah ti na krijove dhe ty te qofshim fal deri ne vdekje

2 Gonna  
0
All-llahu Ekber.... All-llahu ËSHTË 1 Dhe i Vetmi..

I Lartesuari I Madherishmi I Gjithmeshirshmi ...... Te Dua ALL-LLAH....

1 albmuslim  
0
all-llahu ekber

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024